Nga Vjollca PASKU/
Qielli çeli mëngjesin e ftohtë. Dita gdhiu në vranësirën gotike të reve. Gdhiu edhe një nënë e vetmuar me flokët e bardhë shprishur nga rrotullimet e pagjumësisë. Mendimet e saj shtegtonin nëpër labirintet e pafundme të pikëllimit. Nga ameba kthehej në pështjellimet e vetmisë. Lotët vërtisin sahatin e dhimbjes. Akrepat e pyetjeve nuk ndalnin asnjëherë, në shpirtin e minuar, “përse më braktisën fëmijët e mi’. Uria dhe vetmia e shtynë të ngrihej të hapte derën e vjetër dhe të dilte në rrugë, atje ku kishte shumë njerëz. Ajo për botën ishte një hije e padukshme. Vështrimi i nënës ishte poshtë “se mos rastësisht gjente diçka”. Teksa shikimi i saj ndiqte këpuce të vjetra që nxitonin rrugës , madje ndonjëra me gojë të shqyer nga ecja,ndërsa të pakta ecnin të reja që shkëlqenin nga boja e sapo lyer. Disa taka ecnin plotë delikatesë duke përkundur vithet gjithë naze. Një e tillë ngeci në një gropë dhe u nda nga këpuca. “Hajt në djall” u dëgjua një mërmërimë.
Oh , në një cep të rrugës një dorë e vogël hodhi gjithë tërsëllim një qese me ushqim, dhe vazhdoi rrugën duke përplasur këmbët në dorën e mamasë që i lutej “ të mos qante”. Nëna e pa dhe i bëri sytë bigë nga ankthi mos ia merrte ndonjë tjetër. Me të shpejtë mori qesen dhe e hapi. Brenda kishte gjysmë byreku. Avulli i ngrohtë i byrekut u kondensua dhe u shndërrua në pikëza uji. Nëna thithi aromën e këndshme , i mbylli për pak sytë dhe kujtoi kohën kur e rrethonin engjëjt e vegjël me dashurinë e madhe . Ajo përherë i tëhollte vet petët me pec dhe e gatuante me lakra të egra..Të gjithë prisnin të piqej byreku më i shijshëm, duke e quajtur , “byrek nëne”. Kur përpëliti sytë ky imazh u tret menjëherë nga mendimi “ku janë fëmijët e mi, përse më harruan”. Vetullat e bardha u mblodhën si dy vetëtima kur fanepsen njëherësh. Rrudhat e fytyrës shprehnin vitet e mjerimit. Shpirti i saj mbante një oqean dhimbje . Nga dridhjet e stuhive të dëshpërimit lumenj lotësh shpërthenin vrullshëm e mbanin të lagur retinën e plakur. Filloi të mbllaçitej ngadalë pa dhëmbë ,duke u munduar ti kapërcejë burgjitë me zor. Kur mbaroi fshiu buzët e nxira me kurrizin e dorës dhe u ngrit. Trupi i përkulur i përngjante një gozhde të përthyer , që pasi u përdor u hodh pa kujdes. U end një copë herë rrugëve dhe mërmëriti,”vdekje motërzo, hajt të shkojmë”. Një zë si nga fundi i botës iu përgjigj”Prit edhe pak,nuk besoj se nuk ekziston ndonjë njeri zemërdhembshur. Zemërdhembshuria është bija e lutjes.” Nëna u end nëpër ditët monotone duke shpresuar “ndoshta”, por asgjë e re. Atëherë thirri përsëri” Vdekje motërzo hajt të shkojmë, fytyrat e fëmijëve të mi , më janë bërë të huaja”. Vdekja iu afrua pranë dhe i foli “thith edhe njëherë ajrin e kësaj bote, dhe liroji të gjitha pikëllimet e saj, dhimbjen ,vuajtjen, zhuritjen, mjerimin,ato s’të përkasin më”. Nëna mori frymë thellë duke i ngopur me ajër mushkëritë për të fundit herë, dhe e nxori ajrin ngadalë, ngadalë derisa u bë e lehtë.
Shpirti i nënës u bë dritë dhe u ngjit lartë , lartë përtej mjegullës qiellore.
Pas disa ditësh disa njerëz që banonin përreth, e gjetën trupin e nënës të dekompozuar , dhe sytë e hapur vështronin lart. Hallet e tokësorëve u përkasin vetëm atyre.