PRISHTINË, 7 Gusht 2015/ Sot, për herë të parë në dy misionet më të mëdha diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, përkatësisht në Gjermani dhe Zvicër ka filluar lëshimi i certifikatave të gjendjes civile. Me rastin e fillimit të lëshimit të certifikatave të gjendjes civile në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Minhen, u organizua një ceremoni rasti ku mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Kreshnik Gashi.
Ai, duke e vlerësuar ofrimin e këtij shërbimi si një ndër objektivat e realizuara tashmë të MPJ-së, theksoi se, “me lëshimin e certifikatave të gjendjes civile në misione plotësohet më tutje gama e shërbimeve që ofrohen nga misionet e Republikës së Kosovës”, ndërsa bëri të ditur se, “së shpejti, certifikatat e gjendjes civile do të lëshohen edhe në të gjitha misionet tjera të Republikës së Kosovës”.
Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Minhen, Naser Idrizi, theksoi se është shumë i kënaqur që përurimi i këtij shërbimi po ndodhë në Konsullatën e Përgjithshme në Minhen, e cila është hapur këtë vit dhe mbulon Republikën e Bavarisë dhe të Turingenit./ B.Jashari/