Dr. Nikollë Loka/
Naim Frasheri është poeti më i njohur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i vlerësuar dhe si poeti kombëtar i Shqipërisë. Roli i tij si rilindës në zgjimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve është i madh. Përmes poezive ai iu drejtua jo vetëm shtresë së të shkolluarve, por edhe atyre që nuk dinin shkrim dhe këndim, duke u bërë mjaft i njohur dhe duke u rreshtuar me dinjitet përkrah dy vëllezërve të tij, Abdylit dhe Samiut. Naimi e lidhi jetën e tij me zgjimin kulturor të shqiptarëve. Ai ka shkruar poezi me karakter atdhetar, epikë historike dhe tekste mësimore për shkollat shqipe. Vepra e tij vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila do të njihte më vonë një zhvillim të mëtejshëm, për të arritur në shqipen e sotme letrare kombëtare të njësuar e të zhvilluar.
Naim Frashëri e lartësoi Shqipërinë dhe nxiti ndër shqiptarë krenarinë kombëtare. Roli i tij si mendimtar socio-politik në çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi osman është i një rëndësie të veçantë. Ai ndikoi jashtëzakonisht shumë te shkrimtarët shqiptarë në fillim të shekullit të njëzetë. Rëndësia e Naim Frashërit si poet kombëtar qëndron në mesazhet sociopolitike, filozofike dhe fetare për popullin e tij për t’i shërbyer tolerancës dhe vetëdijes kombëtare jo vetëm te bektashinjtë, por edhe te të gjithë shqiptarët në trevat shqiptare(Ziaee, 2011). Ai u bë themeluesi i letërsisë së re me përmbajtje patriotike e njerëzore, me forcë artistike dhe vlera të spikatura stili(Kola,2020: 38).
Formimi intelektual, përfshirja në Lëvizjen Kombëtare
Naim Frashëri (1846-1900) konsiderohet sot si poeti kombëtar i Shqipërisë. Lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit, në një familje të arsimuar. Babai, Halit Beu i përkiste familjes së Ajaz Beut, ndërsa nëna e tij Emine, familjes së Iljaz Bej Mirahorit. Naimi e kaloi fëmijërinë e tij në Frashër, ku vazhdoi shkollën dhe mësoi turqisht, persisht dhe arabisht. Në teqen bektashiane të Frashërit, ai ishte formuar me traditat shpirtërore të Orientit.
Familja Frashëri u shpërngul në vitin 1865 dhe u vendos në Janinë, ku Naimi ndoqi shkollën e mesme Zosimea në gjuhën greke, e cila i siguroi bazat e një arsimi klasik të orientuar nga kultura e Perëndimit. Këtu ai studio greqishten e vjetër dhe moderne, frëngjishten dhe italishte, si dhe vazhdoi të thellonte privatisht dijet në gjuhët orientale (Elsie, http://www.albanianliterature.net/). Ndërsa rritej në njohuri, atij iu shtua dëshira për njohjen e fesë së tij panteiste bektashiane, njohjen e poetëve të Persisë klasike, si dhe shprehu interes për njohjen e iluminizmit. Edukimi i tij në Janinë e bëri atë model të një intelektuali osman të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të formuar në të dy kulturat, perëndimore dhe lindore(Abazi, Doja: 2013: 860).
Në vitin 1870, Naimi udhëtoi për në Stamboll, ku kaloi disa kohë, por për shkak të sëmundjes së tij, vendosi të kthehej në malet shqiptare. Për pak kohë punoi si nëpunës civil në Berat dhe, nga viti 1874, për tre vjet, shërbeu si zyrtar doganor në Sarandë. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij atdhetar dhe letrar si poet; njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur shqipe, shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare etj. Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, të cilat sollën formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të Lidhjes në Jugun e Shqipërisë, si dhe përkrahu e përhapi programin e saj. Në vitin 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë “Shqipëria”, në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim, Naimi nisi rrugën e Poetit Kombëtar.
Në vitin 1881 ose 1882, Naim Frashëri u kthye në Stamboll dhe, pas arrestimit të vëllait Abdylit, në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve që jetonin në kryeqytetin osman. Mori pjesë në punën e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare dhe të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip, që ishin themeluar në Stamboll(Elsie, 1997:117). Ai ia kushtoi tërë energjinë botimit të librave shqip, veçanërisht teksteve shkollore, të cilat ishin jashtëzakonisht të rëndësishme, për të mësuar brezin e ri shqiptar(Biernat, 2013:2). Punoi për ngritjen e shkollave shqipe dhe hartoi libra mësimore; shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë. U angazhua dhe në botimin e shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja Kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar(Frashëri, http://qbd.gov.al/naim-frasheri/).
