Mësimdhënësi Fatmir Krasniqi shërben si model i dalluar dhe udhëheqës në rrugëtimin e tij shumëvjeçar të punës edukativo-arsimore. Ai mbetet shembull frymëzues për nxënësit dhe kolegët e tij. Ndaj në kemi zhvilluar me të një intervistë për jetën e tij profesionale, aq mbresëlënëse!
Fatmir Krasniqi ishte mësues i shquar në fushën e arsimit në Kosovë. Pasioni i tij mbetet të ndihmojë nxënësit të zhvillojnë aftësitë e tyre për të qenë të aftë në profesionet që zgjedhin në fusha të ndryshme të jetës. Me një përvojë të gjatë dhe njohuri të thelluara, Krasniqi është spikatur për njohuritë e tij inovative dhe teknika të reja për të përmirësuar cilësinë e mësimit dhe për të përshtatur metodat e tij në përputhje me kërkesat e ndryshme në mësimdhënie. Krasniqi shërben si model i dalluar dhe udhëheqës në rrugëtimin e tij shumëvjeçar të punës edukativo-arsimore. Ai mbetet shembull frymëzues për nxënësit dhe kolegët e tij. Fatmir Krasniqi është diplomuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe. Krasniqi është përfshirë në projekte dhe hulumtime akademike, duke pasur një ndikim të rëndësishëm në rritjen e standardeve arsimore dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në vendin e tij.Ndaj në kemi zhvilluar me të një intervistë për jetën e tij profesionale, aq mbresëlënëse! Ju ftojmë ta lexoni më poshtë!
I nderuar prof.Fatmir Krasniqi, dimë se ju keni punuar në kohë lufte dhe në paqe, keni punuar në “Shtëpitë shkolla”, keni spikatur për gjuhën dashamirëse përballë çdo vështirësie akademike. Ndaj, bazuar në përvojën tuaj të gjatë në mësimdhënie, por edhe si profesionist i devotshëm tanimë, a keni vërejtur ndonjë ndryshim në pranimin dhe përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie nga kolegët dhe nxënësit tuaj?
Në vitin 1981, në vitin kur filluan Demonstratat e studentëve në Prishtinë, e madje edhe në qytetet tjera të Kosovës, i dhe ngjarjet dramatike të asaj kohe që zhvilloheshin në Kosovë nën regjimin serbo- sllav, fillova të punoj në shkollën e vendlindjes sime, në Shkollën” Hasan Prishtina”, të Tërpezës së Malishevës, në shkollën ku isha nxënës i fillores.
Për mua ishte një ndjenjë e veçantë se me ish arsimtarët e mi u bëra shok e kolegë të profesionit, ku më mirëpritën, më mbështetën e më përkrahën shumë! Përkundër gjendjes dhe situatës së rëndë punonim me shumë dashuri, përkushtim e motiv për profesionin tonë të shenjtë që kishim. Nxënësit në atë kohë jo vetëm që dalloheshin në procesin mësimor, por shquheshin e veçoheshin në veprimtari të lira në kuadër të shkollës, të komunës, (atë botë i përkisnim komunës së Drenasit) e të Kosovës.
Kishim nxënës shumë të zgjuar e talente në lëndë të caktuar mësimore. Organizonim gara mësimore. Ndërsa me veprimtari të lira nxënësit e shkollës sonë me talentin e vullnetin që kishin dalloheshin si lexues të pasionuar, poetë të vegjël e recitues të dalluar, piktorë, këngëtarë e valltarë që i dridhnin skenat e improvizuara të shkollave, e të sallave të Shtëpive të Kulturës. Këta nxënës të talentuar i sollën shumë mirënjohje shkollës në gara e manifestime të ndryshme në Drenas, Prishtinë e Ohër. Në vitin 1986, për shkak të ngjarjeve që ndodhën si dhe kërkesës për Republikën e Kosovës, atë kohë Kosova ishte krahinë në kuadër federatës jugosllave, ne mësimdhënësit akuzoheshin nga regjimi serbo- jugosllav, se ne te nxënësit po nxisnim nacionalizëm e irredentizëm! Filluan ta sulmonin e mohonin çdo gjë tonën që ishte kombëtare, si gjuhën, historinë e trashëgimin tonë kulturore e kombëtare. Bënin presionin në ndryshimin e përmbajtjeve të teksteve mësimore, si librat e gjuhës shqipe e të historisë, si dhe disa lëndë të tjera mësimore!
