
Nga Eugjen Merlika/
Në synimin tim është një studim që synon të paraqesë jetën politike e shtetërore të një personazhi të historisë sonë, firmëtarit të Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë, në emër të qytetit të tij të lindjes, Krujës legjendare të Gjergj Kastriotit. I lindur në një familje qytetare t’atij qyteti, ku të parët e tij shquheshin për tregëti, burrëri e ndershmëri, pati fatin të rritej e të jetonte në një kohë zhvillimesh të vrullshme të ngjarjeve historike vendimtare për fatet e kombit. I pajisur nga natyra me një zgjuarsi të spikatur e me një vullnet të pazakontë për studim e punë, Mustafai i ri hyri shpejt, në moshë të njomë, në jetën shoqërore të qytetit të tij, në sajë të prirjes për të lëçitur veprat e mëdha të kulturës së Rilindjes shqiptare, që ishte munduar të përgatiste popullin e saj në fundin e shekullit të XIX, për të qënë i gatshëm të niste epokën e re të shtetit të pavarur e të bashkuar shqiptar.
Kjo ndërthurje rrethanash e ndodhish i farkëtoi personalitetin, duke e rradhitur në rrjeshtin e parë të ngjarjeve që përcaktuan historinë e Shqipërisë së pavarur. Nëpërmjet dokumentash, dëshmish, shkrimesh, të mbledhur nga trashëgimia kulturore e historike e kombit dhe ajo e tij vetiake, jam munduar të ravijëzoj në këtë libër profilin e vërtetë të personazhit njerëzor e politik në kuadrin e jetës së kombit. Në punën time kam shfrytëzuar një bigrafi të shkurtër, rreth 12 faqesh të shtypura me maqinë, të huajtur nga Arkivi Qëndror i Shtetit e të hartuar nga At Donat Kurti, një historian e meshtar katolik shkodran, përfaqësues i atij brezi intelektualësh katolikë të Shqipërisë veriore që përbënë shtyllën vertebrore të kulturës shqiptare të shekullit që shkoi. Ai shkrim pati një titull të thjeshtë: “Mustafa Merlika – Kruja” e fragmente të tij do të ilustrojnë çaste të ndryshme të jetës së personazhit.
“Leu në Krujë në vjetin 1887, me gjasë në muej të kallnorit a të marsit. Kruja aso kohe shkonte administrativisht me sanxhakun (prefekturën) e Shkodrës, ku nuk kishte hŷmë edhe regjistrimi i popullsís.”.. Këto janë fjalët e para të librecit të At Donat Kurtit dhe të librit tim.
Duke kaluar pa përmendur në këtë paraqitje, sa më mundësisht të shkurtër, fëmijërinë e Musfafait po sjell këtu një shprehja ngazëllimi të njëzetvjeçarit në një ditë të paharrueshme gëzimi të tij, në çastin e njoftimit të përfundimit pohenik të konkursit për pranimin në Shkollën e Lartë Mbretërore të Stambollit:
“Ah, riní e bekueme! Me nji tubë të vogël shokësh nuk mbaj mênd kurrë të kemi shkëmbye pare hua në Stamboll. I kishim qeset të përbashkta, kur s’kishte njani kishte tjetri e asnji herë s’jitshim pa gjâ. Athue se na ushqente nji babë! Edhe orientalizma i ka do shije të saja. Nji farë jete á la Bohême, ke rafsha mos u vrafsha, në mos paça vetë ka miku, në mos pastë dhe miku ka Zoti! Këto nuk hŷjnë në llogarít e nji perëndimori, as në jetën moderne qi ka frymzue ai..”
