Nga Frederik Stamati/*
Kisha dhe Sopiku/
Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Sopik ka një histori të veçantë, plot kuriozitete të ndezura, nga ato që të ngrënë mendjen për gjithmonë. Lidhen me Ali Pashë Tepelenën, jo me kohën kur ai ishte kaçak, por me kohën kur u bë pashë. Edhe kaçaku, edhe pasha, sado të ndryshëm, bashkohen pazgjidhshmërisht me Sopikun: i pari i dedikon jetën, i dyti, me madhështi, mirënjohjen.
Sado e çuditëshme që të duket, ngjarjet që do të tregojmë në vazhdim nuk do të ekzistonin pa shansin që natyra i dha Sopikut, kështu që duam ne apo jo, do të detyrohemi të shohim edhe atë që gjeografët e quajn pozicioni gjeografik. Sopiku është fshati më i lartë i malit të Nëmërçkës. Është atje ku mbarojnë pemët. Mbi të nuk ka pyll, por një lartësim shkëmbor me ndonjë shkurre, e më lart akoma kullotat alpine, ku deri tridhjet, apo dyzet vjet më parë zbardhonte diku-diku bora e përjetëshme. Lart ka qiell, poshtë është xhungël. Të shkosh atje edhe sot nuk ka rrugë të mirë. Dikur do të ketë patur ndonjë shteg ku ecnin karvanet. Për kaçakët, apo hajdutët pylli është ideal; atje ke të bësh ose me ujqit, ose me arijtë. Mbi fshat, je plotësisht i zbuluar, je pre.
Ali Pashë Tepelena dhe Sopiku
Ngjarjet, e bazuara në kujtime dhe vetëm në kujtime të trashëguara, fillojnë me kohën kur Ali Pasha ishte akoma hajdut, apo kaçak. Historia thotë se ai u bë i tmerrshëm. Turqit e ruanin. Erdhi një ditë shansi kur ata e pikasën dhe u sulën për ta kapur. Kjo ka ndodhur në vitin 1778, ose në 1779. Turqit i u vunë nga mbrapa me ushtri. Kjo duket ca si e ekzagjeruar, por megjithatë unë nuk do të ndërhyj me vërejtjet e mija për të imponuar opinione.
Sado që ta parafytyrojmë ndryshe, kaçaku e ka banesën e tij në vendet më të humbura dhe më të fshehura. Atje ai ka aleat besnik të egrën dhe të panjohurën. Vetë është zot dhe mik i humbëtirës. Zorr se mund ta gjesh dhe ta kapësh në ato anë që ai i njeh aq mirë. Në ato anë iku Aliu për t’i shpëtuar ndjekjes së ushtrisë turke. Ai u fut në luginën midis malit të Buretos dhe Lunxhërisë ku harbon lumi i Susë. Nuk e kuptoj se përse i thonë lumë dhe jo përrua. Ai rrokulliset nga lart midis gurëve dhe shkëmbijve, dredhon në ngushtica, zgjerohet, ka edhe bimësi të rrëgjuar aty këtu, derisa zbret në fushë. Ai ka gjithmonë ujë dhe gjithmonë blerimi anash tij është blerim. Nëse do të ngjitemi drejt krahinës së Pogonit, nga ana e djathtë e Susë mali është i prerë thikë, e megjiithatë aty-këtu ka edhe pemë. Po të hedhësh një gur nga lart ai bie drejt e në lumë. Nuk e besoj se mund të ketë alpinist që të jetë ngjitur ndonjëherë në atë faqe mali ku nuk rri dot as shqiponja. Djathtas kaçaku nuk kishte se ku të fshihej. Ana e majtë, ajo e Lunxhërisë, është më pak e thepisur, por e mbushur me pemë të mëdha dhe shkurre të dendura. Është ndoshta pëfyryrimi i xhunglës. Të futesh në të nuk ka zot që të gjen. Mirëpo ajo është aq e dendur, sa duhet ta çash. Kjo punë do kohë. Aliu e kishte nga mbrapa ushtrinë turke që e ndiqte dhe nuk mund të fshihej as në anën e majtë të Susë. Prandaj ai u dha këmbëve drejt Nëmërçkës. Në Skore nuk mund të qëndronte, është shumë poshtë dhe do ta zinin. Kur e ndjekin njeriu do vetëm të iki. Po shtigjet i njihte, se andej vërdallosej dhe ja, arriti në Sopik. Turqit nga mbrapa. Ku do të shkonte më tej?