Kërkonin që veprat dhe njësitë mësimore të shkrimtarëve nga Shqipëria, e edhe ata nga Kosova që ishin të papërshtatshëm për regjimin, të largoheshin menjëherë! Mirëpo, ne ishim të vendosur përkundër masave që do të merreshin, ne do të vazhdonim me plan-programet tona.
Nga përvoja e asaj kohe te nxënësit u munduam ta kultivojmë ndjenjën e atdhedashurisë, të gjuhës, të fisnikërisë e të humanizmit! Në ato vite përkundër presioneve të ashpra e frikësuese, kërcënimeve e keqtrajtimeve, vrasjeve e burgosjeve masive, te nxënësit e mësimdhënësit ngrihej morali e motivi për të vazhduar, punuar, kontribuar e flijuar për Kosovën! Nuk ndaleshin Programet kulturo-artistike të shkollave, u formuan edhe shumë Shoqëri Kulturo-artistike, ku luajtën një mision të madh kombëtar!
Çuditërisht e mrekullisht lindi e lulëzoi Epoka e Artë e Pagëzimit të fëmijëve me emra shqip mbi bazën e ilirishtes, emra kuptimplotë shqip që tingëllojnë ëmbël, emra gjeografikë të lumenjve, qyteteve e trevave shqiptare. Shqipëria këtë vit me plot të drejtë e ka shpallur Vit të Gjuhës shqipe. Këtë duhet ta bëjë edhe Kosova.
Gjuha shqipe viteve të fundit po shëmtohet e shpërfytyrohet nga njerëz të pandërgjegjshëm. Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të bukura e më të lashta të Kontinentit, bijë e ilirishtes dhe bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane. Dy nga vargjet e Filip Shirokës janë aktuale edhe sot për fatin tonë të hidhur e ironik:
“Dhe kështu gjuha po shëmtohet
Dhe kështu kombi po mjerohet”.
E poeti ynë i madh Gjergj Fishta, në disa nga vargjet e tij shpërthen me shumë mllef:
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
qi përbuzë këtë gjuhë hyjnore,
qi n’gjuhë t’huej kur s’asht nevoja
flet e t’veten e len mbas dore.”
Pra, gjuhën tonë të shenjtë e të bekuar ta ruajmë si sytë e ballit, ta kultivojmë e pasurojmë me fjalë shqipe e përherë ta mbrojmë.
Situata politike në fillim të viteve të 90-ta filloi të përkeqësohej shumë. Regjimi serb shpërbëri Kuvendin e Kosovës, të gjithë punëtorët shqiptarë dhunshëm i largoi nga puna, mbylli të gjitha institucionet më të larta publike e shtetërore. Nxënësit dhe mësimdhënësit i larguan nga shkollat. Por, shumë shpejt mësimdhënësit u organizuan dhe nuk u dorëzuan e as nuk u frikësuan nga regjimi i egër barbar, por të mbështetur nga prindërit e populli si dhe veprimtarët e vullnetarët e guximshëm organizuan mësimin në shtëpitë shkolla, dhe arsimi shqip mbijetoi.
Kemi përjetuar keqtrajtime e shumë peripeci, ekonomikisht e materialisht të dërmuar, por moralisht, shpirtërisht e emocionalisht të fortë e të pathyeshëm. Në Tërpezë mësimi mbahej në lokalet e shkollës! Unë, gjatë këtyre viteve udhëtoja me shumë vështirësi për çdo ditë mësimi Prishtinë-Tërpezë.
Dhe, në vitin shkollor1995-96, fillova të punoj në Shkollën “Hasan Prishtina”, të Prishtinës, për dy vite në zëvendësim të një arsimtareje! Objekti i shkollës ishte i ndarë me mure. Atë e kishin ndarë serbët meqë në këtë shkollë, si dhe në shumë shkolla të Prishtinës mësonin nxënësit serb. Ata kishin zgjedhur hapësirat më të mirë! Ndërsa, nxënësit e shkollës “Faik Konica i kishin larguar dhunshëm nga shkolla e tyre, e ku ishin të detyruar të shpërndaheshin në shkolla të tjera. Mikpritjen e ngrohtësinë e gjetën në Shkollën “Hasan Prishtina”. Drejtoria e mësimdhënësit e shkollës ua hapën dyert. Paramendojeni, mësimin nxënësit e “Faik Konicës”, mësimin e fillonin pas orës 16.00 deri në orën 20.00. Një vit shkollor pata mbajtur mësim me një klasë të 8-të.