Nga viti 1882, Naimi punoi si censor në Ministrinë e Arsimit(Biernat, 2013:2), ku ushtroi të gjithë ndikimin e vet për marrjen e autorizimit që lejonte hapjen e së parës shkollë fillore në gjuhën shqipe në Korçë më 1887(Elsie, 1997 :120).
Njëri ndër personalitetet më të shquara të Rilindjes Kombëtare
Naim Frashëri ishte përfaqësues i Rilindjes Shqiptare që bashkoi idealet politike qytetare të rilindjes së kombit dhe idealet njerëzore të rilindjes njerëzore. Rilindja e kombit dhe liria e kombit në mendimet e Naimit lidheshin me rilindjen e njeriut dhe me lirinë e njeriut, me zgjimin dhe pasurimin e tij mendor e shpirtëror dhe me përsosjen e tij morale(Kola, 2020 : 38). Si autor dhe mendimtar, ai ishte mendjehapur me vetëdije për të gjitha kulturat dhe qytetërimet, dhe i çliruar nga çdo kompleks eurocentrik apo aziatik. Naim Frashëri ka përfshirë dhe pajtuar në veprën e tij filozofike rryma mendimi dhe përvoja poetike të ndryshme, si nga traditat lindore ashtu edhe ajo perëndimore(Abazi, Doja: 2013: 860-861). Më mirë se kudo tjetër, ideja e Frashërit për misionin e tij u shpreh përmes simbolit të ‘fjalëve të qiririt’, që është edhe vargu i parë i njohur që ai botoi në shqip. Ai e ndërtoi poezinë e tij mbi simbolin e ndezjes së qirinjve për të theksuar misionin e tij të ndritur qytetar dhe humanist për të ndriçuar bashkatdhetarët e tij në rrugën e tyre drejt lirisë dhe prosperitetit. Pra, Frasheri tregoi një filozofi aktive, një filozofi veprimi dhe sakrifice, duke u bërë vetë një udhëheqës shpirtëror i bashkatdhetarëve të tij, një pishtar njerëzor që ndriçoi rrugën drejt mirësisë, dijes dhe përsosmërisë morale: Në mes tuaj kam qëndruar/ e jam duke u përvëluar/ që t’u ap pakëzë dritë/ natënë t’ua bënj ditë(Abazi, Doja: 2013: 868).
Naimi është autor i njëzet e dy veprave: katër në turqisht, një në persisht, dy në greqisht dhe pesëmbëdhjetë në shqip. Meqë Porta e Lartë nuk lejonte botimin e librave në gjuhën shqipe, veprat më të njohura të tij u botuan në Bukuresht, ku kishte një ngulim të rëndësishëm e të zhvilluar shqiptarësh e ku ishte ngritur një shtypshkronjë shqiptare nga Shoqëria e të Shtypuri Shkronja Shqip në vitin 1886. Po këtu, ai botoi një varg doracakësh në gjuhën shqipe për shkollat fillore, si p.sh. tekstin në dy pjesë: “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”, Bukuresht 1886; “Vjersha për mësonjëtoret të para”, Bukuresht 1886; “Istori e përgjithëshme për mësonjëtoret të para”, Bukuresht 1886; “Dituritë për mësonjëtoret të para”, Bukuresht 1888. Në funksion të pozicionit të tij si drejtor i Zyrës së Censurës të Ministrisë Turke të Arsimit, Naimi ishte në gjendje herë pas here të shmangte ndalimin e librave dhe botimeve në gjuhën shqipe, të imponuara nga Porta e Lartë. Pavarësisht nga kjo, ai e pa të arsyeshme të mos përdorte emrin e tij të plotë në shumë prej botimeve, por “NH”, ‘ “NHF” ose “NF”(Elsie,http://www.albanianliterature. net.
Përmbledhja me poezi “Bagëti e bujqësi”, për të cilat përmendet, u botua në Bukuresht dhe u bë shumë e popullarizuar në mesin e bashkatdhetarëve të Naimit, të cilët e futën në Shqipëri me karvane. Në të, poeti shpreh pakënaqësinë e tij me jetën e Stambollit dhe idealizon fshatrat e largët dhe të dëshiruar të Shqipërisë. Në përmbledhjen “Luletë e verësë”, Bukuresht 1890, ai gjithashtu hyjnizoi bukuritë e fshatit shqiptar në njëzet e tre poezi me tingëllimë të pasur. Këtu filozofia panteiste e rritjes së tij bektashiane dhe ndikimi i fortë i klasikëve persë shoqërohen në mënyrë harmonike me idealizmin patriotik, me krijimtari letrare që i shërben qëllimit të identitetit kombëtar.