Aliu fshihet në Sopik
Atëhere Aliu u kërkoi sopiqiotëve që ta shpëtonin nga ndjekësit. Se si vazhdoi më tej historia, koha e ka ndarë në disa variante. Përderi sa nuk ka dokumente të shkruar ajo kthehet në legjendë. Kështu e quan edhe Theofan Popa kur flet për ngjarjen tek botimi për mbishkrimet në kishat e Shqipërisë.
Thotë pak a shumë se ata e futën Aliun në një vozë të madhe dhe kaluan rojet turke, duke e mbajtur me tezgë. Dhe për ata që duan më shumë kuriozitete mund të përmendim shkrimin mbi portën e hyrjes së kishës, ku lexohet: “Filloi të suvatohet kjo kishë e mrekullueshme më 11 janar. U përfundua më 4 maj me kontributin e priftërinjve të shumënderuar Papa Konstandinit, Papa Panajotit dhe Papa Janit, të cilët i vrau Ali Toska, në Kakollako, maj 14, 1778. Ky mbishkrim gjendet i pikturuar mbi portën jugore të kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në Sopik të Pogonit. Sipas gojëdhënës të tre priftërijtë u vranë nga Ali Toska për shkak se kishin strehuar në kishë Ali Pashë Tepelenën dhe e kanë shpëtuar duke e nxjerrë jashtë rrethimit, brenda në një vozë”.
Duke gjurmuar për të vërtetën e kësaj historie lexojmë diçka më ndryshe në botimet e Dhimitër Bedulit për kishën e Sopikut. Ai thotë se: “Sipër hyrjes, nga ana e brendëshme është një mbishkrim, ku tregohet se suvatimi i kishës është bërë me shpenzimet e tre priftërijve, që u vranë në fshatin Kakollakos dhe mban datën 14 maj 1779. Të tre priftërijtë janë vrarë me urdhër të Ahmet Kurt Pashës së Beratit, pasi kundërshtuan që fshati i tyre të bëhej çiflik”.
Kur flet për kishën e Taksiharëve, që gjithashtu është në Sopik., Beduli citon veprën e S. Aravantinoj “Historia e Ali Pashë Tepelenës”, ku thotë se kjo kishë ka qenë më parë manastir dhe se aty është rrethuar një herë Ali Pasha prej ushtrisë së Ahmet Kurt Pashës dhe ka shpëtuar vetëm në sajë të ndihmës së Papa Janit”.
Një variant tjetër më ka treguar i ndjeri Abaz Dojaka dhe është më interesanti nga të gjithë. Aliu hyri në Sopik dhe u kërkoi fshatarëve që ta fshihnin. Në Sopik ishte edhe një si mejhane. Qëlloi që i zoti i mejhanes të ishte qejfli dhe prodhues vere. Ai ruante në qilar disa voza të mëdha prej lisi, të mbushura dëng me verë të kuqe. Njërën vozë e kishte ndarë në tresh, duke sajuar një dhomëz të ndërmjetme. Aty e futi ai Aliun. Ushtarët turq filluan të kërkonin mbarë fshatin. Hynë edhe në qilar. Ngritën kapakët e vozave: verë! Hapën duqet, prapë verë! Ç’u bë Aliu, ç’u bë Aliu, panë ç’panë turqit dhe ikën.
Mirnjohja e Ali Pashë Tepelenës
Kur u bë Pashë, ai u tha fshatarëve të Sopikut: Ju më keni shpëtuar jetën, çfarë doni nga unë?
Edhe sot dhe jo më dyqint vjet më parë, që njerëzit e kishin mëndjen tek Zoti! Apo Sopiku! Ai fshat kishte atëhere disa kisha të mëdha dhe të vogla dhe shumë paraklise. Merreni me mend se si binin kambanat në ditët e kremte! Në atë kohë kisha Fjetja e Shën Mërisë, më e madhja dhe më e bekuara nga Zoti ishte shëmbur deri në themele. Dhe ata menduan që të mirën që i bënë dikur Aliut t’i a blatonin perëndisë dhe kështu i kërkuan që t’i ndihmonte për ngritjen e kishës së re.
