
Nikollë Tomeu është bërë i njohur në lëvizjen humaniste të Rilindjes si një nga filozofët e dijetaret e shquar të shek. XVI. Ai kishte lindur në Vendik me 1456 nga prindër te shperngulur nga Durresi ne kohen e sulmeve osmane. Ne Venedik ai kreu shkollimin e mesem per te vijuar me pas studimet e larta ne Firence. Leonik Tomeo me 1430 mbrojti doktoraturen ne fushen e arteve(filozofi dhe mjeksi). Ai në vitet 1485–1495 eshte pedagog ne Universitetin e Padoves,nje nder universitetet me te vjetra dhe me ne ze te Europes. Në prill 1447 fillon punë si profesor dhe rektor në universitetin ne fjale dhe i ngarkohet te drejtoje katedren e filozofise qe eshte shkenca ku ai ben me teper emer. Por ai nuk u mor vetem me filozofi. Si humanist i shquar, ai realizonte ne personalitetin etij idealin e njeriut te shumeanshem me interesa dhe veprimtari te gjere. Ai u bë i njohur si filozof, historian, astronom, fizikan, mjek, letrar. Ai do të drejtojë katedrën e filozofisë për tetë vjet me radhe. Njohes i mire i trashegimit te antikitetit,ai u be nje nga perkthyesit e veprave të Aristotelit, Platonit, Hipokratit. Shumë studentë të tij si Nikolla Kopernik, Pietro Bambi, Maksim Artioti do të bëheshin të shquar në fushat te kerkimeve shkencore. Një nga ato të shkruan per Tomeun: “Tomeu është njeri i jetes dhe i shkences, filozof i ndritur në letërsinë latine, si në ate greke, ua ka lene te tjereve lakmine per pasuri, ndersa vete eshte kujdesur vetëm për dituri. Tomeu luftoi në rreshtat e parë për reformën humaniste në filozofi”. Ai do të vlerësohej jo vetëm si shkencëtar por edhe si njeri dhe pedagog, shumë komunikativ për natyrën dhe karakterin e butë, të një njeriu të afërt dhe shumë miqësor, çfarë i dha një rreth të gjerë të njohurish dhe miqsh në botën intelektuale universitare. Të një vlere të veçantë janë edhe fjalët e udhëheqësit të humanizmit, të Erazmit të Roterdamit, i cili nisur nga ato që ka lexuar apo ka dëgjuar shprehet: “E përfytyroj Tomeun burrë të jashtëzakonshëm”.
Vepra e Leonik Tomeut është e gjerë. Ai ka lëvruar disa fusha, si filozofinë, historinë, poezinë. Në filozofi është e njohur vepra “Dhjetë dialogjet” ku shkruan mbi tema të ndryshme. Në to përfshihen edhe tema letrare dhe historike. Është ndër të parët që i bën një interpretim ideve të Aristotelit. Ai ka shkruar gjithashtu edhe studimin “Aristoteli, historia e jetës dhe vepra”. Si poet na ka lënë veprën “Poezi të ndryshme”, ku lartëson figurën e njeriut të lirë, bukurinë e natyrës e të gjithësisë në mes të cilave rron njeriu. Në vitin 1531, para se të vdiste, botoi veprën e tij të fundit, por edhe më të rëndësishmen, “Histori të ndryshme” në tre libra. Këtë vepër ai kishte filluar ta shkruante në rini në formë tregimesh historike dhe, siç ngjet rrallë me shkrimtarët, priti ta botonte në fund të jetës së tij. Vepra trajton tema historike nga lashtësia e deri në Rilindje dhe është shkruar me mjeshtërinë e një shkrimtari dhe aftësinë e historianit që hulumton në shumë vepra. Tomeu njihet botërisht si përkthyes i parë në lëvizjen humaniste të Rilindjes i veprave të Aristotelit, një përkthyes elegant dhe në zë. Ai është çmuar edhe për përkthime të tjera nga autorë të lashtësisë. Ai njihet si aristotelisti më i mirë i kohës së humanizmit, pasi kishte përkthyer dhe komentuar më mirë se kushdo tjetër, veprën e autorit të hershëm grek. Veprat, Nikollë Tomeu i shkroi në gjuhën klasike të latinishtes, siç vepronin të gjithë humanistët, por “kultivoi edhe gjuhën popullore”. Mbetet të gjurmohet a përdori gjuhën italiane apo edhe shqipe, në mesin e mërgimtarëve shqiptarë të Venedikut. Leonik Tomeu vdiq më 1531 larg Atdheut që e deshi dhe e përmendi në veprat e veta. Ndërsa vepra “Histori të ndryshme” është e karakterit historik, ku zhvillimin