Botohet biografia e albanologut të shquar katolik./
“Refuzonin të keqpërdoreshin nga nacionalizmi, sidomos nga ai i vendit ku shërbyen si misionarë”/
Pikërisht në kohën që Nënë Terezës iu shfaq së pari ajo ndjenjë, e cila do të përbënte pikënisjen e misionit të saj madhështor në botë, një misionar i madh katolik vinte në Shqipëri. A nuk duket se këtu Providenca (ndikimi hyjnor) ka ndërhyrë duke krijuar një lloj sistemi feedback, siç quhet në shkencat e natyrës një marrëdhënie ushqyese e ndërsjellë brenda një cikli? Në shkencat e natyrës shembulli i atij që quhet “positive feedback” është: “X krijon më shumë Y dhe ky nga ana e tij krijon më shumë X”. A nuk është krijuar edhe një marrëdhënie e ngjashme mes At Zef Valentinit dhe Nënë Terezës? Kuptohet, pa dijeninë e tyre. Pikërisht në vitin kur shqiptares më të famshme e më të madhe të të gjitha kohërave i lindi ndjenja që do ta largonte nga vendlindja për ta bërë misionare globale, gjë që nuk mund të mos pranohet se krijoi një mungesë për botën shqiptare të ngushtë, në Shqipëri, në atdheun e Nënë Terezës, erdhi një misionar i madh kulturor, At Zef Valentini, i cili do të bënte për kombin e saj shërbime po ashtu të jashtëzakonshme, si ato që ajo bëri për Indinë dhe botën, por në një fushë tjetër, në atë të kulturës. Kjo përkitje të bën të admirosh atë sistem të mrekullueshëm që ka krijuar Kisha Katolike në shekuj e që funksionon vetiu, që plotëson me diçka aty, ku diçka merr për ta çuar në tjetër vend. Zef Valentini dhe Nënë Tereza, jezuiti i porsashuguruar 22-vjeçar dhe vajza 12-vjeçare nga Shkupi, ndonëse krejt të panjohur mes tyre, në një çast u lidhën si foshnjat siameze dhe kjo lidhje vazhdoi gjithë jetën, ndonëse nuk ka të dhëna që ata të jenë takuar ndonjëherë. Sa më tepër që thellohesha në kërkimet për jetën dhe veprimtarinë e At Zef Valentinit, aq më e qartë bëhej kjo pikëpjekje e jetës së tij me atë të Nënë Terezës. Ishte vetëm një pjesë e ngjashmërisë së madhe të jetëve të tyre. Gjithmonë e më tepër po më krijohej ideja se biografia ime për Zef Valentinin do të duhej të ishte një libër i dyfishtë, pra një biografi për të dhe për Nënë Terezën, diçka e ngjashme me metodën që kishte përdorur Plutarku te “Jetë paralele”. Ndër shumë gjërat e përbashkëta që kanë Nënë Tereza dhe At Zef Valentini është dhe ajo se të dy kanë qenë të anatemuar, të ndaluar në kohën e regjimit komunist në Shqipëri. Unë doja të bëja diçka më tepër, të përfshija brenda një libri At Zef Valentinin dhe Nënë Terezën! Kjo dukej një ndërmarrje titanike! Prandaj, kur i hyra punës për të shkruar një biografi të shkurtër të At Zef Valentinit, e lashë mënjanë paradigmën e binjakëzimit të tij me Nënë Terezën. Por, libri më dukej i paplotë. Aq më tepër që me kalimin e kohës u binda se nuk ishte fjala për një ngjashmëri të thjeshtë, por për një paradigmë të kultivuar me kujdes nga Kisha Katolike në mjedise shoqërore si ato ku lindën dhe u rritën At Zef Valentini dhe Nënë Tereza. Por, e ndjeja se lipsej t’i rikthehesha dhe një herë projektit që kishte lindur papritur në mendjen time për të shkruar një biografi të dyfishtë, një biografi ku të tregohej se At Valentini ishte binjaku shpirtëror i Nënë Terezës. Prandaj iu riktheva edhe një herë punës, kësaj radhe i vendosur që t’i shkoja deri në fund. Për të shkruar këtë libër pata dy vështirësi fillestare, të kundërta. Për At Zef Valentinin nuk kisha në dorë asnjë libër biografik, përveç një teksti të shkurtër, por të vyer, të shkruar nga Attilio Vaçaro. Për Nënë Terezën ka sigurisht shumë e shumë libra, por unë, ndonëse do të citoj disa prej tyre, përzgjodha për t’iu referuar veçanërisht të parës dhe të vetmes biografi të autorizuar për Nënë Terezën, të shkruar nga Navin Kaula, pasi ky libër përmban edhe shumë rrëfime që ajo vetë ia ka bërë atij. Dhe kështu libri u nis si një “tren” që ecën në dy shina, në jetën e Zef Valentinit dhe të Nënë Terezës. Pas “lokomotivës”, idesë sime, nisën të shtohen “vagonët”, kapitujt të cilët përputheshin mrekullisht me “shinat”. Atë boshllëk që la Nënë Tereza në Shqipëri e mbushi megjithatë At Zef Valentini, vepra monumentale e të cilit është provë për këtë gjë. “Exegi monumentum aere perennius” (“Kam ngritur një monument më të qëndrueshëm se bronzi”) ka thënë Horaci. Kjo gjë vlen, si për Nënë Terezën, ashtu edhe për At Zef Valentinin, vepra e të cilëve ka vlerën e të qenit një monument i tillë. Duke krijuar me Nënë Terezën një marrëdhënie të llojit feedback, At Valentini krijoi edhe me Shqipërinë një marrëdhënie të llojit të tillë, e cila do të ishte rasti ideal i punës