Tregim nga Fation PAJA/
1.
Ishte mesditë dhjetori. Një kohë e kthjellë me erë të forte, që s’të linte të shkoje rrugëve i shkujdesur si zakonisht. Era e kishte ftohur mjaft atmosferën. Vitet e fundit ndodhte shpesh që pas saj të fillonte shiu. Në repartin “N” efektivi i kuadrove ndodhej në sallën e mbledhjeve. Bekim Lira, komandanti i njësisë, po drejtonte një analizë pune me shtabin. Ai po referonte me ton të prerë dhe herë pas here hidhte vështrimin nga kolegët. Ishte rreth të dyzetepestave, trup imët, me flokët të rëna mbi ballë dhe të prera shkurt. Në shoqëri reflektonte kulturë të gjerë dhe urtësi në mendime. Ngaqë vuante prej diabetit, shpesh gjatë ligjërimit bënte pauza të shkurtëra për të njomur buzët. Gjatë fjalës së tij mbisundonte një heshtje e plotë në sallë. Befas u ndjenë disa të trokitura në derë. Të gjithë kthyen kokën pas si me komandë.
-Hyrë! -ndërpreu fjalën Bekimi. Në njësi të gjithë ia njihnin “zakonin”, në mbledhje nuk dëshironte ta ndërsnin qoftë me telefona, qoftë dhe me të trokitur në derë. Me butësinë, sikur të hynte prindi në dhomën e motakut në gjumë, hapi derën Asimi, oficeri i shërbimit në shtab. Ata ishin të një moshe e së bashku kishin qenë në shkollat ushtarake. Dhe ja, pas plot dhjetë vjetësh janë përsëri bashkë.
-Më falni, zoti komandant, -mundi të bëlbëzojë Asimi dhe sakaq i bëri shenjë t’i afrohej.
Bekimi uli syzet, të cilat i përdorte për të lexuar e shkruar, i vendosi mbi tavolinë dhe paksa i mvrenjtur në fytyrë iu afrua.
-Hë, more Asim, ç’është?! -e pyeti duke mbyllur derën pas vehtes.
-Po ja, e kam pak të… -s’po përqëndrohej e kthjellohej para shokut të tij të rinisë.
-Nxirre të shkretën, ç’ka ndodhur?! -s’iu durua Bahriut. Nga mënyra si erdhi dhe si po i ngatërroheshin fjalët nëpër buzë, ndjeu se diçka e rrëndë mund të ketë ndodhur. “Jo Asim, vetëm për vrasje nuk dua të më thuash tani?!” Me vështrimin e ngulttë në fytyrën e përskuqur të vartësit kërkoi të mësonte sa më shpejt ç’kishte ndodhur.
-Po ja o komandant, -mori frymë thellë e pa e zgjatur hyri drejt e në temë, -duhet ta lini mbledhjen… Më morën nga spitali për…
-Kush ishte?! Kur kështu?! Për mua?! -ngriti në çast një mori pyetjesh gjithë ankth e për t’u siguruar se Asimi erdhi për të shtoi, -Mos është Monda! Hë-fol?! -fytyra i morri tjetër ngjyrë.
-Jo Bekim, jo. -uli sytë Asimi. Ai mezi po përballej me një fakt të tillë aq prekës. S’i bënte zemra të nxirrte atë fjalë nga goja. Por ja që duhej të mblidhte jo vetëm vehten e tij, por t’i jepte kurajo dhe eprorit. -Është Stiljana! -mërmëriti gati në humbje të zërit.
-Ssssi, si the?! Mos nuk e dëgjove mirë, o Asim? -e trembi jashtë mase pëshpëritja e emrit të vajzës së vogël nëntë-vjeçare. -Mbrëmë gjithë natën kisha Mondën sëmurë, e di ti vëlla, nga ai i shkretë tension. Ç’ne vajza?! Vërtetë?! -humbi në vetvete ai.
-Stiljana, po-po. Nga spitali na mori mësuese Zana. -ai bëri një fraksion të sekondës një pauzë të shkurtër dhe i spjegoi shokut mbi gjendjen e rrëndë të të bijës gjatë mësimit. -E ka sjellë menjëherë në urgjencë.
-Siii?! -nuk po u besonte veshëve nga ç’po dëgjonte gjithë këtë gjëmë thuajse brenda një minuti pas derës së sallës së mbledhjeve. Në moment iu errën sytë. Një ngërç iu mblodh në fyt dhe gati sa nuk ra në dysheme. U mbajt fortnë krahun e shokut. Për t’ia lehtësuar paksa barrën e rrëndë atë çast Asimi, tashmë si vëllai vëllait i flet me zë të ulët:
-Koha nuk pret. -e shtrëngoi në krah shokun për ta shkundur nga ajo mpakje që e kishte pushtuar. -Të lutem shpejto. Makina po ju pret poshtë. -porositi e shkoi në zyrën e shërbimit.
Bekimi s’kish ç’të priste më, u mbush me frymë e hyri brenda. Në fytyrën e tij shprehej qartë që diçka e rëndësishme kishte ndodhur. Mori syzet dhe iu afrua shefit të shtabit.
-Vazhdoni ju Bardhi. Duhet të shkoj urgjent në spital, -buza nisi t’i dridhej, -kam vajzën në… -ngriti dorën, i përshëndeti dhe me hapa të shpejtë doli.
Gazi “69-të” kapërceu gjithë zhurmë postbllokun e repartit duke lënë pas një re pluhuri që e shoqëroi gjatë gjithë luginës derisa hyri në rrugën nacionale. Vetë Bekimi e dinte si e bëri atë udhëtim deri në spital. I gozhduar në sendile dhe me duar të kryqëzuara në gjoks mundohej të përmbahej. Gati po i dilte zemra nga të rrahurat e shpeshta të zemrës. Brenda pak minutash ishte kthyer në njeri i heshtur, i demoralizuar. Pinte cigaret njera pas tjetrës pa shkëmbyer asnjë fjalë me mikun e tij. U përmend kur frenoi makina.
-Maksi, shko ti, nuk i dihet sa do zgjasë puna ime! –përshëndeti shoferin dhe me hapa të nxituara iu drejtua dhomës së urgjencës.
Një prej infermjereve e shoqëroi në katin e dytë, ku nuk kishte as gjysmë ore që e kishin sjellë në dhomën me numrin “6” –të vajzën. Në shtratin pranë dritares, vuri re Mondën, të shoqen, bërë thuajse njësh me të bijën. Stiljana, dhe në atë gjendje “koma” siç ndodhej, dukej si një engjëll. Pasi u njoh nga e shoqja me gjithshka rreth sëmundjes, vështroi për disa sekonda portretin e saj. Nuk i lëvizte asnjë nerv. Nën efektin e qetësuesve ajo kishte rënë në një gjumë të thellë. Mondës iu kyç goja. Në gjoksin e tij kishte mundur të shpërthejë në dënesje dhe kishte bëlbëzuar vetëm “Po na ikën vajza…?!” Menjëherë pas saj ishte platitur mbi shtrat. Ai shkoi pranë dritares dhe me cigaren e pandezur ndër gishtërinj u mbështet në parmak dhe treti vështrimin nga perëndimi i qytetit. Tek po mendonte për hallin që e kishte zënë, në dhomë hyri infermjerja e turnit, Merita, e cila pyeti për prindërit e Stiljanës. Monda, sikur të zgjohej prej një ëndre, brofi menjëherë në këmbë dhe njëkohësisht iu afrua.
-Unë… neve jemi, -ktheu kokën nga i shoqi, -si… -deshi ato çaste të mësonte diçka rreth gjendjes së të bijës.
Merita, gojëkyçur në raste të tilla, u buzëqeshi dhe i ra shkurt.
-Ju kërkon doktor Vehipi në dhomën e mjekëve. -instiktivisht shkoi pranë dritares e uli perden të mos i binin në sy rrezet e diellit vajzës, -Më ndiqni, ju lutem! –u foli dhe i priu duke ecur pa shtuar asnjë fjalë tjetër në koridorin e boshatisur të katit. Trokiti në derë dhe priti një moment. Ishin sekonda torture për të dy palët. Nga njera anë Merita, e emocionuar për atë që i priste prindërit e vajzës, nga ana tjetër tejet të tensionuar dhe të befasuar Bekimi me të shoqen për fatin e së bijës, të cilët të heshtur po shkonin të mësonin të vërtetën.
Në dhomën e mjekëve, doktori, një mesoburrë thatim, me pak thinja përqark veshëve e me gropëzat e syve të thella, u ngrit zhurmshëm nga karrigia, la syzet mbi tavolinë dhe me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë duke u prezantuar me ta u bëri shenjë të uleshin.
-Merita, -iu drejtua asistenses, -të lutem mos lejo të na shqetësojë njeri! –priti sa ajo doli jashtë, bëri disa hapa në dhomë dhe u kthye nga të sapoardhurit. Prej mëse dy vjetësh ishte shef i pavionit të neurologjisë, doktori për të fituar disa sekonda kohë të përmblidhte mendimet, futi dorën në xhepin e përparëses së bardhë e nxorri paketën “Slims” dhe çakmakun.
