Nga Elida Buçpapa/
Me 5 Nentor në Schweizerhof Hotel në Bernë u mbajt Dreka Presidenciale, eventi i përvitshëm i organizuar nga APES, Asosacioni i Shtypit të Huaj në Zvicër dhe Liechtenstein, me praninë e presidentit të Konfederatës Helvetike Alain Berset, personaliteteve të larta nga bota e politikës, gazetarisë, diplomacisë, artit dhe kulturës. Merrnin pjesë Ambasadorë dhe diplomatë nga trupi diplomatik në Zvicër, midis tyre Ambasadori i SHBA, Francës, i Indisë, Rusisë etj. I pranishëm në drekën presidenciale ishte edhe Dick Marty, Daniel De Roulet, Guy Mettan, Christian Campiche, Emil Steinberger, Raphaël Domjan si dhe plot figura të shquara të Zvicrës. Eventi i sivjetëm përkoi edhe me 90 vjetorin e APES, organizatë shumë e rëndësishme e shtypit të huaj, që përfaqësohet nga mediumet më me emer të botës, anëtarë prej gati dy dekadash të së cilës janë edhe tre shqiptarë, botuesit e voal.ch – Voice of Albanians dhe ai i Presheva.jone.
E ftuar në Drekën Presidenciale ishte edhe Ambasadorja e Republikës të Kosovës në Bernë, zonja Nazane Breca…
Në shkurt të këtij viti një grup gazetarësh nga APES, midis tyre edhe ne dy editorët e voal.ch, në prag të festimeve të 10 vjetorit të Pavarësisë bëmë një vizitë të suksesshme në Kosovë, me mbështetjen edhe të qeverisë Haradinaj. Aty u takuam me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, të administratës publike, me diplomatë të huaj si dhe me trupat e Swisscoy. Në përgjigje të mikpritjes shqiptare dhe të bashkëpunimit bilateral, presidenti i APES, Jean Musy pati kënaqësinë të ftonte, në emrin e APES, Ambasadoren e Kosoves në drekën presidenciale që organizohet çdo vit, e cila paraprihet me një konferencë shtypi të Presidentit me gazetarët.
Ftesën e parë zyrtare drejtuar Ambasadores të Kosovës, APES e dërgoi sikur gjithë të ftuarve të tjerë në fund të muajit gusht. Por ftesa e parë nuk arriti në Ambasadën e Kosovës! Kur përfaqësues të APES mësuan se ftesa nuk kishte shkuar në destinacion, e ridërguan në ditët e para të shtatorit, pra dy muaj përpara drekës presidenciale.
Sa për parantezë, shërbimi postal i Zvicrës është i shkëlqyer. Nuk ndodh që ti të dërgosh postë e tjetri të mos e marrë! Posta Zvicerane është më e mira në botë. Në krahasim me 173 vende, Posta Zvicerane zuri vendin e parë edhe në vitin 2018 duke lënë pas postën e Holandës dhe Japonisë. Për herë të dytë me radhë, Zvicra renditet e para në Indeksin e Zhvillimit Postar të vlerësuara nga Unioni Postar Universal (UPU). A mund të mendohet që të mos arrijnë letrat e dërguar me postën e Zvicrës nëpër Ambasada?! Kurrë!
Personalisht kam një eksperiencë me dy ambasadat, perkatesisht të Kosoves dhe Shqiperise, kur kryetari i atëhershëm i shoqates se shkrimtareve shqiptarë në Zvicer u dergoi ftese per promovimin e njërit prej librave të mi përmes e-mailit dhe çuditerisht as njëra ambasade dhe as tjerta nuk e kishin marre ftesen përmes Postës Elektronike, sikur edhe zonja Ambasadore nuk e mori ftesen per herën e parë përmes Postës së Zvicrës.
Kur ftesa u ridërgua për herën e dytë, zonja Ambasadore e mirëpriti, por, kërkoi ndjesë për mospraninë e saj meqë kishte një angazhim tjetër!
Pashë për kuriozitet në Facebook faqen e Ambasadës të Kosovës në Bernë dhe vura re se dy aktivitetet më të fundit të zonjës Ambasadore ishte vizita në Ambasadën e Turqisë në Bernë më 30 tetor me rastin e 95 vjetorit të ditës kombëtare dhe më 8 Nëntor në Zyrih takimi me Ambasadoret zonja si përfaqësuese të shteteve të tyre në Zvicër.
Pra nga një hulumtim i sipërfaqshëm nuk rezulton qe zonja Ambasadore të kishte impenjime më datën 5 Nëntor të rrangut të tillë që nuk do të mund t’i anullonte dy muaj përpara për të marrë pjesë në drekën presidenciale në nderin dhe praninë e Presidentit të Konfederatës Helvetike z.Alain Berset.
Duke parë stafin e Ambasadës të Kosovës në Bernë, rezulton të ketë tre Ministra Këshilltarë, dmth në rrang të zvAmbasadoreve.
Pra nëse zonja Breca ishte kaq e impenjuar, kaq e angazhuar, kaq e zënë, do të ishte shumë normale, që në vendin e saj të dërgonte njërin nga tre Ministra Këshilltarët.
Ambasada e Kosovës nga Schweizerhof Hoteli ku u mbajt Dreka Presidenciale e APES nuk është me shume se 10 minuta në këmbë larg.
Do të ishte një rast i mirë i diplomatëve të Kosovës për t’u takuar me z.Presidentin Alain Berset dhe me të ftuarit e nderuar.
Natyrisht që mungesa e zonjes Breca nuk u ndje fare, por u ndje niveli i përfaqësimit që lë aq shumë për të dëshiruar.
Kur dolëm nga Schweizerhof Hoteli pas Drekës Presidenciale, Berna shkëlqente nga një diell i ngrohtë vjeshtor, ndërsa nëpër qoshka kishin filluar të shisnin gështenja!
Më mirë të shesësh gështenja, se të përfaqësohet keq një vend si Kosova që ka aq shumë nevojë për një diplomaci të nivelit europian!
Kosova, një vend i varfër, me diplomatë me rroga të larta që nuk dihet se me çfarë merren!