– Replikë me z. Henri Çili/
nga Andon Dede, Nju York/
Duke lexuar një kronikë nga promovimi i librit të Prof. Servet Pëllumbit, “Përmbysja e komunizmit”, më tërhoqi vëmendjen fjala e Henri Çilit ku ai hedh disa teza, pak konfuze, por mbi të gjitha të pasakta, madje tepër të gabuara. Sikur nuk më besohej se si mund të dilnin pohime të tillë nga goja apo dhe pena e tij, me që ka shkruar dhe parathënien e librit. ( Me librin nuk po merrem se as nuk e kam lexuar dhe as nuk ishte ky qëllimi i këtyre rreshtave). Aq përshtypje më bënë pohimet e tij, sa e lexova disa herë kronikën e mësipërme dhe kur u binda se ç’kish dashur të thoshte, vendosa të jap mendimin tim. Për të qënë sa më i saktë, po i riprodhoj më poshtë pohimet e tij, sipas kronikës së botuar në disa gazeta:
“Përmbysja e komunizmit është një nga momentet e jashtëzakonshme në historinë shqiptare e inkuadruar brenda historisë europiane të Europës Lindore. Eshtë një nga ngjarjet që na bën europianë, është një nga ngjarjet që na lidh me Europën. Pak a shumë, përmbysja e komunizmit në Shqipëri ishte mbi të gjitha, dhe kjo është teza themelore e profesor Pëllumbit, derivat i zhvillimeve në Europën Qendrore, Lindore dhe në ish- Bashkimin Sovjetik. Në të vërtetë zhvillimet në Shqipëri janë një derivat i kulturës ndërkombëtare dhe jo më kot kështu ka qenë shumë herë dhe vërtetohet dhe këtë radhë, se nuk mund të ketë zhvillime shqiptare jashtë një konteksti të madh të zhvillimit të perandorive apo gjeopolitikës së madhe. Nuk mund të kishte zhvillime të hapësirës së trojeve shqiptare jashtë kontekstit të Perandorisë Otomane, nuk mund të kishte të themi zhvillime të Shqipërisë apo versione të përmbysjes më para të komunizmit sepse nuk mund të flitej për sukses të diversantëve apo të sabotimit të komunizmit në Shqipëri jashtë Paktit të Jaltës, e kështu me radhë. Kjo i jep fund një herë e mirë sindromit tonë për të qenë një “rast i veçantë” apo një ‘rast sui-generis”.
Siç shihet, në këto pak rreshta ai hedh disa ide. Së pari, është e vërtetë se përmbysja e komunizmit apo më saktë, dikaturës tek ne,(se ai nuk qe komunizëm, siç e pohon dhe profesori në librin e vet), ishte “një nga momentet e jashtëzakonshme në historinë shqiptare e inkuadruar brenda historisë europiane të Europës Lindore.”. Por më poshtë ai bën një kapërcim pindarik që s’ka si të mos të të habisë: “Eshtë një nga ngjarjet që na bën europianë, është një nga ngjarjet që na lidh me Europën.”. Të thuash se përmbysja e komunizmit na bën europianë më duket jo vetëm e pasaktë, por tepër e gabuar. Ne gjeografikisht kemi qënë europianë, që në zanafillën tonë, por sot ky status “europian” shihet pak më ndryshe, si antar i BE-së etj. apo dhe më gjerë: që t’i përgjigjesh standarteve europiane në ekonomi, infrastrukturë, institucione, politikë, kulturë, nivel jetese, sjellje,etj.etj.. Siç dihet dhe pohoet nga të gjithë ne apo dhe nga të huajt që na njohin, ne jemi aq larg këtyre standarteve europiane. Zhvillimet e këtyre 25 vjetëve të fundit kanë treguar bindshëm se do të na duhet dhe shumë kohë që të europianizohemi, por kjo është një temë tjetër që del jashtë asaj që duam të trajtojmë këtu.
Është po ashtu e vërtetë se zhvillimet në Shqipëri janë derivat i zhvillimeve ndërkombëtare, por kjo nuk e përjashton specifikën e zhvillimeve tek ne. Le ta nisim me perandorinë otomane, që e përmend kalimthi edhe autori i parathënies. Mos vallë rastësisht ne ishim të fundit që fituam pavarësinë e u shkëputëm nga ajo perandori, ndonëse kishim ndihmuar Greqinë e ndonjë shtet tjetër për t’u shkëputur prej saj? Mos vallë qe rastësi që shqiptarët kishin marrë gjithë ato poste të larta në hierarkinë shtetërore të asaj perandorije apo që jeniçerët, trupat më besnike të Sulltanit, në pjesën më të madhe, ishin shqiptarë?