-Të më falni, bashkë s’na ka rënë rasti të njihemi, -hapi bisedën duke i zgjatur të merrte një. Si e ndezën, tymosi paksa gjatë duke ecur nëpër dhomë i heshtur, mori frymë e shtoi, -Zoti Bekim, -zëri po e tradhëtonte para miqve, -e vizituam gjatë bijën Tuaj, -dhoma iu zvogëlua ndër sytë e lodhur nga vizitat e ditës. Veç detyrës si mjek atij i duhej t’u fliste edhe si prind, por edhe si vëlla, pasi ishin gati të një moshe bashkë. -pa dashur t’u rrëndoj para kohe mendoj se kemi të bëjmë me një rast të rrallë të shfaqur në një moshë të tillë. -Vendosi grafinë e sapo dalë në dritë dhe e vështroi gjatë. -Në gjuhën e përditëshme jemi mësuar ta shqiptojmë si një paralizë, por në vetvete kemi të bëjmë me diçka më shumë se aq. Këtu me aparaturën që disponojmë, nuk mund të ndërhyjmë a të bëjmë eksperimente. Megjithatë ky nuk është konstatimi përfundimtar. –lëvizi karrigen dhe u ul karshi tyre.
Bekimit në moment i bie nga gishtërinjtë cigarja. Rajmondës, e cila mezi kishte shkuar në punë e ende s’e kishte marrë vehten nga sëmundja e saj, i iku gjaku nga fytyra, por s’reagoi.
-Vajza është tepër e njomë. -përqëndroi qetësisht vështrimin dr. Vehipi në sytë e lagësht të tyre. -Nga analizat paraprake që i bëmë si edhe nga kjo grafi rezulton se ka shumë mundësi të mos i funksionojnë si duhet damarët e gjymtyrëve të poshtme. -heshti për një farë kohe. U ngrit e pasi eci nëpër dhomë duke thithur cigaren vazhdoi sqarimin e tij, -Në sistemin qendror nervor një nerv ka mundësi t’i jetë dëmtuar. Ky është vetëm një obsion i imi tani, nga çpo vërejmë këtu, -ktheu kokën tek grafia e ndirçuar në mur. -Por është ende herët për të dalë në një përfundim të tillë. –u mundua të tregohet sa më i qartë me ta. -Na duhet të bëjmë akoma dhe disa analiza të tjera specifike, prej të cilave do dalim në një konkluzion. Gjithashtu po u them se sapo mbarova bisedën në telefon me Pr. Yllin në Tiranë. E njoha me problemin dhe e lame të zhvillojmë disa konsulta me të. Kjo do t’i marrë pak kohë Stljanës së vogël.
-Ju mendoni se…
-Sikundër u thashë pak më parë, -ndërhyri doktori tepër i qetë, -Ne dhe Ju duhet të ndihmojmë vajzën ta përballojë me pak durim këtë situatë. Pak kurajo dhe shpresë besoj duhet të bëjmë për hir të saj, apo jo?
-Ju faleminderit doktor. -disa pika lotë i shkanë nga sytë Bahriut duke u ngritur. Nuk e prisnin një përfundim të tillë për të bijën. Po ja, sëmundjet nuk pyesin kur vijnë në organizëm, ashtu sikundër nuk mbajnë rradhë moshe. E ndjeu se Monda po lëkundej, e kapi nga krahu dhe duke u sforcuar që në sy të tjetrit të mos e jepnin vehten, qëndruan para tij pa lëvizur. S’ishte e pakët ajo që po dëgjonin.
Doktori, me urtësi dhe falë experiencës së gjatë, u dha disa porosi të nevojshme për përballimin e situatës së krijuar, i shoqëroi deri pranë dhomës ku ndodhej e bija e pasi u nda me ta, vazhdoi vizitat ne dhomat e tjera.
Nga dritarja hapur gati përgjysmë hyri një fllad i lehtë duke freskuar mjaft dhomën. Po afronte ora tre e pasdites. Bekimi ndjeu pranë krahun e të shoqes, një krah të rrëndë, në mbajtje të ekuilibrit. Pa u kthyer nga ajo e ndihmoi të ulej në fund të shtratit të të bijës. Për një moment as vetë s’e kuptoi si i shkanë nga sytë dy pikëza loti dhe i mbetën nën qerpik, si dy sumbulla të ujshme jashtë diktatit të qendrës së rrëndesës. Ai kurrë në jetën e tij, megjithëse kishin ndodhur disa vdekje në familje, nuk kishte derdhur lotë. Po ja, qenka e thënë që vjen një ditë dhe burri u dorëzokërka. Vallë këtu fillon ç’burrëria tek njeriu? Kur bëhet fjalë për fëminë, aq më shumë për moshën aq të njomë, as që mund të mendohet si i tillë. Përkundrazi, e ndihmon në çlirimin nga mpirja totale që e pushton ato momente. E përgatit për sfida të mëdha. E bën më të prekshëm ndaj realitetit që rrethon. Ata lotë i dukeshin sikur po e shpinin në një buzë gremine, ku vetëm një prekje, a ndoshta një thirrmë e së bijës aq fare pranë, do ta zhysnin thellë e më thellë honeve të harresës. “Babi erdhe, -iu bë se dëgjoi zërin e hollë të së bijës, -m’i jep kapelen dhe xhaketën t’i var në varëse! Tani jam e rritur, vetë më ke thënë që pas mësimeve të bëj edhe punë shtëpie për të ndihmuar mamin. Apo s’është kështu?!… –mbylli sytë. Instiktivisht u kthye nga shtrati ku dergjej e bija. Nuk donte të largohej nga ëndra. -Ah shejtane, avash se më njome faqet nga të puthurat! Lermë tani, jam i lodhur sot. Bëmë një kafe t’më qetësosh….!” –kur hapi sytë ç’të shihte, nga vijëzat e lotëve të shkarë Stiljanës i ishte njomur jastëku. Vuri duart në supet e rënë të së shoqes dhe në moment iu bë një lëmsh në fyt, iu bë të vinte kujën. Shtrëngoi nofullat ta përballonte situatën e me shami fshiu dy pikëzat e lotëve të shfaqej para vajzës ai baba që ajo njihte. “Bekim, mbahu o burrë i dhéut! Nuk je i pari?! -iu drejtua vehtes nën zë. –Në vend t’i japësh forca të qetësosh Mondën e pamundur dhe çupën ti vete e dorëzohesh…! Çfarë ndodhi s’kthehet më, tani të përballojmë çdo na dalë përpara…!” Monda e ulur pranë kokës së të bijës kishte harruar dhimbjen dhe pagjumësinë e saj. E përqëndruar në fytyrën njomëzake të vajzës me kujdes i përkëdhelte dorën e shtrirë nën efektin e serumit.
-Monda, -iu afrua Bekimi të shoqes. Ndihej tepër i lodhur -po shkoj të marr diçka për të ngrënë. Të të sjell dhe ty?
-Jo, s’dua gjë… vetëm një ujë po munde. Nuk e di, pse po më thahen buzët. Mos u vono, mbase përmendet Jana. -lëvizi kokën dhe paksa e hutuar e shoqëroi të shoqin derisa doli.
Brenda disa minutave kishte ndryshuar koha. Në qiellin e murrmë retë e ngarkuara po zbraznin një shi të imët dhe me erë të lehtë. Monda ndjeu lagështi në dhomë. U ngrit të mbyllte dritaren e hapur. Në xhamat e saj trokëllinin pikat e shiut nën një ritmikë lodhëse. Poshtë dalloi siluetën e të shoqit duke nxituar për në kafenenë përballë portës kryesore. Me vështrimin nga ai në çast mendja i shkoi tek Agroni, djali i saj i vogël. Po afronte ora e mbarimit të mësimit për të. Me pëllëmbë fshiu xhamin e veshur nga fryma e saj. Kur i shoqi kapërceu portën u kthye dhe u ul përsëri pranë së bijës. Dhe pse kishte porositur Tritanin, djalin e madh, të merrte vëllanë, atë s’e mbante vendi. Instiktivisht dalloi të shkiste nga sytë e Stiljanës një rrëkezë loti, e njëherësh një dridhje e lehtë e gishtërinjve të dorës. Monda iu afrua edhe më pranë.
-Babi… mami kuuu jaaam? -puliti sytë dy-tri herë dhe zgjati dorën e djathtë në ajër. Nuk kishte asnjë pikë fuqie ta mbante lart, e lodhur i ra mbi batanije. Mërmëriti disa fjalë turbullt e u zhyt sërisht në përgjumje.
Mondën kjo mërmëritje e trembi. Ngriti kokën, u shkund nga përgjumja, e gati sa s’iu hodh mbi shtrat të bijës. Gjithshka përreth iu mjegullua në çast. I mori pëllëmbët në faqet e saj dhe tek po e përkëdhelte i pëshpëriti me zë të ngrohtë.