Fillimi i asaj shkolle përfaqësonte për djaloshin krutan sendërtimin e një premtimi vetvetes në një natë udhëtimi që e çonte nga Durrësi në Sarandë, në një vaporr që lundronte pranë brigjeve të detrave të vëndlindjes e do të përfundonte më pas në Janinë, ku e priste fillimi i studimeve në gjimnazin turk t’atij qyteti. Megjithë vështirësitë e zakonshme e të veçanta t’atij fillimi, i riu i kaloi me përfundime të shkëlqyera ata vite e duke shkuar në kryeqytetin otoman në vitin e fundit të gjimnazit, me mbarimin e të cilit Esat pashë Toptani vendosi që ai të studjonte jo ingjinjeri, por shkenca politike dhe administrative. Vullneti i pashës ishte ligj për babain e tij, që mbante vëndin e qehajait të tokave të tij. Kështu edhe Mustafai u detyrua të hiqte dorë nga ideja e ngulitur në trutë e tij nga mësuesi i matematikës në gjimnazin e Janinës, Qamil Bala, prej Gjilanit të Kosovës.
Studimi në Mylkije, u shoqërua me një veprimtari të dëndur atdhetare të djaloshit krutan, që pati rezultate të prekëshme, duke zënë një vënd kryesor në ballë të studentëve shqiptarë në të gjithë universitetet e kryeqytetit. Janë një sërë dokumentash të hartuar prej Asim Xhenanit, (pseudonim i studentit në shtypin turk), e të mbetur në arkivën e veprimtarisë atdhetare të studentëve shqiptarë t’asaj kohe. Shumë prej tyre janë pasqyruar edhe në faqet e këtij libri. Vlen të veçohet në këtë mori shkrimesh, një letër drejtuar prej tij një shkrimtari shumë të njohur Kurd, Sulejman Nazifit, që kishte filluar të botonte në gazetën “Tasvir- i- Efkjar” të Stambollit, një varg artikujsh kritikë ndaj bashkatdhetarëve të Mustafait. Atë letër të hapur, të cilën shkrimtari kurd pati burrërinë t’a botojë, e firmosën dhe 26 studentë shqiptarë e turq të Mylkijes. Shkrimtari i shquar kurd e ndërpreu vazhdimin e shkrimeve për shqiptarët. Lexuesi i këtij libri do të njihet me pjesën më të madhe të asaj veprimtarie atdhetare, që shkaktoi kundërveprimin e autoriteteve otomane që urdhëruan përjashtimin e studentit nga shkolla, të shmangur me shumë mund nga deputetët shqiptarë dhe mësuesit e tij në Mylkije. Ky vendim vuri në diskutim vitin e fundit të studimeve që u ndërprenë e i kushtoi një mundim të jashtzakonshëm për të përballuar provimet e dy viteve të fundit në hapësirën e vetëm një viti…..
Vendimi për të vazhduar n’atdhe luftën për idealet kombëtare, në ndryshim nga mundësia për të ndjekur karierën e nëpunësisë perandorake, përcaktoi edhe veprimtarinë e tij drejtuese si sekretar organizativ për Shqipërinë e Mesme e të Veriut, në bashkëpunim të ngushtë me 12 bajrakët e Mirditës në veri, bejlerët Toptanas në Shqipërinë qëndrore, kryesisht Avdi Beun, por edhe me atdhetarë të Jugut si Sali Nivica, Irfan Ohri, Islam Vrioni e të tjerë e të Shqipërisë së Mesme si dom Nikoll Kaçorri, Kasem Durrsi, Sulejman Kadiu, Muharrem Fera, Osmani i Mustës etj. Në kuadrin e kësaj veprimtarije të verës së vitit 1912, Mustafa Kruja përpiloi edhe tre projekte memorandumesh për autonominë shqiptare, në pritmërinë e një mbledhje të përgjithëshme të kryengritjeve shqiptare në të gjtha krahinat, duke filluar nga ajo e Kosovës.
“Gjithshka tash âsht gati. Kryengritja pëlset. Mustafa Kruja, përpara frymzues e organizues, tash asht me pushkë në dorë, ushtar i saj. Komandën e kanë bejlerët e Kapidanat. Shpallje, letra, vêndime të Komitetit dalin krejt prej mêndes e pêndës së tij.”
Kështu shkruante At Donat Kurti në jetëshkrimin e tij.
