
Prof.dr. Sylë Ukshini/
Diplomati austriak Umlauf në një raport nga Mitrovica drejtuar ministrit të Jashtëm austro-hungarez Berchtold-it, më 24 tetor 1913, ofron një dëshmi domethënëse mbi përdorimin e presionit administrativ dhe shantazhit familjar nga autoritetet serbe si instrument politik kundër figurave kryesore të rezistencës shqiptare. Kërcënimi i drejtpërdrejtë ndaj nënës së Isa Boletini, me deportim të detyruar nëse ajo nuk ndërmjetësonte kthimin e të birit, zbulon një praktikë represive që synonte thyerjen morale dhe shoqërore përmes ndëshkimit kolektiv.
Nëna e Isës, e cila më është përshkruar si një grua e thjeshtë, por inteligjente dhe energjike, thuhet se i ka dhënë nëpunësit të deleguar këtë përgjigje:
“Vendndodhja e djalit tim nuk më është e njohur dhe, për rrjedhojë, nuk do të ndërmarr asgjë për ta bindur të kthehet. Dijeni se unë jam nëna e Isa Beut. Ju deklaroj se askush nuk mund të na detyrojë të largohemi nga shtëpia jonë. Jeni të lirë të na pushkatoni ose t’ua vini flakën shtëpisë mbi kokë, por të gjallë nuk do të mund të na nxirrni nga shtëpia!”
Në vazhdim të këtij raporti tim të përulur lejoj veten të shtoj se Pop (Prota) Angjelko, i cili, në interes të familjes së Isa Beut dhe, në përgjithësi, në interes të myslimanëve të shtypur, ka dalë gjithmonë hapur përballë autoriteteve serbe, para dhjetë ditësh është përplasur me Naçelnikun e qarkut këtu për shkak të familjes së Isës. Pop Angjelko është nisur menjëherë, i veshur me rroba shqiptare dhe me disa shoqërues, drejt Drenicës. E konsideroj krejt të mundshme që ky prift ortodoks, i cili ishte sekretari, furnizuesi me armë dhe miku i Isa Beut, të kalojë plotësisht në anën e shqiptarëve.