Në Pentagon takohet Grupi Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë/
-Të dy delegacionet kanë prezantuar synimet dhe planet për punën e përbashkët, në vitin në vijim, sikurse janë dakorduar për një varg aktivitetesh mbështetëse për FSK-në, anëtarësimin në iniciativat rajonale, si dhe angazhimet në misione ndërkombëtare. Në takimin e mbajtur në Washington është prezantuar rruga përpara gjatë transicionit të FSK-së pas miratimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës/
WASHINGTON, 12 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/ Delegacioni i i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe i kësaj force, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, realizoi takime dypalëshe lidhur me avancimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Njoftimi i dërguar sot nga Ministria thekson se, zëvendësministri për FSK-në, Burim Ramadani dhe zëvendësndihmësja e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper, kanë bashkëkryesuar mbledhjen e Grupit Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë, të mbajtur në Pentagon. Gjatë takimit të Grupit të përbashkët, janë diskutuar dhe vendosur orientimet strategjike në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në marrëdhëniet bilaterale midis Kosovës dhe SHBA-ve. Po ashtu, janë diskutuar çështjet e detajuara mbi angazhimet e përbashkëta në mbështetjen amerikane për Ministrinë e ardhshme të Mbrojtjes, me theks të veçantë për FSK-në në mandatin dhe detyrat e reja ushtarake dhe të mbrojtjes. Nga pala kosovare, në takim kanë marrë pjesë edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku dhe delegacioni profesional.
Të dy delegacionet kanë prezantuar synimet dhe planet për punën e përbashkët, në vitin në vijim, sikurse janë dakorduar për një varg aktivitetesh mbështetëse për FSK-në, anëtarësimin në iniciativat rajonale, si dhe angazhimet në misione ndërkombëtare. Në takimin e mbajtur në Washington është prezantuar rruga përpara gjatë transicionit të FSK-së pas miratimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës.Bashkëkryesuesit Ramadani dhe Cooper kanë vlerësuar lart përgatitjet e bëra nga të dy delegacionet për bashkëpunimin bilateral dhe theksuan thellimin e partneritetit në siguri e mbrojtje Kosovë-SHBA.Qeveria e Kosovës, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në një mbledhje të mbajtur ne 13 shtator 2018. Në këtë kuadër është miratuar Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligji për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes. /b.j/