Esse nga Përparim Hysi/
Për t’i thënë gjërat më hapur: kushdo që do shohë shkrimin, do shtrojë pyetjen e drejtpërdrejtë: kush është Babushi? Dhe fill pas kësaj vjen pyetja tjetër: si paska mundur të “zhvendosë” moshën? Për të mos lënë lexuesin që të futet në hulli të panjohura, po shpjegohem.
Babushi është Profesor Murat Gecaj. Dhe ky titull “Profesor” nuk është honorofik, por i mbrojtur me djersën e ballit si një diturak në fushën e pedagogjisë dhe në atë të publicistikës. Sado me tituj shkencorë ( doktor i shkencave pedagogjike qysh nga viti 1992 dhe më 1996 “Profesor i asociuar), ai është më i thjeshtë se thjeshtësia dhe i kudondodhur në të gjitha eventet: shkencore, publicistike, artistike, kulturore. Ka një përkim të çuditshëm tek Murat Gecaj: sado që është 75-vjeç, ai është aq dinamik sa të jepë përshtypjen e një mesoburri aq vital, sa zë i beson një thënieje të tij: nuk jam 75, por 57-vjeç. Dhe vërtet: kushdo që e sheh për herë të parë, kështu e çmon.Prag gjashtëdhjetave dhe aq. Unë që e njoh, disi më më mirë, ia di sekretin kësaj “zhvendosjeje moshe”. Burimi është diku tjetër: tek Katrina, bashkëshortja e Muratit.
Mos më kujtoni se jam pak i njëanshëm. Po dua të jem i saktë: thotë Gëtja diku:” Nëse një burrë i moshuar (Babushi është i tillë sipas datëlindjes), është i mbajtur mirë dhe nuk e tregon moshën, merita është e gruas së tij: ka grua të mirë. Nga kjo anë, Babushi, ka patur fat. Tek them kështu, nuk shkruaj me apriori, por nisem nga fakte.
Unë, zonjën e nderuar Katrinën e Babushit, nuk e kam takuar asnjëherë. Vetëm kam folur në telefon dhe, megjithëse nuk e kam takuar, e kam formuar opinionin tim për të. Dhe ja përse:
– Alo! Jam Përparimi.
-Urdhno!
-A mund të flas me Babushin?
– Babushi ka ik.
– Ku?
-Në tubime.Dikush po promovon një libër a ka një takim në shkollë.
-Po a gjithmonë kështu bën?
-Po, mor. Nuk ka ditë a mbassditet.
Pas këtyre bisedave që janë bërë të zakonshme, kur e kërkoj Babushin, si “ngacmues” që jam, një ditë i them Katrinës:
– Po pse nuk e bën “dalje” mor atë burrë?
– Po e du,se asht i mirë “dreqi”.
E solla për lexuesin, për ta njohur më mirë këtë “dreq” që vërtet është i mirë. Po në këto replika që sjell, nuk është vështirë që të ravijëzohet portreti i një zonje të nderuar si Katrina, të cilës i kërkoj ndjesë që e citoj në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa i marr lejen.
E mendoj ndonjëherë Babushin si një element kimik dhe them: në vetitë kimike do ishin të tilla që të përcaktonin dinamikën e një njeriu, Babushin, Mendeljevi do ta fuste tek zhiva. Se zhiva nuk mbahet në dorë. I tillë është Babushi: dinamik, i mpulsiv dhe i gjendshëm si askush. Me karakter burrëror, trashëgues i geneve nga Nikaj-Mërturi i Tropojës.