Më pas, në vitin 1997, kalova në Shkollën “Elena Gjika”, deri në maj të vitit 2022, kur edhe u pensionova. Edhe në shkollën “Elena Gjika”, mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, serbe, e turke! Serbët edhe pse me numër më të vogël nxënësish kishin zgjedhur hapësirat më të mira të shkollës, katin e dytë e të izoluar nga nxënësit shqiptarë.
Ne shfrytëzonim vetë katin e parë me më pak dhoma mësimi e me numër të madh nxënësish, me një sallë shumë të vogël të arsimtarëve, por që ne arsimtarët me vullnetin tonë të çeliktë e të pathyeshëm e me motiv shumë të lartë atdhetar e kombëtar për të mbajtur e për të mos e ndërprerë mësimin për asnjë ditë, e zbukuronim dhe e hijeshonim sallën!
Ndërsa hijeshinë, harenë e dashurinë, buzëqeshjen e krenarinë klasave e korridorit të ngushtë e të errët të shkollës ia jepnin nxënësit me plot shkëlqim e rrezatim, me shpresë e ngadhënjim se agu i lirisë po afrohej e po lind një ditë e re me plot diell e rreze të ngrohta!
Ndërsa, një kënd e hapësirë shumë e ngushtë që shërbente për mjete pune ishte shndërruar në zyre për një Zonjë të rëndë, për drejtoreshën shumë të suksesshme, të dashur shumë për nxënës e mësimdhënës, për një reformatore e largpamëse të arsimit- Greta Kaçinarin, dhe sekretarin e shkollës, të urtin e veprimtarin Sherif Jaha.
Edhe pse punonim në kushte e rrethana të jashtëzakonshme mësimi zhvillohej normalisht. Nxënësit ishin shumë të edukuar e të respektuar, të përkushtuar për mësim e dije dhe veprimtari të lira.
Po, e ndaj edhe një përvojë timen shumëvjeçare në arsim, ku diku rreth mesit të viteve të 80-ta, u provua me Mësimin e Orientuar, Shuvarizmin, e që në fakt pas një kohe doli se nuk pati rezultate, dhe ishte shndërruar në Mësim të ç’orientuar?! Po ashtu edhe pas luftës u provua me Daksnerizmin, ku nga Orari i rregullt mësimor u hoq e u largua Ora e Kujdestarisë, ose më herët ishte e emërtuar si orë e Edukatës morale, që është shumë e vlefshme dhe e domosdoshme në ditët e sotme.
Paramendojeni çfarë prove u bë me klasat e 9-ta, në vend se të përgatiteshin e udhëzoheshin për orientimin e tyre profesional, ata, pra nxënësit u përballën me 22 lëndë mësimore, pa i shikuar e studiuar mirë e me kujdes plan-programet mësimore?!
Madje Klasa e 13-të dëshmoi se nuk pati sukses?!…
Prova të panevojshme që nuk dhanë rezultate, por që e pësuan shumë nxënësit në atë kohë.
Nga eksperienca që ju keni pasur gjatë binjakëzimit të shkollës Shqipëri-Kosovë, cilat veçori do t’i identifikoni si të domosdoshme? Për çfarë shërbejnë këto eksperienca?
Në përvojën time shumëvjeçare në arsim jam munduar të jap një kontribut modest në mbështetje të veprimtarive të lira duke i zbuluar nxënësit e zgjuar e talente, dhe duke ua krijuar mundësinë që dhuntinë e tyre ta shprehin e shfaqin në programet e ndryshme kulturo-artistike në nivel të shkollës, Prishtinës e Kosovës, e sidomos kulminacioni arriti në kohën kur filluam veprimtaritë e përbashkëta mbarëkombëtare. Ky në përvojën time jetësore është dhe do të mbetet kulmi dhe përmbushja e ëndrrës shekullore e bashkimit fizik, shpirtëror e emocional, arsimor e kulturor me Shqipërinë dhe shkollat e Shqipërisë!