Për të mos u zgjatur, vimë në shekullin e njëzetë, zhvillimet gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ku ndalet dhe zoti Çili. Përsëri ne kemi qënë të veçantë. Për fatin tragjik tonin, në krye të PK Shqiptare e më pas dhe të Frontit Nacional Çlirimtar, doli Enver Hoxha që kishte si qëllim parësor marrjen e pushetit dhe jo çlirimin e vendit e më pas vendosjen e një shteti demokratik, në shërbim të popullit. Ai u tregua krejt ndryshe nga udhëheqësiit e tjerë. Mjafton të lexoni “Diktatorët e Ballkanit”, të B.Fisherit. Si i zbatonte direktivat e Internacionales “Enveri ynë” dhe Titoja? Ky i fundit shihte thjesht interesat e popujve të Jugosllavisë dhe nuk e çante shumë kokën për direktivat që i vinin nga lart. Këtë pozicion ai e ndoqi edhe pas Luftës, deri sa u shkëput e iu kundërvu Kominternit e Stalinit. Po “Enveri ynë”? Ai u tregua më Stalin se vetë Stalini në vendosjen e diktaturës, një nga më të egrat e kampit socialist apo dhe më gjerë. Mjafton të kujtoni kolektivizmin që e bëri me ritme aq të shpejta e me dhunë, sa që e kritikoi edhe vetë Stalini në bisedat që pati me të. (Lexoni librin “Me Stalinin”).
Sa për çështjen e diversantëve, që z. Çili e lëshon si pa të keq, problemi nuk është aq i thjeshtë. Nuk është vendi këtu ta shtjellojmë hollësisht këtë temë, por fakt ishte se SHBA dhe Perëndimi kishin vendosur që të eksperimentonin përmbysjen me dhunë të sistemeve komuniste dhe ia filluan me Shqipërinë. Këtu hyn sabotimi që i bëri kësaj ndërhyrjeje i shumëpërfoluri Kim Filbi, por dhe kjo është një histori më vete. Ne e kishim fjalën se dhe në këtë fakt ne patëm një zhvillim të veçantë, paçka se pa sukses, gjë që iu kushtoi jetën tërë atyre djemve të rinj, nga të dy palët, që me apo pa vetëdije, e dhanë jetën duke menduar se po luftonin për të mirën e atdheut e të popullit.
Shkojmë më tej. Gjithë zhvillimet tek ne gjatë Diktaturës, kanë vulën e tyre të veçantë, krejt ndryshe nga të tjerët. Mjafton të përmendim vetëm një fakt, ndalimin e Fesë? Ose, cili shtet tjetër ka kaluar nga pro-jugosllav në pro-sovjetik e më pas pro-kinez, përveçse ne?! Po varfëria jonë biblike, me kë mund të krahasohet? A mund të përfytyrohet një vend tjetër me dyqanet krejtësisht bosh, si tek ne? Për të mos u zgjatur , po tregoj vetëm një detal të përjetuar nga unë personalisht.
Sapo m’u dha mundësia, pas ’90-ës, bëra një vizitë tek një miku im në Çekosllovaki, me që s’kisha dalë asnjëherë e të “mos vdisja pa parë qoftë edhe një herë botën me sy”. Po ç’të them për atë vizitë? Tregjet çeke qenë plot. Po ku kishte pika krahasimi me varfërinë tonë?
Së fundi, edhe me zhvillimet post-diktatoriale, ne jemi shumë larg të tjerëve, në çdo aspekt. Kjo falë klasës tonë politike që nuk ndryshoi shumë nga ajo e mëparshmja, duke iu përshatur kushteve të reja të pluralizmit.(jo demikracisë, se jemi akoma tepër larg asaj).
Përfundimisht, ne as kemi qënë dhe as jemi si gjithë të tjerët, por “sui generis”, dhe as që e vlen të zgjatemi më tej. Kjo nuk është një sindromë e tejkaluar, siç thotë z. Çili, por një realitet.
Gjithë sa më sipër, nuk është thjesht një kënaqje kurioziteti, por një çështje shumë e rëndësishme: pa diagnoza të sakta, nuk shërohet i sëmuri. Dhe ne, po nuk u vetëdijësuam se ku jemi e qysh jemi, as që kemi për të bitisur gjë, ashtu si edhe deri tani.