Nga Aleksandër Arvizu/*
Mirëse keni ardhur në festimin e përvitshëm të Pavarësisë Amerikane, të festës sonë kombëtare. Dhe faleminderit që duruat radhët e gjata. Si fillim, më lejoni të shpreh vlerësimin tim të sinqertë për sponsorët tanë të shumtë. Ata shfaqen në programin tuaj dhe në tabelën tonë ekspozuese. Pa bujarinë e tyre, nuk do të kishim qenë në gjendje t’iu ofronim këtë nivel mikpritjeje. Falënderime të mëtejshme vijojnë. Falënderime për z. Artan Shabani dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, Bashkinë e Tiranës, Kryetari Basha, faleminderit Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Artan Didi dhe Policisë së Shtetit Shqiptar. Shumë anëtarë të RENEA-s dhe të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë që spikatën në mënyrë të admirueshme në Lazarat dy javë më parë ndodhen sonte këtu, duke u kujdesur që të gjithë ne të jemi të sigurtë. Ju lutem bashkohuni me mua për t’i përshëndetur me një duartrokitje anëtarët e mrekullueshëm të forcës policore që ndodhen këtu. Më lejoni të shtoj dhe falënderimet e mia Vikena Kamenicës për intepretimin prekës të të dy himneve kombëtare, si atij amerikan edhe atij shqiptar. Mund t’ju siguroj që me argëtimin e ofruar prej Vikenës dhe Keli Band, të gjithë do të kënaqeni shumë këtë mbrëmje. Dhe të fundit, por jo për nga rëndësia, më lejoni të falenderoj stafin e mrekullueshëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për punën e tyre të madhe e veçanërisht për vëmendjen ndaj detajeve, në mundësimin e kësaj mbrëmjeje. Ata i kuptojnë pritshmëritë që shfaqen kur dikush përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë jam krenar që punoj me kolegë me një reputacion kaq të merituar për përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin.
Disa prej jush pa dyshim po pyesin: “Përse po festoni më 2 korrik?” Epo, këtë vit të paktën, përgjigja është fare e thjeshtë, e sotmja është e vetmja mbrëmje në këtë javë në të cilën nuk ka të planifikuara ndeshje të Kampionatit Botëror të Futbollit. Nuk donim t’i jepnim askujt justifikimin për të mos ardhur e festuar me ne. Me që ra fjala te Kampionati Botëror, përgjigja është po, e pashë ndeshjen mbrëmë. Ambasadorja belge është në vizitë këtu. Ajo është akredituar në Shqipëri. Siç i thashë dhe asaj, ata ishin skuadra më e mirë kështu që urime. Të gjithë ju e dini që Shqipëria përshkruhet si një prej vendeve më pro-Amerikan në botë, gjë që ne e vlerësojmë. Po atëherë, si ka mundësi që ekipet më popullore, përveç “Kuq e Zinjve”, janë Gjermania, Italia dhe Brazili, sipas kësaj renditjeje? Çdokush që pyes më thotë Gjermania, Italia dhe Brazili. Seriozisht, ku janë Shtetet e Bashkuara? Sikurse e thotë shprehja: “Mendoja se na donit?” Miqtë e mi të dashur: E parë nga Europa, Amerika është një vend shumë i ri. Kjo mund të jetë e vërtetë, por prapëseprapë 238 vite mua më duken si një kohë shumë e gjatë. Kur mendoj mbi Shpalljen tonë të Pavarësisë 238 vite më parë nga Britania e Madhe, dhe të gjithë historinë e viteve të shkuara, është e natyrshme t’u kthehesh pasazheve të caktuara të pavdekshme, të cilat çdo amerikan i arsimuar duhet t’i dijë përmendësh. E kam fjalën për vetë Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, Fjalimin e Abraham Lincoln në Gettysburg, fjalimin e Dr. Martin Luther King “Unë kam një ëndërr”.
