
Fitim Zekthi/
Shqipëria ka një klasë politike tmerrësisht të korruptuar. Sistemi politik i ndërtuar prej saj, prej më shumë se tre dekadash, ka krijuar gradualisht një sistem të mbyllur, i cili qeveris në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe me biznesin klientelist që përfiton rentat, kontratat dhe privilegjet e të mirave publike. Sasia e pushtetit, e parave dhe e fuqisë për dhunë, kërcënime apo shantazh që zotëron kjo klasë politike është e frikshme. Gjatë këtyre tre dekadave, ajo ka ndërtuar një nga ambientet ose habitatet me pandëshkueshmërinë më të madhe, jo vetëm në Ballkan, por në gjithë hapësirën nga Rusia deri në Paqësor. Drejtuesit e kësaj klase politike janë, pa dyshim, ndër më të pasuruarit në ndonjë vend. Fakti që kjo klasë politike, politikanët e saj të lartë, drejtuesit qeveritarë apo ish-qeveritarë, sulmojnë egërsisht SPAK-un dhe GJKKO-n tregon jo vetëm që ata për herë të parë po preken, po ndihen të prekshëm dhe të hetueshëm, por edhe që SPAK-u është në anën e së drejtës.
Sado dobësi që të ketë SPAK-u dhe GJKKO-ja, dy institucione të vogla përballë ngrehinës tredekadëshe të pushtetit gjigant e korruptiv, të paprekshëm deri tani, janë në anën e drejtë. E drejta nuk mund të jetë kurrë në anën e një klase korruptive tredekadëshe, që ka masakruar ligjin, rendin, pronën dhe paranë publike pa mëshirë, kur kjo klasë nis më në fund të hetohet nga një prokurori apo gjykatë që për herë të parë në këto tre dekada nuk janë emëruar prej saj. Ky kor i tmerrshëm i klasës politike kundër SPAK-ut tregon vetëm fuqinë, pushtetin dhe korrupsionin e kësaj klase. Ky kor do behet edhe me i eger, bashkepunimi i tij mes vedi me i hapur dhe klasa politike do sillet plotesisht si nje parti e vetme. Ajo luan gjithçka, në lojë ka lekuren, parate, historine e saj. Mjere njerezit e gjore qe jo vetem jane rregjuar prej vjedhjes por duhet te durojne edhe luften e politikes kunder SPAK qe qenka, sipas tyre, organizatë terroriste kundër kombit.