Tregim nga Faruk Myrtaj/
Shefat e mëdhenj thuajse s’e dinin. I njihnin vetëm duart, parakrahët, shputën dhe gishtrinjtë e dorës, kur ai zgjaste dosjet e arkivës nëpërmjet sportelit. Përpikmëria e lëvizjeve, korrektesa dhe saktësia e dokumentave që përcillte, ishin arësyet që miratuan menjëherë sugjerimin për kalimin e tij në një zyrë të posaçme që do të merrej me vënien e vulës në shkresat e Shtetit.Shumë njerëz humbasin orë e ditë të tëra për të provuar vërtetësinë e dokumentave, u kishte thënë një ditë shefave të vjetër.
Ata e dëgjuan, ishte e para herë që ai fliste në sy të tyre. Tavolina e punës së tij, thuajse nuk binte në sy, e vendosur në aneksin jo aq të ndriçuar dhe pa dritare.
Tjetërkund vendoset por, me një vulë të miratuar dhe të hedhur nga kjo zyrë, shkresat do të bëhen të paraqitshme dhe serioze. Dhënia e vulës është formalitet, por ajo çfarë do të garantoj kjo zyrë është vërtetesia e dokumentit nëpërmjet vulës. E vetmja shtesë që lipset është hapja e një sporteli në murin e jashtëm të aneksit.
Zyra, megjithatë, për ditë të tëra pas hapjes së sportelit, vazhdoi të ish po ai aneks i zakonshëm. Kur s’kishte njerëz që vinin për të vulosur shkresat e tyre, sporteli shërbente thjesht si dritare. Natyrisht që u bë më tërheqës, kur e veshën me dru arre të lëmuar dhe më serioz, kur nga jashtë, përmbi sportel, u vendos një tabelinë ku ishte shkruar me gërma kapitale: ZYRA E VULËS.
***
Vinin tërë qytetarët që kishin nevojë për Vulën. Ishte vulë që lëshohej vetëm aty.
“Të vësh vulën, kjo është puna jote.”, i tha vetes njeriu i zyrës, kur u ndodh i vetëm.
“Për kaq gjë do marr lekun e shtetit unë?!”, mërmëriti nëpunësi që po merrte formë tjetër dhe përmasë të papritur brenda tij.
“Pse, të duket pak…?!”, nënqeshi njeriu nëpunësin.
Tërë jetën, Evret Dimri do t’i ndjehej borxh asaj pjese të vetes që kishte thënë: “…pse, te duket pak ty?!” Pas kësaj kishte nisur tërë lëvizja. Si rrëshqitja e pabujshme e një ane mali që nuk do të reshtëte më. Kollajshmërinë e fillimit, ngutjen për një sportel fare të zakonshëm në pjesën e pasme të ndërtesës, pak më vonë ndarjen e aneksit prej pjesës ku punonin edhe të tjerët, dalja si zyrë më vehte, e tëra kjo kishte lindur si një sipërmarrje thuajse naive.
I mbante mend të gjitha, por më kthjellët se çdo gjë kujtonte njeriun e parë që erdhi për tek sporteli. Evret Dimri e kishte vënë re që atje tej. I bëri një shenjë për ta siguruar se pikërisht kjo ishte zyra që i duhej atij dhe ku ai ishte i mirëseardhur.
“Ju i hidhni vulat?”, kërkoi të sigurohej tjetri.
“Mua ma besuan këtë punë, ju zgjidhni hallin tuaj, por edhe shteti ka leverdi.
I mëshoi vulës mbi formularët dhe ia ktheu tjetrit, duke përcjellë edhe kënaqësinë e tij për punën e kryer. “Eja përsëri, sa herë të duhet vula!”
Tjetri e vështroi i befasuar. Dhe, për pak, mbeti aty, tek kuadrati i sportelit.
Kush e di nga cili cep i shtetit kishte ardhur, i gjori, ç’sorollatje i kishin ndodhur, që hezitoi të largohej. Mbase gruaja e pati kujtuar të merrte diçka më shumë në kuletë. Për vulat, kush e di, duhej dhënë diçka.
Nëpunësi brenda këtij sporteli nuk i dha asnjë shenjë se priste diçka prej punëmbaruarit, që mbase e shtyri ta falenderonte nëpunësin përtej kuadratit edhe për këtë.
