Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka njoftuar se, kanë nisur aplikimet për programin veror të shkëmbimit Ben Franklin. Përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare në ‘Facebook’, ambasada e SHBA fton të gjithë të interesuarit që, brenda datës 15 Shkurt të këtij viti të bëjnë aplikimin e tyre. “Aplikimet për vitin 2017, për Programin Veror Transatlantik Benjamin Franklin janë hapur. Ju lutem dërgoni me e-mail aplikimin e plotë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, deri më 15 Shkurt 2017. Aplikimet duhet të dërgohen në këtë adresë:-e maili, CultureandEducationTirana@state.gov. Programi Veror Transatlantik Benjamin Franklin 2017, do të zgjasë 4 javë, nga Qershori deri në Korrik 2017, në universitetin Wake Forest në Winston-Salem, North Carolina”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Programi 4-javor, do të akomodojë 55 kandidatë nga mosha 16-18 vjeç. Ky program do të mirëpresë 45 studentë evropianë dhe 10 amerikanë. Aktivitetet e këtij programi përfshijnë diskutime për çështje globale me interes të përbashkët, trajnime mbi lidershipin dhe median, zhvillimin e bashkëpunimit për projekte, shërbim komunitar, udhëtime mësimore dhe planifikim për projektet në vazhdim.