
Anton Nikë Berisha/
Dhimitër Frangu, Veprat e lavdishme të Skënderbeut. Përkthimin, parathanien, komentet dhe ilustrimet Lek Pervizi. Faik Konica, Prishtinë 2024.
“Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekeson kujtimin e tyne, jo vetëm ndêr faqet e historisë por edhe mbi rrasa e në monumenta, ai popull tregon se ka ndêrgjegje, se ka ndiesi të holla, se njef miradijen e ka dishirë me u sjell e me u drejtue mbâs shembullit të të Mëdhajvet të vet”.
Luigj Gurakuqi
Ky mendim, sa i veçantë aq dhe i rëndësishëm i Luigj Gurakuqit për burrat e shquar të një populli, nëse përimtohet në thellësi dhe konkretizohet me vërtetësi në botën tonë, të vë në tundime jo të vogla. Për këtë dëshmon (për të mos i përmendur rastet e tjera) edhe libri “Veprat e lavdishme të Skënderbeut” i Dhimitër Frangut, këshilltarit dhe zyrtarit më të rëndësishëm dhe më besnik të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, vepra e të cilit u jepet në dorë lexuesve me vonesë të stërmadhe, edhe pse është libri i parë i botuar dhe i njohur deri më tani që dëshmon konkretisht dhe me argumente të mirëfillta për figurën më të shquar dhe kryetrimit e botës arbërore – shqiptare Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Kjo vonesë e njohjes së veprës së Dhimitër Frangut (botimi i parë në shqip u bë më 2005) nuk e zvogëlon Skënderbeun, po tregon për pakujdesinë, shkurtpamësinë, po dhe përmbysjen dhe mjerimin tonë.
Duhet t’i jemi skajshmërisht mirënjohës Lek Pervizit, i cili e përktheu këtë vepër nga latinishtja me shumë përkushtim e dije, e plotësoi me shënime dhe e ilustroi me shumë fotografi të Skënderbeut të bërë në rrjedhë të kohëve, duke i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm kombit dhe botës sonë. Them kështu nga se pa e njohur mirëfilli të kaluarën nuk mund ta njohim e as të vlerësojnë kohën tonë.
Në pjesën “Dy fjalë nga përkthyesi” dhe në “Parathanie” Lek Pervizi na i jep disa të dhëna të rëndësishme për veprën dhe për autorin e saj, Dhimtër Frangun, për përkthimet e veprës në italisht e në gjuhë të tjera, për disa vlerësime të rralla që i kanë bërë disa autorë librit të Dhimitër Frangut dhe për shfrytëzimin dhe plagjiaturat nga autorë të ndryshëm, italianë e shqiptarë. Pervizi shkruan: “Në dy shekujt e parë pas vdekjes së Skënderbeut, gjithë autorët e librave që u shkruen për të, kishin mbushë ujë të kulluet te burimi fillestar i Dhimitër Frangut, sa që në një mënyrë pothuejse rituale, fjalët e frazat e tij, u përcollën të pandryshueme nga një autor tek tjetri. Kjo bie në sy menjëherë, për ata që i kanë lexue gjithë librat që u botuen nga viti 1480, vit i dorëshkrimit të parë latinisht të Dhimitër Frangut. Ndryshimet, në disa autorë, erdhën si pasojë i kërkimit të « qimes në vezë ». Me këtë duem të themi, se tue pasë dëshminë ma se të bindshme të një Dhimitër Frangu nuk ishte nevoja të kapërcehej në hamendje të pakontrollueme e në fantazi të teprueme në përshkrimin e historisë së Skënderbeut. Vërtet se Marin Barleti na dha një vepër latinisht, që u muer si bazë e historisë së Skënderbeut, por ishte një vepër që dilte 30 vjet pas librit të Frangut. Kështu që edhe vepra e Barletit e kishte zanafillën në tregimin besnik të Frangut, të cilit ai duhet t`ia dinte për nder që kishte dhanë një dëshmi aq të randësishme mbi jetën dhe veprat e Skënderbeut. Vetë Barleti, në shumë raste shkruen fjalë për fjalë thanjet e ngjarjet e Frangut”.
Për të dëshmuar vlerën e shumëfishtë të librit të Dhimitër Frangut, Lek Pervizi sjell edhe mendimin e Giovanni (Xhovani) Maria Bonardo të vënë si moto: “Eruditi Venecian, Giovanni Maria Bonardo, përkthyes, redaktor dhe botues i këtij libri, e specifikon atë me këto fjalë: “[…] Libër që asht shkrue latinisht me dorë prej Atë Dhimitër Frangut, i cili ka qenë i pranishëm personalisht dhe i mirinformuem për të gjitha betejat dhe veprat e atij Princi…”.