“Mos e thuaj atë fjalë…Faleminderit duhe të themi ne, kur e shohim njeriun që vjen e kërkon vulën e shtetit për të rregulluar punët e tij…”
“Megjithatë faleminderit… S’jemi mësuar kështu ne…”
Nëpunësit të Zyrës së Vulës i kujtohej mirë, i pari i të ardhurve për vulë ishte larguar fillimisht duke ecur mbrapsht, përkulur pak në supet, pastaj disa hapa brinjazi, duke vazhduar të pëshpëriste falenderjen, gjersa atje tej, ku ishte i sigurt se kishte humbur madhësinë për t’u perceptuar ende prej syrit të nëpunësit në sportel.
Kush e di ç’kish shtuar e zbukuruar në përshkrimin e tij prej njeriu të ngazëllyer vulëmarrësi i parë, përderisa vetem pak çaste apo pak orë më pas, dhe më shumë ditën e javën tjetër, radha përpara sportelit nisi të zgjatej gjer përtej sheshit.
Nëpunësi thjesht vinte vulën në shkresat që i zgjateshin, duke vënë re ngutin, ndjesinë e pritjes dhe pastaj lehtësimin, tek fytyrat e atyre që shfaqeshin për pak minuta në kuadratin e sportelit, por ndërkaq provonte edhe ëndjen e fjalosjes me veten. Shkresat që i viheshin përpara ngjanin si copa letrash pa vlerë, deri në momentin kur arrinin sportelin. Sapo ai ngrinte dorën për të vënë Vulën, ato nisnin e tjetërsoheshin, merrnin vlerë, sikur u binte një nur tjetër apo u ngrihej vlera në bursën e ditës. A thua prej kur bukuroheshin me vulën në krye të tyre, mbarësia e ligjit u bëhej dritë dhe u hapte rrugë. Njerëzit e shkretë, i dërgonin shkresat me Vulë atje ku duhej dhe hallet zinin e ç’kokolepseshin.
Evret Dimri bënte shaka kur paralajmëronte mbarësi e fat në vënien e vulës, por pas një farë kohe ndjente se vërtetë po bindej për këtë.
***
Ditët kur ai e hidhte vulën lehtë e lehtë, sikur fluturonin. Vula në duart e tij sikur po bëhej më e rëndë. Filloi t’i shqyrtonte të shkruarat, në fund të të cilave kërkohej të vihej vula. Ishte më mirë kështu. Njerëzit vinin për të ikur, kjo dihej, por nëse nuk do të harxhonin pak kohë për të marrë Vulën, për ç’dreq tjetër ia vlente koha e tyre. Në të vërtetë ishte vetë ai që e mendoi vonesën. Ata që shfaqeshin tek sporteli ndjeheshin të kënaqur që aty do të mbaronin punë.
Thyerja, vramendja se në procesin e vulëhedhjes mund të ndryshonte diçka, ndodhi një ditë kur dikush prej vulëmarrësve, jo vetëm nuk po shqitej nga sporteli por e tronditi me këmbënguljen e tij për t’i lënë doemos një dhuratë.
“Këtë vulë, që ti e lëshon aq lehtë…nuk ka çmim ta paguaj. Ndokush tjetër, do dinte ta përdorte ndryshe, këtë fat…!”
Jo se nuk e kishte menduar edhe vetë këtë gjë, o diçka të përafërt me të, por fjala e tjetrit e ndezi së brendshmi. E mbylli me vërtik sportelin prej brenda dhe pështeti kryet mes pëllëmbëve të duarve. Le të prisnin ca, ata atje jashtë…
Ata jashtë pritën, pa u ndjerë, pa dhënë asnjë shenjë se ishin atje. ai ndenji një copë herë, mbase disa orë, por edhe sikur të kishte heshtur për disa ditë rresht, aty do t’i gjente, kur ta rihapte kanatin e sportelit…
Evret Dimri nisi t’i bënte gjërat më ngadalë e më shtruar. Shkresat mes gishtave te tij sikur po merrnin vërtetë peshë dhe njerëzve po u duhej të prisnin më gjatë në sportel. Erdhi një ditë kur për të mbaruar punë në sportelin e tij duhej të dilje nga shtëpia qysh në pikë të mëngjezit dhe, pak javë më vonë, duhet të gdhiheshe në radhën e gjatë. Ndodhte të duhej të mbaje rradhën për ditë të tëra. Në fund të fundit ishte Vulë…
“Për atë shkresë” duhet thënë, jo “për atë besë”, ngriti një ditë zërin.