Bashkëpunimi me Shqipërinë ishte një rrugëtim i gjatë e me shumë peripeci, por mbi të gjitha ishte një bashkëpunim shumë i frytshëm e i suksesshëm, i pakrahasueshëm e me vlerë të madhe kombëtare.
Për mua, nxënësit e mësimdhënësit që bashkëpunuam me Shqipërinë janë momentet më mbresëlënëse e të paharruara për jetë.
Dhe, për herë të parë nxënësit e ShM “Andon Zako Çajupi”, të Tiranës, së bashku me nxënësit e Shkollës fillore “Elena Gjika” të Prishtinës, si dhe të rinjtë nga Free Youth Club Vidin nga Bullgaria, shfaqën legjendën shqiptare në Teatrin Ballkanik “Kush e solli Doruntinën”, më 30 maj 2006, në Sallën e Kinemasë së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, në Tiranë.
Rolin kryesor të Doruntinës e luajti me një mjeshtri të lartë artistike nxënësja e shkollës sonë që ishte në klasën e 8-të, Fiona Gllavica, ku mori duartrokitje të gjata e frenetike duke e ngritur në këmbë publikun e duke ua rrëmbyer zemrat e tyre. Ishte shfaqja e parë e përbashkët mbarëkombëtare e ndërkombëtare, ku na i hapi rrugët e shtigjet e bardha drejt një bashkëpunimi të çiltër e vëllazëror edhe në shumë veprimtari të tjera. Koordinatorë të këtij projekti madhor ishin Ina Kasimati, profesoreshë e dalluar dhe shumë e respektuar e Gjimnazit “Andon Zako Çajupi”, veprimtare e koordinatore e palodhshme dhe shumë e suksesshme! Ina, tani është duke u përballë me një sëmundje të rëndë, por që do ta mund edhe kësaj radhe. Lutemi për shërimin e plotë të saj!
Ardita Repishti, ish profesoreshë e Gjimnazit, si dhe drejtoreshë QKK të Fëmijëve të Tiranës, veprimtare e palodhshme që e donte shumë Kosovën. Nga Prishtina, isha unë së bashku me Lindita Loshin, një veprimtare e re, energjike dhe e palodhshme, ish drejtoreshë e Qendrës Rinore të Prishtinës!
Falënderoj për mbështetje të pakursyer e bashkëpunim ish drejtorin e shkollës, Osman Vitia, që ishte i gatshëm kurdoherë që kisha veprimtari të përbashkëta me nxënësit e shkollës sonë me nxënësit e shkollave të Shqipërisë, të më zëvendësojë vet personalisht, meqë ishim të të njëjtit profesion, ish zëvendës drejtoreshën Shpresa Gashin, mësimdhënësit Arstina Kadiun, Isuf Pirrakun, Miradije Qehajën, Lule Llalloshin, Fitore Ahmetin, Florim Gashin, sekretarin Nazif Biçkun, si dhe të gjithë mësimdhënësit tjerë të shkollës, prindërit, kryetarët e Këshillit të Prindërve, përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale të Prishtinës, e në veçanti nxënësit e mi më të cilët bashkëpunuam, dhe ata janë kurorëzimi i të gjitha sukseseve të përbashkëta mbarëkombëtare!
Falënderojmë Teatrin, “Dodona”, në veçanti Valdet Ramën, si dhe Teatrin Kombëtar.
Po ashtu falënderim e mirënjohje të thellë për veprimtarinë tonë të përbashkët mbarëkombëtare edhe për të gjithë mësimdhënësit, udhëheqësit e shkollave, profesorët e kompozitorët e mirënjohur të Tiranës, Durrësit e Gjirokastrës.
Liri Shkëmbi, e ndjerë, ish drejtoreshë e suksesshme, veprimtare e atdhetare e shkollës së binjakëzuar “Niket Dardani”, Tiranë.
Liliana Zaimi, një zonjë e rëndë, shumë fisnike e bujare, ish nëndrejtoreshë. Mësimdhënësin Astrit. Ariana Maçin, drejtoreshë e suksesshme në disa shkolla të Tiranës, miken e dashur të shkollës sonë.
