Dr. Ermelinda Kashah
Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër
Lexova me vëmendje librin historik dhe voluminoz, të përgatitur me shumë kujdes nga studiues, intelektualë, personalitete të ndryshme nga trojet etnike shqiptare dhe diaspora, që e kanë njohur nga afër aktivistin e shquar shqiptaro-amerikanë Tomë Mrijaj, me titull: “Një jetë në shërbim të nacionalizmit, humanizmit dhe kulturës shqiptare”.
Gjithashtu ky libër i ri, është botuar mbas aktivitetit të suksesshëm të Sesionit Shkencorë, të mbajtur online në Prishtinë nga Shoqata Mbarëkombëtare “Trojet e Arbërit”, nën drejtimin e Kryetarit të Shoqatës Nue Oroshi, së bashku me stafin e kryesisë.
Të them të drejtën vepra në fjalë, më la mbresat e një studiuesi kureshtar, në qoftë se do ta quanim kështu.
Kur unë analizoj një libër, e kam sa të thjeshtë dhe të vështirë. E thjeshtë, përsa i përket fushës së njohjes dhe e vështirë kur dal përtej kësaj fushe.
Por në rastin në fjalë, pash që te ky libër gjeta elementet estetike si: e bukura, e shëmtuara, e madhërishmja, etj.
Mjafton të hysh në thellësinë e titullit dhe kupton se letërsia, historia dhe kultura shqiptare sot janë një.
Në fakt, që të jem e sinqertë, ky nuk është libri i parë që unë e kam lexuar nga studiuesi Tomë Mrijaj. I kam parë gjërat me themel, për vetë faktin se më është dashur të njihem se çfarë ka ndodhur jashtë Shqipërisë, të mendosh që ishim shqiptar dhe jetonim si me gjëmba me vëllezërit tanë kosovarë.
Këtë e vërteton më së miri edhe kopertina e pasme e librit, ku dallohet Shqipëria Etnike dhe kur shoh këtë hartë, mendoj se sa emocion përcjellim ne sot, që nuk na e ndalon më askush lirinë e të shkruarit.
Shkojmë më tutje. Në këtë libër kanë shprehur mendimin e tyre shumë kolegë të mi, për të cilët ruaj respekt dhe konsideratë, aq më tepër për faktin, që Shoqata Mbarëkombëtare “Trojet e Arbrit”, ku unë sot mbaj pozicionin e nënkryetares, është bërë si urë lidhëse me studiuesin në fjalë edhe me këta recensues dhe studiues, që kanë shprehur mendimet e tyre në këtë libër.
Po them edhe unë mendimin tim, për fushën që unë mbuloj.
I gjithë libri, të jep një ndjesi të veçantë, e tërë historia rrjedhë kështu, me një ndjenjë narrative reale, për kohët e ndryshme, që kanë bërë historitë e vendit, për referenca historike, për kontributin që ka dhënë atdhetari Tomë Mrijaj, për të qenë si emri i atdheut në kohën e vet.
Mënyra se si unë i kam konceptuar temat e veçanta në libër, më jep një frymë këndimi dhe përshkruan bindshëm konceptimet e kohës narrative dhe artistike, për të vazhduar më pas në perceptimin estetik të kohës.
Kjo bën që të pasurohet ndjeshëm koha në këtë hapësirë, ndaj koha e ardhmërisë për këtë atdhetar, paraqitet si kohë në korelativitet të ndërsjelltë me kohën e shkuar dhe të dyja bashkë në raport me kohën e tanishme.
Prandaj, ne në letërsi këtë lëvizje e quajmë narracion, i cili lëviz nga një pikë në tashmëri drejt një pike në kalueshmëri të afërt, në segmentet e kohës historike.
Prandaj dhe autorët ndjenjën e kohës e kanë dhënë sipas ngjarjeve, kurse ngjarhet janë të mundshme vetëm si lëvizje në hapësirë, gjë që ligjëruesit e kanë shfrytëzuar qartazi. Ato janë koha dhe hapësira si dy kategori të pandashme matematikisht.
Tre hallkat, ku janë mbështetur ligjëruesit e ndryshëm të punimeve interesante shkrimore në këtë librër, janë të evidentura qartas tek: Nacionalizmi, humanizmi dhe kultura.
Atëhere në mendje, të vjen pyetja: A mundet që këto tre pika të jenë të shkëputura njëra me tjetrën?
