
Artan Nati/
Fundi i një epoke që nuk mbaroi kurrë
Ishte një mëngjes gri i vitit 1985. Në auditor hyri një grua me zë të dridhur dhe sy të përlotur. Me solemnitet të stërvitur njoftoi: “Udhëheqësi legjendar ka ndërruar jetë… por Ai do të vazhdoj të jetojë në zemrat tona dhe të Partisë.” Pastaj, si për të siguruar se udhëtimi vazhdon, shtoi se ai kishte lënë pas një Parti të fortë, një trashëgimi të pacenueshme. Auditori heshti. Ca studentë me lot në sy, të tjerë të hutuar, të ngrirë nga frika apo nga hutimi. Disa ndoshta fshihnin një lehtësim. Pyetja që ndjell frikë u shfaq: kush do të na udhëheqë tani? Dhe më e rënda: do ta marrë vallë me vete gjithë sistemin në varr? Disa ditë më pas, erdhi “lajmi i mirë”: kishim një lider të ri, po aq i fortë, po aq i njohur, po aq… “si Dulla vetë”. Rrota vazhdonte të lëvizte. Portreti ndryshonte, por kulti mbetej i njëjtë.
Që atëherë kanë kaluar dekada. Sistemet janë shembur, flamujt janë ndërruar, por një strukturë e padukshme ka mbijetuar: mentaliteti i njeriut të pazëvendësueshëm. Në Shqipëri, politika nuk matet me idetë që prodhon, por me portretet që përsëriten. Politika nuk është më një garë për të bindur, por një betejë për të dominuar ekranin, pankartën, mitingun.
Prej kohësh, kemi zëvendësuar debatin me spektaklin. Idetë janë zhurmuar nga duartrokitjet e organizuara. Gara nuk zhvillohet më në fushën e vizioneve, por në skenën e imazheve. Jo kush mendon më thellë, por kush dëgjohet më shumë. Jo kush ndryshon strukturat, por kush kontrollon narrativën.
Kjo s’është thjesht një devijim stilistik, është një simptomë e thellë e mënyrës si ne e kuptojmë pushtetin. Në vend që të qarkullojë përmes ideve dhe programeve, pushteti kalon dorë më dorë përmes figurave që rishfaqen si rikujtesa e përhershme e mungesës së alternativës.
Në një demokraci të shëndetshme, mendimi është themeli i sistemit. Por në Shqipëri, ai shpesh trajtohet si zbukurim, si alibi për vendime të marra diku tjetër. Diskutimi është luks. Debati është pengesë. Dhe kështu, politika largohet nga qytetari dhe kthehet në një pronë private, e atyre pak fytyrave që rikthehen, riciklohen, ringjallen.
Nga diktatura e “më të ndriturit dhe të pagabueshmit” te demokracia e “të vetmit pronar të partisë”, Shqipëria ka mbetur peng i një kulture politike që sheh liderin si qendër universale. Debati nuk është për programet, por për personalitetet. Jo “çfarë thotë?”, por “kush e thotë?”.
Por në vitin 2025, Shqipëria nuk ka më luksin të vazhdojë kështu. Vendi nuk ka nevojë për fytyra të reja që përsërisin mendësitë e vjetra. Ka nevojë për politikën si pronë të mendimit, jo si pasuri të portreteve. Duhet ta zhvendosim pyetjen publike:
Jo më “kë zgjedhim?”, por “çfarë përfaqëson ai?”. Duhet të shkëputemi nga mendimi se nqs vjen nga familje e persekutuar, apo gjyshi ka qene zogist apo ballist, ose ndoshta mendon se je i djathtë duhet të votosh patjetër PD-në si e keqja më e vogël. Kjo mungesë respekti për veten, apo se ç’farë do të mendojnë miqtë dhe të afërmit, ky tribalizëm duhet të marrë fund. Nqs nuk të pëlqen asgjë mund të organizohesh me njerëzit me ide të njëjta e të krijosh fraksione apo lëvizje të re. Po ashtu nqs je familje dëshmori, apo famija jote ka qenë e lidhur me regjimin e diktaturës, Ti duhet të jesh vetvetja dhe të besosh e votosh për idetë, të respektosh mendimin dhe idetë e tua. Nuk është herezi të votosh ndërgjegjen tënde, apo të kesh mendim ndryshe nga të afërmit. Është respekt për vetveten, sepse nuk jemi pjesë e mekanizmit, por individë. Respekti dhe dashuria duhet të jetë ndaj individit, individualitetit dhe ideve. Jo më idesë së grupit dhe liderit të pagabueshëm, nqs ne kemi respekt për veten tonë. Jo më “kush na frymëzon?”, por “kush na përfaqëson realisht?”. Jo më “a duket i fortë?”, por “a mendon me ndershmëri?”.