Kozeta Noti, e ndjerë, profesoreshë universitare, veprimtare e palodhshme, ish drejtoreshë e Qendrës Evropiane të Edukimit. Kompozitorin e mirënjohur e mikun e dashur të shkollës sonë, Agim Rrezën. Zija Zaimin, Migena Rizën, Jeta Dedën, Gjergj Memën, si dhe Babain e dëshmorit të kombit, luftëtarin e tri luftërave të të gjitha trojeve shqiptare, Skerdilajd Llagami, “Komandant Shpendin”, profesorin, veprimtarin e atdhetarin e shquar, Bardhyll Llagamin. Shkollën Dora D’Istria”. Shkollën e binjakëzuar “Hamza Muça”, Fatmira Mulliqin, drejtoreshën e miken e madhe të shkollës sonë, si dhe shumë personalitete të tjera, e në veçanti nxënësit dhe të rinjtë, ardhmërinë tonë të ndritshme të përbashkët. Për shkak të hapësirës së intervistës, duke ju kërkuar ndjesë për kohën, më duhet shkurtimisht t’i pasqyrojë edhe shumë veprimtari të tjera kombëtare.
Prej datës 18-23 shtator 2006, në vizitë në shkollën tonë ishin 8 nxënës dhe dy profesoresha të ShM “Andon Zako Çajupi, nga Tirana, Ina Kasimati dhe Ardita Repishti. Nxënësit tiranas u sistemuan në familjet mikpritëse e bujare të nxënësve të shkollës sonë.
Më, 23 shtator 2006 në Teatrin Kombëtar u dha shfaqja e përbashkët “Kush e solli Doruntinën”.
Më, 19 mars 2007 në Prishtinë, në bashkëpunim me QKK të Fëmijëve të Tiranës, dhe nxënësve të shkollës sonë u mbajt Festivali i Zërave të Rinj.
Më 27 mars 2007 në Tiranë ndodhi mrekullia.
U bë binjakëzimi i ndërmjet Shkollës “Niket Dardani”, Tiranë dhe Shkollës “Elena Gjika”, Prishtinë. Atmosferë e përzemërt e pritje e paparë ndonjëherë, e që përjetësisht nuk do të harrohet!
Prej datës 23-29 prill 2007, në Tiranë, nxënësit e shkollës sonë së bashku me nxënësit e ShM të Gjimnazit “Abdyl Frashëri”, të Malishevës, përfaqësuam Kosovën në Javën Ndërkombëtare të Sigurisë Rrugore. Fëmijë dhe të rinj të sigurt në rrugë të sigurta.
Nxënësit tanë së bashku me arsimtarët ishin mysafirë të shkollës së binjakëzuar, “Niket Dardani”. Nxënësit tanë qëndruan dhe u vendosën në familjet shumë mikpritëse e bujare të nxënësve të Tiranës, fal organizimit, angazhimit e mikpritjes së përzemërt të Liri Shkëbit, drejtoreshë e shkollës.
Ajo me pritjen e ngrohtë dhe shumë të përzemërt që kishte organizuar për ne, na tha duke m’u drejtuar mua personalisht kështu: “Gjatë këtyre ditëve sa do të qëndroni, nxënësit e ‘Elena Gjikës’, janë tanët, dhe se unë personalisht do të kujdesem për ta”.
Nxënësit dhe arsimtarët e shkollës sonë prezantuan në orët mësimore dhe në aktivitetet e përbashkëta me nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës “Niket Dardani”.
Më 9 Maj 2007, në Tiranë, me rastin e Ditës së Evropës, nxënësit tanë me shumë sukses u paraqitën me këngë, ese e pikë baleti.
Më 30 shtator 2007, në Prishtinë, nxënësit e ShM “Andon Zako Çajupi”, së bashku me Ina Kasimatin, Gjergj Mema, profesor e regjisor i njohur, së bashku me nxënësit e shkollës sonë bashkërisht dhanë shfaqjen “Mashtrimi”, në Teatrin”Dodona”.
Më 17 nëntor2007, në Prishtinë, organizuar nga shkolla jonë u mbajt Festivali i Zërave të Rinj, Edicioni i Prishtinës, që do ta përfaqësojë Kosovën në Festivalin Mbarëkombëtar të Zërave të Rinj, që do të mbahet në Finalen e madhe në Tiranë.
Ishin përfaqësuesit dhe personalitetet e shquara nga Tirana, si Ardita Repishti, Agim Rrëza, profesor e kompozitor i nderuar, një grup nxënësish nga Tirana, me mësuesen e tyre të Baletit, Fridën.