Këtë vit, vendosa t’i rikthehem dhe të rilexoj pjesë të një dokumenti embrional që është kriteri i vetë krijimit të Republikës Amerikane. Pavarësisht rëndësisë së tij, është diçka që shumë prej jush mund të mos e kenë dëgjuar kurrë më parë. Pres që amerikanët në ambasadë t’i njohin dhe nëse nuk i njohin, duhet të ndjehen të turpëruar, por gjasat janë që nuk njihen mirë jashtë Amerikës. Po flas për diçka që njihen si “Letrat Federaliste”. Ato ishin një seri artikujsh, 85 gjithsej, të shkruara dhe të përhapura gjatë viteve 1787 dhe 1788. Autorët e tyre ishin tre amerikanë të hershëm të jashtëzakonshëm: James Madison, Alexander Hamilton dhe John Jay. Në “Letrat Federaliste” ata u përpoqën të bindnin qytetarët e Shteteve të Bashkuara të sapoformuara që të miratonin Kushtetutën e propozuar.
Alexander Hamilton, John Jay dhe James Madison argumentonin fuqimisht përkrahjen e krijimit të një sistemi qeverisës të ri, më të fuqishëm dhe të centralizuar, por të balancuar.
Duke hulumtuar Letrat Federaliste, ndesha këtë pasazh kuptimplotë. Gjendet në Letrën e parë, e njohur si Federalistja Nr. 1. Më lejoni të citoj: “Është thënë shpesh, që duket sikur njerëzve të këtij vendi, përmes sjelljes dhe shembullit të tyre, iu është rezervuar e drejta që të vendosin mbi çështjen e rëndësishme, nëse shoqëritë e njerëzve janë me të vërtetë të afta ose jo, për të krijuar një qeveri të mirë si rezultat i reflektimit dhe zgjedhjes, apo nëse ata janë përgjithmonë të destinuar të varen të nga rastësia dhe forca për strukturat e tyre politike”.
Pak më shumë se 100 vite më parë, forca shkatërrimtare të tmerrshme u lëshuan në këtë pjesë të botës duke çuar në vdekjen e milionave dhe mjerim të parrëfyeshëm njerëzor. Ju lutem, ndaluni një çast dhe mendoni mbi gjithçka që ka ngjarë në kontinentin europian që prej asaj kohe. Pavarësisht përparimit të jashtëzakonshëm, na duhet që ende të përmbushim qëllim e vyer të një Europe që është e plotë, e lirë dhe në paqe. Ky kërkim është i vazhdueshëm, dhe progresi i vërtetë që është arritur deri më sot drejt përmbushjes së këtij qëllimi duhet të jetë një frymëzim për të vazhduar këtë kërkim të pandërprerë.
Javën e shkuar, Shqipëria arriti një gur kilometrik domethënës drejt përmbushjes së një pjese të këtij vizioni të ardhshëm. Vendimi i Këshillit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në BE ishte i mirë për Shqipërinë. Ishte i mirë për Europën. Dhe ishte i mirë për Shtetet e Bashkuara. Ishte i mirë për Shtetet e Bashkuara, pasi ne jemi përgjithnjë të lidhur me Europën me anë të Atlantikut, dhe jo të ndarë prej tij.
Më lejoni ta mbyll duke iu drejtuar veçanërisht miqve tanë shqiptarë, të cilët kanë qenë kaq dashamirës kundrejt Amerikës kaq gjatë. Më lejoni t’iu lë me një pyetje, një nxitje në të vërtetë, me një perifrazim të lehtë dhe huazim zemërgjerë nga Federalisti nr. 1:
“A ndiheni të paracaktuar të lejoni që zgjedhjet tuaja politike të diktohen prej rastësisë dhe forcës? Apo do të provoni se jeni të aftë dhe të gatshëm për të vendosur drejtimin dhe përparësitë tuaja politike në bazë të reflektimit dhe zgjedhjes?”. Cilido që ka folur me brezin e të rinjve shqiptarë, duhet ta dijë përgjigjen. Dhe përgjigja duhet t’i qetësojë zemrat dhe mendjet tona. Ky brez – dhe ata që do të vijnë – do të nderojnë traditat dhe trashëgiminë krenare të Shqipërisë. Ata do ta respektojnë të shkuarën. Por nuk do të ngelen në të, si një shpirt i pashpresë i kyçur në një ndërtesë kinemaje, i dënuar të shohë sërish e sërish të njëjtat sekuenca të vjetra të një filmi të konsumuar tashmë.
Abraham Lincoln ishte ndoshta presidenti më i madh amerikan që ka jetuar ndonjëherë. Thuajse të gjithë janë të familjarizuar me historinë e tij, se si ai u rrit në një kasolle të vogël druri, modeste dhe të varfër, sesi ai nuk kishte zgjedhje tjetër veç të përshkonte distanca të largëta vajtje-ardhje për në shkollë qoftë këmbëzbathur ose me këpucë të grisura.