Më ndryshe e tregon historinë e ndërtimit të kishës Dhimitër Beduli në studimin e tij për kishat dhe manastiret e Pogonit. Është një fanepsje, por jo e Bedulit, nga ato që krijon besimi dhe që vulosin frymën e Zotit. Duke shpjeguar për ikonën e Shën Mërisë që është e veshur me argjrend, ai thotë: “Për ikonën e Shën Marisë, e cila është e veshur e tëra me argjend, gojëdhënat thonë se është gjetur në një vend pyjor, pak më larg se kisha, në këto rrethana: Një njeri nga Sopiku i Delvinës, që mbante bagëti dhe që për behar i sillte në këto vise malore, kur po kthehej në tetor për në fshatin e tij, humbi pelën. E kërkoi mjaft, por nuk e gjeti. Kur u kthye vitin tjetër e pa pelën me mëzin e saj duke kullotur në afërsi ku është sot kisha dhe në atë kohë ishte pyll. Pikërisht në vendin ku ishte pela u gjet edhe ikona. Një ditë, tek po kalonte në atë vend Ali Pashë Tepelena, vuri re sikur Shën Maria nga ikona e shikonte atë ngado që ai shkonte. Atëhere pyeti Jani Konomin, po nga fshati, që e shoqëronte duke i thënë: “Pse, or bir, më shikon kështu kjo zonjë e juaj?”. Dhe Jani Konomi, njeri me kulturë duke përfituar nga rasti i tha: “Diçka kërkon nga ti!” dhe Ali Pasha pyeti: “Ç’farë kërkon nga unë?” Jani iu përgjegj: “Kërkon t’i bësh shtëpinë sepse është pa shtëpi!” Dhe atëhere Ali Pashai dha urdhër që të ndërtohej kisha qendrore e fshatit”.
Ndërsa gojdhënat zhvillohen duke u formësuar si degët e pemës, kontrata origjinale e ndërtimit të kishës ruhej e pandryshuar në Mitropolinë e Gjirokastrës, të paktën deri në vitin 1956.
Kështu, Aliu u dha paret, kurse mjeshtrit i gjetën vetë. Të paktën unë nuk e di se kush punoi dhe se sa vjet u deshën për ta ndërtuar kishën: ndoshta ndokush tjetër, njohës i dokumentacioneve kishëtare të kohës mund ta sqarojë këtë çështje që gjithsesi nuk lidhet me temën, të cilën po mundohem ta trajtoj. Ajo ka të bëjë me ikonostasin, prandaj do të përqëndrohem pikërisht tek gdhendjet.
Ikonostasi i kishës
E gjitha çfarë do të paraqes nuk do të jetë rrjedhojë e studimeve të mija, por e huazuar nga mendimi i specialistëve të fushës së artit, apo të historisë kishtare.
Gjithmonë kam menduar se kishat kanë qenë jo vetëm urat e lidhjes së bindjes me qiellin, por edhe muzeume të vërteta, apo galeri arti. E kam këtë një koncept timin, apo të krijuar nga formësimi i ideve të lexuara? Nuk ka rëndësi, mendimet krijohen njëlloj dhe njëkohësisht në shumë njerëz. Pra kishat ishin njëkohësisht edhe muze edhe galeri arti. Veç respektit frymëzues për perëndinë artistët aty do të derdhnin të gjithë mjeshtërinë e tyre. Unë nuk mund ta quaj këtë art të aplikuar, por art të mirfilltë. Dhe vërtet, shkoni dhe shikoni kishat: gdhendjet e shekujve të kaluar janë vepra të përsosura arti! Të konceptuara në natyrën e tyre ato qëndrojnë përbri Onufrit, Qipriotit, Shpatarakut dhe të shumë piktorëve të tjerë me emër të shquar në historinë e artit bizantin. Madje mund të thomi se ka patur edhe një harmoni midis artit të pikturës dhe nivelit të artit të gdhendjes, ku qëndronte e trupëzuar piktura-ikonë.
Ata që gdhendnin drurin e arrës për të realizuar ikonambajtësin duhej të ishin mjeshtra të nivelit të krahasueshëm me piktorin, por në gjininë e vet të artit. Duheshin zgjedhur. Edhe për gdhendjen e të gjithë ansamblit të brendshëm të kishës së Sopikut u përzgjodhën mjeshtra të vërtetë. Dhe e realizuan. Kaq i lartë ishte niveli artistik dhe kaq imponues në vlerësim, sa u bë simbol identifikues dhe është fare e natyrshme që kur flitet për kishën e Sopikut gjithmonë dhe duke i rënë shkurt, nënkuptohet kisha “Fjetja e Shën Mërisë”.