Duke u mishëruar me veprën e Dhimitër Frangut dhe duke u bindur për rëndësinë e shumëfishtë të saj, në Parathanien Lek Pervizi shkruan: “Askush tjetër nuk mund t’ishte i aftë për ta ndjekë nga afër jetën e veprimtarinë e këtij Princi, ma mirë se një bashkëkohës, këshilltar, fetar, arkëtar dhe ambasador i tij, besnik dhe i kulturuem, siç ishte një Dhimitër Frangu. Në qoftë se nuk del njeri tjetër i rrethit të ngushtë të tij, që të ketë arritë me shkrue një dëshmi tjetër, s’ka dyshim se shqiptari që përmendëm mbetet i vetmi që ka arritë me dhanë një biografi e histori të shkoqitun e sa më të vërtetë mbi Skënderbeun”.
Të dhëna të qenësishme dhe të argumentuara mirëfilli
Janë disa dukuri që e bëjnë këtë libër të Dhimitër Frangut shumëfish të rëndësishëm dhe të pakapërcyeshëm, jo vetëm të kohës kur u botua, por edhe për kohën tonë. Ndër të parat dukuri që qartësohet fund e krye librit të Dhimitër Frangut është dashuria e jashtëzakonshme e Gjergj Kastriotit Skënderbeut për atdheun, gatishmëria për mbrojtjen e tij deri në flijimin e jetës; kujdesi i pazakonshëm ndaj bashkëluftëtarëve dhe ndaj banorëve, pa marrë parasysh se cilit vend dhe cilës shtresë i takonin, pastaj ndarja e plaçkave të luftës secilit luftëtarë, po edhe banorëve ku bëheshin betejat, siç dëshmon Dhimitër Frangu: “Mbasi Turqit u thyen, Shqiptarët shkuen dhe e rrënuen kampin anmik, ku gjetën shumë plaçkë e pajisje të çmueshme, të cilat Skënderbeu, siç kishte veprue gjithmonë, ia ndau ushtrisë së tij fitimtare e të lavdishme”. Në një shënim të përkthyesit rreth kësaj dukurive thuhet: “Kjo përsëritet vazhdimisht e duket si e tepërt, por puna duhet vështrue nën një prizëm tjetër, sepse autori (Dhimitër Frangu – v. ime) tregon çka me të vërtetë ka ndodhë. Siç asht dokumentue, gjatë 25 vjetëve të luftës kundër Turqve, Skënderbeu zhvilloi dhe fitoi 24 beteja të randësishme, tue triumfue në fushat e betejave e sigurisht tue kapë plaçkë të madhe, e cila patjetër se do t’i shkonte ushtrisë, si shpërblim, dhe për të përballue shpenzimet e mëdha ushtarake, kujt vendi nuk mund t’u bante ballë, e ndihmat e hueja ishin të pakta. Kurse nga ana kundërshtare, zbatoheshin kritere ma t’egra dhe ma çnjerëzore, sepse plaçka përfshinte edhe njerëz, pleq, gra, djem e vajza e fëmijë, që katandiseshin në skllavni të përjetshme, pa shpëtim”.
Pikërisht dashurinë ndaj atdheut Kryetrimi ua mbjellë edhe luftëtarëve arbërorë te tij, qoftë me fjalë, me fjalime e me porosi, që nuk i kurseu asnjëherë, qoftë me veprime konkrete, kur hidhej në mes të betejës kundër armiqve pa u frikësuar se do ta vrasin.
Pra, çdo përpjekje, çdo veprim dhe çdo flijim i Skënderbeut dhe i princave arbërorë dhe i luftëtarëve lidhet me atdheun dhe me njerëzit e tij për ruajtjen me çdo kusht të trojeve arbërore nga pushtuesi otoman. Për atdheun Skënderbeu nuk kursente asgjë; vepronte në atë mënyrë, siç do të thoshte më vonë atë Anton Harapi: “Çdo ndërtese i vihen themelet në dhé. Edhe në varr, prandaj në hijshëm duhet të jemi gurët e themelit të njasaj binaje të cilën sot e quejmë Shqipní”.