Abraham Lincoln u bë njeri i madh pasi ai nuk qëndroi në atë kasolle druri. Ai e la kasollen dhe vazhdoi ta përkushtonte jetën e tij për ndërtimin e një Republike më të fortë.“ Një Komb, nën Perëndinë, i Pandashëm, me Liri dhe Drejtësi për të Gjithë”.
Të rinjtë e Shqipërisë janë të destinuar të përmbushin premtimin e një të nesërmeje më të mirë. Koha për të nisur është sot. Ju falenderoj të gjithëve. Do të jem përgjithmonë mirënjohës për mbështetjen tuaj, për inkurajimin tuaj dhe për urtësinë tuaj, gjatë kohës sime këtu, në Shqipëri.
*Nga Aleksandër Arvizu
*Fjala e Ambasadorit të SHBA Aleksandër Arvizu, mbajtur dy ditë më parë, në ceremoninë e organizuar për Ditës së Pavarësisë së SHBA
RETORIKA NACIONALISTE DESTABILIZON RAJONIN
Nga Aleksandër Arvizu*/
Kjo konferencë e duhur vjen vetëm pak javë pasi Shqipëria festoi 100 vjetorin e pavarësisë. Ky rast shumë i rëndësishëm shërbeu si një mundësi për të kthyer vështrimin pas në shekullin e fundit të ndryshimit siç u përjetua nga Shqipëria– dhe për t’u përsiatur mbi drejtimin e saj në të ardhmen.
Në vitin 1912 Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor po vuanin tmerret e Luftërave Ballkanike, dhe qenë në greminën e “Luftës së Madhe”, e cila do të vinte në lëvizje modelin për konflikt global në shekullin e 20-të. Paqëndrueshmëria e këtij rajoni ishte një faktor kontribuues për zjarret e mëvonshme që përpinë shumë shtetkombe dhe morën miliona jetë të pafajshme. Mësimi që oshtiu ishte ky: në kërkim të sigurisë botërore, asnjë rajon nuk mund të injorohet.
Le të ecim me shpejtësi përpara deri në ditët e sotme. Ndonëse mjedisi aktual i sigurisë ndryshon në mënyra të rëndësishme prej 1912-ës, drejtuesit shqiptarë dhe të tjerë drejtues ballkanikë ende kanë nevojë të përkufizojnë marrëdhëniet e vendeve të tyre me fqinjët përkatës dhe më gjerë më bashkësinë europiane. Sikurse në të shkuarën, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme t’ju ndihmojnë në këtë proces. Por, le të jemi shumë të qartë: udhëheqja dhe vizioni në fund të fundit duhet të vijnë prej Shqipërisë dhe vendeve fqinje të saj, veçanërisht prej drejtuesve të zgjedhur.
Muajin e kaluar, Ndihmës Sekretari i Shtetit Filip Gordon iu drejtua Këshillit të Atlantikut gjatë festimeve të 50-të vjetorit të tij në Uashington, D.C. Në fjalimin e tij ai tha “përparimi [në këtë rajon] varet nga gatishmëria e drejtuesve politikë për të kapërcyer gjërat që i dallojnë, nacionalizmin e ngushtë dhe ekonomitë e ngurta që nuk kanë vend në shekullin e 21-të”.
Tashmë kemi parë mënyrat me të cilat udhëheqja pozitive po bën ndryshimin. Rajoni i Ballkanit po përjeton aktualisht një periudhë relativisht paqësore dhe të gjitha vendet e Ballkanit – dhe sidomos Shqipëria– kanë kontribuar përtej këtij rajoni në operacione paqeruajtëse dhe stabilizimi tjetërkund.
Siguria dhe bashkëpunimi tjetër si qëllimi për ta çuar më tej integrimin
Më lejoni të adresoj një çështje që ka dalë në pah gjatë javëve të fundit, ajo e nacionalizmit. Ka mënyra për t’u marrë me trysnitë e vazhdueshme dhe kërcënimet e nacionalizmit. Njëra mënyrë është bashkëpunim sigurie i përmirësuar mes fqinjëve.
Bashkëpunimi i sigurisë ofron mjete shumë të prekshme dhe konkrete për krijimin e mekanizmave që frymëzojnë besim dhe nxisin bashkëpunimin. Ky bashkëpunim më pas bëhet themeli për një bashkëpunim dhe mirëkuptim më të madh rajonal.
