Nga Fritz RADOVANI/
Kjoftë edhe një degë e vogel ullini… gjithmonë na ka sjellë Paqen…/
Jo pak, shtëpia në Shkoder, na kujtonin “Kopshtin e Gjetsemanit”…/
Ka vite, shumë vite perpara, që një ditë pata hy në “Kopshtin e Gjetsemanit” të qytetit të Shkodres, në shtëpinë e Gazullorëve, tek Arra e Madhe, ku atëherë jetonte një mik i vertetë i imi, mësuesi i nderuem Simon Gazulli. Kujtojshe ma vonë se nga ai kopësht kam pa disa here me Simonin edhe nipin e Tij Danielin…Edhe Ky i brezit të kulturuem i fisit të vjeter dhe shumë të njohun që në kohen e Gjergj Kastriotit, Gazullorëve të Sapës.
Pak vite perpara mora një mesazh, mbrenda të cilit ishte një poezi: “Rrëmaji”.
Danieli shenon: Kushtue…”Një Monument nën dhe” nga Fritz Radovani…
Një gumzhimë e mnerëshme
prej Rrëmajit del
e merr për ajrì Alpeve.
Mandej përplaset fort
e kthen
ku njerëzit kalamendë,
ligshtue prej lëngatës së gjatë,
i trandë ajo piskamë,
që po i thërret
me u zgjue
e me u mbledhë
aty prej nga vjen gjama:
Në Rrëmaji.
Aty
me ba bè në Kryqa
se nuk kanë ma me ia lëshue
zezanen Shkodër
gjaksorëve,
që e shkallmuen në trup
e në shpirt
me drapën e çekan.
Një gumzhimë e mnerëshme
prej Rrëmajit del
e merr zemrat e njerëzve:
Asht kushtrimi
I Fatosave
flijue për Atdhe…
që paqë nuk gjejnë,
tradhëtue idealesh –
e gjamën mnershëm lëshojnë
nga ai Monument.
* Vorrezat katolike, Shkodër, 2010, 3 Maji.
E prap sot, mbas një dhimbjes së fortë që në zemer më ka piskatë, ndigjova një za…
Një gumzhimë e mnerëshme
prej Rrëmajit del
e merr për ajrì Alpeve…
E as nuk më shkonte kurrë nder mend, se në Kopshtin e Gjetsemanit të Gazullorëve të Sapës, ishte thye… një degë ullini, ku Shpirti im gjente Paqen, Dijen, Kulturen, Fjalen e ambel të mikut të vertetë, freskinë e një flladi që frynte pa pushue…e në çastet e vështira kur merzija më kapllonte mendjen e një mall të pakuptueshem, Fjala “durim bre Burrë!”, më bante me pranue “Paqen” që shperthente nga zemra e goja e Danielit…
E sot, bash një degë ku ishte ma e mira asht thye…
Zoti e mori Atë degë me e mbajtë në dorë të Vet…
I duhet Atij të Lumit, per me na predikue, Paqen, Drejtësinë dhe Dashninë…
Asht Ajo “Degë Ullini” që sot ra në Lezhë, pranë të Madhit Gjergj Kastrioti!
Pranë Tij, po po, Aty asht edhe Daniel Gazulli!
Melbourne, 13 Nandor 2012
Bep Pjetri says
Le të jetë kjo Degë e Ullinit Një Qiri i Përjetsisë së Dritës të Veprave Letrare dhe Historike të Prof. Daniel Gàzullit!
Ai shkoi në Qiell, por na la Portretin e Tij brilantë, që rrezatoi në shkrimet e panumërta në media. Edhe pse nuk ishte intelektuali i vlersuem nga rregjimi komunist dhe postkomunist nuk përbante randsi sepse i fitoi zemrën gjithkujt. Kjo u vu re kur sapo mbylli sytë pati një solidaritet, një vërshim i reagimit të shprehjes të Ngushëllimeve ndaj Familjes dhe Miqve të panumërt. Aty demostruen fraza ma të ndjeshme miqsie një varg njerzish me atribute të mëdha në art, letërsi, në shkenca albanalogjike, në muzikë, në publicistikë,……
Z.Fritzi e ka shpreh dhimbjen me anë të një episodi të Biblës. Ka shum elegancë në frazën e shprehjes të ndjeshmërisë të dhimbjes të thellë ndaj Mikut Tij tashmë i ndjer Danieli.
Edhe unë bashkohem me dhimbjen dhe ngushësllimin e Familjes të Daniel Gàzullit!
I përjetshëm kjoftë Vepra e Daniel Gàzullit!
Dritë pastë përjetë!