Përfytyresa që përftohet nga leximi i kujdesëshëm i tre projekteve, është ajo e një shteti të bashkuar në kufijtë e tij etnikë që, megjithëse historia prej shekujsh e ka detyruar të njohë e të respektojë vartësinë e praninë, në një perandori të madhe të Lindjes, ka të veçantën e tij dhe kërkon një autonomi të zgjeruar në të cilën do të nxjerrë në pah identitetin e tij.
Ejaleti, njësia kombëtare që do të vazhdojë administrativisht vilajetet shqiptare është për autorin atdheu i madh, në të cilin autonomia do të hapë mundësitë e vetëorganizimit nëpërmjet sistemit të shkollave në gjuhën shqipe më së shumti e në turqishten që është gjuha zyrtare e shumëkombëshes perandorake. Ai atdhe kërkon nëpunësit nga bijtë e tij, gjyqet “me ligjë të vêndit, simbas karakterit e dokeve të popullit shqiptar”, me bijtë e tij që do të kryejnë shërbimin ushtarak prej vetëm dy vitesh, në ndryshim nga kohët kur nizamllëku i mbante larg familjeve e vëndlindjeve me vite të tërë e herë herë flijoheshin në viset e largëta.
Kryeministri i ardhshëm i Shqiperisë etnike, që në rini ëndërronte një qeveri prej shtatë dikasteresh, “një kshill Drejtorësh”, siç e përkufizon ai, të drejtuar nga një Sundimtar t’emëruar me dekret mbretëror, që do të hartojë e zbatojë planet ekonomike për punët botore, rrugët, hekurudhën, tharjen e kënetave, sistemimin e ujrave, por kryesisht do t’i kushtojë arsimit 10 përqind të buxhetit e punëve botore 20 përqind.
Elajeti shqiptar do të jetë një vënd ku “punët e kulteve e të vakufeve të rregullohen me ligjë të vêndit”
Djaloshi sekretar i kryengritjes i formulonte këto pika të s’ardhmes me mendimin se ka ardhur “koha e Shqipërisë”, për të cilën do të organizohet në Kosovë takimi i të gjithë përfaqësuesve të shqiptarëve kryengritës. Shkëmbimi i letrave ndërmjet prijësve të kryengritjes shqiptare, të ruajtura në arkivat na krijojnë një ide të saktë mbi përpjekjet e tyre n’atë periudhë.
Dërgata e kryengritjes së Shqipërisë e përbërë nga Avdi Toptani. Marka Gjoni e Mustafa Kruja, veç të tjerësh arriti vonë në Shkup, ku u takua me drejtues të kryengritjes kosovare si Nexhip Draga, Hasan Prishtina e Bajram Curri, që kishin nënëshkruar marrëveshjen me Ibrahim Pashën n’emër të qeverisë osmane. Ajo marrëveshje e 14 pikave u quajt si një sukses i madh nga krerët kosovarë sepse, simbas tyre, ishte rrezik që po të qëndronin edhe pak mund të mos arrihej asnjë marrëveshje. Por e keqja më e madhe ishte mbas shpine, e u kthye në rrezikun më të madh që kërcënoi në gjithë historinë e tij kombin shqiptar. Ajo qe ndërhyrja e kombinuar e katër ushtrive të Vëndeve ballkanike fqinjë për të rrëmbyer krahinat shqiptare, të përfshira në katër vilajetet e perandorisë oemane në Ballkanin perëndimor.
Më 8 tetor Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Më 17 tetor të njëjtin veprim e kryen Serbia e Bullgaria e një ditë më vonë Greqia.