Për shembull, gjatë dekadës së shkuar, disa vende të rajonit — Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina – kanë punuar së bashku drejt anëtarësimit në NATO, flamuri i NATO-s është pikërisht këtu në të majtën time, përmes Nismës SHBA – Karta e Adriatikut. Dy nga këto vende tani janë anëtare të plota Ngjizur si një mjet për të ndarë mësimet e nxëna nga reforma e mbrojtjes, “A-5” siç njihet zakonisht grupimi, dislokoi rishtazi një njësi të përbashkët trajnuese të policisë ushtarake në Afganistan nën drejtimin kroat — një arritje domethënëse dhe e lavdërueshme.
Ndërkaq, Shqipëria po drejton planet për të bashkërenduar më mirë përgjigjen ndaj emergjencave dhe përpjekjet e ndihmës për fatkeqësitë. Fatkeqësitë natyrore – qoftë nëse shkaktohen prej përmbytjeve, zjarreve në pyje ose borës së madhe – ndikojnë të gjitha vendet e rajonit dhe e bëjnë bashkëpunimin rajonal thelbësor.
Një fushë tjetër ku bashkëpunimi të shpie drejt sigurisë së përmirësuar është përmes shkatërrimit të municioneve dhe armëve të tepërta. Armët dhe municionet e vjetëruara, të paqëndrueshme, të ruajtura në mënyrë të papërshtatshme dhe jo siç duhet përbëjnë rrezik për çdo vend të rajonit. Shqipëria ka bërë përparim të madh në përpjekjet e saj për të eliminuar rezervat e mëdha të armatimeve ushtarake të tepërta. Ajo ka tani kapacitet që mund të ndihmojë vende të tjera të rajonit për të bërë të njëjtën gjë, duke rritur kështu sigurinë rajonale.
Së fundi, rritja e bashkëpunimit ekonomik mund të udhëheqë drejt përmirësimit të sigurisë. Propozime të tilla si Gazsjellësi Trans-Adriatik, njohur ndryshe si TAP, sikurse dhe rrugë e rrjete hekurudhore të përmirësuara, të tillë si Korridori 8, lidhin më mirë popujt dhe ekonomitë e rajonit, duke çuar drejt një integrimi më të plotë.
Shqipëria si një partner konstruktiv për rajonin
Megjithatë, trajektorja e përgjithshme pozitive e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, nuk është diçka që mund të merret për e mirëqenë. Disa aktorë shqetësues ose veprime të pavenda të ndërmarra për përfitim afatshkurtër politik, mund të çrregullojnë rajonin dhe të trazojnë tensione etnike ose fetare mes kufijve.
Rishtazi, Shtetet e Bashkuara kanë vënë re një rritje të pavend në retorikën nacionaliste këtu në Shqipëri, veçanërisht në javët që çuan drejt festimeve të 100 vjetorit dhe pasuan më tej.
Kjo retorikë kontraston dukshëm me rolin e përgjithshëm pozitiv që Shqipëria ka luajtur tradicionalisht në rajon, sidomos me popullsinë etnike shqiptare. Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe partitë politike – përfshirë opozitën – kanë lëshuar në përgjithësi mesazhe të qarta, të përgjegjshme duke i inkurajuar popullsitë etnike-shqiptare që jetojnë jashtë vendit, të punojnë së bashku me qeveritë e tyre për të zgjidhur problemet e tyre.
Kohët e fundit, aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të fokusuara në etnicitetin për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme. Tensionet etnike, nëse zgjohen njëherë, janë të vështira, nëse mos të pamundura për t’u parashikuar ose kontrolluar. Është e domosdoshme që personat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.
Retorika dhe veprimet nacionaliste, përveçse mund të destabilizojnë potencialisht rajonin, e dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë. Për shkak të deklaratave dhe pohimeve të ndryshme të debatueshme, të bëra në prag të festimeve të 100 vjetorit, dy vende fqinje anuluan pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje historike. Kjo mund të duket si një pasojë e vogël, për disa ndoshta si ato shënimet në fund të faqes, por është diçka që frenon marrëdhëniet, pengon komunikimin dhe bashkëpunimin dhe bën që zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura të bëhet shumë më e vështirë. Dhe ne, Shtetet e Bashkuara, i kushtojmë vëmendje kësaj.
