NGA LAVER NIKU/
Është i katërti vit që në qendër të qytetit të Filadelfias, pranë Bashkisë historike të këtij qyteti me emër të madh, Shoqata Atdhetare-Kulturore Shqiptare- Amerikane “Bijtë e Shqipes”, në nderim të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ngre flamurin e kuq me shkabën dykrenore në mes, flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, të të gjithë atyre trimave shqiptarë që derdhën gjakun për liri dhe pavarësi. Kjo është, në të gjitha kuptimet, veprimtaria më e rëndësishme e vitit për shoqatën. Në këtë ditë të shënuar të historisë tonë, shkrihen në një dashuria për atdheun, krenaria për historinë tonë, dhimbja për dëshirat e parealizuara, ëndërrat për të ardhmen tonë dhe të brezave që vijnë. Dhe për kremtimet e kësaj ngjarje të shënuar nuk merr pjesë vetëm kryesia e shoqatës, apo vetëm shoqata. Ka përherë e më shumë një pjesëmarrje më të gjerë të të gjithë bashkatdhetarëve, nga të gjitha krahinat e vendit. Kjo vihet re edhe në ndihmesën që japin përherë dhe më shumë prej tyre, për ta festuar me sa më shumë dinjitet këtë ditë të madhe të historisë tonë.
Ishte një ditë e bukur, dita e Premte, e 27 Nëntorit 2015. Diçka e pazakontë për muajin nëntor në Filadelfia. Një ditë me diell dhe qiell të pastër si rrallëherë. Mjeshtri Haki Çollaku nga Dibra kishte përgatitur një stendë festive kushtuar kësaj dite, mbushur me flamujë shqiptarë të mëdhenjë dhe të vegjël dhe midis tyre edhe flamuj amerikanë, në nderim të vendit mikpritës. Në të dy anët e stendës ishin vendosur dy foto të mëdha të burrit të mënçur Ismail Qemalit , kryetarit të parë të qeverisë shqiptare dhe gjeneralit të lavdishëm Isa Boletinit. Ende pa filluar ceremonia bashkatdhetarër filluan të bënin fotografi para kësaj stende në kujtim të kësaj dite. Bashkatdhetarër filluan të vijnë nga të gjitha drejtimet grupe-grupe. Erdhën dhe studentët e Shkollës së Mesme të Northeast-it, që çdo vit i japin gjallëri kësaj dite me vallet popullore shqiptare, me gëzimin dhe gjallërinë e tyre. Kjo është edhe meritë e mësueses së tyre Nikoleta Papa, që ka vite që punon me studentët shqiptarë me një përkushtim të veçantë. Si çdo vit vjen Alban Merolli një nga mbështetësit e parë të Shoqatës tonë, me gjithë familjen e tij. Këtë vit ai vjen i shoqëruar me një grup të rinjësh, djemë dhe vajza që janë nipër dhe mbesa të tij. Me të drejtë ndihet krenar tek i shikon ata të përfshirë në vorbullën e valltarëve, në kremtimin e kësaj dite të shënuar. Pak minuta më vonë shohim doktor Besnik Budo me të shoqen Elvira Budo, një ndër veprimtaret e pra të shoqatës dhe për shumë vite antare e kryesisë së shoqatës….. E pamundur t’i veçosh të gjithë. Midis pjesëmarrësve shohim këshilltarin e qytetit të Filadelfias, përkrahësin e parë të ngritjes së flamurit tonë kombëtar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë zotin Mark Squilla, i shoqëruar nga zoti Fernando Trevino, zëvëndësdrejtor i Zyrës së Emigracionit dhe Multikulturës pranë Bashkisë së Filadelfias.
Për pak minuta afron ora 10.00 AM, ora e ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar. Nën tingujt e himnit kombëtar të SHBA, të gjthë pjesëmarrësit nderojnë me mirënjohje shtetin që u hapi dyert dhe u dha mundësi për ndërtimine e një jete të re në këtë vend. Pas pak dëgjohen tingujt e himnit tonë kombëtar. Janë çaste emocionuese për atdheun që e kemi larg syve por shumë afër zemrës dhe mendimeve tona. Të gjithë nderojnë me emocione dhe jo rrallë sheh edhe sy të përlotur. Ndërkaq nënkryetari i parë i shoqatës zoti Bujar Gjoka fillon ngritjen e flamurit tonë kombëtar. Kushdo që e ka provuar një moment të tillë nuk shpëton pa provuar emocione të fuqishme. Krejt të veçanta.
Në vazhdim kryetari i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipe”, zoti Tajar Domi përshëndet të pranishmit. Midis të tjerash, pasi bëri një “udhëtim” të shkurtër historik të rrugës së pavarësisë së kombi tonë dhe përmëndi emrat më të shquar që sakrifikuan pasurinë dhe jetën për flamur dhe Atdhe, ai theksoi se ” kush lufton për kombin, kush bie për flmurin, mbetet krenaria e kombit, kujtohet dhe nuk harrohet kurrë.”
Duke e mbyllur fjalëne tij të shkurtër z. Tajar Domi u bëri thirrje bashkatdhetarëve për të qënë të bashkuar dhe për të punuar së bashku për ruajtjen e vlerave tona kombëtare .
Pas duartrokitjeve e mori fjalën zoti Mark Squilla i cili pasi foli për rëndësinë e ditës së flamurit për çdo komb, vlerësoi komunitetin shqiptar në Filadelfia si njërëz të zgjuar dhe pnëtorë, me dëshirë për t’arsimuar, që po realizojnë një përfshirje të shpejtë të tyre në jetën e këtij qyteti të madh që po zhvillohet me shpejtësi.
Të pranishmit i përshëndeti edhe zoti Fernando Trevino, zëvndës drejtor i Zyrës së Emigracionit dhe Multikulturës pranë Bashkisë së Filadelfias. Duke përgëzuar shqiptarët për ruajtjen dhe pasurimin e kulturës dhe traditave më të mira të tyre, ai theksoi se në këtë mënyrë ata bëhen mbartës dhe ruajtës të kulturës amerkane.
Përsëri këngë edhe valle nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Disa qytetarë amerikan futen midis valltarëve tanë dhe mundohen të kapin hapin dhe ritmin e valleve tona të bukura.
Në një kënd të sheshit Elidon Pajollari , agjent sigurimesh i State Farm, ka ngritur tendën e tij dhe u shërben bashkatdhetarëve kafe dhe donats falas. Është i dyti vit që ai ndërmerr këtë veprim për t’i ardhur në ndihmë shoqatës dhe komunitetit, për të dhënë ndihmesën e tij në kremtimet e Ditës së Flamurit. I faleminderit!
Njërëzit nuk rreshtin së bëri fotografi me flamur. Është dita e tij. Rrofsh dhe u valavitsh përherë i lirë dhe krenarë Flamuri Ynë!
Filadelfia 28 Nëntor 2015