
Arben Iliazi/
Më 5 dhjetor 1935 lindi në Lushnjë Faslli Haliti, poet dhe përkthyes i jashtëzakonshëm, një njeri i veçanë dhe me vlera të brendshme, i cili kaloi sprova të fuqishme në jetën e tij krijuese. Kam pasur fatin e mirë ta njoh nga afër Faslliun pas viteve ‘90, kur punoja në shtypin e kohës, dhe ai botonte herëpashere te faqja letrare e “Republikës”, “Ballkanit” etj. Ishte njeri me temperament dhe personalitet, shpirtgjerë, shpesh i tërhequr në vetmi, ku argëtohej më së miri me mendimet dhe fantazinë e tij.
Faslliu ka filluar të botojë qysh në vitin 1963. Më 1969 botohet përmbledhja e tij e parë «Sot», që u dallua për forcën e fjalës dhe veçantinë e stilit, duke tërhoqur vëmendjen e lexuesve dhe kritikës zyrtare. Kjo përmbledhje me vargje fitoi çmimin e dytë kombëtar.
Në vitin 1982 më tërhoqi një cikël poetik i botuar në gazetën “Drita”. Në vitin 1984, kur isha student, u botua përmbledhja “Mesazhe fushe”, një testament shpirtëror, ku vëreheshin ngjyrime të panumërta të jetës së shpirtit, paralele me jetën reale.
Vonë mësova se kjo përmbledhje vinte pas 15 vjet heshtje të detyruar dhe se një pjesë e poezive ishin shkëputur nga cikli i punës së detyruar në Kooperativën Bujqësore të Fier-Sheganit gjatë viteve 1973- 1977:
MESAZHE FUSHE
Netëve,
Nëpër fusha
Ugare
Buçimat e traktorëve filluan të na vijnë
Si mesazhe pranvere,
Yjet filluan të çelin si lule qershie
Në degët e një reje.
PLUGIM PRANVEROR
“Traktoristët punojnë, plugojnë
U japin traktorëve gaz,
Plugjet thurin gërsheta ugaresh.
Tufa pulëbardhash
I ndjekin nga pas.
Dhe nata bie mbi fushë,
Një natë e kulluar,
Një natë e bruztë,
Natë myzeqare,
Plot yje në qiell, si lule bostani;
Hëna si pulëbardhë shetit mbi ugare.”
Faslli Haliti u gjykua rreptë, për 15 vjet me radhë iu hoq e drejta e botimit dha gati sa nuk u burgos, për shkak se në një cikël poezish të botuar në revistën “Nëntori”, të prillit 1972, dhe sidomos në poemën “Dielli dhe rrëkerat”, të botuar fillimisht në gazetën “Zëri i rinisë”, në dhjetor 1972.
Sipas censurës, “Dielli dhe rrëkerat » ishte fryt i një turbullimi ideologjik dhe politik të poetit që shtrembëronte “realitetin socialist dhe rolin e partisë duke prishur kështu unitetin e saj me popullin”.
Ja një fragment nga poema “Dielli dhe rrëkerat”:
“Çatia e shtëpisë sime është qaramane
Shtëpia ime është sentimentale
Dy re në qieëll
Ajo vu lotët
Dy re në qiell
Ajo vu me të madhe”
Haliti kishte guxuar tepër. Me një guxim të padëgjuar ftonte popullin t’i thyente “dhëmbët burokracisë”:
«Urdhër, / me grushtin e klasës punëtore/ thyejani dhëmbët burokracisë!». E akuzojnë si një poet rebel dhe anarkist. Drejtuesit e larë të Partisë së Punës organizuan mbledhje dhe debate publike për të denoncuar poemën.
Poetë të njohur të Lushnjës, si F. Rustemi e B. Xhaferri protesuan kundër dënimit të poetit 36 vjeçar.
Megjithatë poeti rebel i Lushnjës nuk pushoi së shkruari. Me po atë guxim boton edhe tekste të tjera kundër burokracisë dhe po aq të egër: (Djali i sekretarit), (Njeriu me kobure), (Unë dhe burokracia), e të tjerë.
DJALI I SEKRETARIT
Ju jeni burra.
Mos e fusni djalin e sekretarit
Klubeve, pastiçerive, kafeneve.
Mos ja hidhëroni buzët me kafe,
Mos i jepni cigare me filtër,
Mos ja zverdhni dhëmbët dhe gishtat,
Mos e mësoni me birrë,
Me verë,
Konjak
E raki,
Mos i flisni për vajza, për nuse, fejesë
Ai ende është i ri,
Pastaj vajzat tuaja do ta gjejnë shokun vetë.
Ju jeni pleq.
Mos dilni me të përkrahu pazarit përnatë,
Djali i sekretarit nuk është vaksinë,
Nuk është tel përçues i tensionit të lartë.
NJERIU ME KOBURE
Ai pret të fryjë era
Jo që të zhvishen pemët,,
Jo që të shkunden gjethet e verdha,
Por që t’i ngrihet cepi xhaketës,
T’i duket pas brezit koburja.
