
Kosta Nake/
Krijesa që po shqyrtoj, nuk ka ndonjë përcaktim letrar, por ka karakteristika të mjaftueshme për ta quajtur roman: Një subjekt linear me detaje dhe një retrospektivë për fëmijërinë e nuses, një numër personazhezh të individualizuar, një harmonizim të ndodhisë me mjedisin natyror e shtëpiak, portretizime, ndërsa fizikisht ka një vëllim prej më shumë se 300 faqesh.
Patën kaluar pesë vjet nga botimi i librit të parë “Siç më thotë nënua plakë” dhe ndjehet rritja cilësore e shkrimtares Kokalari, duke kaluar nga dialogu dhe ligjërimi i thjeshtë bisedor te rrëfimi në vetën e tretë dhe alternimi i mjediseve ku zhvillohet dasma e dy familjeve, përkatësisht në shtëpinë e Haxhi efendiut e Qibros që martojnë vajzën e tyre Xhemile dhe në shtëpinë e Mirteza agait e Ruhusë që martojnë djalin e tyre Nexhip.
Romani hapet në mënyrë klasike me përshkrimin e mejdisit në një mëhallë të qytetit të Gjirokastrës, pastaj bëhet paraqitja e gruas së shtëpisë që ka dy djem dhe një vajzë për të martuar. Mjaft interesante është paraqitja e gjendjes së qytetit në trajtën e një kronike telegrafike: “Djali i Hasaf efendiut ndau gruan. Hasibesë në Palorto i vdiq djali në Amerikë. Xha Meteja ra nga shkallët dhe theu një këmbë. Tek mulla Seferi në Manalat u ndanë vëllezëria…” (f.24) Përshkrimet e natyrës dhe të mjedisve shtëpiake vijnë herë pas here si vëzhgime të personazheve me fjali të kursyera por mjaft shprehëse. “Nëna vate te penxherja, hapi xhamin dhe nderi kokën jashtë. Akoma s’kishte dalë mirë dielli. rrezet e para ngriheshin dhe humbitnin në qiellin e veshur me re të murme që dalëngadalë po ecnin nga njëra anë në tjetrën duke lënë hapët aty këtu nga një copëz qiell të kulluar.” (f.153)
Portreti i Xhemiles jepet fillimisht nga rrëfimi i Haxhos që ka rolin e shkueses: “…më të mirë se këtë s’ke ku të gjeç. E mirë e nga njerëz të mirë. E çapit dhe e vrapit, e gërshërës dhe e gjilpërës. Ç’i sheh syri, ja bën dora. Gojë ka e gojë s’ka. S’i dëgjohet zëri kallogresë. Mban shtëpinë në krahë me gjithë ata burra… Ç’të thom. Do të hapëç shtëpinë.” (f.14-15) Pastaj portretizimi vazhdon nga autorja: “Hyri Xhemileja. I dridheshin këmbët. Zinxhiri i florinjtë i shquante në qafën e bardhë. Të verdhët e surratit u bë i kuq kur po afrohesh te vjehra. Mirrte frymë thellë dhe dendur. Zemra i kërcente si pulë. Leshrat e zeza pisë e të krehura mirë, vetullat pe, ai sy i math, ajo gojë si kuti…” (f.47) “Mir frymë thellë. Kosat e qenë ksepleksur dhe i mbulonin supet. Leshërat i kishin rënë në surrat. Sadeja përpara i qe zbërthyer. I dukesh gjoksi gjysmë i hapur. I ulesh e i ngrihesh nga mir frymë dhe i çquanin kokallat e qafës. I kishte mbetur surrati sa një karavele.” (f.152)
Një nënë s’ka qetësi derisa ta fejojë vajzën që ka mbushur vitet e pjekurisë seksuale. Po qetësia e saj prishet kur vjen dita për ta përcjellë te “dera e botës”. Mos e martoi pak si shpejt? Mos e donte vajzën më pak se djemtë? “Si të vjen në atë çast ndarjeje. Të vjen si në të qarë. Të duket sikur do të nderç duart e ta zëç e mos ta lëç të iki.” (f.160)
Vendi i nuses së re te familja e burrit vjen bukur nëpërmjet këshillave të së ëmës: “Bënu e mirë me vjehrin dhe vjehrën, vetëm lepe e peqe. Sido që të vijë puna ti, si më e vogël, mos folë. Në mëngjes kur të ngrihen njerëzit e shtëpisë, të të gjejnë në këmbë…”(f.157)
Në morinë e atyre që kanë lidhje me dasmën shfaqet edhe Kako Pinua që bën rolin e bullës, gruas që e përgatit vajzën për martesë dhe e shoqëron edhe te shtëpia e burrit. Është po ajo Kako Pino që do të vinte më vonë edhe te “Kronikë në gur” e Ismail Kadaresë.