E folura e Evret Dimrit u dëgjua në tërë ndërtesën. Më tej akoma, rreth e qark atsaj ngrehine që sikur u shndërrua në moment në një Pallat të Madh ku fillonte rregulli dhe Ligji që u kishte munguar njerëzve.
Nuk e kishte menduar më parë se ta nxirrte prej dhëmbëve. Thënia i erdhi natyrshëm, si tërë rëndomtësitë që shoqërojnë punët e njeriut dhe ata që e dëgjuan nisën të qeshnin mendueshëm. I dhanë të drejtë.
E the bukur, i thanë.
E tha vërtetë bukur, u thanë të tjerëve që takuan në rrugët e jetët e tyre. Nisën ta përdornin e ta përsërisnin gjithnjë e më shumë njerëz.
Ishte lajm që, të tjerë, si mirënjohje dhe intimitet, ia sollën edhe atij.
Në fillim u gëzua, pastaj u bind se thënia që lidhte besën me shkresën po merrte gjithnjë e më shumë vlerë reale. Përdorimi i saj u rrit, gjersa dikush e shkroi me të kuqe në një rrip të gjatë të bardhë bezeje. E vunë si parrullë, në murin e jashtëm të ndërtesës, mbi sportelin e zyrës së vulës, ku tashmë shërbenin edhe të tjerë, si ndihmës të tij.
Të arrije në sportel tashmë s’ishte kollaj, ishte mundim i madh duhet thënë, por nuk se mbyllej me aq. Në çastin kur arrije ta shfaqje fytyrën në kuadratin e sportelit, përballë asaj të nëpunësit të Zyrës së Vulës, duhej të paraqisje prova të tjera. A ishte i rregullt dokumenti? Nga cila zyrë dhe pse ishte lëshuar shkresa? Sa më shpejt duhej shërbyer, Evret Dimri nuk mënonte dhe ndihmësit i rrinin më këmbë, por që dora e tij të hidhte vulën, duhej mbushur më parë mendja e tij. U përgatit një pyetsor i hollësishëm të cilin duhet ta plotësoje aty, në vend. Le të ishe i lodhur nga radha e gjatë, le të bezdiseshin ata pas teje në radhë dhe të kandiseshin gjer në të shtyra e grindje me njeri tjetrin, për të arritur sportelin. Të merrje Vulën s’ishte një fjalë goje.
***
Evret Dimrit i kujtohet, aq më furishëm, njeriu i parë të cilit i vonoi dhënien e vulës.
Diku, kishte thënë për të se në fund të fundit “një copë vulaxhiu” ishte. Por tashmë ishte kapërcyer. Me qetësi, si edhe më parë i sjellshëm, pasi e pyeti përfolësin për shëndetin e fëmijëve dhe punët e stinës, ia ktheu shkresat, për rishikim.
Ka nevojë të plotësohen, i tha atij.
Nuk u kujtua t’i jepte asnjë hollësi më shumë. Tjetri mbase e mendoi shkakun e vonesës, por s’guxoi të pyeste se çfarë duhej të plotësonte në formularët e tij.
“Një copë vulë është kjo që hedh unë, por ajo letra që sjellë ti, për të merituar vulën e shtetit, duhet të bëhet shkresë më parë, apo jo…”
Tjetri e la radhën i djersitur, i lodhur, i tronditur. Pse vallë…e ktheu? Pse duhet të llapte? Ia kishin sjellë përfoljen…Kush?
Nëpunësi i Vulës e përcolli me sy, gjersa i refuzuari përshkoi sheshin. Vetëm pastaj vazhdoi me shkresat e tjetrit në radhë.
Sy e gojë të tjera, treguan më pas se prej atij momenti vulëvonuari ishte parë me dyshim. Në lokalin afër shtëpisë nuk i kish bërë kush shoqëri. Disa gota alkohooli i kishte kthyer vetëm fare. Të nesërmen nuk e panë të dilte në rrugë. Të pasnesërmen e njoftuan se vulëhumburit i ishte shkurtuar vendi i punës. Thjesht se nuk kishte mundur të mirrte Vulën e Shtetit të Tij.