-Këtu jemi Jana! Hapi sytë shpirti i mamit! Babi është poshtë e vjen tani… -s’mundi të frenohej, ia dha të qarit nën zë.
Vajza lëvizi pak kokën, dhe si të kuptonte gjithshka po ndodhte me të hapi sytë. Po përmendej. Nëpër mjegull nisi të shihte një siluetë gruaje pas shpinës së të ëmës. I buzëqeshi një moment. Iu duk se kishte përballë mësuesen.
-Më… më fal që të mundova… le klassss… unë… -nuk mbaroi dot mendimin që kishte, nisi të lotojë me zë. Mondës gati i ra të fiktë nga ç’po shihte. Me shumë mundim u përqëndrua në sytë e vajzës. Kërkoi të ndërhynte, por në moment ndërhyri infermjere Aida duke e mbajtur nga shpatullat. Ajo sapo kishte nisur turnin e dytë dhe kishte marrë porosi të qëndronte pranë Stiljanës për disa orë.
-Zemër jam mami, hapi sytë! -s’pushoi së puthuri fytyrën e vajzës Monda. Nuk shihte dot të bijën tek stërmundohej.
Nuk vonoi dhe në dhomë hyri Bekimi. Nga shiu i imët rrugës nuk e ndjeu si supet dhe kapelen ushtarake i kishte të lagura. U përshëndet me dr. Kriston, gjinekologun e vjetër të spitalit e ngjiti shkallët me shpejtësi. I zgjati së shoqes shishen e ujit. Ajo e ftoi t’i qëndronte pranë.
-Symbyllur të kërkoi ty pak çaste më parë, -foli me zë të ulët ajo. –pastaj seç’ foli nëpër dhëmbë për mësuesen…
-Po vjen në vehte. –u mundua ta qetësojë ai. –Nën efektin e qetësuesve ndodh që edhe të flasë. U përkul dhe i bindur se ishte koha për të reaguar i flet pranë veshit të bijës. -Jana, jam babi. Hapi sytë! –me ngadalë iu afrua dhe i puthi ballin. –Shpirti i babit, jemi këtu me ty. Si je?!
Vajza njohu zërin e tij. Hapi sytë dhe filloi të lëvizë gishtërinjtë e duarve futur në pëllëmbët e së ëmës. Vetiu nisi të dënesë. Një gulsh iu formua në brendësi të fytit e s’e la të shprehte qoftë dhe një fjalë të vetme. Ato çaste nuk po kuptohej të kujt ishin ata lotë, të Bahriut që kishte pushtuar tashmë faqen e së bijës, apo të Janës që po stërmundohej të fliste. Ishte Monda ajo që reagoi pas atyre lëvizjeve. Largoi të shoqin paksa dhe i tregoi duart.
-Babi…ti po qan?! -psherëtiu e trembur Jana. –Më merrni në shtëpi. Mos më lini vetëm këtu! -me vështrimin nga e ëma tentoi të ngrinte trupin, -Mami, oh! -por një therrje diku në fund të barkut s’e la të vazhdonte më tej, u shemb e platitur mbi shtrat. Ishte e pamundur të ngrihej. Bëri një sforco të dytë, por edhe kësaj here pa rezultat. Nisi të lotojë.
Gjthshka dukej se po shkonte ashtu si u kishte thënë doktori pak minuta më parë. Ata, burrë e grua, u panë sy më sy. Sëmundja e së bijës u shfaq aq e mënjëherëshme sa s’mund të besohej. Kthyen kokën nga vajza. “Duhet bërë një përpjekje! -thoshin sytë e Bahriut. -S’mundem!” -gjegjën të sajat. Për të vërtetuar plotësisht mendimin e doktorit ai së bashku me Mondën e ngritën nga shtrati të mund të vinte këmbët në tokë. Por jo, ajo s’mund të kryente asnjë veprim.
-Jana shpirt, -vendosi t’i fliste hapur së bijës Bahriu, pasi e rregulluan në shtrat, -xhaxhi doktori na këshilloi të qëndrosh disa ditë këtu. Do të bëjnë disa analiza për të përcaktuar kurën që do të marrësh. Ti mos u mërzit, ne këtu do të jemi vazhdimisht. -puthi të bijën në ballë e pasi u përtyp me vështirësi duke i folur me zë paksa të ulët shtoi, -çdo ditë unë ose mami do të jemi me ty. Hë si thua?
-Po vëllezërit do m’i sillni?
-Patjetër, zemër! -Monda kishte sjellë nga shtëpia arushin e saj të madh me të cilin flinte natën. -u ngrit shkoi në raftin e madh pas shpinës së saj dhe ia solli në shtrat. -Tani si thua Jana, ta lejojmë babin të shkojë t’u gatuaj djemve? Ata duan njeri pranë!
-Mirë, shko babi. -psherëtiu vajza dhe zgjati duart drejt fytyrës së tij. E puthi forttre herë në ballë e faqe. -Dy janë për ata, e treta është për ty! Ju dua shumë! -qeshi vajza dhe përshëndeti me dorë teksa po shkonte.
2.
Ora po shkonte shtatë e mbrëmjes. Autoambulanca e spitalit pas atij udhëtimi të gjatë u ndal para hyrjes ku banonte familja e Bekimit. Dr. Vehipi me Stiljanën e vogël bënë në Tiranë konsultën e fundit me Pr. Yllin, dhe tani po e shpinin në shtëpi. Pas tre muajve në spital ku iu nënshtrua një sërë analizash ajo do të qëndronte në shtëpi për të zhvilluar një terapi progresive sipas porosive të dhëna nga Profesor Ylli. Dy infermjeret dhe Monda vendosën në shtratin e saj Stiljanën e të shoqëruar nga Bekimi dolën. Pra për vajzën e vogël e vetmja shpresë e mbetur për një përmirësim të mundshëm ishte mundësia e dërgimit për kurim jashtë shtetit. Gjatë kohës së qëndrimit në spital ajo mundi të përmirësohej pak. Gjithsesi për shëbime të tjera i duhej ndihma e një personi tjetër. Kjo ua vështirësoi punët si Bekimit, ashtu edhe Mondës.
Kishte kaluar një javë torturuese për familjen Lira. Gjithë ankth kishin pritur përgjigjen e konsulencës së Tiranës me Profesorin. Kishte ndodhur ajo që kishte konstatuar dr. Vehipi. Pasi rregulluan të bijën në dhomën e saj dhe u shtruan darkën djemve, ata të lodhur u ulën në divan të qetësoheshin për disa minuta. Megjithëse ishte pak vonë i pihej një kafe. Pas bukës djemtë i përqafuan si çdo mbrëmje dhe u nisën për në dhomën e tyre. Rruga e gjatë, ankthi i rezultatit të konsultës dhe sëmundja e së bijës s’mund të mos linin gjurmë në brendësi të shpirtit të tij.
-Tritan, na bëj një kafe, e kam kokën plumb të rrëndë! -iu drejtua të birit para se të dilte nga dhoma e ndenjies. Në moment ktheu kokën të pyeste Mondën në dëshironte edhe ajo, por sa hap e mbyll sytë, asaj iu var koka, sikur ta kishte goditur njeri me ndonjë gjë të fortë nga pas. Ishte gati të binte në dysheme. -Monda?! -thirri me zë të lartë dhe thuajse me një hap galopand iu gjend pranë. E tërhoqi pranë vehtes. -Tritan eja shpejt, merr kafenë dhe trinitrinat tek sirtari! Hë bir, luaji pak këmbët! I gjete? –ndërkohë nisi t’ia vrasë paksa damarët për ta sjellë në vehte. I dha menjëherë kokrën dhe e shtriu ashtu siç ishte. Vetë mori një karrige dhe iu ul pranë kokës. Djali, i vogël edhe ai, ndodhej klasën e tetë, i përgatiti të atit kafenë, i uli zërin televizorit dhe si çdo mbrëmje hyri në dhomën e motrës. Së bashku me Agronin do t’i rrinin pranë t’ia plotësonin kërkesat derisa ta zinte gjumi. Ai ishte i vogël për t’u marrë me punët e shtëpisë, po ja që situata nuk priste. “Po ç’është kjo hata, xhanëm?! -pëshpëriti me zë Bekimi pasi i biri i solli kafenë. Mori pëllëmbën e saj në të tijat dhe duke e përkëdhelur nën zë shau fatin e keq që i kish zënë. -Pse po më ndëshkon kaq rrëndë?! Oh, më mirë merrni hak tek unë në kam bërë ndonjë faj diku, jo tek ime-bijë aq e vogël e tek Monda!” -Ngriti sytë lart në tavan, dhe, si për të kërkuar diçka të munguar, ndoshta për herë të parë në jetën e tij, në heshtje e nën zë iu lut “Zotit” atje lart. Iu lut për vështirësitë që po kalonin. Mes gishtërinjve dalloi bulëza djerse në ballin e së shoqes. I mbështeti me kujdes kokën në jastekun e divanit, u ngrit e shkoi në kuzhinë, mori një pecetë dhe si ia fshiu ngadalë priti reagimin e saj.