Në historiografinë tonë ka patur një rrymë mendimi që vinte në dyshim drejtësinë e kërkesave për autonomi të kryengritjeve të viteve 1911 – 1912, në dritën e mësymjeve serbe, bullgare, greke e malazeze, mbasi kishin “dobësuar” fuqinë ushtarake turke, duke e bërë të “paaftë” të përballonte këta sulme. Ndoshta ka diçka të vërtetë në këtë shtjellim, por “qëndresa” osmane në mbrojtje të krahinave në perëndim të perandorisë, qe thjesht simbolike. Turqia nuk i përforcoi garnizonet e saj në Ballkan, të cilët me disfatën e Kumanovës, më 24 tetor 1912, nuk arritën më të ndalonin përparimin e ushtrive kundërshtare deri sa u larguan plotësisht nga vilajetet shqiptare.
Ajo gjëndje rrezikoi qënien e kombit shqiptar. Ata burra që, n’atë muaj nëndori 1912 arritën të krijojnë një bërthamë të Shtetit të pavarur, si pikënisje të idesë së shpëtimit të kombit, kanë qënë jo vetëm heronj të mendimit e veprimit, por edhe “ëngjëjt e vërtetë mbrojtës të kombit tonë”. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Dom Nikoll Kaçorri, Syrja bej Vlora e dhjetra të tjerë firmëtarë të Shpalljes së Pavarësisë, përfaqësues të krahinave të liruara të Shqipërisë gjysmë të pushtuar, janë apostujt më të ndritur të shqiptarizmës, e të tillë do të mbeten në pafundësi, deri sa emri “Shqipëri” të përfaqësojë një komb e jo një “shprehje gjeografike”, sikurse e përkufizonte një burrë Shteti evropian një shekull e gjysmë më parë.
Por a i qe mirënjohëse Shqipëria e si e shprehu atë mirënjohje kundrejt atij grushti burrash, që arritën të kryenin të pamundurën për atdheun n’ato ditë tejet të vështira? Mjerisht jo. Ajo u shkarkua shpejt prej kujtesës së saj, duke krijuar “opozitën”, “pretorinë e Durrësit”, me vulën e Esat Pashë Toptanit, duke proçeduar publikisht Ismail Qemal bej Vlorën e pasuesit e tij, duke kërkuar dorëheqjen e tij e zëvendësimin me Pashain e Shqipërisë së Mesme. Për Luigj Gurakuqin kishte ruajtur një plumb mbas disa viteve, ashtu sikurse për shumicën e atyre fatosave që, mbas tridhjetë vitesh, ishin ende gjallë, e në një luftë botërore, që vuri në diskutim shqiptarizmën dhe të kundërtën e saj, ata morën anën e së parës, besnikë të idealeve të rinisë së tyre. Atë vendim të ndërgjegjeve të tyre e paguan në rastin më të mirë me largimin nga atdheu e prehjen e eshtrave të tyre në dhera të huaj, e në rastin më të keq, të përfunduar në mishgrirësen e komunizmit sllavofil së bashku me familjet për një gjysëm shekulli të tërë. Kjo qe historia e Shtetit të parë të pavarur shqiptar, një histori tejet e dhimbëshme dhe e padrejtë.
Por le të kthehemi përsëri n’ato ditë vendimtare të nëndorit vlonjat 1912, që mbeti i lidhur në kujtesën shqiptare me emrat e Ismail Qemalit e të Luigj Gurakuqit që, si politikanë atdhetarë, të vetëdijshëm për çastin e ndërlikuar politik të Vendit të tyre, punën e tyre e kishin filluar jashtë Shqipërisë. Kishin shkuar në Bukuresht, në Romë e në Vjenë, ku kishin biseduar me shqiptarë e të huaj, kryesisht diplomatë austriakë e italianë, mbi çështjen shqiptare.