Më, 25, 26, 27 nëntor 2007, në Tiranë, tri nxënëse të Shkollës sonë përfaqësuan shkollën e Kosovën, në Festivalin Mbarëkombëtar të Zërave të Rinj, ndërsa në finale që u mbajt më 27 Nëntor, në Sallën e Akademisë së Arteve, nxënësja e shkollës sonë Bleranda Çitaku, zuri vendin e dytë.
Po ashtu gjatë vitit 2008, u realizuan edhe shumë aktivitete të nxënësve e të rinjve nga Tirana, Gjirokastra e Prishtina.
Më 2 dhjetor, 2008, në Gjirokastër qëndruam një grup nxënësish të shkollës sonë dhe rë gjimnazit të Malishevës, me rastin e 100 Vjetorit të Gjimnazit të njohur”Asim Zeneli”.
Nxënësja Filloreta Raçi, e njohur si Fifi, u paraqit me monologun e plakës Nicë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, ku ngriti në këmbë publikun gjirokastrit.
Ndërsa, Agur Shala, Genta Deva dhe Fiona Gllavica, me potpuri vallesh popullore e dridhën skenën e Gjirokastrës.
Deri në vitin 2018, kur më 9 nëntor shënuam 12 vjetorin e bashkëpunimit mbarëkombëtar, si dhe 550 Vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, janë mbajtur shumë veprimtari të përbashkëta, si festivale, programe kulturor-artistike, shfaqje, ekspozita e promovime edhe në ambientet e Kryeministrisë së Shqipërisë, pjesëmarrje në orët mësimore.
Është një përvojë e madhe dhe shumë e suksesshme. Kuptohet se lypset vullnet, punë, përkushtim, kohë e mund, por kur sheh rezultatet e sukseset, si dhe urat e lidhura të bashkëpunimit vëllazëror, na bën të gjithëve të ndjehemi krenarë. Për nxënësit e dalluar, të zgjuar e talente janë kujtime të paharruara, ndërsa njohja me njëri-tjetrin, miqësia, mikpritja e bujaria shqiptare mbeten përjetësisht!
Ftoj mësimdhënësit dhe nxënësit e Shqipërisë dhe Kosovës që ta vazhdojnë e thellojnë bashkëpunimin e tyre arsimor e kulturor, e veçmas Institucionet, si dhe drejtorët e shkollave, dhe koordinatorët e papërtueshëm.
Pas Pandemisë së mallkuar nuk po vërehet ndonjë vullnet e dëshirë e zjarrtë për të rifilluar me bashkëpunime e veprimtari të përbashkëta vëllazërore?!
Të filloni sa më parë!
Ju priftë e mbara!
Si mund të përdoret më efektivisht teknologjia në mësimdhënie për të përmirësuar përfshirjen dhe angazhimin e nxënësve?
Asnjë teknologji më bashkëkohore dhe më e përsosur nuk mund ta zëvendësojë një mësues të mirë që është shembull dhe profesionin e ka jo vetëm mision, por edhe pasion. Megjithatë disa metoda tradicionale të mësimdhënies për nxënësit e zgjuar e talente nuk kanë qenë fare tërheqëse, si dhe përmbajtja e teksteve në disa lëndë të caktuara mësimore. Pra, nuk kanë zgjuar interesim e as motivim, dëshirë për kërkim e hulumtim.
Puna në grupe një kohë nuk është punuar me përkushtim.
Ka munguar te disa mësimdhënës përkushtimi e qasja profesionale e nxitjes dhe përfshirjes të të gjithë nxënësve. Një pjesë e nxënësve kanë qenë pasiv dhe nuk janë angazhuar sa duhet.
Tani, Teknologjia në mësimdhënie po ua mundëson nxënësve të jenë më të pavarur në mendimin e tyre kritik, në aftësitë komunikuese, në ide, e veçmas në punën me grupe të kenë burime informacionesh të llojllojshme të vlefshme e shumë të suksesshme.
Nxënësve, u krijohet mundësia që në mënyrë të pavarur, por edhe me ndihmën profesionale të mësimdhënësve të bashkëveprojnë e komunikojnë lirshëm e të bashkëpunojnë në grupe me nxënës e shkolla të tjera, me rrethin, por edhe me studiues të kësaj lëmie nga mbarë bota.
