Nga Fadil LUSHI/
Ky Rufati nga Tetova, që e kam shok nga fëmijëria ime, një ditë më mori në telefon për të më thënë diçka. Çuditërisht nuk e zgjati muhabetin, i ra “shkurt telit”, sepse u “tut” se po ia përgjojnë llafet. Se ç’llafe ishin nuk e kuptova dot. Erdhi me vrap në zyrën time. Ishte mbushur me frymë dhe, ende pa u ulur në ndenjësen e gjerë dhe të butë (të cilën, sa herë më viziton, aq herë e koncepton si kolltuk berberi), pos të tjerash më tha: “Ti miku im që merresh me “thashetheme”, hap veshët dhe më dëgjo me vëmendje! Më lejo që për shkrimin tënd të radhës të të sugjeroj një ide frytdhënëse, andaj do të ishte mirë që një pjesë të kësaj ideje ta hedhësh në të”. Tërë sy e veshë, ia ktheva: ”Po hajde, or qerrata, pa ma thuaj idenë që e bëre tërkuzë!? “Ja, po ta shpjegoj unë!”, vijoi ai duke më thënë mes të tjerash: “…, nuk është keq që në opinionin në vijim t’i përdorësh foljet, siç janë – ngul e shkul”(!?). Hajde mendje, hajde! Ç’më polli belaja me këtë gjysh “belaqar!”. Po si do e bëj këtë punë! A mos vallë do më duhet që këtij shkrimi t’ia ngul gozhdën, vallë do më duhet t’ia ngul hunin, ose do më duhet t’ia ngul shtyllat, apo do t’ia ngul kazmën, po do t’ia ngul thellë a cekët, do e rëndoj me forcë, e të tjera “ngulje”(!?). Vallë ky vështrim do të ketë “takat” që t’i durojë gjithë këto “ngulje”…. Hajt, ta marrim me mend, se këtij shkrimi do t’ia “ngulim të tërat”, por ama pastaj si do t’ia shkulim hunin, gozhdën, “thashethemin a sajimin”, do t’ia shkulim gardhin, thinjat e tjera të tilla që ndoshta nuk i meriton t’ia shkulësh. Meqenëse për një moment më “vajti” mendja te “Gomari i Buridanit”, mikut tim ia parashtrova mëdyshjet e mia: “Ja, po themi se do të veproj ashtu si më sugjeron, atëherë ku do më dalë ky shkrim…, po edhe sikur ta bëjmë këtë, a mendon se e gjithë kjo do t’i hyjë në punë dikujt…, po kujt i plas e gjithë kjo vaki, kush është ai lexues që do të çajë kokën për këtë!?“… “Po, po!”, ma ktheu, “Ka të tillë që u plas…,” Pastaj e pyeta se kush janë ata. “Janë sehirxhinjtë dhe ata që para se të bëhen atdhetarë, ashtu padrejtësisht parapëlqejnë të bëhen nacional-shovinistë provincialë, folkpatriotë a edhe burra që rrahin gratë e tyre kur ato ua vonojnë çorbën e sabahit”(!?). M’u duk ide e mirë, por ama, thashë, sikur këtij shkrimi t’ia kisha “futur” foljet ngul e shkul, a thua vallë do të bëhej hataja!? Besoj se jo. Pavarësisht se kjo punë a mesele mund të na “sjellë ndonjë ngatërresë”, vendosëm që këtij shkrimi, të mos ia heqim foljet e lartpërmendura me qëllim që t’i “japim frymë” paragrafit në vijim.
