* Faqe nga libri hebraik i Beratit/
*Intervistë me publicistin dhe studiuesin Simon Vrusho /
Nga Sulo Gozhina/
Berati është shquar në shekuj për qytetërimin e tij, për traditat, për vlerat kulturore, historike, shpirtërore, etj. , por një vend të veçantë zë dhe virtyti i mikpritjes, i bujarisë, që është manifestuar dhe ndaj hebrenjve, të cilët për shekuj me radhë kanë pasur në Berat lagjen e tyre, mëhallën e çifutëve në pjesën qendrore të qytetit, aty ku sot lexojmë rruga „Hebrenjtë“.
Por një kontribut i shquar i Beratit është dhe ai i strehimit të hebrenjve në Luftën II Botërore, në kohën e Holokaustit, kur Berati strehoi mbi 600 hebrenj, një numër i konsiderueshëm nga numri i përgjithshëm i tyre, të strehuar e të shpëtuar në Shqipëri e për këtë akt mjaft familje beratase janë nderuar me medalje mirënjohjeje nga shteti izraelit. Për këto tradita është shkruar, është folur, është botuar. Janë organizuar konferenca, janë botuar libra e qindra shkrime.
Këto tradita duhen kujtuar e freskuar here pas here, me informacione, të dhëna e këndvështrime të reja, sikundër duhen përforcuar e shumëfishuar lidhjet, kontaktet, bashkëpunimet me investitorët izraelitë, me kompanitë turistike, që turistët izraelitë të jenë të pranishëm në Berat në të katër stinët.
Prefekti i Beratit, z. Selfo Kapllani, ka ide konkrete sesi mund të jenë më rezultative këto lidhje, këto kontakte. Ndoshta ai do ta lëvizë më tej edhe idenë e binjakëzimit të Beratit me qytetin izraelit, Kamielin, duke e konkretizuar atë, binjakëzim për të cilin është folur jo pak vitet e fundit.
Në këtë kontekst, në prag të Ditës së Kujtesës, Memory Day, 27 Janarit, zhvilluam një bisedë me publicistin, studiuesin Simon Vrusho, i cili në dekadën e fundit e ka trajtuar gjërësisht këtë temë në referime, shkrime e në botimin e librit „Hebrenjtë e Beratit“.
* * *
-Z. Vrusho, vitet e fundit është shkruar e botuar jo pak për praninë hebraike në Berat gjatë shekujve, artikuj, libra, studime, kumtesa, janë organizuar konferenca, emisione televizive etj. Vend të posaçëm ka zënë strehimi e shpëtimi në Berat i mbi 600 hebrenjve në Luftën II Botërore, në kohën e Holokaustit…
-S. Vrusho: Po. Është një prani shumë shekullore, e shtrirë në hapësirë e në kohë, në histori e në gjeografi, një prani e gjerë, e gjendur dhe në kujtesën qytetare, sidomos me strehimin e hebrenjve në Berat e rrethinat e tij gjatë Luftës së Dytë. Në këtë këndvështrim historiku i Beratit nuk ka thjesht një faqe hebraike, por ka një libër të tërë, që mund të titullohet „Libri hebraik i Beratit“.
Simbolikën hebraike në Berat e gjen kudo e gjithandej …Në rrugë ( Rruga “Hebrenjtë” në qendër të qytetit, ku dikur ishte lagjia e hebrenjve dhe dyqanet e tyre); në dyer ( porta me yllin e Davidit ); në dysheme ( tek kishat në kala, ku thuhet se ka pasur dhe një sinagogë ), tek teqeja e helvetinjve, në tavane; e gjen tek kutia relikte, që hebrenjtë Samel e Joakim kanë lënë tek familja e Mehmet Xhezos, kuti ku është gdhendur ylli i Davidit nga njëra anë dhe sinagoga në tjetrën, e gjen në faqe muresh, në afresket me kapele izraelite apo me portretin e Abrahamit, në toponime “Varri i Çifutit” ( Bilçë), në një tapi të vitit 1931 referuar ullishteve në rrethinat e Beratit “Qafa e Çifutit” (Duhanas), Davidin e gjen dhe në emra e në mbiemrat e banorëve: Davidi e Avrami janë të shpeshtë në kronikat historike, etj., e gjen në hollin e bibliotekës së qytetit, tek vitrina e librave me tematikë Berati gjen të ekspozuar librat që flasin për hebrenjtë e Beratit; e gjen në studion e skulptorit të talentuar Nezir Ago ku sheh maketin e memorialit me shandanin hebraik, ideuar për t’u vendosur në parkun e qytetit, etj. Por sot, tej simbolikës, ka dhe një prani konkrete turistësh izraelitë, që gjithsesi duhet të ishin edhe më të shumtë në numër e më të shpeshtë në kohë.
Para ca kohësh në galerinë e arteve “Edward Lear” Berat u çel, nën përkujdesjen e Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, ekspozita fotografike ” Afreskët e Çetirëve: një rrugëtim nga stili pasbizantin në atë laik.” Në Berat e Myzeqe kanë qenë artistët e familjes Çetiri nga Grabova, piktorët e fundit pasbizantinë që të parët huazuan frymën laike si një mënyrë shprehëse në pikturën murale të kishave. Në afreske ka mjaf detaje hebraike: -“Shpirtrat e brengosur” që enden në Had…-„Fshikullimi i Krishtit“, një skenë, ku grupi i vogël muzikor u bie daulleve që të poshtërohet Krishti… Njerëzit e thjeshtë të popullit të Jeruzalemit nuk ndryshojnë, thuajse fare, nga fshatarët vendës ose nga grupet e vogla muzikore të Myzeqesë. -„ Nëna e përjetshme Shën Mëri“…-Një shenjtor i ri…-„Shën Gjergji në kalë“ me shtizën që vret kuçedrën…-„Lindja e Krishtit“…-Apostujt Pjetër e Pal…Dhe ja një tablo tjetër, vërtetë mbresëlënëse: „Abrahami në parajsën imagjinare“.(Te plote mund ta lexoni ne Diellin e printuar)
simon vrusho says
Faleminderit z. Greca dhe të uroj gjithë të mirat e mundshme.
Simon Vrusho
Berat, më 6 shkurt 2014
Sulo Gozhina says
Përshëmdetje Z. Greca, kolegu dhe miku im i vjetër,gati-gati të thuash mik i lashtë.
Që nga ky momemt bashkëpunimi im me gazetën “Dielli” bëhet obligues, gjë që më jep kënaqësi.
Sulo GOZHINA