Gjithmonë është thënë në fshat se për gdhendjen e ikonostasit, amvonit dhe proskinitarit punuan babë e bir. Babai ishte më mjeshtër. Ai vdiq akoma pa përfunduar vepra e mrekullueshme që po krijonin. Punën e vazhdoi i biri. Ajo mbaroi mbas tridhjetë vjetëve. Po ta shikosh me kujdes të gjithë atë çka ata krijuan, dallohet menjëherë ndryshimi në nivelin artistik. Për herë të parë këtë e kam ndëgjuar në vitin 1981, për herë të fundit në Sopik nga një banor i vjetër përpara disa muajve.
Fatbardha Shkupi, historiane e artit, e ka trajtuar këtë temë në studimin “Mjeshtër shqipëtarë, dekoratorë që kanë punuar në Bullgari, Maqedoni dhe në Shqipëri”, të botuar në revistën “Monumentet”, viti 2002. Po e citojmë:
“Do të përpiqemi të nxjerrim në pah njërin nga artistët Nikolla Dibranin e ardhur nga Magarova, pranë Manastirit dhe (që) u vendos në familjen e vet në fshatin Lashovë, pranë Leskovikut, gjatë mbretërimit të Ali Pashë Tepelenës.
Ai kishte dy djem Dhimitrin dhe Vasilin që u bënë edhe ata skulptorë. Ai ka punuar me arkitektin Petro Korçari.
Ali Pasha u kishte premtuar fshatarëve të Sopikut që tu bënte një kishë me një ikonabartës madhështor për nder të tre priftërinjëve martirë: Kostandini, Panajoti dhe Joani të vrarë nga pushtuesit. Në të njëjtën kohë ky fshat kishte mbajtur anën e tij gjatë luftës kundra suliotëve.
Mjeshtri Nikolla në këtë kishë të “Fjetjes së Shën Mërisë” kompozoi një ikonabartës të madhërishëm me pjesë të daltuara rreth dy shtyllave dhe gjysëmhënza të ngarkuar mjaft me lule, helika e fazanë. Madhështia është paraqitur nga shqiponjat kartiatide me fletë të shpalosura që bartin baldakinin e Atikës, një thesar i vërtetë lulëzor dhe fantastik, ku profilohen dragonj dhe shumë kafshë të tjera mitologjike, të rrethuara prej helika trëndafilash, gjethe lisi dhe metope me nga tri lule. Shumë nga këto simbole e motive tradicionale përsëriten në repertorin shqiptar të dekoracionit të epokës iliriane. Të tjerët janë me origjinë mesopotamjane.
Bie në sy amvoni, katedra dhe kurora e baldakinit (Skorza) të altarit të cilët janë zbukuruar në mënyrë të fuqishme dhe të lëvizshme. Ky ikonabartës ka përfunduar në 1832 sipas një shkrimi mbi fronin e Peshkopit”.
Do t’i kthehemi edhe një herë Dhimitër Bedulit në citimin që përmendëm më lart, të botuar në “Kishë dhe kulturë”. Mbasi tregon historinë e vrasjes së tre priftërijve me urdhër të Ahmet Kurt Pashës së Beratit, ai vazhdon kështu:
“…ajo që është më interesante në këtë kishë është templloja, (ikonostasi, F. S.), për të cilën mund të thomi se është një nga veprat më të rralla të skulptures në dru në vendin tonë; punim i hollë, kombinime të bukura, pamje madhështore. Është 13 m e gjatë. Çdo shtyllë fillon me një vazo, nga e cila del një degë peme në formë rrushi. Mbi disa nga pemët janë skalitur zogj që i çukisin pemët; mbi shtyllat pëllumba me rrush e degë në gojë. Bukur paraqiten dragonjtë nën kryqin, darka mistike në miniaturë mbi ikonën e Krishtit etj. Si është një pjesë nuk është tjetra. Mbi derën e bukur dy engjëj mbajnë mitrën episkopale, ndërsa dy të tjerë janë duke shikuar me gëzim. Të njëjtën punë ka edhe froni episkopal edhe amvona. Të gjitha janë punuar në dru arre. Nga sa mban mend prifti 80-vjeçar Atë Doko, të tre këto objekte janë punuar prej një skulptori të quajtur Nikolla nga fshati Megaroro i Maqedonisë afër Bitolit dhe janë pëfunduar e vendosur më 1 janar 1836. Meqë skulptori ishte plak dhe nuk udhëtonte, të tre këta objekte janë punuar në Megaroro dhe janë sjellur me kafshë pjesë pjesë në Sopik dhe janë montuar prej të birit të skulptorit, i cili ka qenë gjithashtu skulptor, madje ka punuar dhe prosqinitarin e kishës”.