Nata pa hënë mezi po shtyhej. Të gjithë kishin rënë për të fjetur. Bekimi pranë të shoqes shkonte në mendje situatën e ndërlikuar që ishte krijuar kohët e fundit. Veç gjendjes së vështirë në familje ai po përjetonte dhe një tjetër gjendje gati po aq të komplikuar. Situata në ushtri, me fillimin e pluralizmit politik, po bëhej gjithnjë e më e acaruar. Filluan reformat e para. Shumë shpejt do të reduktoheshin strukturat, për pasojë do të kishte shkurtime. Ai ndodhej vërtetë në një gjendje të vështirë. Nuk dinte si ta kalonte këtë gjendje. U ngrit dhe shkoi pranë dritares. Sa e sa netë e kishte gdhirë pranë të shoqes së sëmurë, megjithatë si këto netë dimri, s’e kish ndjerë vehten më ngushtë. “Monda, -nisi të mendojë teksa shiu i imët binte mbi trotuarin para pallatit me ritmin e tij të zakonshëm, -si do t’ia bëjmë zemër me hallet që s’po na ndahen?! Njeri tonin të na ndihmojë nuk e kemi. Vajza duhet dërguar për kurim jashtë. Mua nuk dihet se ç’më sjell e nesërmja…!” Hapi pak kanatën e dritares, ndezi një cigare dhe e thithi fort. Bashkë me frymën lëshoi dhe një ofshamë lehtësimi. Pemët e çveshura i sollën një boshllëk në trup. Befas pas shpinës ndjeu zërin e së shoqes. U kthye dhe i shkoi pranë.
-Monda, si ndihesh tani? -e pyeti.
Nën zbehtësinë e dritës së dhomës sytë e saj, edhe pse të lodhur e të rrënduar nga pagjumësia, tregonin qartë gjendjen emocionale. Ngriti në çast kokën dhe u përpoq të tregohej sa më e qetë, të paktën për hir të tij. Në fytyrën e të shoqit dalloi një stepje, një stërlodhje. Duke pirë duhan mendja se ku i fluturonte. Fytyra e tij këtë mbrëmje të vonë iu duk si një muzg qyteti në prag furtune. U ngrit mbi bërryla dhe pasi mori frymë disa herë gjegji:
-Sikur po më shkon. -nuk dëshironte tek ai vuajtje. -U bë vonë. Shko, nesër je për punë.
-Nuk kam gjumë. -gjegji ai dhe e ndihmoi të ngrihej. –Nuk e di po…
-Çfarë ke?! –e trembën Mondën ato fjalë. -Ti se si je bërë këto kohët e fundit. Mos po të lodhim ne me…
-Jooo shpirt, jo!-ia preu mendimet ai, -Ju jeni gjithshka për mua. Por gjetkë e kam hallin.
-Ku?!
-Tek puna… Pritet një reformë e madhe dhe nuk i dihet çdo bëhet.
Monda u mbajt fortnë krahun e të shoqit. Iu turbullua mendja e me hapa të lodhur nga dhimbja që kishte kaluar, pa i kthyer asnjë përgjigje e drejtoi për në dhomën e gjumit. Pas mesnatës dhe në pagjumësi çdo iluzion ishte i tepërt.
-Mos e vrit mendjen kaq shumë, o burrë xhani. Mbase do të bëhet diçka edhe për ne. S’e kemi ndjekur me gurë shejtanin, që! -kërkoi t’i japë kurajo Monda me zë të butë, ndërsa zgjati dorën të shuante dritën e abazhurit. Dukej disi më e lehtësuar ato çaste. Zgjati dorën e mori nga koka e divanit godën me ujë. Pasi piu pak u struk në krahët e tij, duke mos i dhënë shkas të vazhdonte më tej atë bisedë i dhuroi një të puthur dhe mbylli sytë.
3.
Vitet po shkonin dhe gjendja e vajzës vazhdonte të ishte po ajo e daljes nga spitali. Për të familja i kishte bërë të gjitha tentativat, por pa rezultat konkret. Nuk mjaftoi sëmundja e saj për Bekimin. Pas disa lëvizjeve në detyrë dhe në gradë, dhe atë si shumë kolegë të tij e zuri reforma. Pa asnjë lloj shprese për t’u punësuar endej pa shpresë rrugëve të qytetit. Ekonomia e familjes, bazuar vetëm në rrogën e Mondës dhe në atë pak “pension të parakohshëm” që i dhanë, po ua vështirësonin jetesën. Dikur u gjend dhe për të një shok i mirë, Lartimi. Ai kishte marrë me qera një dyqan pranë qendrës dhe pa u shkëputur nga puna shiste mallra të artikujve të ndryshëm. Ai duke ia ditur hallin e punësoi, në fillim me një orar të reduktuar, dhe më pas gjithë javën. Por gjithsesi, për kurimin e së bijës s’e zinte gjumi, pasi të ardhurat për jetesë nuk mjaftonin. Tritani si shumë shokë të tij maturantë, nisur dhe nga gjendja, la shkollën në mes e kapërceu kufirin për të ndihmuar dhe ai familjen.
-Nesër të jesh më pesë këtu, -një mbrëmje Janari teksa po mbyllnin derën e lokalit do ta porositte Lartimi, -do shkojmë bashkë në Tiranë. Unë do marr disa mallra tek shumica, ndërsa ti duku njëherë nga Ministria. Provoje një herë shansin. -i hodhi një vështrim të gjatë shoku. Sa e sa netë e kishin diskutuar së bashku çështjen e Stiljanës. Pa i thënë gjë, kishte përgatitur letrat si bashkëpronar të lokalit me qëllim që Ambasada e shtetit ku mund t’i dalë rruga të krijojë besim tek ai. Pa future ende çelsat në xhep u kthye, hyri brenda dhe si të ishte kujtuar për diçka, shkoi në banak. E shoqja kishte blerë një kostum sportiv enkas për Agronin e vogël. -Ta gëzojë Goni Ditëlindjen! -i dha pakon. -Ndërsa këtë, -zgjati një zarf të madh të verdhë e pa asnjë mbishkrim në të, -merre ta kesh me vehte nesër, nuk i dihet, mbase do të të duhet.
Bekimit iu drodhën duart një çast. Thuajse si një vit më parë në takimin tek bar “Rinia”, iu duk Lartimi ato momente. Ish-shoku çapkën i shkollës së mesme “Skënderbej”, por që s’e vazhdoi të lartën për ushtarak, pasi gjeti një bursë për zooveteriner, të cilën e mbaroi e u punësua në fermë. Në qytetin e tij do të punësohej pas plot dhjetë vjetësh. Kështuqë rasti e solli, ai ta afronte pranë vehtes. Ashtu të lodhur nga dita e gjatë në punë Ai do ta ftonte atë pasdite të vonë për një kafe. Me sjelljen e veprimet e njëpasnjëshme po i bëhej vëlla e shkuar vëllait.
-Të faleminderit! Në dasmë të Vjollcës, Larti! -uroi shokun dhe si pinë edhe ekspresin së bashku u ndanë kur mbritën pranë rrethit të policit.
Çuditërisht, ndonjëherë nata fluturon për njeriun, kur mezi pret ditën të kryej një punë të dobishme. Në gjendje të tillë ishte edhe Bahriu atë mbrëmje kur hyri në shtëpi. Vajzën e gjeti më të gëzuar nga herë të tjera. E puthi në ballë dhe tejet i lodhur u ul në divan të qetësohej pak. Në duar mbante një zarf, e brenda tij një letër, të cilën jo çdokush ta dhuron në një kohë të tillë ndryshimesh në vend. Lexonte e rilexonte aktin noterial të përgatitur nga shoku dhe s’i besohej. Si dikur në rini dhe tani, ishte po ai shok fisnik që s’shihte ndarje. Nuk po mbahej as Monda ato çaste. Pas punës së bashku me Tinën, gjitonen përballë, kishin zbritur në sheshin para pallatit Janën. Vajza u kënaq duke luajtur me shoqet.
-Monda, nesër bashkë me Lartimin do të shkojmë në Tiranë. Ai do të marrë disa mallra, ndërsa unë do mundohem mos takoj Ministrin. -theu heshtjen Bahriu.
-Ti shko, por në këtë situatë askush s’na e ka ngenë ne të gjorëve! -gjegji Monda. -Luhet para e madhe për këto punë! Sa ka si ne o burrë?!
-Ta nxjerrim njëherë merakun, o grua! Ne nuk kemi ç’humbasim më shumë se kaq. -nuk donte t’u besonte fjalëve të të shoqes. -Ku i dihet, mbase kemi dhe ne pak fat! -u ngrit ai e shkoi në tavolinë të përgatitë dokumentat e vajzës.
Monda e ndoqi pas. I ndrisnin sytë, po me sa dukej i shoqi ishte aq i lodhur e i trazuar në shpirt sa nuk e vuri re një ndryshim të tillë. S’i tha gjë për këtë. Përkundrazi e kapi nga duart e, për t’i kujtuar të shoqit se ç’ndjente në shpirt ato momente, i dhuroi një të puthur të shpejtë.