Kërcënimet e kohëve të fundit ndaj pakicës maqedonase në Liqenas nga disa individë të drejtuar gabimisht, është tërësisht e papranueshme dhe duhet të refuzohet kategorikisht prej të gjithë shqiptarëve.
Thirrja e fundit nga Aleanca Kuq e Zi për referendumin për bashkimin Shqipëri-Kosovë nuk i shërben as aspiratave të integrimit Euro-Atlantik të vendit, dhe minon përparimin e arritur për stabilitetin dhe paqen rajonale, dhe lëvizjen drejt integrimit europian.
Më lejoni të jem i qartë si kristali, absolutisht i qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtarë në rajonin e Ballkanit. Çdo përpjekje për ta bërë këtë, është kundërproduktive dhe destabilizuese.
Partitë politike dhe drejtuesit duhet të përqendrohen në atë që ata thonë se është e rëndësishme: integrimi Euro-Atlantik. Fjala për një “Shqipëri të Madhe” të rreme është një shpërqendrim nga problemet shumë reale me të cilat përballet Shqipëria sot, dhe votuesit nuk duhet të bien pré e kësaj.
Dialogu politik i Shqipërisë duhet të përmbajë një spektër zërash, por zëra që shprehin ide konstruktive për t’i sjellë së bashku njerëzit.
Ne besojmë se një lëvizje e re politike sikurse Aleanca Kuq e Zi, mund dhe duhet të luajë një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në politikën shqiptare.
Duke parë rolin pozitiv që Qeveria e Shqipërisë ka luajtur tradicionalisht në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët e saj, nxisim drejtuesit e saj që të jenë të qartë në këtë element. Zgjedhjet nuk duhet të jenë një justifikim për të dërguar mesazhe të përziera.
Gjithashtu, kërkojmë që politikanët dhe drejtuesit politikë të Shqipërisë nga i gjithë spektri, të ripërtërijnë përkushtimin e tyre për të përcjellë mesazhe të përgjegjshme ndaj të gjithë shqiptarëve.
Zonja dhe zotërinj, bashkëpunimi për sigurinë në Ballkanin Perëndimor gjatë dhjetëvjeçarit të shkuar ka qenë një histori pozitive. Të gjitha vendet e rajonit kanë bërë përparim të madh në kapërcimin e konflikteve historikë shpesh shekullore.
Përfitimet që kam përshkruar këtu janë të vërteta, por ato nuk mund të merren për të mirëqena. Përparimi mund të përmbyset. Historia e kohëve të fundit tregon se nacionalizmi është ende një forcë e fuqishme në Ballkan.
Në librin “Paris 1919”, autorja Margaret MacMillan, që ka fituar çmime shkroi këto fjalë: “E shkreta Shqipëri e vogël, me kaq armiq të fuqishëm dhe me kaq pak miq. Ajo nuk kishte thuajse aspak industri, pak tregti, asnjë hekurudhë dhe vetëm rreth 200 milje rrugë të shtruara. Shqipëria u ngrit pak para lufte, e krijuar prej katër vilajeteve të perandorisë Osmane. Pak të huaj e kishin vizituar atë; pak dihej mbi historinë apo popullin e saj”.
Çfarë ndryshimi ka sjellë një shekull. Shqipëria ka fituar respektin dhe admirimin anembanë globit. Shqiptarët jetojnë brenda kufijve të sigurt; ata nuk ndihen më të kërcënuar prej armiqve të jashtëm. Kosova është tani një shtet sovran, i pavarur dhe i lirë. Dhe në rrjedhën e 100 viteve të shkuar asnjë vend në botë nuk e ka treguar veten që të jetë një mik më konsekuent dhe më i qëndrueshëm për popullin shqiptar, sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shqipëria qëndron sot si një shembull ndriçues i tolerancës dhe i përfshirjes. Rruga që shtrihet përpara për shqiptarët dhe për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor është e qartë: integrim më i madh përmes NATO-s, Bashkimit Europian dhe institucioneve Euro-Atlantike, dhe refuzim i vendosur ndaj praktikave përçarëse që nuk kanë absolutisht vend në shekullin e 21-të. Ju faleminderit për vëmendjen tuaj sot dhe ju uroj ditë të mbarë!
*Fjalim i ambasadorit të SHBA Aleksandër A. Arvizu në konferencën e 15-të Ndërkombëtare mbi Sigurinë në Ballkanin Perëndimor