Përgjigja është jo.
Kur shfletoj librin më tej, kuptoj që ende s’e kam njohur këtë studiues, sepse karakteri im më çon drejt një largpamësie, që çdokush hedh në letër ato mbresa që nuk i thotë dot edhe në jetën e përditshme.
Por, për një gjë më vjen mirë: që ky atdhetar ka mbajtur kontakte me personalitete e emigracionit, si: Kapidanin e Mirditës Ndue Gjomarkun, mons. dr. Zef Oroshin, dom Anton Kçira, prof. Zef Neka, prof. Arshi Pipa, prof. Luan Gashin, Mërgim Korça etj., etj.
Pra, një njeri, që me të vërtetë është në fokus të studiuesve, tregon se gjithë jetën e tij ia ka përkushtuar kulturës dhe artit në veçanti.
Deri këtu jemi të qartë, por aman çështja fuqizohet me futjen e lexuesit (si unë për shembull), si pjesëmarrës aktiv në kodin e komunikimit.
Më bën përshtypje se si studiuesit Tomë Mrijajn e përshkruajnë në libër çështjen e kohës, gjë të cilën të them të drejtën ligjëruesit në libër e shpalosin me shumë realizëm.
Kjo e ka një mesazh. Leximi, është ngjarje në kohë dhe në bazë të tij, të gjitha përjetimet e tjera të kohës stabilizojnë një metatekst të ri.
Pra, që të arrihet te ritmi global, kjo i atribohet tekstit dhe ne jemi të ballafaquar me dy përjetime të ndryshme të kohës: atë të kohës fizike (që në rastin tonë ka të bëjë me shërbimin që i ka bërë atdheut), dhe atë të kohës vetjake.
Përse e them këtë?
Për të gjithë ato, që po i lexojnë këto rreshtat të mia, po jap arsyetimin tim: Institucioni i glorifikimit në një shoqëri, nuk ka kuptimin që kishte në shoqëritë e komunikimeve të vështira, të mundshme për tu kontrolluar.
Rrjeti i komunikimeve në Shqipëri, ishte i cunguar me botën përtej, kurse në Kosovë kjo gjë nuk ishte. Prandaj edhe ky atdhetar (Tomë Mrijaj), kalon përtej dimensionit të gjerësisë, shërbimit, universalizimit kulturor dhe intelektual (kujtoj, këtu intervista që i është marrë Tomë Mrijës në fq. 280, ku ai flet për Kongresin e Tretë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit).
Pra, kjo do të thotë se kjo figurë është shumëdimensionale dhe unë personalisht jo çdo njeri e vlerësoj, sepse të vlerësosh dhe të shkruash njëkohësisht, është përgjegjësi dhe ndjenjë, sesi vijnë rrëfimet në trurin tënd si studiuese.
Mua, nuk më pëlqejnë as lavdërimet e tepërta dhe të njëjtën gjë nuk do ta bëja kurrë, as për atë që shkruaj, sepse unë punoj në një fushë ku më duhet të shkruaj aty ku ka letërsi.
E ritheksoj, se kur mora librin në dorë, e kam parë me imtësi të madhe se si shkruanin të tjerët për të, por si natyrë e ftohtë që jam (sepse rrjedh prej kalldrëmeve të një qyteti gri) siç, – thotë edhe Kadareja, ky libër më ngrohu për disa arsye:
1. Dashamirësia që ju (Tomë Mrijaj), u keni dhënë njerëzve, shprehet në këto rreshta që unë lexoj.
2. Pyetja, që zakonisht të vjen ndër mend dhe nuk të largohet, është: “Po mirë, a i njoh unë sa duhet këto shkrues të ketij libri”?
Epoka e krenarisë kombëtare, aktivizon funksionin e artit si një makinë e prodhimit dhe stimulimit të ideve kombëtare edhe pse gjuha e figurës është mjaft e njëtrajtshme.
3. Duket se protoganisti i këtij libri, është besimtar i plotë dhe kjo më bën të kuptojë që ka punuar dhe i është përkushtuar kulturës shqiptare larg materializmave.
Si përfundim, i uroj ligjëruesve të veprës historike, kushtuar figurës së intelektualit të shquar Tomë Mrijaj, që të hulumtojnë dhe të botojnë sa më shumë libra të kësaj fushe, sepse ky lloj zhanri është nga më të arrirat sot për sot, në letërsi dhe histori.