-Erdhi letra?! –njëherësh i shkanë lotët rrëke faqeve. –Biri i nënës, e nisi më në fund… Na puth forttë gjithëve. Urdhëro! -u bë me krahë ajo. Sëmundja kaloi në dorë të dytë.
Papritur nga zarfi i ranë të gjitha dokumentat e u shpërndanë në dysheme, si gjethe vjeshte nga erërat e jugës. Me duart që s’i komandonte dot hapi letrën e saj. Ç’të shihte, brenda i biri kishte futur dy kartmonedha 100-euro dhe një letër me katër faqe. Për të motrën kishte futur një foto të tij dhe një kartolinë urimi. Si mori frymë thellë harroi disa minuta dokumentat e shpërndara, u ul në divan, vuri syzet dhe lexoi e rilexoi për të disatën herë letrën e të birit. “U rrite, biri im, u bëre burrë tani!” Lexonte dhe lotonte. Monda e lumturuar sa s’kishte ku të vinte më, mblodhi me shpejtësi gjithshka të hedhur dhe i vendosi në këndin e komodinës.
-Biri i mamasë! -psherëtiu duke i drejtuar të shoqit, -U bë vonë, shkojmë, nesër do nisesh herët! -e ndihmoi të ngrihej, mori godën e ujit për natën e të lehtësuar më në fund nga ajo barrë e ankthit prej moskontaktit me djalin prej mëse pesë muajsh, shkuan në dhomën e tyre.
4.
Qielli i mëngjesit u zu nga retë e murrme. Nën atë mjegullimë e lëvizje të shpenguara të njerëzve nga të gjitha drejtimet, Tirana po zgjohej më herët. Urbanët e linjës së Kombinatit ishin larë nga shiu i vrullshëm që kishte nisur të binte. Bahri Lika e njihte mirë klimën e vendlindjes së tij. Me të zbritur në stacionin e Bankës, hapi çadrën, ndezi një cigare e shpejtoi hapat të mos e zinte shiu. E kishte marrë malli për Tiranën. Aty kishte kaluar vitet më të bukura të jetës, rininë e tij. Puna larg e kishte ndarë prej saj, ndaj dhe kishte aq mall sa herë do shkelte në rrugët e saj. Po shkonte të mundësonte një takim me Ministrin e Shëndetsisë. Sadoqë nxitoi, këtë mëngjes në hollin e pritjes gjeti dhjetra njerëz.
-Për tek Ministri jeni ju?! -pas shpinës ndjeu një zë gruaje të moshuar.
-Po.
-Shkoni tek ai sporteli atje, -tregoi dritaren e vogël në këndin e majtë, ku mezi dallohej koka e një plaku të shkurtër, duke iu fshehur fytyra nga leximi i gazetës. -shkruani atje edhe ju emrin në listë.
Bekimi përshëndeti heshtur zonjën e pasi regjistroi emrin u mbështet në këmbë pas një kollone diku në mes të hollit. Fillimi i orarit të pritjes donte një orë. Ishte i 56-i. Hezitoi për një moment. Ishte e kotë të qëndronte, megjithatë s’i bënë këmbët të largohej. Pas rreth gjysmë ore njerëzit, u vunë në lëvizje dhe zunë rradhën pas murit. Aty nga fundi, ose më mirë pranë hyrjes kryesore qëndroi edhe ai. Pak nga rruga e gjatë, e pak nga ankthi i pritjes, po i pihej një cigare e një kafé. Të dilte nga rradha s’ia vlente.
-Më falni zotni, -një djalosh tiranas i mbushur, rreth të tridhjetave, u shfaq para tij.
-Urdhëroni! -ktheu kokën Bekimi drejt të panjohurit. Fytyra menjëherë iu purpurua.
-Ju mos jeni gjë komandant Bekimi?! -pyeti zeshkani me një vështrim zhbirues, sikur po kërkonte fijet e një vrasjeje. Puliti sytë. -Më mban mend? -s’e la tjetri të vazhdonte.
-Joooo, -tundi kokën në shenjë mohimi. Nuk e shëmbëllente dot me dikë të mbetur në kujtesë. -kam kaluar shumë breza dhe s’mund t’i mbaj mend të gjithë. Ju të rinjtë na…
-Do të ta sjell unë kujtesën, -buzëqeshi tjetri dhe në moment hapi celularin. Ishin vitet e para të ndryshimeve demokratike kur hynë masivisht celularët edhe në vendin tonë. Ai pasi vuri gishtin tregues në mes të buzëve për t’i marrë leje, foli, -Baba, eja pak tek Ministria, do të të takoj me një mik të vjetër… Siii, aha nuk ta them dot. Po këtu do të jemi… Mirëardhsh! -mbylli telefonatën, i futi krahun dhe e shmangu nga rradha. Pas gati dhjetë vitesh pa u parë fytyra e ish-komandantit të repartit iu duk e zbehtë e pa ngjyrë. Ata sy të bukur e të mprehtë çuditërisht ishin të përskuqur. Fytyra e hequr e me pak rrudha mbi ballë e tregonte dhjetë vjet më të madh nga ç’ishte në realitet. Të gjitha këto, së bashku me një mpirje të pakuptueshme të trupit, që nuk ishte mësuar t’ia shihte dikur, ato çaste sikur ia fashiti atë dëshirë të madhe të pak minutave më parë. Si fëmijë fërkoi sytë të thërriste kujtesën, dhe kur i hapi përsëri gjithshka ishte e vërtetë, ky burrë kishte ndryshuar shumë nga ato dy vite të njohjes. Dukej qartë që ishte tepër i shqetësuar. I futi krahun dhe iu drejtuan sportelit të regjistrit.
-Pse ke ardhur këtu? -e pyeti.
-Hm, eee… si gjithë këta që presin e kam edhe unë një hall, -mërmëriti Bahriu i zënë pak ngushtë para këtij djali të ri energjik, -kam vajzën e vogël sëmurë. Mbase më vjen rradha sot të futem tek… Ndoshta do të mund të më presë. -Nuk mundi ta pyes as për emrin. Një pikëz loti iu formua në cep të syve.
Djaloshi e vështroi në heshtje. Ai kurrë s’do ta harronte një thënie të mençur të këtij eprori prind në një nga muajt e parë të mobilizimit në ushtri. Ishte dita e parë e njohjes me ‘të. Kur mësoi se njërit prej shokëve të qytetit të tij i kishte vdekur i ati gati tre muaj para mobilizimit, do i afrohej e do i thoshte: “Njeriun në jetë biri im, dhimbja e çfarëdo lloji qoftë, e ve në provë. Sa më e madhe të jetë ajo, aq më të fortë e bën! Ne do të të gjendemi pranë në çdo kohë, biri im!” Ato fjalë dhe afrimiteti i tij u dhanë forca të gjithëve të rinjve, për kohën e shërbimit që do të kryenin. E donin pse pikërisht mbi gjithshka vinte logjikën, dhe pse kishte vizion ndryshe për jetën. Ndaj s’mund të harrohej ky njeri.
-Unë do të të fus aty. -papritur hapi krahët dhe e përqafoi fort. Megjithëse kishin shumë vite diferencë, i kapërceu atë çast ato. -Do kisha dëshirë të shiheshim ndryshe komandant, por dhe kështu mirë është, do të kemi pak kohë. -pëshpëriti dhe sakaq u kthye nga sportelisti.
-Mirëmëngjes xha Vani! -u përshëndet me të, vështroi në cep të syrit gazetën e ditës dhe për ta ngacmuar si ngaherë shtoi, -Ç’thonë këto? Kujdes xhaxhi, do sëmuresh e s’ka kush të të zëvendësojë këtu?
-Hë shejtan mos ma ndill sëmundjen. Kam vite që e kam flakur tutje. E di ti, shtyj kohën me këto palo letra. -qeshi me të burri flokëbardhë e hollak. -Mos kij merak biro. Si të ka xhaxhi sot, mirë?
-Mirë jam, -afroi kokën në sportel, -kur të vij babai t’më presë këtu. -përshëndeti shokun e të atit dhe si vështroi edhe njëherë nga hyrja me një nënqeshje të lehtë nën buzë së bashku me Bahriun ngjitën shkallët për në katin e dytë. -Ke bërë ca gabime në detyrë edhe ti. Ja këtu do të lahen! -iu qas pranë dhe i emocionuar vazhdoi shakanë, -Ke gjynahe Bahri Lika! -nxorri paketën “marlboro” e ia zgjati të ndizte një. Vetë nuk e pinte, paketën e mbante më shumë kur ulej me “shefin” diku për ta shoqëruar. -Ke fat, jemi në demokraci tani dhe t’i falim ato!
