Nga Shefqet Kërcelli/
Para pak muajsh, gjatë kohës që unë isha në SHBA, fatkeqësisht ndrroi jetë nga një sëmundje e rëndë, vjehrri i vajzës sime të vogël, një qytetar i thjeshtë amerikan, në profesion financiar, miku im i mirë në SHBA, zoti Benneth Amaechi. Sipas zakonit shqiptar vitin e kaluar, Benethin e prita familjarisht në Pittsburgh dhe më pas Ai dhe familja e tij më priti në Washington, ku vec festës familjare ndoqëm dhe festimet e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë. Më hyri shpejt në zemër Bennethi, pasi kishte kaluar thuajse të njëjtat halle dhe peripeci familjare si ne, një njëri i thjeshtë, human, profesionist në fushën e vet si financier. Familjet e thjeshta janë të ngjashme kudo në botë. Miku im Benneth, bashkë me zonjën e vet mësuese, për vite me radhë lindën, rritën e arsimuan katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza, të gjithë me arësim të lartë, madje dy djemtë, Chidozie dhe bashkëshorti i vajzës sime të vogël, Ike, tashmë janë inxhinjerë të afirmuar në fushën e vet. Për herë të parë vija në Washington, dhe atë ma prezantoi miku im Bennethi. Ai për ato ditë la punët e shumta, gjeti kohën dhe mirësinë të më tregonte muzeumet e Washingtonit dhe bukuritë natyrore të tij. Madje më bëri dhe dhuratat më të bukura, maketet e Kapitol Hill dhe Shtëpisë së Bardhë. Nuk e mendoja që këtë burrë fisnik, të kalitur nga jeta e puna e gjatë, ta rrëzonte sëmundja për 6 muaj. Por kanceri avancoi shpejt, pamvarësisht përkujdesjes shëndetsore, kështu miku im i mirë ndrroi jetë këtë fund korriku, duke pikëlluar të dy familjet tona. Më mijëra njerëz në Washington e shtete të tjera morrën pjesë në funeralin e mikut tim. Por ajo që na befasoi, ishte se me dhimbjen dhe hidhërimin tonë u bashkua dhe zoti Obama dhe zonja e parë Michelle. Ne nuk e mendonim dhe nuk e prisnim një gjë të tillë. Si është e mundur që Presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë, të informohet dhe të ngushëllojë familjen e një njeriu të thjeshtë. Duke gjykuar sjelljen e shumë e shumë liderve të tjerë që jetën dhe veprën e këtyre njerzve e anashkalojnë dhe se kanë fare në axhendë, kjo sjellje humane e Presidentit Obama dhe Zonjës së tij më bëri përshtypje. Në fakt nuk doja ta bëja publik këtë letër, pasi lidhet direkt me familjen time, por gjykova se këtë falenderim të munguar t’ja përcjell sot në kët ditë falenderimesh, presidentit Obama në faqet e gazetës “Dielli”. Letra ngushëlluese familjare i drejtohet djalit më të madh Chidozie që është dhe fëmija më i madh në familjen Amaechi. Midis të tjerave zoti Obama dhe zonja Michelle në letrën e tyre shkruanin:..”Michelle dhe unë u pikëlluam kur mësuam humbjen e babait Tuaj, ndaj ju shprehim ngushëllimet tona të përzemërta për ndarjen nga jeta të prindërit tuaj, Beneth. Ashtu si të parët tanë na tregojnë ne botën, po ashtu prindërit tanë gjithmonë punojnë e shenjëzojnë të ardhmen tonë, ndaj nuk ka gjë që lehtëson dhimbjen tonë në këto raste. Ne shpresojmë se shembulli, përvoja dhe mësimet e mbajtura gjallë nga babai juaj, do ju zbusin pikëllimin që ju ndjeni për humbjen e tij. Ne besojmë se respekti dhe vlerësimi i tyre do ju shërbejë si burim force në këtë kohë të vështirë. Në këto ditë hidhërimi ne jemi pranë jush, ku ju po qetësoheni me kujtimin e babait tuaj dhe fuqinë largpamëse që ju jep dashuria e tij. Sinqerisht, Barack Obama”. Ndaj në shenjë mirënjohje e respekti, në këtë ditë falenderimesh, familja Amaechi dhe Kërcelli falenderojnë Presidentin Obama dhe zonjën e parë Michelle, që patën mirësinë dhe gjetën kohën për të ngushëlluar dhe inkuruajuar këtë familje të thjeshtë, punëtore dhe arsimdashëse. On this Thanksgiving Day, we thank you mister President Obama and the first lady Michelle, for having the kindness and finding time, to condole and encourage this simple family, hard working and education-loving.