Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Xhydollarët e Pogradecit i njeh historia. Ata janë udënishtas. Derë Age. Bregliqenas. Rrënjas. Të përkushtuar e të sakrifikuar për kombin e vet. Të mendjes, të pushkës.
Një prej tyre është dhe Muharrem Hudënishti. Patriot i kohës. Luftëtar me merita. Burrë i zoti. I ditun, i fortë. Personalitet përfaqësues i Hudënishtit në periudhën e Pavarësisë deri kah pushtimi fashist i Shqipërisë. Me emën e vend ndër figurat e shquara të Pogradecit. Edhe në Qarkun e Korçës. Dhe në dy anët e liqenit të Ohrit e të Prespës. Dhe në gjithato qëndra e rrethina përgjatë Drinit të Zi, Shkumbinit e Vardarit.
Patriotit Muharrem Hudënishti i ka ecë emni e firma në kancelaritë e botës, tek Fuqitë e Mëdha. Ai është në Dosjen e Konferencës së Paqes në Paris (1919-1920), përndryshe “Konferenca e Versajës”, e cila u mblodh në dy vite e nënshkroi pesë traktate: me Gjermaninë, me Austrinë, me Hungarinë, me Bullgarinë, me Turqinë. Aty, gjatë diskutimit plot debate të Traktatit të Fshehtë të Londrës (1915) dhe në kuadrin e “Çështjes së Adriatikut”, u trajtua dhe Çështja e Shqipërisë Londineze, e cila rrezikohej t’i merrnin territore fqinjtë e saj ballkanik e mesdhetarë si Greqia, Jugosllavia Versajiste (Serbia e Mali i Zi) e Italia. Aty, Shqipëria pati mbrojtjen Uillsoniane, pasi Greqia kërkonte Korçën e Gjirokastrën, ashtu sikurse Mali i Zi Shkodrën e Italia Vlorën, etj. Kjo Konferencë ishte një domosdoshmëri e kohës dhe mbetet një shembull i keq i botës për arsyenat se nuk u zbatuan parimi i kombësisë dhe i vetëvendosjes së popujve, nuk mori në konsideratë kërkesat e interesat kombëtare të Shqiptarëve për një shtet në kufijtë e vet natyral të 1878-tës, solli prapë copëtimin e Shqipërisë për të kënaqë shovinizmin e egër të fqinjve tanë, shërbeu si një “armëpushim” ndërmjet dy luftarëve botërore, përshpejtoi ardhjen e komunizmit bolshevik të Moskovit, etj. Kjo Konferencë, si edhe të tjerat më 1978 e 1912-’13, do të mbeten të mallkuara në shekuj nga varret e djepet shqiptare.
2.Luftëtari kombëtar Muharrem Hudënishti figuron në një dokument të dërguar nga “Të parët e krahinës së Pogradecit” për Konferencën e Paqës të Parisit. Ay dokument, i nënshkruar në Pogradec, mban datën 8 maj 1919. I bashkalidhet Notës XXII të dërgatës Shqiptare në kit’ Konferencë Ndërkombëtare. Është “Aneksi IV” i saj. Sigurisht, ky dokument ka pasë rolin e vet në atë kohë të vështirë diplomatike, politike, me luftna, aneksime territoresh, etj.
Emni i Muharrem Hudënishtit është i dhjeti nënshkrues në kit’ dokument me 26 firmtarë pogradecarë të 1919-tës. Janë burra të mëdhenj të trevës së tyne, në historinë e Pogradecit…Kjo madhështi iu duket edhe tek mbiemnat, që kanë emnat e viseve të tyne: Pogradeci, Starova, Hudënishti, Çërrava, Memëlishti, Trebinja, etj.
Njëzet ë gjashtë firmëtarët atdhetarë të këtij dokumenti të 8 majit 1919 janë emën ndritunit:
Istref Sulejman Starova,
Jashar Isuf Starova,
Hasan Demir Starova,
Dilaver M. Starova,
Zenel Shahin Zagoriçani,
Muharrem Abedin Zagoriçani,
Emin Reshit Vërdova,
Bahri Reshit, Vërdova,
Riza Rexhep Memëleshiti,
Muharrem Abedin Hudënishti,
Hysen Shemsejdin Vinçani,
Arsllan Demir Çaushlliu,
Adem Ymer Trebinja,
Rakip K. Pogradeci,
Hydriz D. Pogradeci,
Zia H. P. Pogradeci,
Koçi Tushi,
Tanas Kërxhali,
Pandi Pasko,
Arsllan Mehmeti,
Riza Xhaferri,
Muharrem Rushani,
Riza Rexhep Pretusha,
Dervish Karafil Shkoza,
Faik Pashë Çërrava,
Adem Selman Leshnica.