Le të kujtojmë Sami Frashërin: “Një komb pa mendim është si një trup pa shpirt.” Nëse nuk guxojmë të mendojmë ndryshe, do të mbetemi peng i së njëjtës frymë që ndryshon vetëm emrin, por jo thelbin.
Kur dorëheqja është shpëtim, jo tragjedi
Në Shqipëri, dorëheqja, ky akt qytetar i përgjegjësisë, nuk shihet si një shenjë force morale, por si një turp. Historia jonë politike, nga bejlerët te diktatorët, ka formuar një koncept të çoroditur për liderin: ai nuk përfaqëson popullin, por është “i zoti i shtëpisë”, që nuk pyetet, por urdhëron. Në politikën shqiptare, dorëheqja nuk perceptohet si një akt qytetarie, por si një katastrofë personale dhe kombëtare.
Shikoni skenën politike shqiptare: Sapo përmendet fjala “dorëheqje”, nis drama. Lideri ofendohet, e merr personalisht, e sheh kritikën si sulm dhe kërkesën për largim si atentat ndaj kombit. Ai nuk lë pas një hapësirë të lirë për ide të reja, por një shkretëtirë që vetë e ka krijuar me vite, ku askush tjetër nuk është lejuar të rritet. Në këtë boshllëk, projektohet fantazma e “të pazëvendësueshmit”. Rasti më i dukshëm është perceptimi popullor: “Po iku Rama, çfarë bëhet me vendin?” ose “Po doli Berisha, kush mbetet?” Kjo nuk flet për madhështinë e tyre, por për dështimin e një sistemi që ka vrarë alternativën. Sepse aty ku dëgjohet vetëm zëri i kryetarit, gjithçka tjetër është heshtje servilësh, mediokriteti, rrethit të ngushtë që flet vetëm për të lavdëruar dhe asnjëherë për të sfiduar. Kjo nuk është politikë moderne Partitë janë kthyer në klane që ngjajnë më shumë me organizata mafioze sesa me struktura demokratike. Ato nuk prodhojnë ide, por besnikëri. Jo platforma, por duartrokitje. Jo të rinj të lirë në mendim, por gjenerata të tëra që mësojnë artin e rreshtimit dhe frikën nga “tradhtia”. Në këtë klimë, dorëheqja shihet si fundi i botës, kur në fakt është fillimi i një bote të re. Sepse lideri që nuk lejon zëra ndryshe nuk ndërton të ardhmen, ai mbjell frikë dhe varfëri mendore. Ai nuk lë pas një brez, por një shkretëtirë.
Prandaj, dorëheqja është një akt emancipues. Është ndarja nga egoja dhe kapja pas idesë. Është çasti kur pushteti nuk është më pronë private, por një shërbim publik. Është prova se një shoqëri ka filluar të besojë te tjetri, te zëvendësimi, te ideja që askush nuk është Zot i përhershëm. Nëse Shqipëria do një politikë ndryshe, duhet të fillojë nga kjo pikë: Të çlirojë liderin nga miti i përjetësisë dhe shoqërinë nga kompleksi i pafuqisë. Se vetëm atëherë, pushteti bëhet instrument i vizionit dhe jo zgjatim i egos.
Shembulli i Lapajt është ilustrues:
E nisi me shumë energji, fjalë të forta dhe premtime për ndershmëri. Por, me kalimin e muajve, mbështetësit nisën të ndihen të zhgënjyer. Retorika populiste e humbi fuqinë. Pyetjet u shmangën. Aleancat u bënë të paqarta. Dhe më e rëndësishmja: perceptimi publik u zbeh, sepse në një sistem ku qytetarët janë të lodhur nga fasadat, çdo lëkundje në integritet peshon shumë. Ai kërkon të falur, por fajin ja faturon Shabanit, apo sistemit etj. Lapaj e humbi shancin të tregohet i përulur dhe të marrë përgjegjësi. Në politikën tonë, faji është gjithmonë diku tjetër. Kur dështojnë, liderët tanë fajësojnë armiqtë, opozitën, sistemin, kohën, por rrallëherë shohin veten në pasqyrë. Në vend që të pranojnë gabimet, i paketojnë si suksese. Në vend që të kërkojnë ndjesë, shpikin komplotë. Por nëse vërtet duam një politikë moderne që sjell konkurencë idhesh, është koha të ndezim dritën e mendimit dhe të fikim projektorët e kultit personal. Krenaria që nuk lë vend për përulësi është vetëm një maskë. Dhe në një shoqëri që kërkon drejtim të ri, përulësia nuk është dobësi, është akt revolucionar, Sepse Shqipëria ka nevojë për ide që ndriçojnë, jo për portrete që verbojnë.