e shoqërisë e sheh sipas koncepteve të reja humaniste, si shoqëri që fillon nga ajo primitive e gradualisht, nëpër etapa të ndryshme historike vjen deri në kohën e humanizmit e të Renesanses. Si poet Tomeu ka lënë dy vepra poetike “Ankimet e të dashuruarit” dhe “Poezi të ndryshme”. Humanisti që ka përkthyer në latinisht Poetikën e Aristotelit ka kulturën e gjerë të kohës së vet. Janë disa poezi të përkthyera në shqip nga italishtja nga N. Begolli rreth të cilave ne mund të vlerësojmë atë si poet. Ndryshe nga Marubi që e ka shumë të dukshëm motivin atdhetar, poezia e Tomeut i ka të gjitha tiparet e tjera të një poezie humaniste. Ajo ka përherë të pranishme pamjen meditative. Meditimi i Tomeut rrjedh nga perceptimi i gjërave të përditshmërisë, veçmas nga marrëdhëniet estetike të njeriut me dukuritë, vlerat e botës që e rrethon. Ai e himnizon jetën, duke shprehur adhurimin për jetën e zakonshme tokësore. Këtë e ka shprehur në poezinë me titull plot kuptim, ku njëherësh ka nenvizuar edhe idealin e tij estetik kur shkruan: “E bukur, e qetë, e shenjta jetë / Jetë, që gjallëron mes pyjeve të gjelbëra”. Por perceptimi dhe arsyetimi i tij për jetën njerëzore nuk është sipërfaqësor; ai synon të hyjë me mendimin e tij në shtjellat misterioze të fatit, ku si në ndjenjën e një pëlhure, vdekja në përfytyrimin poetik i ngjan shulit, jeta e shtjellon fijen dhe e këput! Ka në poezinë e Tomeut dëshirë, lakmi për ta jetuar këtë jetë që njeriut i jepet vetëm një herë, sepse jo të gjithë njerëzit e meritojnë një gjë të tillë. Për njeriun që ka më shumë antivlera se sa vlera, Tomeu shkruan: “Ai nuk kishte aq hirësi / të ketë atë dhuratë të hyjnueshme / Ndërsa jeta ende është në udhëtim”.
Në të gjitha poezitë e tij është e pranishme përmasa filozofike dhe meditative. Janë ato poezi me titull “Kështu ia çel udhën”, ku ai thekson idenë se njeriu e ka të drejtën dhe mundësinë të zgjedhë midis alternativave në jetë: të urrejë, të fyejë, të ngjeshë shpatën në dëm të të tjerëve e të jetës së vet të dyshimtë dhe për rrjedhim jeton i privuar nga çdo gëzim e paqe dhe alternativën që në fakt është e kohës, e ditës: që t’i shërbejë njerëzimit, t’i shërbejë njeriut “mendon botë të reja të zbulojë”. Le të kujtojmë se Tomeu jetonte në kohën e zbulimeve të mëdha të njerëzimit, jo vetëm gjeografike. Poezia “Në ditën e ndritshme” është një çast meditimi për poetin, që e gjen jo vetëm jetën të lidhur me planetin diellor, por edhe bukurinë, ndritjen e saj dhe drita e tij është e pashtërshme, kurrë nuk fiket. Ndersa në poezinë “Pastaj” poeti dëshiron të shohë fenomenet natyrore në të gjitha anët e pamjes, në të cilat vëren pafundësisht shfaqje të madhërishme dhe të bukura. Ai e përfundon këtë poezi me fjalët: “I lumi ai që u ngrit aq lart ato t’i soditë”. Në poezinë “Lulet”, që është një lirikë e mirëfilltë meditative për natyrën, zbulon bukurinë e luleve, të grigjave, të gjësë së gjallë tek këngët e zogjve. Ato vetvetiu mbijnë, zgjohen e gjallohen, e shtyjnë njeriun të meditojë për autorin e tyre të parë. Në të gjitha këto, poeti sheh të madhin At (Zot), dhe në gjithësin e gjallëruar prek, shijon e kundron: “Harmoninë tënde të bukur e të vërtetë” dhe “Kështu ecë përherë jeta”. Poezia është një himn për bukuritë e natyrës dhe madhështinë e veprës së atij që e krijoi. Por me detajet konkrete, me perceptimin e freskët, ai realizon një poezi me frymë humaniste, të ngjashme me atë që kishin kënduar poetët e mëdhenj të antikitetit evropian. Poezia “Kënga” është një tjetër lirikë e brishtë, e shkruar nga Tomeu, që i kushtohet një prej pasurive të shpirtit njerëzor: këngës dhe jehonës së saj. Të bie në sy lirizmi i ëmbël i poezisë: “Këngë që dole jashtë pyllit / E u bëre gati mbi krahë të ikësh /E aty ku ke lindur aty pusho”.