Ky djalosh muskuloz, me kokën të qethur “zero”, qoftë dikur edhe një ish-ushtar i tij, të kishte kaq influencë në këtë Dikaster?! Ishte e pabesueshme për Bahriun. Qetësia e gjithpushtetëshme kishte pushtuar godinën. Ndaloi hapat në krye të shkallëve dhe u kthye nga ai. Ngriti kokën e i hodhi një vështrim dyshues. “Ik o djalë merru me ndonjë tjetër! Pak halle kam, ti më duhesh tani!”
–Unë jam shoferi i tij, komandant. Mos kij hiç merak për këtë. -e parandjeu tjetri këtë reagim të tij. Pas pak hapi një derë të madhe dhe i tregoi Bahriut kolltukun të ulej. -Më prisni këtu! Jo-jo, nuk je në ëndër komandant! -foli me zë të ulët dhe sakaq hyri në zyrën e Ministrit.
5.
-Babá, s’besoj të vijë sonte tek s’erdhi deri tani! -ngriti zërin Monda nga dhoma. Atë s’e mbante vendi, sidomos orët e fundit. -Tani s’ka më as furgonë të vijnë. -më shumë ngushëllonte veten, sa mundohej të mbante gjallë bisedën me prindërit e saj. Zënë ngushtë ekonomikisht së bashku me të shoqin, për hir të kurimit të të bijës, shitën shtëpinë dhe futën paratë me fajde tek firma “Vefa”. Por si mijra familje të tjera shumë shpejt morën zhgënjimin, i humbën paratë. Pas mëse gjashtë muajsh në një apartament të vogël me qera, u vendosën tek prindërit e Mondës. I vëllai i saj me familjen jetonte prej disa vitesh në Itali dhe janë stabilizuar më së miri.
-Mos ka ndenjur nga Avduli?! -u kujtua xha Andoni ndërsa luante domino me Agronin e vogël. Nga meraku s’po kujtohej as për darkën.
-Po të qëndrojë aty, do na dërgonte një lajm me Lirikën, gjitonen poshtë nesh! -gjegji ajo dhe hyri në dhomën e pritjes.
-Mbase është duke ardhur, -hyri në bisedë nënë Edija, e cila kishte vënë petrogazin në ballkon e po përgatitte kafenë. Po pa mbaruar mirë fjalën ajo u ndjenë hapa të nxituara nëpër shkallë dhe më pas të trokitura në derë. Të trokiturat thërmuan heshtjen e krijuar. Nënë Edijes gati sa nuk iu derdh kafeja ngaqë ktheu kokën nga dhoma.
-Erdhi, ai është?! -thirri Monda duke brofur menjëherë në këmbë. Rregulloi flokët dhe u shfaq në korridor. Ia njihte mirë hapat dhe të trokiturën të shoqit. Me të hapur derën i hodhi një vështrim të butë. -Hë Bekim, djalë a vajzë?! -e pyeti me mëdyshje. Kjo ishte për të dita më e gjatë e më e ankthshme e jetës.
Bekimi, pas kaq e kaq muajsh gjithë tension hapi krahët dhe pushtoi forttë shoqen. Mezi priste të shkonte e t’u shpinte lajmin. Ku ekzistonte fjala “lodhje” për ‘të këtë ditë të gjatë! E puthi në buzë, megjithëse dyert ishin hapur, dhe bashkë me të hyri në dhomën e pritjes.
-Më falni baba, -kështu ishte mësuar ta quante vjehrin pas humbjes së të atit disa vite të shkuara, -jam shumë shumë i lumtur sonte. -Kishte gati njëzet vjet i martuar dhe këtë mbrëmje e shkeli, duke puthur të shoqen para tyre. -Vij me djalë e çfarë djali se!
-Hë pra, hape të shkretën e fol?! -ndërhyri Monda duke u shkëputur prej tij. Nga natyra ajo, si të gjitha gratë, ishte shumë impulsive. Sidomos në raste të rëndësishme si ky i së bijës, ajo nuk mundi të frenohej.
-Lëre bijë të mbledhë pak veten. -ishte nënë Edija që hyri në dhomë me kafetë gati, -sillu nga një godë raki, ç’pret më! Kur të thotë “djalë” i ka thënë të gjitha, bijo. Hajde pra, luaj këmbët tani! -fjalët i shoqëroi me një të lëvizur të kokës. Iu afrua dhe e përqafoi si birin e saj.
Monda s’prit më, shkoi në kuzhinë dhe pas pak erdhi me godat e rakisë e u ul pranë të atit. Sytë e të shoqit ndrisnin nga gëzimi. Kishte kohë pa e parë në gjendje të tillë. Nga emocionet e forta që iu krijuan, pa ia ndarë për asnjë çast vështrimin, instiktivisht mblidhte e shmblidhte këndin e mbulesës me gishtërinj.
-Epo, gëzuar Bekim! -iu mbushën sytë me lotë gjyshit.
-Gëzuar gjyshi! -iu muar goja tjetrit. -Më falni, po më duket sikur jam ende nëpër ëndër. -filloi ligjërimin e tij të gjatë. -Shpreson njeriu për pak fat në jetë. Disa ëndërojnë t’u sjellë pasuri, disa për një punë, -ktheu kryet nga e shoqja, -disa të kenë fat në bixhoz. Ndërsa ne, eh, ne duam shërimin e Janës. Dhe na erdhi atëherë kur nuk e prisnim. -ktheu pak raki dhe si kroi zërin duke ditur që sytë e të gjithëve ishin drejtuar tek ai vazhdoi, -E që thoni ju, u bë shkak ai djalë çapkën, një ish-ushtari im, pikërisht në atë godinë të panjohur, ku halli po më shpinte. -së brendëshmi iu zgjuan motorrët, nisi të tregojë gjithshka kishte ndodhur në atë takim të paharruar.
-Ti nuk e njihje atë? -u bë kureshtar xha Andoni.
-Të them të drejtën në fillim jo, nuk e shëmbëlleja dot me ndonjë që të kishte lënë gjurmë në vitet e mia të punës. -rrufiti pak kafe, -Ai më erdhi pranë dhe më foli me aq siguri, sa për një çast gati e humba fillin. Si po më fliste, dukej se do më shpinte diku të më hiqte qafe. Më trembi pak, pasi atje ndodhesha për tjetër gjë dhe ai po më largonte me marifet.
-Po pastaj?! -zgjati dorën e saj Monda dhe kapi të tijën.
-Pastaj Ai më mori me vete lart, më tha troç kush ishte dhe se do t’më ndihmonte. -duke përkëdhelur gishtërinjtë e Mondës tregoi si e kishte pritur Ministri. -Po nga zyra e tij Ai u lidh menjëherë me Profesor Yllin. Nga biseda mes tyre u pa qartë se Ai ruante respekt për atë burrë të shtruar e me një barrë shkollë. –ndezi një cigare dhe si i hodhi një vështrim të ëmbël vjehrës vazhdoi, -Ata vendosën që rastin e Stiljanës do ta veçojnë dhe do ta cilësojnë si një ndër rastet më prioritarë. –ktheu kokën nga xha Andoni, i cili mezi po mbushej me frymë nga gëzimi, -Më dha shpresa për të na ndihmuar…
-Oh sa mirë! -ofshami nënë Edija.
-Por, -ngriti sytë Bekimi dhe për disa sekonda treti vështrimin në sytë e vjehrit, -por për këtë gjashtëmujor nuk bëhet gjë.
-Presim, bir… -i dha kurajo xha Andoni, -Kur kaluan kaq kohë, si nuk mund të durokemi edhe pak! Boll që iu ra në dorë ky rast.
-Ashtu është, -u ngrit Bekimi dhe duke i dhënë xhaketën Mondës vazhdoi, -Ministri më bëri dhe një premtim…
-Pooo, -lëvizi nga vendi Monda duke picërruar sytë.
-Do të bisedojë me Ministrin tonë, -kështu ishte mësuar ta trajtonte veten edhe pas daljes në reformë, -të më ndihmojë për t’u riveshur, nëse gjen ndonjë rast.
-Pra, puna po merr rrugë të mirë. E sheh, bëre mirë që shkove atje. -vendosi të përmbyllë bisedën xha Andoni. Iu drejtua të bijës, -Hajde tani, luani këmbët, përgatitni tavolinën. Vjen nga rrugë e gjatë djali.
-Nuk kam uri. Së bashku me Avdulin na ftuan në shtëpinë e tyre Bashkimi me të atin. E kaluam shumë mirë. Na e bënë borxh për së dyti ata, moj Mondë. S’mungonte asgjë në tavolinë.
U kthye nga vjehri, i cili si dhe ai, mezi po e mbante vehten, duke ndezur të dy nga një “Slims” vazhdoi, -Nuk e di si do t’ua shpërblejmë. -përqafoi të shoqen dhe ndenjën ashtu bashkuar për disa çaste. -Mos ma vini re baba, jam i mbushur sonte. Po fluturoj, dëgjoni! -me sytë e mbushura me lotë së bashku me të shoqen hynë në dhomën e së bijës, ta ndanin me të gëzimin që kishin.
6.
