Rasim Balla & Reshat Kripa/
Po shkruajmë për një person që duhet shkruar, për një person që i mbylli sytë në mërgimin e largët por që dëshira e tij ishte të prehej në atdheun mëmë. Këtë dëshirë ia plotësoi e shoqja, zysh Meremja. Duke u gdhirë 11 janari 2012 shpirti i profesor Suatit erdhi në Golem dhe pas dy ditësh erdhi edhe arkivoli me trupin e tij të pajetë. Varrimi u bë madhështor. Respekti u krye i plotë. Ju dha lamtumira e fundit fisnikut, patriotit, atdhetarit, intelektualit e demokratit Suat Babani që gjithë jetën ëndërroi për demokracinë e vërtetë.
Lindi në vitin 1920 në fshatin Baban të Devollit në një familje atdhetare dhe arsimdashëse. Qysh në fëmijëri i vdiqën të dy prindërit e tij, duke e lënë jetim. Kujdesi që tregoi për të gjyshja dhe dy xhaxhallarët e tij, bënë që të mos e ndjente shumë humbjen e prindërve. Ai mundi të mbaronte jo vetëm arsimin fillor por të kryente me sukses dhe me rezultate të shkëlqyera Liceun Francez të Korçës, ku mori bazat e një edukate dhe kulture perëndimore.
Pushtimin fashist e priti me urrejtje së bashku me të vëllanë, Sedatin, i cili u inkuadrua në Brigadën e Parë Sulmuese, ku edhe ra heroikisht në luftën për çlirimin e Krujës më 8 gusht 1944.
Pas lufte mbaroi studimet e larta në Bullgari, në degën e agronomisë gjithmonë me rezultate të shkëlqyera. Ishte një tip i veçantë. Megjithse ishte vëlla dëshmori, kurrë nuk kërkonte që për hir të kësaj të fitonte favore apo privilegje të pamerituara. Filloi të punonte si agronom në fermën e Maliqit. Sjellja arrogante dhe prepotente e drejtuesve të pushtetit i treguan fytyrën e sistemit në të cilin po jetonin. Kështu që ai u zhgënjye nga ky sistem dhe filloi ta shihte atë me një sy tjetër.
Në vitin 1948, me grupin e deputetëve, i dënohet me vdekje dhe ekzekutohet xhaxhai i tij, juristi dhe noteri i njohur Mehmet Babani, i cili i kishte ndenjur aq pranë kur kishte humbur prindërit e tij. Xhaxhai tjetër, Faik Babani, që edhe ky i kishte qëndruar pranë, u dënua për motive politike. Të dyja këto ndikuan në formimin e një bindje tjetër në ndërgjegjen e tij.
Megjithatë puna në fermën e Maliqit vazhdonte. Kultura dhe edukata që kishte marrë që i ri, niveli i lartë profesional si dhe dashuria për punën, bënë që ferma, edhe në sajë të kontributit të tij, të kishte rezultate të larta, që rriteshin nga viti në vit. Ishin pikërisht këto rezultate dhe kontributi i dhënë prej tij që Presidiumi i Kuvendit Popullor ta dekoronte me Urdhërin e Punës të klasit të tretë në vitin 1954, ndërsa në vitin 1956 ta dekoronte përsëri me Urdhërin e Punës të klasit të parë. Më vonë, pas një aksidenti të rëndë që pësoi, transferohet në shkollën e mesme bujqësore në Golem të Kavajës.
Por këto nuk e detyruan të hiqte dorë nga marëdhëniet e ngushta që kishte me familjarët e tij. Krahas punës, ai pati kurajon që, edhe në kushtet e rënda të përndjekjes nga sistemi, t’i gjendej pranë dhe të kujdesej edhe për xhaxhanë e burgosur dhe sidomos, pas lirimit të tij, kur ai nuk kishte asnjë mundësi jetese pasi ishte shumë i moshuar dhe pa fëmijë, iu ndodh gjithmonë pranë.
