


Shyqyri Fejzo/
Në pjesën veriore të Gjermanisë, aty ku ritmi I përditshëm ecën me saktësinë e një ore zvicerane, si në gjithë vendin, rri si një dritë e qetë shqiptare një Konsull Nderi, njeri që Atdhetarizmi dhe diplomacia është pjesë të frymës së tij. Kolë Gjoka e ka vitin e 6 që kryen këtë punë dhe prej 12 vitesh përfaqësues i Dhomës së Industris dhe Tregtisë së Tiranës në veriun e Gjermanisë. Ai është prej atyre që nuk flasin me zë të lartë; përkundrazi, ai flet me qetësinë e njeriut që e njeh peshën e fjalës dhe vlerën e veprës. Zyra, telefoni dhe emaili i tij jane bërë derë e hapur për çdo shqiptar që shkel në Gjermani: studentë me ëndrra të freskëta, punëtorë me halle të përditshme, familje që kërkojnë orientim, shkrimtarë që kërkojnë promovim, artistë që duan të shpërndajnë dritën e tyre. Te ai gjejnë jo vetëm proçedurë dhe ligj, por edhe buzëqeshje, durim dhe një qasje njerëzore që nuk të lejon të ndihesh i huaj në këtë vend të huaj.
Në një takim që bëmë në Hamburg, mësova shumë nga veprimtaria e tij. Kolë, të lutem më thuaj dy raste që në veprimtarinë tuaj të kanë lënë përshtypje dhe ndjenja të pa shlyeshme.Veç, dëshëroj një ngjarje të gëzueshme dhe një tjetër që mund të ketë mërzitur dhe trishtuar. Krojti pak në rrëzë të veshit, u mendua pak me sy të pulitur dhe filloi. Po e nis nga një ngjarje që më ka trishtuar shumë, jo vetëm mua. Këtu, në Hamburg, siç e di, pati një aksident tragjik në ndërtim. Ranë nga skela nga kati i 8- të 5 puntorë të rinj shqiptarë dhe fatkeqësisht të gjithë ndërruan jetë. Kuptohet, konsulli në këto raste le çdo punë dhe prioritet, duhej ndjekur ndodhia, aksidenti dhe proçedurat. Fatkeqësisht asnjeri nga ata nuk kishte dokumentacion e sigurim jete. Kishin punuar në të zezë. Në këto raste njeriu shtrydh çfarë ka në mendje dhe në zemër, për të gjetur ndonjë mundësi ndihme për fatkeqët tanë shqipëtarë. Duhej bërë kërkim, se populli ynë ka fjalën e urtë popullore “ai që kërkon gjen, por ai që këmbëngul, gjen dhe merr.” Duke kërkuar e gjetëm një nen të një ligji që na çliroi nga ankthi e meraku. -Ai ligj theksonte në një nen: “çdo njeri qe punton është i siguruar!“ , Çështja e dokumentacionit është diçka tjetër. Kuptohet, duheshin përpjekje, kohë ec-ejake derisa problemi u zgjidh së mbari. Trishtimi dhe keqardhja pati një farë neutralizimi, kur familjet e fëmijët e tyre muarën pensionet. Në kontaktet dhe bisedat që bëmë në Shqipëri me pjestarët e familjeve të tyre, jam ndjerë më keq, më trishtueshëm se kudo gjatë jetës time.
Kurse, përsa i përket ngjarjeve që kanë çliruar energji pozitive, ka disa, por unë do të përqëndrohem vetëm në njërën prej tyre; Unë jam krenar që komuniteti shqiptar në veriun e Gjemanisë është i integruar në jetën shoqërore gjermane, por kurrsesi e asimiluar. Për këtë punojmë shumë. Midis morisë së problemeve që jeta na vuri përpara për zgjidhje, për mua, problem i shkollimit të fëmijëve ka qënë dhe mbetet më kryesori. Në shpjegimin e tij Konsulli u ndal në faktin se këtë detyrë themelore e cila kërkon vemendje e kujdes të vazhdueshëm ai e ka parë në dy plane. Në atë se çfarë mund të bënte për vendin e tij, Shqipërinë dhe si kishte punuar këtu në Gjermani që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën e bukur shqipe. Pas studimit të gjendjes, duke analizuar thellë të gjithë faktorët e mundësitë, në bashkëpunim me organet shtetërore shqiptare dhe gjermane, i u dha një rezultante që të bashkëpunonin për mbështetjen e një shkolle profesionale (disa profesionesh) në rrethin e Mirditës dhe realizimin e financimit e mbarëvajtjes së projekteve të saj për përgatitjen e specialistëve të profileve të ndryshme me arsimin e mesëm. Pas një “odiseje” të gjatë propozimesh, ndërhyrjesh, programesh etj.të cilat nuk po i përshkruajmë në këtë bisedë, u arrit sipas shpjegimeve të zotit Kolë, që “shkolla Profesionale Shen Jozefi Punëtor në Mirditë” të ngrihet profesionalisht në një nga shkollat profesionale më cilësore në Shqipëri, e cila prej mëse 25 vitesh ka nxjerrë qindra specialistë të mesëm të kualifikuar.