Konstatimi i poetit është se mentarët (njerëzit), që e kanë zakon që këngët e tyre, jo për mospërfillje, t’i lëshojnë në erë, sigurojnë edhe përcjelljen e saj, komunikimin e saj të disafishtë midis njerëzve të një kohe dhe të të gjitha kohrave,per te mos pushuar asnjehere ky komunikim gjithnjerzor e gjithkokor. Tek poezia “Eni të shihni”, poeti gjithnjë në sensin e poetifilozofit, i fton njerëzit të shohin atë që nuk mund ta shohë bota e verbër, që mashtrohet nga paragjykimet mesjetare, “që në pelena në djep të ushqyer me këshilla të këqia”. Poezia është një opozicion ndaj këtij mendimi dhe qëndrimi të verbër ndaj bukurive dhe hijeshisë së kësaj bote, sepse për poetin: “E mrekullitë e keqkuptuara dobësojnë karakterin pakësojnë aftësinë hyjnore të shpirtit tonë”. Ai, si njeri i humanizmit evropian, është i tërhequr i tëri nga bukuritë e pafund që afron jeta e zakonshme në gjirin e natyrës dhe të botës njerëzore. Përndryshe, njerëzit nuk do të mendojnë dhe ndjejnë në të vërtetë atë mrekulli që e ka emrin Jetë: “Si ndodh që në luginën e errët /Midis njerëzve mendjelehtë / Drita e madhe i mjegullon sytë e dobët”. Me delikatesën që e dallonte në jetë, edhe në poezi ai di të tejkalojë tabutë mesjetare dhe të emetojë përmes poezisë dashurinë për jetën. Tek mendarët, siç thotë ai, për njerëzit me vetëdije të zgjuar, duke i dalluar ata nga mendjelehtët që janë trullosur nga “mrekullitë e keqkuptuara”.
Poezia është thirrje, është mesazh për zgjimin e vetëdijes njerëzore, çfarë përbënte synimin e madh të epokës së humanizmit në Evropë, që do të shumëfishonte “aftësinë hyjnore të shpirtit tonë” sic shprehej poeti madh humanist. Poezia “Kush” është një poezi tipike refleksive që vërtet krijon opozicion me mendësitë mykura mesjetare; ajo rreh t’i japë kuptim dhe vlerë jetës individuale njerëzore. Ai kërkon nga njerëzit një mendësi të re, me thënien: “Ah! Ejani të bëni me mua një gjuhë” dhe kjo duhet kuptuar “para se jeta prej trupit të ndahet”. “Dielli perëndon dhe lind përsëri / Si të ne drita e jonë e shkurtër / Vetëm një herë perëndon”. Poeti nuk mohon jetën tjetër, jetën e amshuar, sepse përndryshe nuk kishte pse të thoshte: “i shmanger rrugës së drejtë që shpije në qiell”. Natyrisht, në poezinë e tij nuk ka asnjë hije asketizmi mesjetar; përkundrazi, ka pozicionim ndaj një problemi aq të rëndësishëm dhe delikat siç është qenia njerëzore e brishtë, por me një pasuri të brendshme të pashtërshme që krijon hapësira të pafund për të manifestuar mundësitë dhe aftësitë e saj.
Mendimi poetik i Tomeut është i hapur e modern. Ai trondit kufijtë e jetës tokësore dhe të amshuar, duke i dhënë kuptim e vlerë edhe asaj që është e shkurtër e do “ta shuaj era o e bardha borë”, por prej saj jeton shpresa e gjallë. Poezia e Nikollë Tomeut, edhe pse i mungon brenga për atdheun që është e pranishme tek poezia e Marubit, ndonëse më shumë simbolike, ka të gjitha dimensionet e një poezie të mirëfilltë që ngrohin idealet humaniste. Kontributi i tij në lëmin e poezisë e plotëson personalitetin e humanistit të shquar shqiptar, që është filozof, përkthyes, astronom, pedagog, njohës i mirë i vlerave të antikitetit greko-romak.
Prof.Dr. Fatbardha Fishta Hoxha
Dërgoi për botim: Besnik Fishta