Epika monumentale, “Historia e Skënderbeut”, në të cilën Frashëri rrëfen sukseset e heroit kombëtar shqiptar kundër pushtuesve osmanë mbahet si aspirata e tij poetike më e famshme dhe më e madhe. Është një epikë historike me 11 500 vargje, që ai duhet ta ketë shkruar rreth vitit 1895, që i takon të ishin vitet e tij të fundit të krijimtarisë së tij.
Një vepër tjetër me përmasa të ngjashme është “Qerbelaja”, botuar në të njëjtin vit në Bukuresht. Është një epos fetar shiit me njëzet e pesë këngë, që merret me betejën e Qerbelasë në Irak, në vitin 680 pas Krishtit(Elsie, ,http://www.albanianliterature. net). Krijimtaria e Naim Frashërit ishte së pari atdhetare, ndërsa idetë fetare i kishte përdorur për të thelluar më tej idetë kombëtare. Në poemën “Qerbelaja”, ai ritregon sagën e shiizmit, duke u përpjekur të ndërthurë sufizmin me filozofinë perëndimore në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (Doja, 2008 :75). Në formulimin dhe argumentimin e ideologjisë nacionaliste, Frashëri përdori të dy konceptet: panteiste dhe gnostike, që vijnë nga tradita lindore dhe ajo perëndimore. Ndër të tjera, ai sugjeroi hapur dhe teorizoi pajtimin e fesë me idenë e kombit(Doja, 2008 :75). Marrëdhëniet gjithnjë të vështira të bektashinjve me autoritetet fetare dhe politike osmane kanë ndikuar pa dyshim në zgjedhjen nga ana e tyre të një qëndrimi antiturk dhe nacionalist, por kjo ka ardhur njëkohësisht me rifuqizimin e vijës së tyre fetare jozyrtare dhe çlirimtare, e cila ishte tipike për sistemin e tyre të bindjeve dhe riteve. Nuk duhet të ngjallë habi fakti që ishte ai intelektuali shqiptar që u përpoq të krijonte një gjuhë të shkruar shqipe të njësuar dhe të hyjnizonte në veprat e tij historinë e Shqipërisë, të shpalosur në një farë mase në veprën e tij “Fletore të bektashinjet” (1896), ku paraqet parimet e reja teologjike e praktike të bektashizmit dhe normat organizative që rregullonin funksionimin e tij(Doja,2008 :64).
Qerbelaja dhe Istoria e Skëndërbeut janë shkruar në të njëjtën kohë, janë mbështetur në të njëjtin model dhe të njëjtin stil, si dhe janë botuar në të njëjtin vit. Ashtu sikurse Skënderbeu qe pika gravitacionale e Istorisë me personazhet e tjera që rreshtohen ose me të, ose kundër tij, edhe Qerbelaja na pajis me lentet përmes të cilave janë projektuar ngjarjet dhe personazhet të rreshtuar në po të njëjtën mënyrë(Doja,2022: 28).
Me mesazhin që përcolli, me idetë filozofike dhe fetare që transmetoi, Naimi kishte për qëllim ndërgjegjësimin kombëtar dhe kapërcimin e barrierave fetare brenda vendit. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët shqiptarë në fillim të shekullit XX ishte i jashtëzakonshëm. Shumë nga poezitë e tij u bënë këngë sa ishte në jetë dhe u kënduan në raste të ndryshme. Nëse dikush krahason gjendjen e letërsisë shqipe para dhe pas Naim Frashërit, bëhet i vetëdijshëm për rolin kryesor që ai luajti në shndërrimin e shqipes në gjuhë letrare(Elsie.http://www.albanianliterature. net). Në lidhje me Naim Frashërin, shkencëtari i shquar Eqerem Çabej shkruan: “Në veprën e Naim Frashërit apostulli dhe poeti janë një …Si rezultat, është e vështirë të dallosh artistin nga patrioti. Me mesazhin që përcolli, me idetë filozofike dhe fetare që transmetoi, Naimi kishte për qëllim ndërgjegjësimin kombëtar dhe kapërcimin e barrierave fetare brenda vendit. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët shqiptarë në fillim të shekullit XX ishte i jashtëzakonshëm(Elsie, http:/www.albanianliterature. net).
Naimi mbeti në historinë e kombit shqiptar si bilbili i gjuhës shqipe, mjeshtër i fjalës. Tradita që ai krijoi është edhe sot e gjallë dhe frymëzuese. Më tepër se shkrimtar, ai është poeti më i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe i kulturës shqiptare. Presidenti i Shqipërisë i ka dhënë Naimit dhe dy vëllezërve të tij, Abdylit dhe Samiut dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”. Naim Frashëri mbetet një nga personalitetet më të shquara të kombit tonë që frymëzoi dhe do të frymëzojë në shekujt që vijnë brezat e shqiptarëve, në përpjekjet e tyre për liri dhe përparim shoqëror.