Sadoqë të mundohemi t’i njësojmë këto të dhëna, është e pamundur. Në se do të shprehemi me gjuhën e fotografit ato janë “flu”. Ato janë zhvilluar dhe transformuar në ligjishmërinë e legjendës. Por kanë të njëjtat rrënjë: Ali Pashë Tepelenën dhe ikonostasin e famshëm. Ky ikonostas është po aq i famshëm, sa edhe ai i kishës së Leusës. Të dy këta i a bëjnë ferk njeri tjetrit për nga bukurija. Dhe pikërisht pse është i bukur vendosën ta merrnin dhe ta ekspozonin në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo ndodhi në vitin njëmijë nëntëqint e tetëdhjetë e nji, në muain korrik.
Vizita në kishë
Shkuam grup, pesë vetë, për të menduar se çfarë do të bënim për smontimin dhe transportin në Tiranë. Ishte hera e parë që e shikoja atë kishë. Ndërtesa e saj nuk të bënte asnjë përshtypje. Do të thoja më tepër një ngrehinë thuajse katrore me gurë dhe e mbuluar me rrasa guri, ashtu siç janë të gjitha kishat e vjetra ortodokse. Nuk kishte as mur rrethues, as qiparisa, as varre, asgjë! Thuhej se ishte monument kulture. Më ngjante më tepër me një depo.
Hymë brenda nga deriçka anësore… dhe shtanga! Edhe tani, mbas kaq e kaq viteve të kaluara me përshtypje impresionuese dhe të paharruara, ndjej emocionet e atij çasti të parë! Përpara kisha një madhështi imponuese deri në dërmim. Kisha pritur platformën e Balzakut që hedh shpirtin në hapësirë, por ndjeva rëndesën e Rembrandit!
Oh, jo! Duhej shpëtuar!
Është jashtë dijeve dhe mundësive të mija të komentoj artin, nuk do ta bëj një përpjekje të tillë. Aq më tepër që nuk dua të marr përsipër rolin e keqinformuesit, prandaj do të kufizohem vetëm me atë që paraqita nga të tjerët, si e mjaftueshme për qëllimin e këtij shkrimi. Fillova ta vëzhgoj gdhendjen vigane me vëmendjen e specialistit të konservimit. Çfarë do të ndodhte me këtë delikatesë të përkryer jo vetëm nga konceptimi fillestar, por të brishtëzuar edhe nga mundimet e kohës? Pjesa fundore vuante nga një sfungjerosje e pamëshirëshme, e shkaktuar nga insektet brejtës. Çudi! Bukuria është një koncept i njeriut. Jeta nuk e njeh bukurinë, ndryshe do ta kursente!
Vende-vende ikonostasi ishte dëmtuar nga thyerjet e ndodhura gjatë viteve të shërbesës. Më vinte keq tek e shikoja ashtu të gjymtuar! Nuk përthithet dot një bukuri në nivelin e përsosmërisë me bllanga shëmtije! Ndikonin keq edhe ca penelata jeshile të cilat, për mua, nuk mund të përfshihen në konstatimet e T. Siulis në veprimtarinë e gdhëndasve të drurit të atyre kohërave.
Konstruksioni dukej solid në tërëinë e tij. Por kjo ishte vetëm në pamje. Gozhda të mëdha si pykë lidhnin dhe mbanin të lidhura fort për njëqint e pesëdhjetë vjet të gjitha panelet përbërëse te ikonostasit. Me kalimin e kohës dhe tharjes së drurit, aty-këtu ishin krijuar plasaritje të tkurrjes. E di që druri në këto vende është tepër delikat. Shto pastaj edhe shpërbërjen natyrore, që nëpërmjet të krijimit të acideve dhe alkoleve e “avullon” drurin, duke e lehtësuar dhe dobësuar dhe ja ku je aleat i dëmtimeve të pashmangëshmne gjatë smontimeve.