së çdo misionari. Ai e ushqeu Shqipërinë me dijet e tij dhe, duke e bërë këtë gjë, u rrit si studiues, si intelektual. Madje, vepra e tij vazhdoi të rrezatonte edhe në Shqipërinë komuniste, ndonëse ishte zyrtarisht i ndaluar nga regjimi. Kjo vepër i mrekullonte ata që kishin leje të njiheshin me të. Regjimi komunist pretendonte me të madhe se në Shqipëri kishte marrë hov të madh albanologjia në të gjitha degët e saj, se po zhvilloheshin shkencat historike, juridike, etnografike etj. Por, meqenëse studiuesit nuk arrinin rezultatet e duhura, atëherë regjimi u dha leje atyre që të njiheshin me veprat e “klerikëve reaksionarë” katolikë, si At Valentini, të cilët kishin lënë studime e shënime për të gjitha këto fusha, dhe të merrnin ç’të mundnin prej tyre, për t’i përdorur. Kur unë, pas shumë hezitimesh, nisa ta shkruaj këtë libër, që më dukej shumë i vështirë, u habita dhe vetë sa mirë dhe shpejt po më ecte puna, dhe të gjitha vështirësitë që kisha paramenduar ishin duke u fashitur njëra pas tjetrës si një mrekulli. Më pëlqente të besoja se edhe unë, ashtu si biografi indian i Nënë Terezës, kisha bekimin e këtyre dy njerëzve të shenjtë për të cilët po shkruaja. Duam, s’duam, mes At Zef Valentinit dhe Nënë Terezës ka dhe një lidhje tjetër të llojit feedback. Ne shqiptarët nderuam në mënyrën që e meritonte Nënë Terezën, një misionare të madhe, e cila veproi kryesisht në Indi, për shkak se ajo ishte shqiptare, dhe kjo përbënte dhe një dëshmi të madhe të qytetërimit të shqiptarëve. Por, po kështu duhet të tregojmë se jemi të qytetëruar në rast se dimë të nderojmë misionarin më të madh të huaj që erdhi në Shqipëri dhe punoi pareshtur për të e për shqiptarët. Dhe ky misionar është At Zef Valentini. At Valentini vdiq në natën e 15-16 nëntorit 1979, vetëm 28 ditë pasi Nënë Terezës iu dha çmimi “Nobel” për Paqen. Duket se ky shqiptar i madh, At Valentini, jetoi aq sa të mësonte nderimin që bota i bënte shqiptares më të madhe të kohës. Në qoftë se nuk do ta pengonte sëmundja, At Valentini me siguri që do të kishte shkruar fjalë të paharrueshme për Nënë Terezën me këtë rast. Por, ky ishte rasti i vetëm kur u prish sintonia e jetëve të tyre. Njëzet e pesë ditë pas vdekjes së At Valentinit, Nënë Tereza mbajti fjalimin e saj në ceremoninë e dhënies së çmimit “Nobel”. Një tjetër e përbashkët e At Zef Valentinit dhe e Nënë Terezës ishte se të dy refuzonin të keqpërdoreshin nga çdo lloj nacionalizmi, sidomos nga ai i vendit ku shërbyen si misionarë. Në rastin e Nënë Terezës, kishte një tentativë dinake nga ana e nacionalizmit hindu për ta keqpërdorur imazhin e saj, si provë që do t’i paraqitej botës se ishte toleranca dhe mbrojtja e shumicës hindu e Indisë ajo që bënte të mundur që Nënë Tereza të zhvillonte veprimtarinë e saj në Indi dhe të bëhej e njohur në botë si Nënë Tereza e Kalkutës. Sigurisht që Nënë Tereza nuk kishte menduar kurrë që t’i shërbente nacionalizmit hindu dhe as ndonjë nacionalizmi tjetër në këtë vend të madh, ku edhe minoritetet etnike dhe fetare qenë shumë të mëdha në numër, dhe pretendonin edhe ato që ta përdornin imazhin e saj në një mënyrë apo në një tjetër. Është një nga meritat e mëdha të Nënë Terezës që ajo nuk bëri kurrë kompromis qoftë me nacionalizmin hindu, qoftë me ndonjë nacionalizëm tjetër, në këmbim të shërbimeve që mund t’i bëheshin për misionin e saj. Kuptohet se Nënë Tereza e shikonte nacionalizmin si po aq të keq sa epidemitë e tmerrshme të Kalkutës. Në rastin e At Zef Valentinit, mund të duket sikur ai mund të përdoret nga nacionalizmi shqiptar dhe për këtë mund të sillen si provë vepra të tij, si libri “Të drejtat e Shqipërisë etnike”. Por, qëllimi i At Valentinit nuk ishte që t’i shërbente nacionalizmit shqiptar. Ai punoi për këtë libër në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur pritej që në Konferencën e Paqes që do të mbahej pas saj, të diskutohej çështja e kufijve të Shqipërisë, ashtu siç kishte ndodhur edhe pas Luftës së Parë Botërore. Edhe këtë herë, si në atë kohë, pritej që fqinjët të shfaqnin pretendime territoriale ndaj Shqipërisë dhe ajo rrezikonte copëtimin. Prandaj Shqipëria duhet të dilte me kërkesa që do të neutralizonin ato të fqinjëve. Nëse e lexon librin me vëmendje, kuptohet se shqetësimi kryesor i At Valentinit ishte që të ruheshin kufijtë aktualë të shtetit shqiptar. Nuk kishte pra asnjëlloj nacionalizmi në qëndrimin e tij.
(Pjesë nga libri i autorit Ndriçim Kulla “Binjaku i Nënë Terezës”, i cili i kushtohet albanologut të madh At Giuseppe Zef Valentini, që doli nga shtypi këto ditë)-(Kortezi Gazeta Panorama)