Ka një biografi të pasur pune: gati 60 vjet me shtypin që nga “Pionieri”, “Bashkimi” dhe për 22-vjet me radhë në gazetën “Mësuesi”. Siç lexuat dhe më lart, nuk ka qenë një gazetar dhe aq: ka qenë diturak që ka ngulur kokën në shkencën për të cilën punonte dhe,ndaj ka mbrojtur ata tituj shkencorë. Sado që ka kohë që ka dalë në pension, ky “zhvendosës i moshës” është aq aktiv sa të çudit. Po ta ndjekësh në veprimatritë ku merr pjesë, në shkrimet që boton, atë nuk e ndjek dot. Sikur të qe objekt i gjeografisë, atë nuk e hedh dot në hartë. Shkrimet e tij i gjen në tërë botën. Është “internetist” që nuk ka shok. Në Evropë e gjen në Angli, Itali, Zvicërr dhe,sidomos, në Suedi ku me bashkëshokun e tij të penës, shkrimtarin Viron Kona, sikur janë bërë “suedezë”. Me gjithatë, këtij atributi”suedez”, do t’i kthehem sërishmi.E gjen në Amerikë e Kanada dhe kudo ku ka adresa “online në internet.
Po para se të vijë tek objekti i essesë sime, dua t’ju them që Profesor Murat Gecaj ka në biografinë e tij letrare të botuar deri tani 13 libra (të gjinive të ndryshme) dhe të 14-tin e ka në procesbotimi. Dhe mos kujtoni se ai ndalon me kaq: nga një “57-vjeçar” priten plot libra të tjerë,që flenë në “ordinator” për arsye financiare. Shteti dhe minsitria e kulturës qoftë dhe për një diturak si Profesor Murat Gecaj, deri tani nuk është bërë e gjallë.
* * *
Shkrimi im modest i kushtohet një eventi të gëzueshëm për Babushin. Miqtë e tij në Suedi, Bahtir Latifi dhe Sokol Demaku bën të mundshëm botimin e librit të Babushit “Me shpirt Atdhedashurie”
Libri ka 8-pjesë.
Në pjesën e parë, janë përshtypje për kolegë e miq nga Suedia. Padyshim, kur e lexon shikon jo vetëm ato lidhje aq miqësore e Babushit dhe “suedezit tjetër”, Viron Konës, me shqiptarët në Suedi, por dhe atë alkimi miqësie,sa të zjarrtë aq të ngrohtë. Pa dyshim, kjo “alkimi” nuk ka ndodhur për sytë e bukur, por qoftë Babushi dhe qoftë Viron Kona jo vetëm kanë kontriubuar me shkrime, por dhe kanë “shkëmbyer tepsitë” me shqiptarë që banojnë sa në Boras të Suedisë,aq dhe në ndonjë qytet tjetër. Kjo miqësi reciproke bëhet më inkadeshente se ka dhe suedezë që janë dëshmitarë të këtij kontributi.
Në pjesën e dytë, ka skica e reportazhe miqësore. Si lexues, nuk ke si mos ndalesh në “dymbretëreshat”: njëra- mbretëresha e Suedisë dhe tjetra: hipotetike . Është shqiptarja Teuta Halili (ka emrin e mbretëreshës ilire). Po kështu njihesh me “sozinë” e Vaçe Zelës aliaz Pagarusha që për fat të mirë është ende gjallë. Po këtu njohesh me vajzën që i ka shkruar presidentit Bush jr dhe ka marrë letër nga ai(Fjala për vogëlushen Sara Titka).
Pastaj, Babushi, hynë në fushën e tij: me ishgazetaren Albana Melyshi(tani në Amerikë). E gjen në “Ditën luleve” në shkollën Dora D’Istria. Shkruan me mirënjohje për 5 çupat e mësuesit veteran Elez Gashi.
Në pjesën e tretë:
Shkruan për tubimin kulturoro-shkencor të profesor Alfred Uçit për “Estetikën e Migjenit”.Mandej kujton përmjet shkrimit të Mësueses së Popullit,Urti Osmani, për mësuesin e merituar Shefki Osmani.
Për Kolec Traboinit që ka tri gëzime në një ditë. Për komandantin e aviacionit,Edip Ohri.Për Ali Ibër Nezaën,sipas poetes Ganimet Thaçi.
