


Julika Prifti/
Shkrimtari Naum Prifti, i cili ka lënë pas po aq vepra të pabotuara sa ka edhe të botuara, ka edhe një pasuri të rrallë të letër-shkëmbimeve me të atin dhe dy vëllezërit më të mëdhenj të emigruar në ShBA, me shokë të Shkollës Mjekësore, si edhe me shkrimtarë të afirmuar të kohës, me lexues e krijues të rinj.
Për fat të mirë, ashtu si edhe vëllai i tij, Peter Prifti, ai ka ruajtur letrat e dërguara dhe në disa raste përgjigjet e letrave janë të paktën në dy kopje ose janë kopjuar me dorë. Ndërsa i ndaj me kujdes materialet e pabotuara sipas zhanreve, në skenarë filmi me metrazh të gjatë, novela, tregime, përralla, libret për teatrin, librete baleti, përmbledhje këngësh të vjetra, fjalor i fjalëve të rralla, fjalor me emra lulesh, e me radhë, i vendos në një kuti më vete që e kam quajtur Korrespondenca e Naum Priftit.
Arti i të shkruarit të letrave më ka tërhequr gjithmonë dhe ka qenë një praktikë që nuk e kam braktisur as sot por e kam kufizuar në kohët e festave, duke pranuar se teknologjia e ka modernizuar ose shfytyruar këtë formë komunikimi në sinjale e kode elektronike që transmetohen në rrjetin gjigand kompjuterik si mesazhe emejli dhe tekste që mund t’i lexosh në çdo cep të globit. Por. këto që kaloj në duar janë letra të shkruara nga dora e babait dhe ngjajnë si “tregime” të shkurtra, në të cilat letërshkruesi komunikon në nivelin më njerëzor për një hall a një shqetësim me marrësin.
Letra drejtuar Bilal Xhaferrit (1935-1986) flet për anën personale të Naum Priftit, karakterin e tij dhe besimin për të ndihmuar këdo, pavarësisht pozitës në shoqëri, si regjisor a aktor, shkrimtar a letrar i ri, ushtar apo oficer i lartë. Nga data e letrës del se ishte koha kur ishte botuar vëllimi i parë me tregime i Bilal Xhaferit “Rrugë dhe fate” po ashtu edhe disa poezi të tij në periodikë të ndryshëm. Është i dukshëm komunikimi i tyre miqësor dhe me respekt të ndërsjellë. Babit i ka pëlqyer tregimi Hurmat “nga ana artistike”, siç shkruan ai, por në tentativat për ta botuar atë është ndeshur me ngurtësinë dhe stepjen e organeve të regjimit në krijimet “me konflikt real nga jeta jonë “.
Besoj se leximi i letrës mjafton për ta njohur kurajën dhe shpirtin human të letërshkruesit.
I dashur shoku Bilal!
Letra juaj më gëzoi shumë dhe e kam lexuar më tepër se një herë. Ju falenderoj si për fjalët e mira që më shkruani ashtu edhe për respektin që keni ndaj meje. Unë nga ana ime ju siguroj se tek mua kurdoherë do të gjeni një mik, të cilit mund t’i drejtoheni në çdo rast a për çdo gjë dhe ai ka për tu treguar i gatshëm.
Për tregimin ” Hurmat” nuk patëm fat. Në Kolegjium nuk u treguan entuziastë ashtu si kurse unë dhe bënë ca vërejtje si këto që po ju shkruaj këtu më poshtë.
- Ç’do të tregojë autori dhe ku është qëllimi i tregimit?
- Pse një fakt i supozuar bëhet kaqë i madh? A nuk do ishte më e drejtë sikur ai që në fillim të tregonte se s’ kishte marrë asgjë.
III. Për të nxjerrë figurën e policit të mirë, i bëri gjithë të tjerët të këqinj.
Pika e tretë qe ajo më e rëndësishmja rreth së cilës u ngjallën dhe diskutimet më të mëdha. Kundra vërejtjeve të tilla skematike është vështirë të luftosh me mjete artistike.
Unë mbeta në qëndrimin tim dhe pas disa ditësh e shpura tregimin në revistën Nëntori. Pas dy javëve edhe Ibrahim Uruçi më tha çuditërisht pikën e tretë të vërejtjeve. Atëherë e mora tregimin e po e ruaj meqenëse ju nuk keni as origjinalin. Tani nuk di si të veproj. Mendoj t’ja shpije “Zëri i Rinisë ” ose “Dritës”, po nuk do më pëlqente të veproja pa u pyetur juve.
Unë vazhdoj të mendoj se ai është një tregim i mirë nga ana artistike, me konflikt real nga jeta jonë dhe pakë i ashpër. Pikërisht këto dy gjërat e fundit i bëjnë redaksitë të stepen, sado e çuditshme që mund të duket kjo. Po gjithmonë jeta ka paradokse.
Juve si ia shpini? Shpresoj se të paktën, nuk kini ndejtur pa shkruar gjë këto muajt e fundit.
Kur tu bjerë rasti të kaloni nga Tirana mos harroni të më bëni një vizitë të shkurtër.
Ju uroj suksese në punën tuaj. Duke ju shtrënguar dorën fort, ju përshëndes me dashuri
Naum Prifti
Tiranë, 22 -VII-964