Seanca e Kuvendit të Kosovës për Presidentin e Republikës pas pauzës që zgjati më shumë se që u dha 15 minuta vazhdoi me paraqitjen e raportit të Komisionit për verifikimin, sipas të cilit u konstatua se të dy kandidatët Thaçi e Rama i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur.Grupet parlamentare të pozitës nuk morën fjalën, ndërsa në emër të grupit parlamentar të VV fjalën e mori kryetari i këtij subjekti, Visar Ymeri, i cili theksoi kundërshtimin e opozitës së bashkuar. Kundërshtimin në emër të grupit parlamentar të subjektit të dytë opozitar, AAK e shprehu deputetja Donika Kadaj Bujupi. Kundërshtimin e vazhdoi në emër të grupit parlamentar Nisma, subjektit të tretë të opozitës së bashkuar, deputeti Zafir Berisha, i cili ftoi të dëgjohen thirrjet e protestuesëve rreth këtij Kuvendi. Lista Serbe nuk deshi të marrë fjalën.
Deputetja e LDK, Melihate Tërmkolli, replikoi me opozitën, e iu kundërpërgjigj Daut Haradinaj i AAK. Shefi i grupit parlamentar të PDK, Adem Grabovci, vazhdoi me replikën duke u shprehur se këtu në institucione mbrohen interest e Kosovës.
Grupi parlamentar Gjashtë Plus i komuniteteve pakicë nuk deshi ta marrë fjalën, dhe seanca vijoi me debat, në të cilin fjala iu dha deputetetit të VV Ismail Kurteshi, i cili kundërshtoi zgjedhjen e Presidentit dhe ftoi të mos votohet.
Në vazhdim fjalën e mori Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, i cili tha “jemi sot në një situatë krize të thellë politike, të shkaktuar nga qeveria dhe sot Kuvendi është para sfidës ta nxjerrë vendin nga kriza duke e cuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme” me mosvotimin e Presidentit.
Deputetja Time Kadrijaj e AAK ritheksoi kundërshtimin e partisë së saj dhe të opozitës së bashkuar, e cila tha se “më e nevojshme për Kosovën sot është moszgjedhja e Presidentit”.
Deputeti Rexhep Selimi i VV tha se i drejtohej nga foltorja e Kuvendit edhe me zërin e masës protestuese rreth Kuvendit dhe kërkoi që “fjalën e vet ta thonë edhe deputetët që janë votuar nga ajo masë kundërshtimi”.