Fundi i Pranverës ishte me ndryshime të vazhdueshme të motit. Herë binte stuhi shiu e herë dielli të piqte në mesditë. E tillë kishte nisur e po mbyllej edhe kjo ditë. Mëngjesi me erëra nga deti, dhe pasditja e kthjellët dhe e nxehtë. Bekim Lira, i rimobilizuar filloi në Prefekturë, në sektorin e mbrojtjes. I lodhur pas një shërbimi po shkonte për në shtëpi. Duke ecur me nxitim në trotuarin para sheshit qendror dalloi një dorë ta përshëndeste, tej nga bar-kafeneja e Raqit. Ishte i vjehri. Ktheu rrugë e iu afrua.
-Hë Bekim, u lodhe sot? -e pyeti ai kur iu afrua pranë.
-Nga pak baba, po ti?
-Mirë jam. E kisha lënë me një shok, po me sa duket u vonua e ndoshta nuk vjen. Do t’i ketë dalë ndonjë punë me ngut. –zuri mirë vend në karrige dhe ngriti dorën drejt banakut, -biro tani na i sill ato kafetë! -iu drejtua djaloshit të ri.
Nën tymnajën mbytëse të duhanit xha Andoni futi dorën në xhepin e brendëshëm të xhaketës me riga të holla dhe nxorri prej andej një zarf. -Në shtëpi nuk flasim dot lirshëm, ndaj të prita këtu. Mund të flasim më qetë.
-Po të dëgjoj baba. -u mbështet në shpinoren e karriges Bahriu. Shtypi fundin e cigares në tavëll dhe kryqëzoi duart. Diçka i ndolli zemra nga mënyra si e priste dhe po lëvizte duart plaku. Megjithëse i lodhur u mundua të përqëndrohej para tjetrit.
-Që thua bir, -nisi të flasë xha Andoni, -kam ditë që mendohem për punën e Janës. -mori në dorë filxhanin e ekspresit, rrufit pak, -Para një jave ne morëm një shpërblim nga Sigurimet. Po ashtu e bëra faqen shollë. U mbushën dy vjet dhe Fatriu, gjitoni ynë i vjetër, nuk po kujtohej të më kthente një borxh të vjetër. I shkova sot e ia mora. Qerratai ishte rregulluar për mbrekulli. -psherëtiu ai sikur të largonte një ngërç nga thellësia e shpirtit e në qetësi tepër të admirueshme u përkul pak para. -Urdhëro, këtu i ke, do të të duhen për çupën.
Pasditja e nxehtë e turbulloi paksa Bekimin. Fjalët dhe veprimi i vjehrit i prekën sedrën. E vunë papritur në një pozitë të vështirë. Një drithërimë emocionuese i përshkoi gjithë trupin. Nxorri paketën dhe i dyzuar nga situata e re e krijuar ndezi një cigare të dytë. Ato çaste s’gjeti dot fjalë për ta uruar. Mezi u përtyp. Ktheu atë pak kafe që i kishte mbetur e duke futur zarfin në xhep u shpreh:
-Kjo është më shumë nga ç‘mund të përfytyrohet baba! Juve ju duhen për hallet tuaja. -i shtrëngoi dorën vjehrit dhe u ngritën, lanë paratë në tavolinë e dolën.
Jashtë nisi të mbyllej qielli. Në shesh njerëzit nxitonin të mos i zinte shiu i beftë që pritej nga çasti në çast. Nxituan dhe ata të dy. Para hyrjes Bahriun e ndalon punonjësi i postës.
-Zoti Bahri, keni një letër rekomande, Urdhëroni!
Bahriu përshëndeti punonjësin firmosi dhe po aty e hapi ta lexonte. Letra vinte nga Ministria e Shëndetësisë.
“Zoti Bahri Lika, kërkesa Juaj, në bashkëpunim dhe me dikasterin e Ministrisë Tuaj, u aprovua. Ju lutemi ditën e Premte dt. 17 -të të këtij muaji të paraqiteni në Ministrinë tonë për të shoqëruar bijën tuaj për kurim jashtë, në shtetin mik “T”. Për çdo hollësi telefononi në sekretarinë tonë.
Ministri, dv.”
Bahriu ngriti sytë dhe vështroi nga i vjehri. Po lumturohej dyfish ato çaste. “Më në fund erdhi dita e bardhë edhe për ty bija ime…!” -mërmëriti i emocionuar nga ato rreshta që lexoi. Tundi zarfin në drejtim të vjehrit.
-U aprovua më në fund vizita! -ngriti kokën lart në qiell. Fytyrën ia lagën pikat e para të shiut. “O zot, ç’lajm mora sonte!” -psherëtiu i lehtësuar dhe iu hodh në qafë.
Xha Andoni, edhe ai jo më pak nga Bahriu i mbushur me gëzim, pasi e shtrëngoi fort u kujtua për diçka dhe u shkëput menjëherë.
-Bir, mos u ngjit lart, hidhu nga posta dhe bisedo me Tritanin. -i rrahu shpatullat, -këtej ua shpie unë lajmin! Hë-de, nisu, koha s’pret më! -ai priti sa dhëndri humbi përtej rrugicës së lagjes dhe me hapa të shpejtë duke iu marrë fryma ngjiti shkallët.
7.
Vera kishte hyrë në pikun e saj. Nga hapësira qiellore Tirana dukej sikur ishte mbuluar nga një cohë e mëndafshtë gri, gati-gati e tejdukshme. Krahët e saj nga ndërtimet e shumta po shtriheshin përgjatë fushave, duke krijuar në sfond një pëllëmbë dore me gishtërinj që zgjaten e zgjaten luginave. Ora po shkonte tre e pasdrekës. Para godinës qëndrore të aeroportit të Rinasit ishin mbledhur një mori e konsiderueshme njerëzish. Nga momenti në moment pritej të mbrinte avioni i linjës. Nga gabina kapiteni njoftoi mbi uljen në pistë. Pasagjerët, një pjesë e mirë e tyre u shkundën, me vështrimin nga dritaret e vogla ndoqën uljen e tij. Së bashku me udhëtarët e tjerë ndodheshin dhe Bekimi me të bijën. Personeli i spitalit kishin bërë të pamundurën për kurimin e vajzës. Respekti i ofruar për pritjen e një ushtaraku nga vendi mik ishte i jashtzakonshëm. Ata mundën ta ngrejnë nga shtrati falë punës intensive e teknologjisë së re të aplikuar. Përmirësimi i dukshëm ishte një hap optimist për ardhmërinë e jetës së saj. Një përkushtim total, i cili tejkaloi gjithë parashikimet e Bekimit. Ata në shenjë mirënjohjeje përgatitën shumë dhurata, dhe mbi të gjitha një karrocë ku ajo të mund të ecte vetë e pa ndihmën e kërkujt.
-Babi, mos harruam gjësendi në spital?! -nuk e mbante vendi Janën sa të mbrinte pranë të dashurve që po e prisnin me padurim. Bashkë me pyetjen ajo zgjati dorën të shkundte të atin nga dremitja.
-Jo shpirt, të gjitha i morëm. -u shkëput nga mendimet ai dhe pa e ndërprerë vështrimin nga dritarja ndoqi uljen. Jana e qetësuar mjaft nga sëmundja, por dhe me më shumë kurajo nga më parë, mbështeti kokën në krahun e tij dhe si një mjelmëz, qetësisht dhe e lumturuar nga ç’ka kishin bërë për shëndetin iu mbushën sytë me lotë. Ishin lotë gëzimi e malli njëkohësisht. Mezi priste të takonte mamanë dhe Gonin e vogël.
-Babi?
-Hë Jana!
-Sa më ka këputur malli për Tanin. Dua të flas me të kur të mbrijmë në shtëpi!
-Patjetër zemër, patjetër do flasim. -i shpupurisi ondat e bukura Bekimi. -Mbahu tani. Po ulemi në pistë! -ngjeshi të bijën pranë vehtes dhe ashtu si një trup i vetëm qëndruan derisa filloi zhurma e njohur e marrjes së bagazheve nga pasagjerët.
Uturima e frenimit shkundi të gjithë të afërmit e pasagjerëve që po mbrinin. Si zakonisht para portës së daljes zunë vend ngjeshur pranë e pranë e mezi prisnin t’u shfaqeshin të afërmit. Mes tyre ndodheshin edhe Monda me të atin, xha Andonin, që s’po e mbante vendi të shihte të ngritur mbesën. Në çantë ajo kishte dy ditë që mbante letrën e Tritanit. Kishte fituar të drejtën e statusit të residences në vendin ku banonte. Nga qendra e punës do të vinte pas gati një jave të shihte të motrën.
Jashtë në këtë orë të kapërcimit të mesditës rrezet e diellit binin në xhamat e stërmëdhenj gati pingul. Ato reflektonin mbi to e mbi asfaltin e sheshit para godinës një fjollëz të avullt gati përvëlonjëse. Zhurmën e njerëzve në pritje e theu befas sirena e një autoambulance me targën e Tiranës. Nuk vonoi shumë dhe në këndin e djathtë të sallës së pritjes hynë me një karrocë për të sëmurët, një doktor i shoqëruar nga infermjerja me bluzë të bardhë dhe polici i shërbimit tek i drejtoheshin hyrjes.
