Visarit dhe Edës…/
Nga Ilir LEVONJA/Florida/
Zoti u ruajt mendt e kokës Visar dhe Eda! Çfarë të them tjetër?! Edhe këto nuk po di si i them! Le që nuk janë fjalët e mia. Do ta them në fund se të kujt janë! Por duke ditur ashtin tënd Visar, zemrën, natyrën, për hatër të asaj dashurie shokësh, a miqësie burrash…, unë e di që ti sonte nuk e pranon as këtë ngushëllim. Ti nuk je egoist. Këto orë të mbrapshta ti nuk ke hallin e vetes. Ashtu siç janë në përgjithësi prindërit. Po kështu edhe Eda. Jemi ne të tjerët. Baballarët apo prindërit me nga një fëmijë. Ne, ”jashtë” gjëmës tënde.
Sot më shumë se kurrë kam urryer cilësimet djali i vetëm. I poetit, deputetit, ministrit. Fati tij i mbrapsht. Vuajtjet që nuk iu ndanë etj.
Sot më shumë se kurrë kam urryer fjalët dheu, lëndina, amëshim, paqe, u prehtë. Të gjithë llojet e ngushëllimeve që kemi. Jo për faj të ekzistencës së tyre, por për inat të fatit të mbrapsht. Rriskut tënd. Pafuqishmërisë time për të kthyer kohën.
Sot më shumë se kurrë kam urryer edhe besimin në gjërat e bukura të prindit. Madje jam lëshuar. Kam folur me vete se si, apo qysh mund ta ndajmë këtë dhimbje.? Kam ndërruar vendet me tim bir. Ka qënë ai që më ka marrë prej dore.
Sot kam urryer diskutimet alla shqiptare, në raport me jetën, jetën e këtueshme dhe të përtejme. Dokrrat e pakujdesisë, deri tek elementët e sigurisë me vendime qeverie.
Kam parë për orë të tëra portretin e Atjonit. Vetëm 19, flokëzi, kaçurrel. I bukur.
U kujtova se dikur, kur ti dhe unë diskutonim për Mario Lucin, na iku pa u ndjerë dhe mblidhte bar në lulishten e madhe. Ndaj kam qeshur, ndërsa kam lotuar.
Gjithmonë kam kërkuar të di pse ka qënë e madhe miqësia jonë. Ne kishim në mes dy perëndi. A të kujtohet, kur më thoshe eja pa droje se ime më të do shumë. Edhe e imja, sekretarja ime siç e quaja unë. Ngrente telefonin dhe përgjigjej, po tani. Të vi menjëherë. Dhe më jepte urdhër. Shko se të pret Visari. Pastaj shtonte, sepse më pëlqen ky njëri. Mua sot mu kujtuan këto perëndesha. Mbaj mend se në një vaki, e kisha tmerrësisht të vështirë. Nuk dija se çfarë të thosha. Qe një rast i dhimbshëm. Një rast, të më falësh për krahasimin miku im, si ky i yti. Çfarë të thosha… ajo më këshilloi, i thuaj të ruajt Zoti mendt e kokës. Sepse është gjëm veç për prindërit.
Fritz Radovani says
Nje tmerr… i pakrahasueshem per Ju, Visar Zhiti!
FEDE says
JU LUTEMI PER BREZIN SI KY,LE TE BASHKOJME FUQIT,TE MOS JEMI TE SKLLAVERU,POR SI BOTA E QYTETERU!