“Paskam diçka në dorë!” mendoi i gëzuar Evret Dimri. “Kësaj bote nuk iu dalka vetëm me të mirë…”
Në ditët më pas ndodhi të kthente, për plotësim dokumentash, edhe njerëz të tjerë. Nuk shtoi, as zbukuroi, kur i pohoi vetes se kishte filluar të ndjente një lloj kënaqësie teksa në fytyrat e vulëvonuarve shfaqej një lloj trishtimi i thellë, një si lodhje bërtitëse por deri në fund e heshtur. Për shkak të shtyrjes së datës së lëshimit të vulës, kish njerëz që humbën jo vetëm shanse të mira pune e trashëgimi pasurie, por fëmijëve të dikujt nuk u dhanë as të drejtën për të vazhduar shkollat e larta. Një tjetri i ishte shtyrë dita e dasmës, gjë që u interpretua si paralajmërim për fatkeqësi që do ta shoqëronin çiftin tërë jetën e jetës, edhe nëse do arrinin ta bënin dasmën.
Njëherësh me kënaqësinë që buroi e hovi prej brenda tij, dëgjoi se nisën të flisnin gjithnjë e më shumë për të. Sidomos kur bëheshin shumë vetë bashkë, ishte e sigurt që lëvdonin dhe betoheshin për të.
Kështu po, kështu ka lezet, ngazëllehej Evret Dimri. Nuk është pak të të mburrin shumë njerëz njëkohësisht. Vazhdoi të ruante humor të mirë, madje bëhej edhe më i këndshëm, kur i tregonin se sapo njerëzit ndaheshin nga njeri tjetri, disa prej tyre bëheshin dy e nga dy apo mbeteshin fare vetëm, dhe nisin e shanin. Ndokush edhe të mallkon, i thanë. Kjo është mrekullia vetë, shtonte aty për aty Evret Dimri. Mallkimi i njerëzve, është shenjë e dobësisë së tyre…
Nuk do ta harronte kurrë njeriun e parë të cilit ia refuzoi dhënien e Vulës së Shtetit.
“Nuk ke për ta marrë…”, i tha.
Tjetri, matanë sportelit, kishte mbetur i ngrirë: “Ka ndonjë gjë që nuk shkon aty? Duhet të plotësoj…apo të shtoj diçka?”
“Nuk do të mundësh dot t’i plotësosh, kurrë…”
Tjetri përballë sportelit sikur humbi edhe gojën. Buzët provuan përsëri e përsëri, pa mundur as të belbëzonin. Vetëm dora arriti të ngrihej paksa, aty te syprina e dërrasës së lëmuar të sportelit ku ishte mbështetur, por ra në çastin tjetër si lëvizje e fundit e të gjallit.
“Po ky është hall i madh. Pa vulën e shtetit, tani nuk shkohet gjëkund. Jemi njerëz, o njeri… Nuk më thua dot, ç’të bëj, a ku ta kërkoj tjetër vulën?”
“Sa të jem unë në këtë sportel, s’ke për të marrë vulë të këtij shteti!”
Tjetri mund të shndërrohej në tym në momentin tjetër, por edhe vetë nëpunësi ndjehej tjetërgjë teksa i bëhej se dëgjonte jehonën e asaj që sapo kishte artikuluar. Kishte folur në emër të Shtetit…për herë të parë. Dhe, për më tepër, pas kësaj nuk ishte kundërshtuar…
Njeriu të cilit sapo i ishte hequr e drejta për të marrë vulën e shtetit, u largua i përkulur më dysh, për shkak të barrës së rëndë që sapo i kishin hedhur në shpinë. Dukej që atje tej, i pashpresë, i përfolur, i përtallur, kot sa do rronte nëse do ia dilte pa Vulë, kot sa kthehej në shtëpinë e tij nëse do arrinte atje perpara se të mbrrinte lajmi se s’do ta kishte kurrë vulën, lajm që mund të mos ja hapte më as derën e shtëpisë së tij. Por edhe më të mjerë akoma do fillonin të ndjeheshin ata që e prisnin, që megjithatë mund t’ja hapnin derën se e kishin baba, burrë, apo e dinin zot shtëpie. Refuzimi i Vulës prej nëpunësit të Zyrës së Vulës tingëllonte si pamundësi për të ëndërruar, kurse mënyra e refuzimit ishte thuajse ç’mendëse…
Vet-me-vete, vjedhurazi edhe prej vetes, vulëhumburi guxoi të mendonte disi më ndryshe. Thjesht hamendësoi duke ripërtypur një-pas-një fjalët e betimit rrënqethës të nëpunësit. “Sa të jem unë në këtë sportel…” Sipas kësaj logjike, i mbetej të priste heqjen e këtij nëpunësi, zëvendësimin prej një vulëdhënësi tjetër, ose vdekjen e atij…ose…ose vetë shteti i kësaj vule, shteti që po i shfaqej si i njeriut të kësaj vule të refuzuar përgjithnjë…s’duhej të ishte ky shtet që ishte…
O gjëmë e madhe! Ishte i tmerruar nga idea se kishte shkuar ndërmend ndryshimin e shtetit, vetëm e vetëm për të përfituar të drejtën e vulës…Po sikur edhe mendimet të vileshin në një farëlloj mënyre, dhe të shkonin brenda sportelit të Zyrës së Vulës?