3-Konferenca e Paqes kishte katër muaj që ishte mbledh në Paris. Kësokohe mblidhen “Të parët e Pogradecit” e ia nisin kërkesën e tyne të 8 majit 1919.
Ata flasin si “përfaqësonjës të popullit të 140 fshatrave të Pogradecit”. Ata i denoncojnë e demoskojnë planet e intrigat e serbëve për t’u futun si pushtues e aneksues në anën tjetër të liqenit të Ohrit, në krahinën e madhe të Pogradecit.
Ky dokument nuk është thjeshtë një mbledhje e 26 firmëtarëve të tij. Jo. Ai hartohet pas një veprimtarie kombëtare të pogradecarëve, pasi “dje, më 7 maj, u mbajt një meeting 3.000 vetësh në fshatin Podgorije”. Pra, aty, është zëri i tyre. Demonstrohet fuqia e tyre. Janë kërkesat e tyre.
Vet ky dokument dijenon se “vendimet e mbledhjes së Podgorjes, të nënshkruara nga të gjithë përfaqësonjësit e fshatravet ua kemi dërguar Fuqive të Mëdhaja Beslidhuna e të Shoqëruara si dhe Konferencës së Paqës”.
Në atë Kërkësë për të Mëdhenjtë e Kohës e të Botës 26 firmëtarët e saj pogradecarë iu bajnë të ditun se “Në këtë mbledhje kemi treguar edhe një herë sheshit mendimin t’ënë që nuke duam kurrsesi t’i shtrohemi Serbisë, se jem e duam të mbetemi shqiptarë e se nukë munt të thyhen ato lidhje qi na bashkojnë me Atdhe”.
4.Konferenca e Paqës në Paris, vet kryetari i saj Georges Clemenceau– kryeministër i Francës, dhe përfaqësuesit e neltë të Fuqive të Mëdha: Woodrow Willson – president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Lloyd George – kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar i Britanisë së Madhe, Vittorio Orlando – kryeministër i Italisë, dhe stafet e tyre të atyshëm, u njohën dhe me Kërkesën e Pogradecit të nënshkruar nga 26 përfaqësues lokal të tij.
Kësokohe, ky vit i pas Luftës së Parë Botërore (1914-1918), ishte tejet i vështirë për Kombin Shqiptar, sikurse dhe për Pogradecin e krejt Qarkun e Korçës, ku ishin prezent dhe forca franceze. Nga njana anë Korça, si gjithnji, ishte në rrezik nga grekët. Nga ana tjetër Pogradeci, si gjithmonë, ishte në rrezik nga serbët. Ata iu flasin me sinqeritet e besë shqiptare Konnferencës së Paqes, gjithsecilit nga “Katër të Mëdhenjtë”: “Sot për sot jemi të çarmatosur, po gjendja e ushtrive frënge në vent ësht për ne garanti e mprojtje”.
Letër-Kërkesa e Pogradecit e mirtuar nga 3.000 pogradecarë dhe e nënshkruar nga 26 firmëtarë pogradecarë iu përcjell deklaratën e tyre: “E shofim për detyrë të dëftejmë edhe se jemi betuar për të mbajtur tërësin’ e tokës s’onë e se do t’u bëjmë garth me zembrat tona sulmevet t’armikut që kërkon të futet mbrënda”. Sigurisht, këta pogradecarë me “armik” kuptojnë e luftojnë si serbët dhe grekët e çdokush tjetër ngado që të vijnë në trojet e tyne etnike shqiptare.
Ata, në përmbyllje të lëtres së tyre, theksojnë se “Duke iu bërë të njohur vullnetin e popullit tënë” duan që nga Dërgata Shqiptare dhe në Konferencën e Paqes në Paris “të drejtat tona të mirren në kujdes”.
5.
Patrioti Muharrem Abedin Hudenishti, një ndër nënshkruesit e kësaj Kërkese për Konferencën e Paqes, ishte një ndër “Të parët e Pogradecit”, një trashëgimtar emblematik i Derës së Xhydollarëve të Hudenishtit.