Ai pret të vijë pranvera
Jo që të bjellë e të korrë.
Por që të xhveshë xhaketën
T’i duket pas brezit
Koburja.
Faslliu u soll me respekt ndaj “vogëlsirave” të përditshme të jetës, duke kërkuar vetëm të përfitojë të mira të përbashkëta. Në zemrën e tij kishte ndjenja të theksuara drejtësie, ndaj ligjet e hartuara nga një grusht njerëzish i shikonte si të rrezikshme. Poeti shikonte përtej vetëvetes dhe kohës kur jetoi.
U fut në poezi si ai valltari që e kërkuan në një kërcim të çalësh. Po për kë të kërcente? Ai ishte një temperament i i lirë, i akorduar, që në lindjen e tij si poet. Shpirtërat vërtet të mëdhenj e ngrenë folenë në tokë, mes njerëzve. Ai gjeti një shoqëri të shkëlqyer te njerëzit dhe fushat. Nuk u bezdis kurrë prej tyre. Dhe ato i dhanë famën. Natyrisht Faslliu nuk mund ta kontrollonte fantazinë, pasi kështu dhunonte shpirtin. Ai trajtonte të gjitha vuajtjet, të gjitha dhimbjet, vulgaritetet e përbashkëta të natyrës njerëzore, duke ndezur ëndërra dhe imazhe, që filluan të ndillnin frikë për regjimin.
Motivet antiburokratike dhe temat ekzistenciale, e çuan përfundimisht në gijotinë “poetin e fushës”. Në vitin 1973, do të vinte plenumi IV i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe poetin e akuzuan për “ndikime nga arti borgjez i Perëndimit”, duke e dënuar me punë të detyruar në kooperativën e Fier-Sheganit.
Në gjithë krijimtarinë e tij Faslliu kishte një besim laik në potencialin njerëzor, duke mbajtur syë pishë mbi padrejtësië sociale, mbi diversitetin dhe konfliktet, por edhe mbi nayrën, dashurinë e bukuritë e jetës. Poeti kishte mendime pozitive dhe prirje drejt së ardhmes, një angazhim moral dhe intelektual, me ide dhe energji komunikuese, që vazhdojnë të transmetohen mes ayre që kanë lexuar veprat e tij dhe e kanë dashur poetin e tyre. Ëndjet e tij lirike, që janë bërë melhem për shumë njerëz, kanë hyrë në raportet njerëzore, të bazuar kryesisht në shkaqe të panumërta dhe të fshehta, kështu që motivet fisnikërohen aq shumë, saqë bëhen shumë të dashura. Në poezitë e tij pikturohet një pikëllim i sinqertë dhe i pastër, që i gëzon pashmangshmërisht njerëzit, duke marrë shpesh herë formën e sentencave. Karakterisikë e poezive të tij është se ai ruajti të njëjtin stil, duke u mbështetur te e panatyrshmja e papërkryer, freskia e detajeve, muzikaliteti, përdorimi i sinestezive befasuese, konçiziteti dhe mprehtësia e realizmit. “Poezia e tij nuk ka firo”, është shprehur poeti M.Zeqo.
Deri sa mbylli sytë, në 16 tetor 2020, Faslli Haliti nuk e ndali kurrë të shkruarit e vargjeve magjepsës e mallëngjyes, si një poet “tribun”, që bëri përpjekje për të arritur të pamundurën dhe për të mbijetuar në realitetin dhe në ankthin shpirtëror.
Mëkati i pranverës
Pranverë sykaltër,
Pranverë me faqe të blerta
Që zgjon nga gjumi letargjik
Barin
Sythet
Gjethet
Lulet
Blerimin.
Pranverë, ti s’haroon asnjë vit
Të zgjosh nga gjumi letargjik
Edhe nepërkat, gjarpërinjtë…
BIOGRAFIA
Faslli Haliti ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën “Dielli dhe rrëkerat”, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale.
Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 ishte anëtar i LSHASH.
Është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë.
Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut Fier. Ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” – 2017, dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”. Është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.
Disa nga veprat poetike të F. Halitit:
Sot – 1969
Mesazhe fushe – 1984
Edhe shkronjat paskan goje – 1986
Motrat – 1987
S’di te hesht – 1997
Lamtumire kapedanet e mi -1997
Mbrapsht – 1998
Krisa – 2000
Deti ma’ deti – 2000
Po s’ish ajo – 2000
Çartje – 2000
“Diellftohti” (2008),
“Para ikjes”(2010),
Kaq
Dielli dhe rrëkerat, me poema, (2010)
Ditë e re ende s’po zbardh – 2020
Lamtumirë kapedanët e mi, etj.
Perkthime:
Pugaçovi, poeme dramatike (S. Esenin, 2001)
Endjet e nje joudhetari (N. Vajenas, 2002)
Çehov (Pese tregime, 2003)