A keni eksperimentuar me modele të ndryshme të mësimit, si p.sh. mësimi i personalizuar apo mësimi bazuar në projekte?
Kam provuar me metoda të ndryshme më bashkëkohore të mësimit të personalizuar, por po veçoj një përvojë timen jetësore fal nxënësve, idesë së tyre, përkushtimit e dëshirës për punën e realizimin e rrallë, e të veçantë te një Projekti madhor.
Viti 2018 ishte viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Më, 17 janar 2018, me klasat e 8-ta organizuam veç e veç sipas orarit mësimor të shkojmë te Shtatorja e kryetrimit tonë legjendar, heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit duke e nderuar e shpreh dashurinë e madhe për heroizmin e tij.
Nxënësit patën për detyrë që gjatë tërë javës orën e Gjuhës shqipe t’ia kushtojnë jetës dhe bëmave të tij me veprimtari të ndryshme e me punë të pavarur individuale e në grupe .
Më, 23 maj 2018, në Kryeministrinë e Shqipërisë, nxënësit e klasës së 8-të Elbion Redenica dhe Melos Kuçi prezantuan e promovuan aplikacionin “Scanderbeg”, me rastin e 550 Vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Po ashtu disa nxënës u paraqitën edhe me një program të shkurtër e simpatik kulturo-artistik me një recitim artistik nga Rita Shala, dy ese përmbajtjesore nga Eliza Gjoshi e Lisa Sahatçiu.
Gjithashtu, Elda Osmani, Driola Krasniqi e Shkurta Selmani, Punimin e përgatitur me letra të rrotulluara të portretit të Skënderbeut, ia dhuruan kryeministrit Edi Ramës.
Simbolika: 25 beteja i zhvilloi Gjergj Kastrioti, dhe 25 Vjet veprimtari të bujshme të Shkollës”Elena Gjika”, me Shqipërinë.
Edhe, kjo është një dëshmi e veprimtarive dhe projekteve ideore e madhore të nxënësve.
Si mendoni se mund të përfitojnë nxënësit nga përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie në të ardhmen?
Shumë! Veç të jenë të kujdesshëm në përdorimin e tyre, se u krijon mundësi e hapësirë shumë të madhe hulumtuese, zbuluese e një varg përfitimesh të dijes e të arriturave shkencore në të gjitha fushat e jetës. Ta ruajnë edhe gjuhën e komunikimit kulturor!
Dhe në fund, cila është porosia që u jepni mësuesve të rinj?
Para se të shkelni në pragun e shkollës, harrojeni çdo brengë personale e familjare tuajën. Përkushtim dhe vetëm përkushtim, durim dhe vetëm durim, dashuri dhe pasion për profesionin, se për ju fillon një rrugë e betejë e gjatë e dritës dhe diturisë.
Rrëmbeni e pushtoni zemrat e nxënësve.
Dhurojini atyre dashuri e ngrohtësi, buzëqeshje e çiltërsi, kënaqësi e qetësi, mësim e dituri, shkathtësi e lumturi. Ju mësuesit e ardhshëm para se të jeni mësues të mirë e të dalluar, të jeni edukatorë të mirë, të luani rolin e prindit, psikologut, pedagogut, po pse jo nganjëherë edhe të artistit. Të depërtoni thellë në botën shpirtërore e emocionale të nxënësve. Të keni kujdes të mos i lëndoni emocionet e tyre, dhe gjithmonë t’i kontrolloni emocionet tuaja. Në arsimin fillor edukimi e shkollimi duhet të jenë në radhë të parë. Për asnjë çast mos e lëni edukimin duke u mburrur me realizimin e plan-programit mësimor. Gjithmonë të jeni të përgjegjshëm dhe mësoni nxënësit edhe me shkathtësitë e jetës.
Të mos i ngarkojnë nxënësit me shumë detyra, e veçmas të jenë shumë të kujdesshëm në pyetjet e dhëna të ndërlikuara në disa tekste mësimore. Jo, për çdo ditë teste! T’i motivoni e shpërbleni nxënësit që lexojnë sa më shumë libra e lekturë shkollore. Të përqendroheni në zbulimin e mbështetjen e nxënësve të zgjuar e talent.
Intervistoi Ina Dede
© Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.