Në këtë drejtim ai është ndjerë i kënaqur dhe i lumturuar, mbasi në zbatim të detyrave dhe programeve që ndjek, i’u dha mundësia, ti shërbej edhe vendlindjes, Mirditës. Aktualisht po punon për të realizuar një Projekt me katër shkolla profesionale të Mirditës, Lezhës, Kamzës dhe Pogradecit.
Me sa vihet re, shkollimi i fëmijëve në gjuhën e bukur shqipe është renditur në problemet kryesore të funksionit të tij. Në vazhdim ai shpjegon se një drejtim tjetër edhe më i madh, është ai që lidhet me shkollimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë për mësimin e gjuhës shqipe, u ka dalë këtu për Gjermaninë Veriore në Schlesëig-Holstein, Hamburg, Bremen etj. ku kanë arritje por jo vetkënaqësi. Flet shpenguar dhe me krenari se ka ngritur 17 shkolla shqipe me një model bashkëpunimi të qëndrueshëm me landet. Eshtë arritur e po përsoset më tej bashkëpunim më i hapur dhe i gjërë me komunitetin.
Në çdo aktivitet që organizohet, ai shfaqet jo si figurë zyrtare e ftohtë, porsi një njeri që e përjeton me shpirt përfaqësimin e kombit. Atë e dallon thjeshtësia e karakterit, zotësia profesionale, dhe mbi të gjitha dashuria për njerëzit. Ku shfaqet ai, shfaqet pa zhurmë, por lë gjithmonë gjurmë. Gjurmë pune, mirësie, dhe respekti që nuk blihet me tituj, por fitohet me përkushtim.
Kështu, në udhën e gjatë të diasporës shqiptare në Gjermani, ai qëndron si një urë e qëndrueshme: midis kulturave, midis njerëzve, midis halleve dhe zgjidhjeve. Dhe si çdo njeri që punon me zemër, ai nuk ka nevojë të flasë për vete; flasin veprat, njerëzit, dhe mirënjohja që e shoqëron kudo. Synimin e ka arritur, përshtatja me këtë gjuhë, këto zakone e tradita, me ligjet për bisnesin e punën. Në shtetin gjerman gjithësekujt që ka vullnet, e zotësi për të vepruar, i hapen rrugë dhe perspektiva për të ecur përpara, brenda kuadrit ligjor të këtij shteti. Kjo këtu është provuar plotësisht për mërgatën e shqiptarëve e cila për landin e Hamburgut i afrohet shifrës të 50 mijë njerëz.
Viti 2011 e gjen anëtar të CDU. Ky moment për Kolën ka pasur një rëndësi të madhe. Më pas, në saje të qartësisë së mendimit për çdo problem që dilte për të dhe shoqërinë, si dhe të këmbënguljes në punë dhe çdo detyrë që ngarkohej, në vitin 2017 ishte kandidati i pare Shqiptar për në Bundestagun Gjerman. Edhe në vitet 2021 e 2025 ka rikandiduar për në Bundestagun Gjerman. Nga viti 2016-2021, është nënkryetar i CDU Elmshorn, ndërsa nga viti 2021 vazhdon të jetë kryetar I CDU Elmshorn. Po ashtu, nga viti 2017 antar i këshillit Bashkiak dhe nga viti 2019 Deputet i Qarkut Pinneberg.
Në një takim me CDU ku drejton Kolë Gjoka. Ky status i bukur dhe i merituar ka bërë atë që sot ai të jetë shumë i vlerësuar nga gjermanët. Ndërkohë Kola, nuk shkëputet nga Shqipëria, nga Mirdita e tij e dashur. Ai sot është Kryetari i shqatës gjermano-shqiptare Alb-Diaspora e.V.-Antar i kryersisë së Dhomës së Tregtisë gjermani-shqipëri DAÇ e.V. Gjermanët, atë person që e do atdheun e vet e duan dhe e afrojnë shumë, mbasi në atë mënyrë ai do edhe Gjermaninë.
Në përvojën e tij shumëvjeçare si Konsull Nderi në vendet e Gjermanisë Veriore, Kolë Gjoka ka dëshmuar se diplomacia nuk është vetëm çështje protokolli apo dokumentesh zyrtare, por mbi të gjitha qëndrim qytetar, kulturë dialogu dhe përgjegjësi morale ndaj fjalës publike. Shembujt konkretë të veprimtarisë së tij, të vlerësuar jo vetëm nga bashkëkombësit, por edhe nga institucionet dhe opinioni gjerman, flasin për një qasje konstruktive, që ndërton ura dhe jo ndarje. Këtë rol të rëndësishëm, kontributin që ka dhënë e jep si misionar i rëndësishëm në forcimin e mardhëënieve dhe miqësisë midis popullit dhe shteteve shqiptar e gjerman, organet e pushtetit qendror dhe lokal e kanë vlerësuar lart.
Kështu, Këshilli i Qarkut Lezhë e ka nderuar Kolën me titullin “Nderi i Qarkut Lezhë”, ndërsa institucioni i Presidentit i akordon titullin”Për Merita të Veçanta Civile” Gjithëse kush e ka të qartë se njeriun nuk e nderojnë dekoratat e titujt. Përkundrazi. Në këtë rast Kolë Gjoka nderon këta tituj.