Libri është botuar në vitin 1944 dhe, çuditërisht, jo vetëm që nuk ndjehet atmosfera e luftës, por as që përmendet ndonjëherë. E konsideroj sfidë ndaj luftës vrastare që shpërthen e përhapet për interesa që s’kanë lidhje me aspiratat e popujve dhe i tërheqin thjesht si mish për top, nga ana tjetër lartëson traditat, zakonet dhe ritet që ushqejnë dhe zbukurojnë jetën me aktin më të shenjtë të krijimit të familjes, gjë që siguron vazhdimësinë dhe përsosjen e jetës. Mbaroi dasma, “një zogëzë e bukur bëri fole të re për jetë, një rreze drite hyri në atë shtëpi dhe tek hyn e del, qeshnin nga gazi divanet, muret e çdo gjë që ishte atje rreth.” (f.269)
Nuk përjashtohet mundësia që kjo heshtje të ketë lidhje me faktin që vitet e saj të studimit përkuan me vitet e pushtimit fashist dhe ajo që ndoshte në Shqipëri shikohej krejt ndryshe në Itali. Ndoshta dhe zhgënjimi që pësoi nga lidhja intime me një italian mashtrues, një ushtarak që luajti rolin e komedianit që maskohet me inteligjencën e vet.
Libri përbën një prerje kohore të ngrirë që pasqyron jetën qytetare të Gjirokastrës një shekull më parë, që bën një paradë të zakoneve dhe riteve prej fejesës deri pak ditë e javë pas përfundimit të dasmës, prek problemet që lidhen me traditën patriarkale të krijimit të familjes me shkuesi dhe zbulon xixëllonjat e para të ndryshimit. Rrëfimi pasohet edhe me një përmbledhje të asaj që u pasqyrua dhe përmbyllet me mesazhin e drejtpërdrejtë që pas pushtetit absolut të burrit në fatin e familjes, kishte ardhur koha për t’i dhënë gruas vendin që meriton: “Gruaja sot, nga bota e perënduar e djeshme zuri udhën e saj dhe kërkon të jetë përgjegjëse për veten dhe të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e kohës, kërkon të dijë ku rron, përse rron në jetë për të drejtën e saj si pjesë e pandarë e asaj që është.” (f.302)
Shkrimtarja Kokalari e shfrytëzon pasqyrimin e një prej momenteve kulmore të jetës, pjesës më të bukur të saj, siç është dasma, për të prekur edhe probleme të familjes shqiptare. Pas Haxhi efendiut lexuesi gjen atë grup parazitar e të papërgjegjshëm burrash që “pinte sa i dilte nga hundët, lonte kumar sa linte edhe këmishën e krahëve” (f.10-11) Përballë Haxhi efendiut lartohet portreti i krushkut. “Mirteza agaj rrinte në këmbë te pragu i portës me tas në dorë që e kish mbushur me oriz dhe me para. Fanella përpara i dukej e bardhë shkumë. Mëngët e kondosë i kishte të gjera. Tek xhamadani i varesh qosteku. Poturet e zeza i rrinin mirë. Brezin e bardhë e të leshtë e kishte rrotulluar tre herë pas mesit. I çquanin gajtanet. Dizbat e kuqe, lidhur te gjuri dhe kallcat e reja i kishte nga më të mirat. Këpucët me kapak të drejtë i rrinin pas këmbës.” (f.195-196)
Ishte koha kur fati kërkohej në fundin e filxhanit dhe njerëzit ishin nën trysninë e bestytnive dhe magjive. Merushja i vuri Xhemilesë nën jastëk një fre kali që ta kishte gjuhës të shkurtër para vjehrës. Tetua e Xhemilesë e përvëloi pragun e derës me ujë të nxehtë, kur doli nusja, për ta mbrojtur nga magjitë.