“Por nji tjetri i a kishte pasë ruejtun fati lumninë e lavdinë me e lidhun të pandashëm emnin e vet me pamvarsin’ e kombit shqiptar: ai ishte Ismail beg Vlora, i quejtun përgjithsisht me emnin Ismail – Kemal, siç njihej në mbretninë otomane. Pa pritë e pa kujtuem Bashkij’e Vlonës merr nga Vjena me 27 tetuer prej tij këtë telegramë : “Me vaporin e parë jam aty. E ardhëshmja e Shqipnisë âsht siguruem. Ju porosis qi, tue pasun besim në fatin e atdheut, të punoni së bashku si vllazën, të merreni me rregullimin e punve të përgjithëshme e të rueni qetsinë. Epnu rrethevet lajmin e gzueshëm. Ju falem të gjithve atnisht. Ismail – Kemal”
Ky sihariq) i atij burri të madh qi kishte lemë për t’u ngritun n’altarin e tempullit t’atdheut shqiptar, përhapun në të katër anët prej Vlonjatvet, freskoi zêmrat e pikllueme të gjithë patriotvet qi e ndëgjuen….”
Ky është një fragment nga një shkrim i Mustafa Krujës me titull: “Të shpallët e Pamvarësisë”, të shkruajtur në dy vitet e fundit të jetës e të lënë në dorëshkrim, në të cilin përshkruan ato ditë të “Ringjalljes së Kombit”. Ismail Qemali në vështrimin e Mustafa Krujës në prag të ndërrimit jetë. Ai e ruajti deri në fund nderimin e respektin për këtë Burrë Shteti, që përgatiti e sendërtoi krijimin e Shtetit të parë shqiptar, të cilit autori i shërbeu me besnikëri, duke dëshmuar një lidhje të brëndëshme e të fuqishme ndërmjet Shtetarit të moshuar vlonjat dhe djaloshit 25 – vjeçar kruetan.
Ja si e përshkruan At Donat Kurti veprimtarinë e Mustafa Krujës n’atë periudhë:
“Pëlset lufta ballkanike. Shqipnija, në pjesën mâ të madhe shkilet prej ushtrivet të hueja. Ismail Kemali e Luigj Gurakuqi me shokë zbresin në Durrës. Mustafa Kruja bashkohet me ta e merr pjesë në Kuvêndin e Vlonës si përfaqësues i qytetit të vet. Shpallet pavarsija e Atdheut. Mustafa Kruja zgjidhet prej kuvêndit mis i të parit Senat të Shqipnís. Por mbas pak ditsh ndihet nevoja për nji nënprefekt të squet e të gjallë në Vlonë ku ishte qêndra e Qeverís së Përkohshme dhe e vetmja nënprefekturë, aso here, e sundueme prej Qeverís shqiptare. Ai vênd i besohet Mustafait. Mbas tre muejsh thirret në nji zyrë tjetër. Emnohet kryesekretar i Kryetarit të Qeverís e i Këshillit Ministruer.”
Do të kishte qënë mjaft e rëndësishme dhe interesante ndonjë dëshmi e tij mbi atë periudhë, sado të shkurtër shërbimi, në qeverinë e parë të Shqipërisë së pavarur. Në një fotografi t’atyre ditëve ai gjendet në mes të rrjeshtimit të delegatëve të kongresit, në krah të Ismail Qemalit, por është e njohur prirja e tij për të shkruar për veten vetëm në raste të veçanta, si ata të komunikimit me historianët.
Në atë tufë dokumentash të renditura më sipër, mendoj se dy prej tyre janë të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për studjuesin e periudhës por edhe për këdo që dëshiron të kuptojë se cila qe rruga e përshkuar nga Shteti i ri shqiptar në vitin 1913. Këta dy dokumenta janë:
1. Letra e Majit 1913 e Ministrit Avdi be Toptanit drejtuar “Së naltës Ministrí të Punvet të Mbrêndëshme, Vlorë”, e shkruar prej Mustafa Krujës që trajtonte “Proponime për zbërthimin e krizës së shkaktueme prej qëndrimit t’Esad Pashës”, që pasohet nga një bisedë telefonike ndërmjet sekretarit të Këshillit Ministruer në Tiranë e Ministrave Lef Nosi e Iljaz Vrioni në Vlorë.