Në pjesën e katërt:
Për mësuessen Lumturi Vladi dhe libra të saj. Për poeten Reshite Çoba dhe librin esaj “Unë gruaja R…”.Për Merita Gjonin që na rrethon me “duar dashurie”; me Nafie Saliun me” Mos e vrisni dashurinë” dhe më e veçanta, sipas meje, është poetja Mimoza Agalliu.Ka mbaruar për histori e gjeografi; për biokimi; për infermieri dhe është dhe poete.
Mandej, ka një varg poetesh të tjera, që Babushi i ka përfshirë në këtë pjesë,si: Lida Lazaj, Enkelenda Kondi,Zyba Hasa,Shpresa Vreto,Enkelenda Tahiri, Mirëvjen Ilazi e të tjera. Një vend të veçantë ka dhe për dy poete ulqinake:Albana Rrashi e Flutura Mustafa.
Në pjesën e pestë ka shkrime përkujtimore,si: për “Papa Klemenitn XI-Albani”: për aktoren Besa Imami. Për të pavdekshmin dhe buzagazin, Riza Lahi; për mikun e tij të shtrenjtë, shkrimtarin e ndjerë,Skënder Hasko; për të ndjerën dhe të bukurën Rozi Theohari.
* * *
Në pjesën e gjashtë ka portrete miqësh e shokësh,si: Dritëroi është dhe “Tropojan”: për këngëtaren Dila Gecaj që ” ka lindur bashkë me këngën”;me një shok që e ka takuar pas 60-vjetësh(GJeto Vocaj); pë mësuesin dhe gazetarin të porsadalë në pension, përmetarin,Sejdo Harka.
Në pjesën e shtatë, ka një skicë” Nderim për mësuesët dhe pedagogët tanë” dhe, veç kësaj, një shkrim për një mësues veteran Rexhep Demi që ka hapur shkollë shqipe në Çamëri në vitin 1899.
Ashtu si “bakllavaja” që hahet në fund, dhe në librin e Profesor Muratit, në pjesën e tetë, ka diçka të “ëmbël”: janë katër poezi të tij dhe ca sentenca të tij. Kur thosha që Babushi me Viron Konën janë “suedezë” nuk është se trilloja. Ja “suedezi” Babush i ka kushtuar një poezi sinjifikative Suedisë. Aq mbresa ka prej Suedie,sa dhe poezinë e ka titulluar: “Suedi, e bukura Suedi!” ( Suedi.e bukura Suedi/ dua të jem zog, të vij të shikoj…/.Poezia tjetër është “Dy koburet e Isë Boletintit”,.E treta për nënën”Silueta e nënës” dhe e katërta” Ah, ky mars 1991″ (sa dhimbje e kujtime më sjell…). Në fund fare, meditime që kanë vlerë sentencash.
Duke e mbyllur shkrimin tim, pyes veten: ku e gjen këtë energji kaq brilante ky, Babushi? Dhe përgjigjen e gjej: Babushi dhe Katrina janë të lindur në mars. A nuk është marsi -mbret i luftës. Ndaj Babushi është kaq i gjallë e dinamik.I hanë “brirët” për “luftë”, po jo për luftë militare e kobëndjellëse, po për jetë të gjallë e luftarake. Si marsianë ( datëlindjte i kanë aq afër me njëri-tjetrin,sa kanë gjetur një të mesme:datën 20 mars si datëlindje) unë ju uroj jo vetëm jetë të gjatë që të dy, por vetëm gëzime e suksese. Rrofshë Babush për kontrbutin që jepë në gjithë këto evente me kaq vlerë.
Tiranë, 9 mars 2015
Qatip Mara says
Rrofsh o miku im Përparim Hysi që keni shkruar këtë esse të bukur për mikun tonë të përbashkët Murat Gecaj, i cili është modeli mirësisë njerzore,është me zemër frymëzuese për atdhedashurinë,me energji krijuese, intelekttual i spikatur jo vetëm në trojet e shqiptarëve,por edhe në të gjitha vendet e botës ku jetojnë shqiptarët. Ju uroj të dyve jetëgjatësi e suksese në krijimtari
Ju kujtoj me shumë mall
Qatip Mara
Bayside Queens New York 10 mars 2015