Në pozicionin e mësuesit, si specialist në fushën e bujqësisë, profesor Suati edukoi dhe paisi me kulturë profesionale disa breza nxënësish, të cilët edhe sot e kujtojnë me nostalgji dhe respekt të madh metodikën e mësimdhënies së profesorit të tyre. Kujtojnë me nostalgji e respekt karakterin e tij të palëkundur, seriozitetin dhe mjeshtërinë gjatë proçesit mësimor, si dhe dashurinë prindërore të këtij njeriu me virtyte të larta. Si njohës i saktë i tre gjuhëve të huaja, frëngjisht, italisht, bullgarisht, ishte i apasionuar pas programeve shkencore televizive të huaja
si dhe dëgjues i rregullt i emisioneve të lajmeve në këto televizione, falë njohjes perfekte të gjuhës frënge dhe italiane.
Autoriteti i tij ishte i tillë që detyroi pushtetin e atëhershëm të kërkonte ta bënte me vehte. Për shkak të njohurive të larta shkencore, impononte gjithmonë respekt dhe autoritet por kishte, gjithashtu, dashuri dhe thjeshtësi me kolegët dhe punëtorët. Për këtë iu propozua nga Byroja e Partisë së Golemit të bëhej anëtar i Partisë së Punës. Duke qenë i ndërgjegjshëm për konditat e tij politike, ai iu përgjigj thjeshtë:
– Më falni, por këtë detyre nuk e bëj dot.
Ndërrimi i sistemeve e gjeti profesorin, së bashku me bashkëshorten, ish mësuese
matematike, në pension. Shumë nga rinia e Golemit, që sot janë rritur, kujtojnë që profesori ato ditë kishte rilindur, ishte rinuar. Ai, së bashku me bashkëshorten, kishin vite që e prisnin një ditë të tillë. Shtëpia e profesor Suatit tashmë priste çdo ditë djemtë e Golemit. Bëheshin diskutime politike, bëheshin pyetje dhe profesori, së bashku me bashkëshorten, sqaronin me qetësi por, gjithmonë, me optimizëm dhe siguri për të ardhmen. Frika ishte vrarë… Suat e Mereme Babani ishin ndër të parët që u antarësuan në Partinë Demokratike dhe ishin gjithmonë aktiv në proçeset demokratike. Gjithmonë i pranishëm në konferenca dhe takime me drejtues të lartë të Partisë Demokratike. Megjithëse të lodhur nga jeta ata tregonin një gjallëri që shumëfishohej sidomos në fushatat zgjedhore, duke biseduar me njerëzit, duke treguar me largpamësi për të ardhmen europiane të Shqipërisë si dhe duke rritur optimizmin. Ky njeri, që kishte refuzuar antarësimin në Partinë e Punës së Shqipërisë, gjeti forca dhe, megjithëse në moshë të thyer, të rreshtohej në rradhët e Partisë Demokratike, pasi aty shikonte të ardhmen e atdheut.
Në vitet e fundit, tashmë i lodhur nga pesha e moshës që i rëndonte mbi supe, por aktiv dhe me shëndet të plotë mendor, ndërmori disa herë udhëtime në vendin e lirisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u takuar dhe respektuar vëllezërit e gruas së tij dhe shumë miq të vjetër që i kishin shpëtuar thonjve të komunizmit. Por, siç duket, perëndimi kishte mbërritur. Fundi po arrinte. Profesor Suati e parandjeu dhe i tha së shoqes atë shprehjen e thjeshtë dhe të bukur, atë që thonë vetëm atdhetarët e mëdhenj:
– Dua të fle, për jetë, në atdhe, në Shqipërinë time, atje ku e kam vendin!
Këtë amanet ia plotësoi e shoqja, mësuesja e njohur Meremja.
Ky ishte profesor Suati. Është në nderin e kujtdo, sidomos organeve arsimore të rrethit
Kavajë apo edhe atyre qëndrore të shkruajnë dhe të kujtohen për këtë figurë të njohur të arsimit shqiptar.
A do ta bëjnë vallë? Do të presim dhe do të shohim.
klodi says
krenare me xhaxhane dhe te afermit e mij,dija ,mencuria,fisnikeria e tyre na paraprijne ne cdo veprim,ne cdo moment,,,i paharruar xha SUAT,