Nga Marjana Bulku/
Këngëtarja dibrane Vera Laçi gjatë vizitës së saj në SHBA ishte e ftuara jonë në Albanian Culture TV në ciklin ”Një jetë…disa histori” në një komunikim të këndshëm ku jeta artistike dhe ajo e përditëshme ecin paralel duke iu rikthyer jo pak herë të shkuarës, ku natyrshëm fëmijëria është një faktor vendimtar në personalitetin e një artisti.Me një zë karakteristik që i shkon aq shumë përshtat lirikës popullore dibrane ku i këndohet dashurisë, martesës,dhimbjes, ku përveç tekstit spikatin elementët folklorik të etnografisë,bukurisë femërore,ritet zakonore që pikturojnë terrenin autokton dibran.
Këngët tashmë të njohura”Pjergullo”, “Kur të vishesh nuse”, ”Moj Xhemile”, janë potpuri tingujsh e ndjenjash njerëzore ku shfaqet bota shpirtrore e cila pavarësisht kohëve që ndryshojnë, duket sikur i përjetëson njësoj emocionet. Dibra e mendjes e vuajtjes dhe e dramave sociale si pasojë e atyre ekonomike e politike, është edhe Dibra e trimërisë ku është mendja ajo që vendos nëpër ato odat burrnore ku debati dhe polemikat janë prova e dukshme se fjala që të jetojë gjatë duhet të thuhet mençur. Kenga ; “A ja din rendin burrnisë”spikat si një interpretim ku etnografia, zëri, artikulacionet performojnë aq bukur duke krijuar një mjedis muzeal kumbues muzikor. Vera nuk nguron të jetë artiste në skenë por edhe në jetë duke skalitur femrën e fortë që merr nga jeta lirizmin,epizmin dhe tragjizmin duke ia rikthyer ato skenës. Dhe skena e saj është Estrada dhe Teatri ”Haki Stërmilli” Peshkopi, që ajo nuk resht së falenderuari si djepi që e rriti, kompozitori Edmond Zhulali si ai që i dha emër jo vetëm në Shqipëri por edhe në skenat evropiane ku ajo ka interpretuar jo pak. Në zërin e Vera Laçit, repertorin dhe karrierën e saj artistike ka gjurmë terreni artistik dibran ku jo pak artiste femra kanë bërë histori, pavarësisht se sa është rekorduar ajo për shkak të kushteve të cunguara e mjaft faktorëve të tjerë jashtartistik. E adhurueshmja e kenges qytetare Melita Shehu, e paharrueshmja Caje Poleshi dhe padyshim legjenda femërore dibrane e këngës Lirije Rasha janë terreni artistik përpara të cilave Vera përulet me mirnjohje. Në zërin e saj jeton sejcila prej tyre, trondit drama e kurbetit,kumbon vaji i dhembjes dhe i humbjeve njerëzore që nuk sjellin vetëm emocionin skenik por edhe përjetimin personal që interpretimi artistik i saj e përjetëson përmes artit. ”Fusha e Korabit” si drama balade e ikjes, ”Lotët mos mi fshij” një rikthim në këngë pas humbjes së djalit të vetëm Denis, ”Fatit mos iu anko” si një thirrje për ta përballuar jetën me forcën e vyrtytit dhe të karakterit janë produksione që dëshmojnë se jeta e cila na jep dhe merr aq shumë kërkon nga ne përkujdesje dhe dashuri dhe dëshmia më e qartë e kësaj është DEA personazhi më i brishtë dhe i bukur në jetën e artistes dibrane Vera Laçi, është ajo që ka sjellë aq shumë dashuri,shpresë dhe buzëqeshje në jeten e saj (urojme edhe produksione te reja) që nuk është vetëm e saj por e gjithsejcilit nga ne përsa kohë ajo prodhon art.