“Mirë është të dihet edhe për njerëzit që provojnë të bëjnë pa vulën e shtetit…”, tha një ditë më vonë nëpunësi i Vulës.
Ia tha këto fjalë rojes së zyrës vulës, kryerojës, në të vërtetë. Se ishte një trumbë e tërë njerëzish që punonin për të tashmë. Zyra e Vulës jo veç kishte përfshirë zyrat e atij kati, aneks i të cilit kishte qenë dikur, por aty vuloseshin edhe tërë shkresat e vendimet e zyrave të tjera të asaj ndërtese.
“E kemi menduar edhe këtë, shef…”, e qetësoi në çast kryeroja. “Kemi hapur dosje të posaçme për secilin. Edhe për ata që vetëm sa u vonohet vula, kemi mbledhur informacione…”
***
Evret Dimri i harronte fytyrat e njerëzve, sapo largoheshin prej sportelit. Me kalimin e viteve, i harronte në të njëjtën mënyrë ata që iknin pa marrë vulën, njëlloj si ata që e merrnin atë. Nuk kam kohë, as fuqi e as nerva, të gëzohem a të trishtohem me gëzimet dhe hallet e tyre, thoshte. Nuk është detyra ime, në fund të fundit. Unë vë vula. Nuk jam dezhurni i Maternitetit, as defteri i Zyrës së Funeraleve apo regjistri i Gjendjes Civile…
Jam si vula, i njëllojtë për të gjithë. Si shkresa jam, kur ka vulën në fund!
Dikur ndjeu se nuk shqetësohej më kur nuk shprehej në formën “nuk ta hedh dot Vulën e Shtetit”. I vinte më për mbarë kur përdorte trajtën “nuk e merr dot vulën time ti…”
Natyrshëm nisi të besonte se ishte pjesa e gjallë, dominuesja, e pashmangshmja në procesin e vulëdhënies. Nuk iu duk tepër, teksa ndjeu se besonte: pa të s’kishte as kuptim, jo vetëm që s’ishte e mundur, dhënia e Vulës. Prej sportelit të tij tashmë nuk pritej thjesht vënia e vulës, si kohëve të para. Tërë zyrat e tjera, edhe pse ishin më sipër, ishin vënë në punë në funksion të Zyrës së Vulës. Madje askush nuk u befasua kur ishte ndryshuar edhe emërtimi i saj. Në tabelën sipër sportelit lexohej ZYRA E VULËS SË SHTETIT.
***
Një mëngjez nuk u ndje mirë. Vendosi të mos shkonte në zurë. Le të bënin një ditë pa vula. U ngrit nga shtrati i telekosur, por arriti të dilte në ballkon. Hodhi vështrimin për nga ndërtesa ku ishte zyra e vulës, dhe sesi u ndje kur pa se njerëzit si në radhë për të marrë vulën, kishin ardhur deri pranë shtëpisë së tij. pyeti dhe i bën të ditur se nuk kërkonin vulën.