Rëndësia e të gjitha luftërave të Skënderbeut lidhet me karakterin mbrojtës e jo për t’i nënshtruar të tjerët dhe për t’ua pushtuar tokat. Kjo konkretizohet mirëfilli nga veprimet e tij, nga sjellja me ushtarë, nga fjalimet para ndërmarrjeve luftarake mbrojtëse kundër një ushtrie shumëfish më të madhe në numër dhe shumë më të pajisur me armë.
Si ushtarak me përvojë, të fituar gjatë kohës kur ishte i marrë peng nga Sulltani, po dhe nga përvoja e ndërmarrjeve mbrojtëse dhe e princave të tjerë arbërorë dhe nga njerëzit e urtë, me të cilët këshillohej përherë, Skënderbeu dëshmohet trim i paepur, po i urtë e fisnik; gjithçka e mendonte dhe e peshonte paraprakisht dhe dëshmonte aftësinë të marrë me mend se cilat veprime dhe kur duhet t’i ndërmerrte dhe në çfarë kohe; në ç’mënyrë duhet të mbrohej për t’i përballuar ndërmarrjet ushtarake të dërguara nga sulltanët otomanë; ishte i sjellshëm, i afërt dhe fisnik me luftëtarët dhe me banorët nga të cilët kërkonte mbështetje. Ishte i mëshirshëm përballë tradhtarëve dhe robërve të zënë në luftë. Të tillë e cilëson Dhimitër Frangu Skënderbeun: “Nga ana shpirtnore, ishte edhe më i pajisun dhe i përsosun, sepse ky Princ kishte shpirt kristiani, ishte besimtar e i mëshirshëm, i drejtë dhe shpirtmadh me të gjithë, veçanërisht në faljen e anmiqve. Ishte trim me shpirt të pamposhtun, saqë kurrë nuk ishte dallue tek ai ndonjë shenjë frike apo ankthi. Ishte i mëshirshëm me të gjithë, veçanërisht me ata që e fyenin, tue i falun fyemjet kur i kërkohej falje. Anmik i përbetuem i veseve të këqija imorale dhe i mallkimeve”.
Cilësitë e një atdhetari të madh e të një strategu të jashtëzakonshëm lufte Skënderbeu e dëshmon, pos të tjerash, edhe me fjalimin drejtuar princave dhe luftëtarëve, pasi i shkruan Sulltanit dhe ia prapëson propozimet që ai i bënte: “Shumë të dashtun Zotnij e vllazën, nuk dyshoj, që, sapo të marrë përgjigjen time, dhe të ketë dëgjue fjalët e ambasadorit, për sa unë i kam folë atij, menjëherë ai do të provojë fatin për të hedhë gjithë forcat kundër meje, dhe për këtë punë do të përdorë të gjithë pushtetin e tij, prandaj do të më dukej punë me vend që të jemi shumë të gatshëm e të përgatitun kur ajo të ndodhë që kalorësit tanë trima të mund të na mbrojnë nga sulmi i anmikut, i cili do të përdorë çdo mënyrë për të na nënshtrue. Të grumbullojmë furnizime të bollshme e të jemi shumë vigjilentë në ruejtjen e rregullit për sa do të veprojmë. Gjithashtu propozoj që të çojmë sa ma shumë spiunë brenda vendit të Sulltanit, që të jenë besnikë, të cilët do të na njoftojnë e të na paralajmërojnë për qëllimet e anmikut, tue vendosë njëkohësisht roje të mira në çdo vend e në çdo shteg. Ju baj të ditun, Zotnij, që t’i mbani në gatishmëni dhe të përgatitun luftëtarët e njësitë e jueja për çdo rast, sa që, me shenjën ma të vogël, të jenë në gjendje që të luftojnë trimënisht e të përballojnë me guxim anmikun. Ndërkaq unë do të shkoj drejt kufijve me një pjesë të mirë të ushtrisë për ta mbajtë anmikun në ankth dhe në frikë. Do të lëviz herë këndej herë andej tue shkatërrue e damtue, që ta kuptojë se nuk kemi frikë as prej tij as prej kërcënimeve të tija, dhe ju njoftoj të gjithëve se gjatë luftimit, askush, as ushtar, as kapiten e kolonel, të mos guxojë të marrë ndonjë plaçkë të anmikut sado e vogël që të jetë, (kështu them), në çdo rast që të na ecë fati. Këtë vërejtje e baj, jo për ndonjë qëllim tjetër, por për faktin se një ushtar i ngarkuem me plaçkë nuk mund të luftojë trimnisht. E në qoftë se mes jush ka asish që mendojnë ndryshe, ban ma mirë të qëndrojë në shtëpi, se sa të vijë në luftë për qëllim përfitimi të plaçkës dhe jo për nder, ku, veçse se do të damtonte e do të pengonte luftëtarët e tjerë. Ju premtoj, për besën e një kalorësi e si ushtar i nderuem, që në çdo rast beteje e fitoreje (Zoti e dhashtë), e gjithë plaçka do të jetë e jueja”.