Ai ishte një luftëtar kombëtar me kontribut në mbi tri dekada kohore, nga Shpallja e Pavarësisë e deri në vitin e pushtimit të Shqipërisë Londineze nga fashizmi italian. Ai është pjesmarrës e prijës si një figurë vendore në gjithato ngjarje lokale, krahinore e kombëtare, sidomos në vitet 1912, 1915, 1919, 1920, 1930 e 1939. Ai ishte dhe oficer i lartë i Kavalerisë Mbretërore në kohën e Zogut. Vinte nga një familje me gene, zemër e veprimtari monarkiste, legaliste. Edhe vet ishte i tillë.
Muharrem Hudënishti është kushëri i një gjaku, i një zjermi, i një dere, me Nanëmadhen Demire Xhydollari-Durollari, nanën e dr. Guri Durollarit i cili për Mbretin Leka e Familjen Mbretërore, për Monarkinë Shqiptare kreu akte, aksione e ngjarje politike e publike panshqiptare e ndërkombëtare.
Lidhja e Muharrem Hudenishtit me kusherinën e saj Demire dhe me familjen e Durollarëve u ba ma e afërt, pasi i shoqi i saj, Rrapush Durollari, e kishte mik të shumëfishtë: edhe të pragut, edhe të idealit, edhe ta armëve. Shkonin mirë sëbashku. Ishin kundërshtarë e qëndrestarë dhe të pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Këta të dy, jo vetëm lindjen në një fshat, në Hudenisht të Pogradecit, po edhe vdekjen e patën në të njëtin vit, më 1939; nga i njëjti armik – pushtuesit fashist italianë.
Luftëtari i çështjes kombëtare shqiptare, Muharrem Hudënishti, ngaqë nuk e kishte pranue pushtimin e vendit, as bashkëpunimin e ofruar me të huajin, u burgos nga fashistët italianë në burgun e Tiranës. Pati një vdekje misterioze. E helmuan në burg në muajt e parë të pushtimit. Ia zhduken edhe trupin, Ai ende dhe sot ka mbet pa varr. Një humbje e madhe, tejet tragjike.
Miku e shoku i tij, Rrapush Durollari, e pati vdekjen nga italianët, në Prrenjas, në vitin 1939, duke e lanë Nanëmadhen Demire Durollari, e cila rrnoi 115 vjet, me tre fëmijë jetimë: Gurin, Shyqyrien e Lirien, të cilët në Amerikë kanë krijue një “brigadë shqiptare” me djemë e vajza, nipa e mbesa në disa breza vargni genetike e jetike.
Një nga nipat e sotëm të prijtarit lokal e luftëtarit kombëtar Muharrem Abedin Hudenishtit, që i shkroi sëbashku me 25 pogradecarë të tjerë Konferencës së Paqes në Paris më 1919, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E mban emrin e tij: Muharrem. E ka për nder kit’ emër. Ia mban lart emnin gjyshit të tij. Edhe kur për shpagim si familje monarkiste e legaliste ishte në burgun e egër të Spaçit për dhjetë vite gjatë komunizmit bolshevik. Edhe kur punonte në fshat e në miniera. Ai, Muharremi pasardhës ishte prapë i “prekur” në biografinë e tij, jo vetëm si mbretnorë, po edhe për faktin tjetër: ishte martue me Lirien, me motrën e poetit martir Vilson Blloshmi, të cilit diktatura ia mori jetën për me ia ndal lirinë e fjalës, vargun poetik, rrugëtimin perspektiv. Muharremi qëndroi dinjitar edhe kur pas Dhjetorit ’90 erdhi Demokracia në Shqipëri e punonte zyrtar i shtetit në Ministrinë e Rendit e Ministrinë e Drejtësisë. Ky, Muharremi i Xhydollarëve, i kishte të gjitha: edhe i fismë nga genet, me kontribute brezash në histori, me përvojë në jetë, i shkolluar me arsim të lartë në dekadat e fundit, po prapëseprapë, edhe një tjetër herë, socialistët e ardhun në pushtet me rebelemin e vitit ’97-tës, e hoqën nga puna, donin t’ia mbyllnin rrugët. Po ai iku në Amerikë. Po i përplot gati dy dekada atje, me nusen e tij e dy djemtë. Atje, ky “Muharremi i Dytë” ka shkrue edhe një libër me tregime. Kot nuk e thashë që kryerradhë se këta Xhydollarët e Hudënishtit janë edhe të pushkës, edhe të penës. E mbajnë lart emnin e të parëve të vet, si të Muharrem Abedin Hudenishtit, që luftoi deri në vetmohim për Çështjen Kombëtare Shqiptare, që i shkroi edhe Konferencës së Paqes në Paris.