Me detaje jepen lulet, gatesat, stolisja e nuses, paja që shkëmbejnë të dy palët, teatri gazmor i dasmës me gra që vishen si burra, etj.
Ishte shtrenjtuar jeta në rrafshin ekonomik. Më parë njeriu me një frangë ngrinte pazarin dhe e mbushte shtëpinë me një mijë të mira, kurse në kohën e dasmës dollari s’kishte duk dhe napoloni të ikte nëpër duar. Ishte behar dhe Gjirokastra vuante të nxehtin dhe mungesën e ujit. Me ndjeshmëri humane ka kapur autorja marrëdhëniet mes qytetarëve gjirokastritë dhe evgjitëve, në radhë të parë burrat instrumentistë, pastaj edhe gratë shërbyese që bëheshin pjesë e riteve dhe trajtoheshin me njerëzillëk.
*
Romani është një përngjitje e zakoneve dhe riteve me folklorin e pasur që karakterizon pasurinë shpirtërore të popullit tonë. Kënga kapërcen pengesat e mjedisit patriarkal dhe paralajmëron ndryshimin:
“Shoqetë më panë,
Ç’bën ashtu më thanë?
Puthem me jaranë.” (f.141)
“Do ta ndaj gruan e parë,
Do ta marr leskoviqare,
Ato kanë naze shumë,
Naze shumë e stoli shumë
Veshin rrobatë mbi gjunjë.” (f. 182)
Këngët popullore shoqërojnë ritet në çdo hap të tyre duke hedhur dritë farfuritëse mbi dhëndrin e nusen, duke hedhur në eter vargje plot humor sit e kënga e Xhevros për babanë sarhosh e kokëpakrehur, duke zgjeruar gjeografinë e zonave shqiptare me Beratin, Tiranën, Janinën, madje duke u hedhur deri në Stamboll, duke thirrur në mjedisin lirik dramën e kurbetit (f.257), ngjarje historike si ajo e Shemo hajdutit (f.219) apo e rrëmbimit të bejkës (f. 245), apo duke sjellë baladën e fjalës së dhënë me Kostandinin dhe Dhoqinën (f.255).
Përshkrimi i riteve me detaje dhe përcjellja me këngë ditë pas dite dhe hap pas hapi e kësaj dasme ka vlerën e një studimi shkencor, çka dëshmon për një vëmendje të vazhdueshme dhe kërkimi të thelluar të Musine Kokalarit në përmbajtjen e tyre, në atmosferën festive që krijojnë dhe në mesazhet që përcjellin. Ky interes për foklorin do të shkëndijonte te Musineja që në moshën 10-vjeçare, do ta lartonte si studiuese kur ishte studente në Romë, do të rrezëllinte edhe në ditët e qëndrimit të shkurtër në Korçë, edhe kur u strehua për pak ditë në një familje arbëreshe, edhe kur kthehej në Tiranë.