Dhimitër Frangu jep një varg të dhënash të sakta për mënyrën e përgatitjeve e të sulmeve të Skënderbeut e të udhëheqësve të tjerë arbërorë, si ndaheshin qartazi detyrat, ku dëshmohet një strategji ushtarake e lartësuar, pastaj për sjelljet e Skënderbeut para, gjatë dhe pas luftës me komandantë dhe me luftëtarë, me banorë të zakonshëm, qoftë kur korrte fitore, qofte kur pësonte humbje, po edhe sjelljet e tij me robërit e luftës, sidomos me disa prijës otomanë, të cilët i binin te këmbët dhe i kërkonin mëshirë.
Të bëjnë përshtypje të dhënat e shumta dhe konkrete të ushtrive, përkatësisht numrit të luftëtarëve, qoftë arbërorë, qoftë otomanë, të numrit të vrarëve e të plagosurve etj. Me një fjalë, janë fakte që nuk i ka dhënë asnjë autor që ka shkruar për jetën dhe luftërat mbrojtëse të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut për rreth 25 vjet.
Çka dëshmojnë letrat e Skënderbeut dërguar sulltanëve
Atdhedashurinë, mençurinë, shkathtësinë, guximin e pashembullt të një prijësi të madh ushtarak dhe gatishmërinë e flijimit për të mbrojtur lirinë dhe trojet arbërore, Skënderbeu e përligj edhe me letrat që ua dërgoi sulltanëve të Perandorisë Otomane, edhe pse ata ishin udhëheqës të shquar që drejtonin një shtet aq të fuqishëm që ishte në gjendje t’i nënshtronte edhe shtetet më të mëdha të kohës.
Po sjell një pjesë të letrës së Skënderbeut, përgjigje sulltanit, Mehmet Amiri, Sulltan dhe Perandor i gjithë pjesë së botës, i cili njihej “sulltani gjakatar, me rastin e prishjes së marrëveshjes për paqe, që kishte bërë me sulltanin: “Gjergj Kastrioti, ndryshe Skënderbeg, Princ i Epirotëve e i Shqiptarëve, Mehmet begut Princit të Turqve, i uron shumë shëndet. Kur mora vesht prej Ambasadorit tand, Mustafa begut, e prej letrës sate, se sa ti ankohesh dhe proteston, pothuejse tue më qortue, të jap këtë përgjigje: Kryesisht nuk pendohem as nuk kam pse pendohem për prishjen e paqes, sepse e kam ba për shumë arsye, i detyruem nga një shkak legjitim, e prandaj jo vetëm që nuk duhet të pendohem (siç thashë) por duhet të jem anmiku ma i madh i yti, sepse duke qenë ti, Princ i një shteti të madh, nuk të takon që të vendosësh e të thyejsh ligjet sipas qejfit, dhe as që të nënvleftësosh Princin e një shteti të vogël, siç ke vepruar ndaj meje. Ndërsa u vendos paqa mes nesh nëpërmjet Ambasadorit tand, nuk duhej që bashkë me fenë tande ta thyeshe, e për këtë me janë dëshmitarë Zoti dhe bota. Kur unë isha i sigurt për besën që më kishe dhanë, vasalët e tu më shkaktuen damtime të mëdha, aq sa qeshë i detyruem me të dërgue një Ambasador timin, me lutje që të merrje masat e duhuna, e m’u përgjigje se do t’i kishe dënue ata keqbamës, e se ato veprime ishin ba pa dijeninë tande. Gatishmënia dhe rreptësia që t’i dojshe me tregue ndaj tyne, shpejt doli që ishte fare hiçe, sepse ti më dhe me kuptue se gjithë damet ato i kishin krye me dijeninë dhe pëlqimin tand, dhe kështu unë dola i tallun ndërsa keqbasit mbetën të padenuem, prej ku del fakti i qartë dhe dëshmia që ti ke qenë (siç thashë) dakord, prandaj ti duhet e mund të bindesh që unë kam pasë të drejtë të rifitoj damet që kisha pësue. Due që ti ta marrësh vesh se një si unë nuk duhet të kujdeset fare për ata që nuk e çmojnë paqen, por duen që nën ngjyrën e paqes, të ngrehin kurtha dhe të mashtrojnë të tjerët. Po qe se kjo sjellje i takon një Princi, gjykoje vetë. Për sa thue se Venedikasit më paskan mashtrue, të them, se tue qenë ata njerëz shumë të ndershëm dhe të besës, nuk mund të besohet se tek ata të ketë vend mashtrimi ose ndonjë hile tjetër, prandaj lirisht kam vendosë që nuk due me pasë paqë me ty, edhe pse unë qenkam aq Princ i ulët, e ti një Perandor aq i fuqishëm nga Lindja në Perëndim, që vetëm prej teje thuhet, tue përvetesue ndoshta shumë ma tepër nga ato që të takojnë […] prandaj unë nuk tundem nga kërcënimet as nga lajkat e tua […] Nga kampi ynë, më 25 qershor 1463”.