2. I dyti është një Shpallje e “Pretorisë së Durrësit”: “Programa e Qeverís së Shqipnís së Mesme me Esad Pashë Toptanin në krye”. Janë dokumenta që nuk përmenden në tekstet zyrtare të Historisë së periudhës komuniste, por edhe pas komuniste. Arsyet janë të pakuptueshme, por ata dokumenta i sqarojnë lexuesit e studjuesit motivet e së parës krizë të Shtetit shqiptar, e lidhen me emrin e Esad Pashës, një personaliteti mjaft aktiv e i përfolur n’atë kohë, dhe mbështetësve të tij në luftën kundër Qeverisë së Vlorës.
Letra e Avdi be Toptanit pasqyron gjëndjen politike të Shqipërisë, jashtë ndikimit të qeverisë së Përkohëshme të Vlorës. Ishte frut i tri ditëve bisedimesh intensive ndërmjet të dërguarve të Qeverisë së Vlorës e disa përfaqësuesve të krahinave shqiptare, kryesisht veriore, përfshirë këtu edhe mbretin e ardhshëm të Shqipërisë, Ahmet Zogollin, në lidhje me gjëndjen e atëhershme aktuale tejet të vështirë të Vëndit e hapat që duhej të hidheshin për t’a shëndoshur atë. Si përfundim i atyre bisedimeve, që kishin lindur spontanë mbas bisedës së pafrutëshme të të parëve me Esad Pashë Toptanin, u arrit në përfundimin se koha dhe problemet e saj, kishin nevojë të domosdoshme për një tjetër mexhliz si ai i Vlorës, në të cilin të merrnin pjesë mundësisht të gjithë përfaqësuesit e krahinave shqiptare edhe t’atyre që nuk kishin patur mundësi, për arsye të ndryshme që nuk vareshin prej tyre, të ishin të pranishëm në Vlorë më 28 nëndor 1912. Ndoshta do të kishte qënë një ngjarje historike, e së njëjtës vlere si ajo e Vlorës, në të cilën do të kishte një rrahje mendimesh si Kuvendet e lashta të Arbërit e një zotim të përgjithshëm për të përcaktuar rrugën e drejtë që duhej të përshkonte atdheu i cunguar padrejtësisht e që shpresonte në moralin e forcën e atyre burrave. Ai Kuvend do të duhej të ripërcaktonte edhe pjesëmarrjen e gjithë klasës politike të tij, në një “besë burrash”, ku të mos mbizotëronin interesat e ngushta të njërit apo tjetrit, por ata madhore të Shqipërisë në kushtet e reja.
Letra nuk gjeti mirëkuptimin e duhur tek Myfid be Libohova e të tjerë qeveritarë në Vlorë, ku mungonin Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Mungesa e atij interesimi e vëmëndjeje i hapi rrugën dokumentit të dytë, shpalljes së “Pretorisë së Durrësit”, që për nga fryma dhe forma i shëmbëllente më shumë një vendimi të nënëshkruar nga Koçi Xoxe apo Bedri Spahiu, në gjyqet e para kundër nacionalizmit shqiptar, se sa “Programa e Qeverís së Shqipnís së Mesme me Esad Pashë Toptanin në krye”. Ajo shpallje ishte si një grusht shteti pa armë, që shënoi rrjeshtimin e një pjese heterogjene të klasës drejtuese shqiptare në dobi të ambicjeve e synimeve politike vetijake të beut Toptanas që, pavarësisht nga demagogjia e theksuar e programës së tij, nuk i sillte asgjë të mirë Shqipërisë n’atë periudhë, veç faktit se përfaqësonte përpjekjen e parë të madhe të luftës politike, në një kohë kur Shqipëria kishte më shumë nevojë për bashkësi mendimi e veprimi të drejtuesve të saj në hapat e para të ecjes së saj.
“Prej kryesekretarís së Këshillit ministruer në Vlonë u caktue Drejtor arsimi në prefekturën e Elbasanit. Atje pat të parën rasë me tregue cilsít e tij organizative tue ngrehun mbrênda pak muejve disa shkolla katundesh e tue i dhânë rregull e shpirt arsimit të qytetit, veçan shkollës normale.”