Ne memorje te Dr. Selahedin Velaj(Dhjetor 1922- 30 Janar2015)/
Nga Albana LIFSCHIN/ Doktor Selahedin Velaj -një nga baballarët e komunitetit shqiptar të Nju Jorkut Jetojmë në një kohë të çuditshme kur sheh rreth e rotull njerëz që kujdesen shumë për ‘imazhin” e tyre’ publik, vetëlëvdohen, vetëkurorëzohen, u bien borive që t’i dëgjojnë të tjerët, i japin vetes të drejtën e ‘udhëheqësit’, intelektualit të “shquar” , e shkelin tokën duke bërë zhurmë. Në anën krahun tjetër qëndron një pakicë njerëzish të heshtur,modestë,fisnikë, që jetojnë me pulsin dhe hallet e komunitetit, janë të vëmendshëm ndaj tij dhe kontribuojnë shpirtërisht e madje edhe materialisht kur e do puna, pa lëshuar fishekzjarre në qiell. Në ballë të këtyre personaliteteve të respektuara për kontributin dhe modestinë e tyre , do të dalloja Dr. Selahedin Velaj. Dr. Selahedinin e kam njohur nëpërmjet gazetës së komunitetit, “Iliria”, ku botoj tashmë prej më shumë se 20 vjetësh . Më ka ndodhur disa herë që pas ndonjë shkrimi , të kem marrë letër prej Dr. Selahedinit. Më bënte përshtypje ky fakt,pasi personalisht, nuk kisha patur rast të njihesha më parë, me të. Por nuk do të kisha vlerësuar më shumë komplimentet e një miku apo mikeshe për shkrimet e mia, se sa korespondencën me Z. Selahedin. Nga letrat e tij mësova që ai jo vetëm e ndiqte krijimtarinë time,( do nënkuptoja këtu edhe të kolegëve të mi të penës) por letrat në vetvete ishin shkëmbim mendimesh për një temë të caktuar, apo për një problem të caktuar, ishin shprehje direkte e interesimit të tij intelektual dhe patriotik në disa sfera. Letrat e Dr. Selahedinit më kanë përcjellë imazhin e një intelektuali të interesuar realisht për komunitetin shqiptar të Nju Jorkut, në përgjithësi, dhe për emigrantët e rinj që hynin në këtë komunitet, në veçanti. Por jo vetem kaq. Edhe pse mbi 60 vjet i larguar nga mëmëdheu, ai mendon e merakoset për të. Në një nga letrat e tij, shprehte shqetësimin për pastërtinë e gjuhës shqipe në kohën e sotme, kujdesit që duhet të bëjë kushdo që shkruan për evitimin e fjalëve të huaja që kanë ‘sulmuar’shqipen, duke e pretenduar përdorimin e tyre si ‘kulturë’. Vitin që shkoi , kur u ktheva nga pushimet në atdhe, gjeta një letër të Dr.Velajt, e cila merrte shkas nga një shkrim i imi tek ILIRIA për një konceptim të drejtë të Kanunit të Lek Dukagjinit në përgjithësi, dhe për gjakmarrjen në veçanti , shkrim të cilin ja pata dërguar gazetës që nga Tirana.Në atë letër të gjatë, Z.Selahedin ndante pikpamjet e tij të përbashkëta mbi këtë temë , dhe përmendte veprën e Yamamotos,’si libri më i mirë që ka dalë në diasporë ,këto 20 vitet e fundit’, përkthyer nga vetë ai në shqip. Për dekada të tëra jete në komunitetin shqiptar të Nju Jorkut, me gjithë kontributin e tij të madh e të vazhdueshëm, puna e Z. Velaj nuk rresht. Edhe pas goditjes më të rëndë që mund të pësojë zemra e një prind,sic është humbja e fëmijës,Dr. Selahedin Velaj vazhdon të qëndrojë po ai sy i vëmendshëm, e po ajo zemër bujare, si një nga baballarët e komunitetit. Angazhimi intelektual, si autor, studiues e përkthyes, ndërthuret me atë prindëror, gjë do ta theksonin edhe më mirë veçanërisht ata emigrantë që kanë ndjerë nga afër ngrohtësinë shpirtërore, madje edhe atë materiale të Dr.Selahedinit për t’i ndihmuar e aftësuar ata për të nisur një jetë të pavarur në Amerikë. (Shkruar para vdekjes së Dr. Selahedinit, perfshire ne librin e Pandeli Simsisë “Legjenda vlonjate në Amerikë”. Pergezime edhe një herë autorit që përjetsoi figurën e këtij patrioti të rallë.