Marsel Fregjaj/
Ndikimi i nënës farkëton karakterin dhe konceptin mes të drejtës dhe të padrejtës, të mirës dhe të keqes, të bukurës dhe shëmtuarës, besimit dhe dyshimit, deri te ëndrrat dhe aspiratat, pra pothuajse gjithë atë që me një fjalë do ta quanim botëkuptimin e njeriut.
Ky proces funksionon si programimi fillestar që i bëjmë një kompjuteri, për herë të parë kur është vetëm një metal “i pajetë”, si shkrimi në një letër, sipërfaqen e së cilës asnjë maje lapsi nuk e ka prekur më përpara. Që nga lashtësia e deri te psikologjia moderne, ky aspekt i njerëzimit është trajtuar si një proces që ndodh te të gjithë. Por çështja fillon e bëhet interesante kur marrim në konsideratë personalitete apo liderë, të cilët për një arsye apo tjetër kanë ndikuar në fatet e shoqërive.
Nga shenjtëroret shpirtërore deri te majat e fuqisë politike, duart udhëzuese të nënave kanë lënë gjurmë të thella në faqet e historisë. Do të ishte mjaft interesante të kishim më shumë informacion për nënat e liderëve shqiptarë, të paktën të figurave pas viteve ’80. Kjo mund të hidhte dritë verbuese, mbi të vërtetat e dhimbshme të kombit shqiptar përgjatë asaj periudhe e deri sot.
Si shqiptarë, ne i dhuruam botës një shenjtore, të cilën i gjithë njerëzimi e quajti nënë. Jeta e Nënë Terezës përfaqësonte fuqinë e empatisë, një virtyt thellësisht i rrënjosur në dashurinë amësore.
Besimi i saj se lidershipi i vërtetë lulëzon nga përulësia dhe dhembshuria rezonon universalisht, duke theksuar rëndësinë e vlerave të ngulitura nga nënat tek fëmijët, të cilët më vonë janë vetë shoqëria. Një tjetër shembull është nderimi i thellë i Mahatma Gandhit për nënën e tij, Putlibai, që është i dokumentuar mirë. Besimi i saj i palëkundur dhe përkushtimi ndaj paqes dhe vetëdisiplinës formuan bazën e dimensionit të tij moral dhe filozofik. Kujtimet e Gandhit për ndikimin e nënës së tij shpalosin përkushtimin amësor i cili ushqeu misionin e tij të fuqishëm për drejtësi.
Në anën tjetër të globit, në historinë amerikane, trashëgimitë presidenciale gjithashtu pasqyrojnë urtësinë e udhëzimit amësor.
Rezistenca e Franklin D. Roosevelt pasqyroi mbështetjen mbrojtëse të nënës së tij, Sara Delano Roosevelt. Ndërsa busulla morale e John F. Kennedy, e krijuar me kujdes nga parimet e Rose Kennedy për detyrë dhe shërbim, ishte ajo që ndikoi në lidershipin e tij transformues. Vizioni gjithëpërfshirës i Barack Obamës ishte një dëshmi e shpirtit aventurier dhe përkushtimit të palëkundur të Ann Dunham ndaj drejtësisë sociale. Empatia dhe vendosmëria e Bill Clinton u formuan në qëndrueshmërinë dhe sensin e ndjeshmërisë të Virginia Kelley.
Analet e lashta të historisë gjithashtu janë dëshmi e ndikimit amësor. Olimpia, nëna e fuqishme e Aleksandrit të Madh, i nguliti atij një ndjenjë të fatit hyjnor. Ambicia dhe intelekti i saj, të kombinuara me mësimet e Aristotelit, vendosën themelin për ndryshimin që Aleksandri solli në botë.
Thelbi i lidershipit të vërtetë kultivohet në përqafimin udhëzimeve, e të dashurisë së një nëne. Fjalët e saj të inkurajimit, urtësia, zgjuarsia, virtytet e vlerat e saj të qëndrueshme dhe besimi i saj, formojnë busullën morale që udhëheq liderët drejt madhështisë, dhe deri te shkëlqimi i një shoqërie. Prandaj, urimi më i mirë për Shqipërinë është që asaj t’i vijnë bij dhe bija, nga nënat e vërteta shqiptare, ruajtëse të gjakut dhe shpirtit të kombit!
Imazhi: “Miss Grand Albania takes the stage in the “Xhubleta,” a UNESCO-recognized symbol of Albanian heritage. This modernized costume, with its bell shape and vivid embroidery, reflects Albania’s history of endurance and beauty. Embodying cultural pride, Miss Grand Albania showcases unity and tradition, celebrating the nation’s enduring spirit.”