Nga Aleksandër Arvizu/*
Mirëse keni ardhur në festimin e përvitshëm të Pavarësisë Amerikane, të festës sonë kombëtare. Dhe faleminderit që duruat radhët e gjata. Si fillim, më lejoni të shpreh vlerësimin tim të sinqertë për sponsorët tanë të shumtë. Ata shfaqen në programin tuaj dhe në tabelën tonë ekspozuese. Pa bujarinë e tyre, nuk do të kishim qenë në gjendje t’iu ofronim këtë nivel mikpritjeje. Falënderime të mëtejshme vijojnë. Falënderime për z. Artan Shabani dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, Bashkinë e Tiranës, Kryetari Basha, faleminderit Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Artan Didi dhe Policisë së Shtetit Shqiptar. Shumë anëtarë të RENEA-s dhe të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë që spikatën në mënyrë të admirueshme në Lazarat dy javë më parë ndodhen sonte këtu, duke u kujdesur që të gjithë ne të jemi të sigurtë. Ju lutem bashkohuni me mua për t’i përshëndetur me një duartrokitje anëtarët e mrekullueshëm të forcës policore që ndodhen këtu. Më lejoni të shtoj dhe falënderimet e mia Vikena Kamenicës për intepretimin prekës të të dy himneve kombëtare, si atij amerikan edhe atij shqiptar. Mund t’ju siguroj që me argëtimin e ofruar prej Vikenës dhe Keli Band, të gjithë do të kënaqeni shumë këtë mbrëmje. Dhe të fundit, por jo për nga rëndësia, më lejoni të falenderoj stafin e mrekullueshëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për punën e tyre të madhe e veçanërisht për vëmendjen ndaj detajeve, në mundësimin e kësaj mbrëmjeje. Ata i kuptojnë pritshmëritë që shfaqen kur dikush përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë jam krenar që punoj me kolegë me një reputacion kaq të merituar për përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin.
Disa prej jush pa dyshim po pyesin: “Përse po festoni më 2 korrik?” Epo, këtë vit të paktën, përgjigja është fare e thjeshtë, e sotmja është e vetmja mbrëmje në këtë javë në të cilën nuk ka të planifikuara ndeshje të Kampionatit Botëror të Futbollit. Nuk donim t’i jepnim askujt justifikimin për të mos ardhur e festuar me ne. Me që ra fjala te Kampionati Botëror, përgjigja është po, e pashë ndeshjen mbrëmë. Ambasadorja belge është në vizitë këtu. Ajo është akredituar në Shqipëri. Siç i thashë dhe asaj, ata ishin skuadra më e mirë kështu që urime. Të gjithë ju e dini që Shqipëria përshkruhet si një prej vendeve më pro-Amerikan në botë, gjë që ne e vlerësojmë. Po atëherë, si ka mundësi që ekipet më popullore, përveç “Kuq e Zinjve”, janë Gjermania, Italia dhe Brazili, sipas kësaj renditjeje? Çdokush që pyes më thotë Gjermania, Italia dhe Brazili. Seriozisht, ku janë Shtetet e Bashkuara? Sikurse e thotë shprehja: “Mendoja se na donit?” Miqtë e mi të dashur: E parë nga Europa, Amerika është një vend shumë i ri. Kjo mund të jetë e vërtetë, por prapëseprapë 238 vite mua më duken si një kohë shumë e gjatë. Kur mendoj mbi Shpalljen tonë të Pavarësisë 238 vite më parë nga Britania e Madhe, dhe të gjithë historinë e viteve të shkuara, është e natyrshme t’u kthehesh pasazheve të caktuara të pavdekshme, të cilat çdo amerikan i arsimuar duhet t’i dijë përmendësh. E kam fjalën për vetë Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, Fjalimin e Abraham Lincoln në Gettysburg, fjalimin e Dr. Martin Luther King “Unë kam një ëndërr”.
Këtë vit, vendosa t’i rikthehem dhe të rilexoj pjesë të një dokumenti embrional që është kriteri i vetë krijimit të Republikës Amerikane. Pavarësisht rëndësisë së tij, është diçka që shumë prej jush mund të mos e kenë dëgjuar kurrë më parë. Pres që amerikanët në ambasadë t’i njohin dhe nëse nuk i njohin, duhet të ndjehen të turpëruar, por gjasat janë që nuk njihen mirë jashtë Amerikës. Po flas për diçka që njihen si “Letrat Federaliste”. Ato ishin një seri artikujsh, 85 gjithsej, të shkruara dhe të përhapura gjatë viteve 1787 dhe 1788. Autorët e tyre ishin tre amerikanë të hershëm të jashtëzakonshëm: James Madison, Alexander Hamilton dhe John Jay. Në “Letrat Federaliste” ata u përpoqën të bindnin qytetarët e Shteteve të Bashkuara të sapoformuara që të miratonin Kushtetutën e propozuar.
Alexander Hamilton, John Jay dhe James Madison argumentonin fuqimisht përkrahjen e krijimit të një sistemi qeverisës të ri, më të fuqishëm dhe të centralizuar, por të balancuar.
