Bajram Mjeku/
Në tetor të vitit 2007, autori i këtyre radhëve vizitoi Mbretërinë e Bashkuar. Sipas protokollit ishte ftuar të ligjërojë znj. Samantha Cohen, sekretarja për Shtyp e Mbretëreshës Elizabeth në Buckingham Palace. Prania e saj shkaktoi ndjesi të veçantë. Gjithë jetën më kanë intriguar mbretëritë e botës, por asnjëra më shumë se anglezja në Ishull dhe shqiptarja në Gadishull, derisa kjo e fundit ishte më jetëshkurtëra në Gadishull pas Mbretërisë malazeze.
Sekretarja për Shtyp, një zonjë e zgjuar dhe e hijshme, pamja e së cilës i shkonte aq shumë shkëlqimit mbretëror, foli me elokuencë për Mbretërinë angleze, ndër më të vjetrat e qytetërimit evropian. Erdhi radha të flas dhe në fund bëra një sinopsis për dhjetë vjet të Mbretërisë shqiptare në Gadishull. Fjala u mbyll me migrimin e çiftit mbretëror shqiptar dhe suitës së tij, e cila një kohë kishte jetuar edhe në Londër dhe kurrë s’u kthye në atdhe. Sekretarja për Shtyp në fillim u habit, pastaj pyeti:
– Familja juaj mbretërore ka jetuar në Londër? Pse kaq jetëshkurtër, si ndodhi kështu?!
Mbretëria shqiptare ishte e paafirmuar. Në dhjetë vjet ekzistimi të saj, më shumë se mbretëri është parë me përbuzje në Gadishull. Një popull me shumicë analfabete, i rrethuar me armiq qindvjeçarë dhe vetëm me 16 vjet shkëputje nga Perandoria Osmane, zor të kuptonte Evropën dhe t’i ngriste skelat për evropeizimin e Shqipërisë.
Mbretëria shqiptare kalonte stinën e vetmisë së gjatë. Çatin Saraçi, këshilltar politik i mbretit Zog thotë se kur Mbreti dëgjonte se në hotelet e Tiranës ishte akomoduar ndonjë vizitor i huaj, të cilëve më shumë se kurreshtja për të vizituar Shqipërinë u kishte rënë rruga të preftonin, Zogu dërgonte shpurën e tij dhe i ftonte për të biseduar me nge në Pallatin Mbretëror.
E injoruar nga mbretëritë ballkanase dhe e papërfillshme nga ato evropiane, shqiptarja sikur u tund nga përgjumja e madhe. Në fund të vitit 1930, dijetari dhe filologu kroat, Milan Shuflaj u ftua të vizitojë Shqipërinë. Akademia e Vjenës i kishte propozuar të vazhdonte botimin e tretë të Acta Albaniae. Dijetari kroat u prit solemnisht nga mbreti Zog dhe kryeministri, Pandeli Evangjeli. Në janar të vitit 1931, Shuflaj para deputetëve në Parlamentin shqiptar, shpalosi projektin e Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia dhe të Historia e Shqipërisë. Parlamenti shqiptar urdhëroi Qeverinë që në llogari të Shuflajt të derdhte shumën prej 75 mijë franga ari, që sot është e barabartë me rreth 4 milionë dollarë amerikan. Shuma ishte e madhe për Shqipërinë e varfër.
Historia e Shqipërisë nuk u shkrua. Një muaj më vonë, organizata terroriste Mlada Jugosllavia kreu atentat kundër Shuflajt. Atentati ndodhi derisa Shuflaj kthehej në shtëpinë e tij në Zagreb. Atentatorëve pak ditë para aktit, u kishte mbajtur leksion politik mbreti serb, Aleksandar Karagjorgjeviq. Atentatorët në fillim i dërguan Shuflajt letër kërcënuese, pastaj e vranë. Shefi i atentatorëve Branko Zverger, nëntë vjet pas atentatit përfundoi në çmendi. Shuflaj i emocionuar, projektin shqiptar e kishte biseduar me studiuesit serbë, prandaj u dekonspirua dhe i kushtoi me jetë. Një histori afirmative për shqiptarët dhe Shqipërinë, ishte kërcënim për serbët dhe Serbinë.
Paradokseve shqiptare nuk u dukej fundi. Katër vjet më vonë, botuesi amerikan Robert McBride në Nju Jork, i propozoi diplomatit shqiptar, Faik Konica të shkruante historinë e Shqipërisë. As Konica nuk e mbaroi. Pa provuar paragjykime, historia e Konicës do të ishte më e arrirë se e kroatit Shuflaj. Konica ishte erudit i madh dhe kishte dije të jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë dhe Gadishullin e Madh. Projekti nuk iu dha, pse mbreti Zog kishte smirë ndaj tij. Trembëdhjetë vjet Konica ishte ambasador fuqiplotë i Mbretërisë Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por marrëdhënie normale nuk patën kurrë. Projekti për historinë e Shqipërisë doli të jetë ters. Shuflaj u vra pse nisi të shkruante historinë e Shqipërisë dhe Konica nuk e përfundoi pse bënte jetë mondane dhe ndjehej i harruar.
Serbia më shumë se të ngulfatur, Shqipërinë e donte të vdekur përballë Evropës. Atentati ndaj Shuflajt e faktoi këtë. Kur serbët bën atentat në dijetarin kroat, që Shqipëria të mos kapërcente jashtë Gadishullit, për habinë e të gjithëve bënin të kundërtën për veten. I ashtuquajturi krah zenitist kërkonte “ballkanizimin e Evropës”. Ky krah, anarkist në formë e përmbajtje, përfaqësonte misticizmin e çuditshëm midis pansllavizmit dhe dekadentizmit rus dy shekuj më parë.
* Këtë ese e publikoj për nder të Mbretëreshës Elisabeth me rastin e 70 vjetorit të mbretërimit të Saj.