-Baba, profesori i Janës më duket! –iu bë Mondës nga ai kontakt i shpejtë. Ajo vuri dorën në zemër. “Mos është Jana keq dhe i kanë njoftuar të vijnë?! E mjera unë çupa?!” -harroi të atin dhe me hapa të shpejtë u turr me vrap ta zinte. Nga trokëllimi i zhurmshëm i takave të saj të gjithë kthyen kokat.
-Profesor, Profesor Ylli?! –s’mundi të priste më ajo teksa u afrohej pas shpinës.
-Ou, Monda! Sa mirë që po u shoh! -i shkëlqyen sytë Profesorit sapo e dalloi. -Erdha dhe unë ta presim bashkë atë trimëreshë që na nderoi ajte duke mposhtur me sukses atë sëmundje! E pabesueshme, por ja që shkenca dhe duart e arta të kolegëve tanë bëjnë gjithshka të mundur. –nuk dinte si ta përgëzonte këtë grua që aq shumë ishte torturuar me sëmundjen e së bijës. -Pa dale, ti paske lotuar?! -i tërhoqi vëmendjen. -Të djija burrëreshë Monda!
-Mezi pres të dalë e ta shoh. Jam në…
-Është si kokra e mollës. –vështroi nga polici i shoqërimit. –Eja me ne brenda.
-Shkoni ju, kam babanë atje. -nguroi ajo dhe ktheu kokën pas nga turma e njerëzve. -S’e le dot vetëm. Shkoni, shkoni!
-Mirë, na prisni këtu. Nuk do vonohemi. -gjegji Profesori dhe si i rrahu lehtë shpatullën ndoqi infermjeren dhe policin.
Para portës së hyrjes së pasagjerëve të ardhur nga pista ata njohën menjëherë Bekiminn me të bijën. Ajo dukej si një shtojzovalle ato çaste. Thellësisht e malluar mundohej të ecte me karrocë. “Kjo është një mrekulli?!” thirri nën zë Profesori dhe në moment hapi krahët.
-Stiljana! –ngriti zërin dhe u përkul sakaq para vajzës së vogël.
-… -ato çaste ku ta dinte ajo se veç familjes do të mund të kujtoheshin dhe të tjerë për të! Krejt e shokuar u gjend në krahët e Profesorit. Me pak mundim u ngrit nga karroca me forcën e duarve dhe u mbështet plotësisht mbi patericat.
-Të lumtë bijë, e mposhte vërtetë mortajën që për pak të mori jetën! -e puthi në ballë dhe u kthye e u përqafua me Bahriun.
-Falë këmbënguljes suaj Profesor…
-Jo vëlla, jo. –iu shfaq para fytyrës tjetri duke tundur kokën i gëzuar pa masë për ardhjen e tyre, -gjithshka i takon kësaj lepurushes. Ndaj bëmë çmos për të. –nxorri paketën e si e ndezën nga një iu drejtua infermjeres, -Dorina, shoqëroheni Stiljanën për në autoambulancë.
-Ju faleminderit Pr. Ylli. Por ne na…
-E di, e di. –qeshi me të profesori, -Sapo u ndava me Mondën. –thithi cigaren dhe priti sa infermjerja me vajzën dhe policin kapërcyen derën. Kur ato u gjendën në skajin tjetër të hollit, aty ku i prisnin xha Andoni me Mondën, ai i futi krahun Bahriut dhe në ecje e sipër i kërkoi të shkonin në spital për disa minuta. -Na duhet të mbyllim dhe ne procedurat tona.
-Me gjithë qejf, pse jo! –ndjeu për detyrim edhe Bahriu të mos e refuzonte kërkesën e tij. Në sytë e Profesorit ai dalloi jo vetëm merakun e profesionit dhe përgjegjësinë ndaj pacientes, por mbi të gjitha të qenurit dhe vetë prind. Nën rrezet përvëlonjëse të diellit kapërcyen portën e brendëshme dhe pasi takuan xha Andonin dhe Mondën iu drejtuan autoambulancës.
Në vend të epilogut.
————————-
Nata ishte e freskët. Qetësinë e saj e thyenin lehjet e qenve të vegjël në oborrin e shtëpisë karshi. Ata lehnin vetëm kur e zonja e shtëpisë, një e moshuar rreth të tetëdhjetave, i nxirrte dhe i fuste brenda. Bekim Lira ende nuk kishte ardhur nga puna. Mbas një viti të daljes së Stiljanës nga spitali në vendin e huaj, Mondës për fat të mirë të tyre i doli llotaria amerikane. Ndonëse të pikëlluar, pasi Tritani ishte i madh në moshë, vendosën të largohen. Megjithëse në një moshë të madhe, për hir të fëmijëve, sidomos për ecurinë e mëtejshmë të Janës, lanë vendlindjen dhe u sistemuan në qytetin e bukur të Çikagos.
Ditët e dimrit ishin të vogla dhe tepër të ftohta në qytetin verior. Një klimë e ashpër ku për disa muaj të ndrydhte, të kufizonte disa privime, e megjithatë të bënte ta dashuroje. Aty u stabilizua Bekimi. Më shumë ishte dhe kërkesa e mikut të tij, Bashkim Çalit, ardhur disa vite më parë në këtë qytet. Me ndihmën e tij zuri një apartament, filloi punë si specialisht elektrik. Më pas, falë diplomës së inxhinierit elektrik bëri një kurs për të marrë liçensën e punës, dhe kështu filloi të punojë edhe privatisht mes miqve të komunitetit. Në apartamentin ku jetonin s’kishte kushte të përshtatshëme për lëvizjen lirisht në karrocë të Janës. Së bashku me Mondën bënë të gjitha ç’duhej që ajo të ambientohej me jetën e re. Pas një viti me disa ndihma dhe nga Tritani, stabilizuar tashmë në Milano, ata blenë një shtëpi jo shumë larg shkollës. Jana iu nënshtrua një seri vizitave mjekësore dhe e ndihmuar nga shteti hyri plotësisht në normalitet. Falë vullnetit të saj mbaroi shkëlqyeshëm dy vitet e para në gjimnaz. E stimuluar dhe nga mësuesja e artit, zonja Flobeer, ajo do të hapte një ekspozitë me piktura në shkollë. Me një prej punimeve konkuroi në bienalen studentore të vitit dhe u nderua me medalje. Në saje të punës këmbëngulëse mundi të klasifikohet në nxënësit më të mirë të shkollës për vitin. Lodhja, mundi e sakrificat e panumurta të saj bënë të krenohen jo vetëm Bahriu e Monda, por dhe shkolla. Një dritare e re po hapej për ardhmërinë e saj. Talenti në pikturë po e përgatiste t’i kushtohej një dege të re e të bukur, asaj të “stylist-disagno-s”
-Babi, -mezi kishte pritur Jana të atin të vinte nga puna, i thirri nga dhoma t’i shkonte atje, -hape, është për ty!
Bahriu ende pa hequr xhaketën u step nga zarfi i madh e i verdhë, të cilën e bija po ia zgjaste. E vështroi gjithë habi. Sytë e saj po ndrisnin në atë natë të kthjellët Koriku. Nuk e kishte idenë se ç’mund të kishte brenda në të.
-Babi, aty ke të gjitha dokumentat që duhen nga shkolla për ftesën e gjyshit dhe nënës në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në shkollë.
-Ssssiiii, si the?! -iu bë sikur s’e dëgjoi dot ç’po i thoshte e bija.
-Po Bekim, ashtu është. -sakaq hyri me nxitim Monda dhe u përkul e pushtoi të bijën. Kjo ishte për të një natë e bardhë, nga më të gjatat e më të bukurat.
Bahriut papritur i shkau një lot. E kishte marrë malli për prindërit e Mondës. Dy vjet iu dukën ato çaste sa dy muaj. Hapi me kujdes zarfin, vështroi ashtu në këmbë siç ishte përballë karrocës së të bijës letrat dhe iu ul pranë.
-Eh, Mondë… -ngriti sytë drejt saj, -të kujtohet kur morëm përgjigjen e parë të llotarisë?
-puthi të bijën në ballë, -Ku do të shkojmë ne me këtë?! -tundi kokën majtas-djathtas dhe pas një heshtjeje të gjatë vazhdoi, -Erdhëm këtu, në vendin ku ëndra bëhet realitet. Këtu, ku bijën tonë e duan të gjithë, e respektojnë të gjithë dhe e mbështesin të gjithë. E pra bëmë mirë që erdhëm. Ja, për këta fëmijë! Pse jo, le të gëzojnë e të shohin me sytë e tyre dhe gjyshët e Janës, që ftesa është dhurata më e çmuar që u jep mbesa! -përqafoi të dyja dhe duke u ngritur porositi, -Që nesër t’i plotësojmë formularët e gjithshka duhet për vizë.
Korrik, 2013