Dhimitër Frangu jep edhe një varg të dhënash për gatishmërinë e përhershme të luftëtarëve arbërorë për ta mbrojtur atdheun, të cilët ishin vijimisht vigjilentë dhe nuk befasoheshin nga sulmet e papritura dhe të fshehta të otomanëve ose të mashtroheshin e të bëheshin vegël e otomanëve që në çdo mënyrë donin t’i pushtonin trojet e Arbërisë dhe të vazhdonin më tej në pushtimin e shteteve të tjera të Evropës, siç ndodhi pas vdekjes së Skënderbeut.
Edhe rreth sëmundjes dhe keqësimit të gjendjes shëndetësore të Skënderbeut dhe vetëdijes se po i mbaronin fuqitë dhe po i afrohej vdekja, Dhimitër Frangu jep të dhëna të sakta kur Kryetrimi arbëror i dorëzohet vdekjes dhe hirit të Hyjit; ai e fton djalin e vetëm të tij, Gjonin, dhe e porosit që t’u nënshtrohet (meqenëse ishte i ri) urdhrave të nënës, Donikës, dhe ipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit.
Vdekja e Skënderbeut shkaktoi një dhimbje e pikëllim ta pazakonshëm të bashkëluftëtarët, të i gjithë populli, po edhe të të tjerët, që e njohën dhe ia pranuan aftësinë dhe vlerën që pati në mbrojtjen 25 vjeçare të ndërmarrjeve otomane. Këtë e shprehen edhe princat e shteteve fqinje bashkë me banorët e tyre, si e thotë edhe Dhimitër Frangu në veprën e tij: “[…] ai kishte qenë kalaja e shpëtimi edhe për vendet e tjera fqinje. Vdekja e tij përfshiu jo vetëm të gjithë Princat e Krishtenë, Papën dhe Kolezhin e Kardinalëve, të gjithë Oborrin dhe popullin e Romës, dhe jo më pak Republikën e Venedikut, e krejt Krishtërimin, por u përhap edhe në vende e shtete të tjera të largëta, sepse fama e mirësisë dhe e trimnisë së madhe të tij, ishte përhapë në gjithë botën, sa që u vinte keq edhe anmiqve të tij. Kur mori vesh për atë vdekje, Mbreti Ferdinand i Napolit dhe i Sicilisë, me gjithë mbretninë e tij, treguen një qëndrim të tillë sa e gjithë bota e kuptoi se sa e madhe ishte dhimbja e keqardhja e tij, mbasi i bani nderime të mëdha e vajtime në gjithë shtetin”.
Në mbyllje të këtij punimi më duhet të them se libri i Dhimitër Frangut “Veprat e lavdishme të Skënderbeut” hyn në rrethin e atyre veprave që mbijetojnë nëpër kohë nga se janë të ngritura e të hartuara nga të dhëna të pandërmjetme që autori, bashkëpunëtor dhe këshilltar i rëndësishëm i Skënderbeut, i përjetoi vetë ose i mori (të dhëna) nga Prijësi i tij, Skënderbeu, nga princat e tjerë arbërorë ose edhe nga arqipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli, udhëheqësi shpirtëror i Skënderbeut, i cili ishte dhe kushëriri i Frangut. Së këndejmi, them se secili që e lexon me vëmendje këtë vepër të Dhimitër Frangut, jo vetëm do të mësojë më thellësisht për Skënderbeut, për jetën dhe ndërmarrjet luftarake mbrojtëse kundër otomanëve, po edhe për një varg rrjedhash e pasojash të botës arbërore – shqiptare që ndodhen më vonë.
Prishtinë, mes i shkurtit 2025