Është rasti për t’u ndalur te transformimi i thellë që ka ndodhur te dasma shqiptare sot: dikur me një raport harmonik mes riteve, dollive, këngëve e valleve, ku çdo dasmor e ndiente veten aktor në ceremoninë e bashkimit të dy të rinjve dhe dy familjeve. Sot dasmorët janë kthyer në shikues të spektaklit që fokusohet te këngëtarë të njohur, është ruajtur masiviteti në valle, emigracioni ka sjellë edhe valle greke, pastaj pjesa tjetër mbetet ushqimi. Ka humbur kënga popullore, një nga pasuritë e çmuara me shumëllojshmëri mahnitëse dhe një nga mënyrat më të mira për çdo dasmor që të lëshojë në atmosferë dhe mbi tavolina shpirtin dhe zemrën që mezi prêt të çlirohet nga hallet dhe stresi në një ditë gëzimi.
Përdorimi i shpeshtë i fjalëve tingullimituese përbën një tipar të stilit gjuhësor të shkrimtares Musine Kokalari dhe e ka burimin te objekti i veprës së saj – jeta familjare – ku komunikimi është emocional, mjedisi përfshin të gjithë brezat e shoqërisë. Shkrimtarja i shfrytëzon fjalët tingullimituese për ta bërë përshkrimin më të gjallë, më tërheqës, njëkohësisht për të pasqyruar mjedisin tingullor pa të cilin jeta njerëzore do të ishte tepër e varfër. Le të kujtojmë me këtë rast efektin që ka trokitja e gotave të qelqit ndër pijetarët.
Nga dy vëllimet e para të veprës së saj të zgjedhur kam veçuar 68 njësi tingullimituese që mëtojnë të sjellin tinguj dhe zhurma të jetës njerëzore, të kafshëve, të dukurive natyrore, të mjeteve të punës, etj.
Nga jeta njerëzore: auah, cim-cim, çu-çu-çu, dëng e dëng, ëh… ëh… fiu-fiu, gë-gë, gu-gu, pa-pa, pësh-pësh, pthë-pthë, vu-vu, xhër-xhër…
Nga kafshët: fësht, gër…gër…, ngëcë-ngëcë, pat-pat-pat, rën rën rën, roj-roj-roj,…
Nga natyra: kllul-klluk, për…për…, pik…pik…pik…, pllup-pllup…
Nga mjetet e punës: bam bam, bram, cak, çak…çak…çak…, dum… dum… dum…, fësh e fësh, tik-tak, trakër-trukër…
Të tjera: daf e duf, fërc, kër, vërc…
Shembuj:
Rrëmbeu nga sheshi një shkop të madh dhe bam e bam i ra kaq herë me radhë. (2 f.18)
Zunë çu-çu-çu me njëra-tjetrën. (2 f.82)
E pinte dëng e dëng rakinë. (2 f.100)
Ç’janë ato të hyra e të dala, fërc tek njëra, fërc tek tjetra. (1 f.6)
Nëpër këmbë fësht i shkoi një gjë. (2 f.18)
Pllup pllup binte nga një lule e thatë. (2 f.16)
Trakër-trukër një djep që tundesh nga dora e nënës. (2 f.114)
Xhur-xhur i venin lotët. (2 f.148)
Fjalët tingullimituese paraqiten si një njësi e vetme ose si përsëritje dy dhe tri herë e së njëjtës trajtë: fësht, kllul-klluk, çak…çak…çak….
Mund të dalë me dy pjesë që kanë zakonisht një tingull të ndryshëm: tik-tak, trakër-trukër.
Në vështrim drejtshkrimor fjalët tingullimituese me dy ose tri fjalë të përsëritura veçohen me vizë lidhëse, me presje me tripikëshin dhe nganjëherë mes tyre futet lidhëza “e”.
Libri në tërësi ka vlera të shtuara gjuhësore sepse e sjell mjedisin miks me greqishten në Gjirokastër dhe veçoritë e të folmes në atë zonë të toskërishtes tri dekada para Kongresit të Drejtshkrimit. Stili gjuhësor për të cilin shkrova për përmbledhjen “Kështu thotë nënua plakë” ruhet me të njëjtat karakteristika edhe te ky libër.
(Libri “…sa u tund jeta” i Musine Kokalarit, 1944 Vepra e zgjedhur 2, Tiranë 2017)