Mes një pazari të shehrit, ku nuk ka rend, e ku ka sa të duash hallakamë mendimesh gjithsesi të shtrembëruara dhe ku ka ca mallra “paksa të veçanta” që shiten nën dorë, ishin ngatërruar dy shqiptarë me profesion prej gazetari. Ata që i njihnin për së afërmi thoshin se që të dy kishin “zbritur nga fshati” para një çerekshekulli dhe ishin sistemuar pranë “vendalinjve” të cilët u kishin “hipur sipër” dhe i “mbanin nën tutelë”(!?). Muhabeti i tyre kishte filluar me “ngul e shkul”. I pari, ishte arsimuar në oksident dhe hiqej me kulturë katolike , kurse i dyti, karakterizohej me“tabiate” orientale. Origjina fetare e të të dyve konsistonte me islamin. Njëri prej tyre kishte devijuar pak nga “fiqiri!”. Si duket nuk merreshin vesh më zë të ulur andaj, kishin “vendosur” të ngritin tonet duke menduar se ashtu do t’i vinin pikë konfliktit mes tyre. Edhe përtej kësaj, asnjëri nuk e kuptonte tjetrin, ndonëse që të dy flisnin me atë dialektin e tyre krahinor, njëri me pak theks anglez e tjetri me atë turk. Njëri ngulte hunin, tjetri shkulte gardhin dhe kështu vazhduan të ofendohen si kalamajtë e mëhallës së… Njëri i tha se ç’pat me atë dhe me mbiemrin e tij…, kurse tjetri i tha se nuk u bë hataja…, po të marrë mushkën dhe t’i ngarkojë drutë…, po të mos harrojë e ta lërë vetë atë, po të shkojë t’ia tregojë rrugën…, pastaj tjetri i thotë që të marrë gomarin dhe t’ia ngarkojë mendtë e tij!? Ky “orientalisti” sikur qenkësh ndier i ofenduar pse ky “shqiptari evropian” i ishte drejtuar me atë fjalinë: “Ik o anadollak dhe qeleshexhi i Perandorisë Otomane”(!?). “Anadollaku” nuk ia paska vonuar “xhevapin” duke i thënë: “Ti i përngjan asaj letre tualeti të prodhuar diku në Evropë”(!?).
Një i moshuar që ishte dukur atypari dhe që hiqej si puro shehërli i vjetër, u paska hyrë ndërmjet me qëllim që t’i qetësojë “gazetarët e ngatërruar” (Stërgjyshë-rit tanë dikur moti kishin thënë se ku janë dy vetë, mos u bëj i treti). Ky “shehër-liu“ që kishte rastis ta dëgjonte këtë “muhabet ngul e shkul”, i kishte pyetur për “sebepin” e kësaj ngatërrese. Njëri që dukej më “fodull dhe që çante trapin, po edhe që i binte fyellit në një vrimë”, i përgjigjet “… e gjithë kjo mesele ka të bëjë me bombat, gjegjësisht me skandalin e përgjimeve “të prodhuara nga ana e kryeparit të partisë politike maqedonase në opozitë”(!?). Shehërliu tha: “Po çfarë të keqe ka këtu!?” Që të dy ashtu në kor dhe ashtu me një zë, ia kthyen: “Të gjitha këto përgjime dhe bomba janë njënacionale…, përse nuk ka një bombë edhe për ne shqiptarët”(!?). Eh, ju “axhaminjtë e mi”, po ç’na duhet bomba e Zaevit, kur ne kemi një të tillë tonin, ua ktheu “shehërliu“.
Para se ta përfundojmë ne këtë “muhabet ngul e shkul”, do ta lakojmë atë meselenë e fshatarëve të cilëve dikur moti mbreti u kishte dhuruar një elefant.., por ama elefanti si elefant, u kishte bërë shumë “zullume”. Një ditë, fshatarët kishin vendosur që të shkojnë te mbreti për t’ia shpjeguar “dertet” e tyre. Fshatarët, kishin emëruar kryeplakun e katundit i cili do t’i rrëfehej mbretit për shqetësimet e tyre. Por ama gjatë rrugëtimit, numri i fshatarëve kishte filluar pak nga pak të “shterej”…, dhe në fund kryeplaku kishte mbetur vetëm. Dhe kur futet në oborr, mbreti e pyeti: “Ç’hall të solli këtu?” Kryeplaku i kishte thënë: “Lartmadhëria Juaj, bashkëfshatarët e mi, kërkojnë prej jush t’ua sjillni edhe dy elefantë”(!?)
Ky Rufati, që nuk është i kompleksuar e as i frustruar, para se të ikte më pyeti: “Hë, mor jaran, pa më thuaj kujt do t’ia “ngulësh“ këtë shkrim?!” Ia ktheva – ideatorit!?