“Duam të dijmë shëndetin e tij. Të jetë mirë Evret Dimri…Vula është…”
Paskësaj, fare natyrshëm ai mendoi se sikur të mos ishte ai, edhe vula edhe vetë shteti nuk do të ishin ata që ishin. Caktoi një nëpunës tjetër për pritjen e njerëzve që kërkonin vulë. Ky nëpunës, nga ana e tij, kishte një ndihmës të parë për të seleksionuar e ndarë kërkesat për vula afatshkurtëra dhe afatgjata, dhe një ndihmës të dytë, që merrej me plotësimin e fletëanketës, pyetjet për të cilën ishin shtuar e nënshkruar prej dora vetë Evret Dimrit dhe po përfshinin gjithnjë e më shumë hollësi të lloj-llojshme.
Në ditët më pas, ashtu siç priste, numri i njerëzve në radhën për vulë u shtua edhe më shpejt. Ai po bindej se njerëzit nuk mund të bënin pa të, njerëzit prisnin për të. Për vulën e tij. Ai mund t’i gëzonte, po ai kishte në dorë t’i mërziste. Ai mund t’u nxinte jetën.
Rrinte orë të tëra, i mrekulluar, duke dëgjuar bisedat e tyre, të rregjistruara pa dijeninë e tyre, në orët e gjata të pritjes për vulën e tij. Njerëzit që kishin rezerva për të i adresonte për tek nëpunësi tjetër dhe ndihmësit e tij. Le të vendosnin ata për fatin e përfolësve të tij. Kjo lojë maca-minjsh i shkaktonte humor të mirë. Dikur kishte ardhur një kohë kur ai e dinte që ata e dinin se ai i mirrte vesh të gjitha ç’thoshin për të. Evret Dimri i turbullonte edhe më, kur ia kthente dokumentat ndokujt që e kishte mburrur e lëvduar me të madhe dhe ia ofronte shpejt e shpejt vulën dikujt që e kishte marrë nëpërgojë! Merrte dhènë fjala se për Evret Dimrin ishin njëlloj të gjithë. Ata që e donin dhe ata që s’e donin. Ai i ndëshkonte të gjithë. Ishte e kotë t’i fshiheshe, ishte e pamundur të shtireshe ndaj tij. Më e mira ishte të mos flisje fare për të. T’i bindeshe në heshtje vulës së tij. Kaq. Më e mira e të mirave ishte të mos kishe të bëje fare me të, por ishte e pamundur të bëje pa vulën e shtetit. Dhe vulën e këtij shteti e jepte ose nuk e jepte ai…
Pohimit se publikisht e donin njëlloj të gjithë, për të ishte njëlloj sikur e urrenin njëlloj të gjithë. Pikërisht kur arriti pa asnjë shqetësim në këtë përfundim, u bind se Zyra ku hidhte Vulën ishte vetë Shteti.
Ngaqë pa vulë nuk bëhej asgjë, të gjithë e mendonin ditën kur u duhej të shfaqeshin përpara sportelit të tij. Prej tij do t’u vinte e mira dhe e keqja, kjo nuk vihej në dyshim. Ata që gëzoheshin duhet t’i ishin mirënjohës, teksa të tjerët, që u binte rasti të vuanin vonesën, shtyrjen, refuzimin, do të bindeshin se vetëm prej Vulës së Tij mund t’i shpëtonin së keqes që i kishte zënë. Nuk merrej vesh ku mbaronte respekti dhe ku fillonte urrejtja për Evret Dimrin.
Ngaqë ndodh kështu, jam vula vetë, mendonte.
I bindur tashmë se ishte fati i të gjithëve. Vulës i binden, edhe kur nuk e duan.
Netëve, kur trupi prehej, truri sikur rrekej ta provokonte. Vetëtinte nga ide të çuditëshme. I ofronte trupit mundësinë të merrte formën e cilindrit që rrihte e godiste papushim, vertikalisht. Në bazën e poshtme të tij, tek këmbët të bashkuara në një, ishte fiksuar vula që stampohej mbi shkresa, çeqe, trupa e gjymtyrë njerëzish të tjerë, madje edhe mbi trurin dhe zemrat e tyre. Turma e njerëzve atje poshtë duartrokiste dhe qeshte. Qeshte dhe lotonte. Pastaj binin të gjithë përmbys dhe trupi i tij cilindrik rrihte si tokmak mbi ta. Dhe i vuloste. Vetëm pas shenjoheshin me vulën e tij, nisnin të punonin zemrat, truri, trupat e tyre.