Duke hulumtuar Letrat Federaliste, ndesha këtë pasazh kuptimplotë. Gjendet në Letrën e parë, e njohur si Federalistja Nr. 1. Më lejoni të citoj: “Është thënë shpesh, që duket sikur njerëzve të këtij vendi, përmes sjelljes dhe shembullit të tyre, iu është rezervuar e drejta që të vendosin mbi çështjen e rëndësishme, nëse shoqëritë e njerëzve janë me të vërtetë të afta ose jo, për të krijuar një qeveri të mirë si rezultat i reflektimit dhe zgjedhjes, apo nëse ata janë përgjithmonë të destinuar të varen të nga rastësia dhe forca për strukturat e tyre politike”.
Pak më shumë se 100 vite më parë, forca shkatërrimtare të tmerrshme u lëshuan në këtë pjesë të botës duke çuar në vdekjen e milionave dhe mjerim të parrëfyeshëm njerëzor. Ju lutem, ndaluni një çast dhe mendoni mbi gjithçka që ka ngjarë në kontinentin europian që prej asaj kohe. Pavarësisht përparimit të jashtëzakonshëm, na duhet që ende të përmbushim qëllim e vyer të një Europe që është e plotë, e lirë dhe në paqe. Ky kërkim është i vazhdueshëm, dhe progresi i vërtetë që është arritur deri më sot drejt përmbushjes së këtij qëllimi duhet të jetë një frymëzim për të vazhduar këtë kërkim të pandërprerë.
Javën e shkuar, Shqipëria arriti një gur kilometrik domethënës drejt përmbushjes së një pjese të këtij vizioni të ardhshëm. Vendimi i Këshillit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në BE ishte i mirë për Shqipërinë. Ishte i mirë për Europën. Dhe ishte i mirë për Shtetet e Bashkuara. Ishte i mirë për Shtetet e Bashkuara, pasi ne jemi përgjithnjë të lidhur me Europën me anë të Atlantikut, dhe jo të ndarë prej tij.
Më lejoni ta mbyll duke iu drejtuar veçanërisht miqve tanë shqiptarë, të cilët kanë qenë kaq dashamirës kundrejt Amerikës kaq gjatë. Më lejoni t’iu lë me një pyetje, një nxitje në të vërtetë, me një perifrazim të lehtë dhe huazim zemërgjerë nga Federalisti nr. 1:
“A ndiheni të paracaktuar të lejoni që zgjedhjet tuaja politike të diktohen prej rastësisë dhe forcës? Apo do të provoni se jeni të aftë dhe të gatshëm për të vendosur drejtimin dhe përparësitë tuaja politike në bazë të reflektimit dhe zgjedhjes?”. Cilido që ka folur me brezin e të rinjve shqiptarë, duhet ta dijë përgjigjen. Dhe përgjigja duhet t’i qetësojë zemrat dhe mendjet tona. Ky brez – dhe ata që do të vijnë – do të nderojnë traditat dhe trashëgiminë krenare të Shqipërisë. Ata do ta respektojnë të shkuarën. Por nuk do të ngelen në të, si një shpirt i pashpresë i kyçur në një ndërtesë kinemaje, i dënuar të shohë sërish e sërish të njëjtat sekuenca të vjetra të një filmi të konsumuar tashmë.
Abraham Lincoln ishte ndoshta presidenti më i madh amerikan që ka jetuar ndonjëherë. Thuajse të gjithë janë të familjarizuar me historinë e tij, se si ai u rrit në një kasolle të vogël druri, modeste dhe të varfër, sesi ai nuk kishte zgjedhje tjetër veç të përshkonte distanca të largëta vajtje-ardhje për në shkollë qoftë këmbëzbathur ose me këpucë të grisura.
Abraham Lincoln u bë njeri i madh pasi ai nuk qëndroi në atë kasolle druri. Ai e la kasollen dhe vazhdoi ta përkushtonte jetën e tij për ndërtimin e një Republike më të fortë.“ Një Komb, nën Perëndinë, i Pandashëm, me Liri dhe Drejtësi për të Gjithë”.
Të rinjtë e Shqipërisë janë të destinuar të përmbushin premtimin e një të nesërmeje më të mirë. Koha për të nisur është sot. Ju falenderoj të gjithëve. Do të jem përgjithmonë mirënjohës për mbështetjen tuaj, për inkurajimin tuaj dhe për urtësinë tuaj, gjatë kohës sime këtu, në Shqipëri.
*Nga Aleksandër Arvizu
*Fjala e Ambasadorit të SHBA Aleksandër Arvizu, mbajtur dy ditë më parë, në ceremoninë e organizuar për Ditës së Pavarësisë së SHBA
Shefqet says
Ne fakt e lexova fjalimin e z.Arvizu thuajse me nje fryme gjate vizites ne SHBA, ku midis te tjerave mora pjese ne festen e pavaresise ne Washington D.C, nje mrekulli e vertete. Ne ate dite te mrekullueshme shpesh kujtoja fjalet e z.Arvizu per popullin shqiptar, te ardhmen e tij, vecanerisht rinise shqiptare. Nje fjalim origjinal,lakonik, me mesazhe dhe filozofi te qarte per vendin tone. Faleminderit Ambasades se SHBA, popullit amerikan per perkrahjen dhe ndihmen shekullore ndaj popullit shqiptar.
Shefqet Kercelli, Durres