U largova deri tek narteksi për ta konceptuar në tërësinë e tij. Dritë-hija e futur shkarazi nga dritaret anëore lexonte më fuqishëm altoreliefin e realizuar me një ritmikë të lirë dhe të pamërzitshme. Punë dore, që ka brenda shpirt! Por e çuditshme, ky bllok solid prej druri të gdhendur, nga larg pësonte metamorfozën e shndrrimit në tantellë. Një bukuri imponuese!
Trembëdhjetë metra i gjatë dhe ndonja tetë i lartë. Nuk kishte salla me lartësi të tillë në ndërtesën e Muzeut Historik Kombëtar. U a thashë këtë pjestarëve të grupit. Me sa duket ata ishin të rrahur me të tilla vështirësi dhe u përgjigjën thjeshtë se nuk ishte e domosdoshme që të ekspozohej kryqi dy metrosh, aq më tepër një kryq në kohë ateizmi. Mund të liheshin të paekspozuara edhe fragmente të tjerë. E rëndësishme ishte që nëpërmjet të pjesëve të gdhendura që do të merreshin nga ikonostasi, të paraqitej arti popullor. Përshembull, mund të merrej pjesa e poshtme e ikonostasit ku zënë vend ikonat apostolike, gjithashtu edhe baldakini dhe këto pastaj të ekspozoheshin veçmas, në mënyrë që të mos krijohej ideja se po ndërtonim një kishë brenda Muzeut Historik Kombëtar. Pyeta se çfarë do të bëhej me pjesët e tjera. “ Ato,- më thanë,- mund të sistemoheshin në një depo”. Kisha patur fatin e dhimbshëm të shikoja ndonjë depo të tillë, një depo kapice! Kisha patur rastin të shikoja se si kishin katandisur me fatin e mizerjes ikonostaset e smontuar, apo pjesët e tyre! Kështu do ta pësonte edhe ikonostasi i Sopikut, herë-herë i quajtur edhe mrekullia ballkanase e gdhendjes në dru!
Oh, jo! Duhej shpëtuar!
Situata komplikoihet
Kur u ktheva në Tiranë takova menjëherë Enver Fajen. Ai ishte kryearkitekti në projektimin e muzeut. Biseduam për rastin. Ai mbeti i habitur. Në platformën e paraqitur nuk përfshihej ekspozimi i ikonostasit, ndryshe do të ishte parashikuar hapësira e nevojshme, një si ballkonatë midis dy kateve, nga ku do të mund të kundroje të gjithë objektin gjigand. Dhe në të tashmen nuk mund të bëhej asgjë, nuk e lejonte konstruksioni. “Të ma kishin thënë mor vlla, të ma kishin thënë!” E qartë, kjo ishte ide e hedhur nga dëshira e mirë në rrugëtimin e linjës së përmbajtjes. Por ishte shumë, shumë vonë! Nuk e kam marrë vesh kurrë se kush e hodhi këtë ide, por e di mirë se thuajse gjithmonë kur ka qenë puna e ndërtimit të një muzeumi, ka ekzistuar një mosrakordim në kohë midis platformës dhe projektuesve.
E keqja ishte se ideatorët nuk tërhiqeshin. Ata ishin dy herë fajtorë. E para, se në kundërshtim me parimet e trashëgimisë së vlerave kulturore një monument nuk mund të çvendoset pa u detyruar nga forca madhore dhe e dyta, një monument nuk mund të cungohet.
Të nesërmen u mblodhëm për të diskutuar. Lashë të tjerët të flisnin në fillim. Ata më kryesorët e kishin ndarë mëdjen: ikonostasi do të smontohej dhe do të vinte në Tiranë, një pjesë për Muzeun Historik dhe një pjesë për në depo. Erdhi rradha ime. Fjala ime do të ishte vendimtare. Vetëm ajo do të mund ta shpëtonte ikonostasin. Thashë shkurt se ishte shumë e vështirë për ta smontuar pa dëmtim dhe se nuk e përballonte dot rrugën e keqe. Ata: “Nuk e përballon dot rrugën e keqe?”. Unë: “Madje edhe bëhet cope-copë nga tronditjet!”. Ata: “Atëhere le të bëhet konsolidimi në Sopik dhe pastaj të transportohet”. Unë: “Nuk mund të organizohet në Sopik një laborator për të përballuar atë punë që siguron ikonostasin nga troshitjet, madje nuk ka as kohë”. Ata: “Atëhere ta smontojmë, të marrim kamionë të mëdhej, të shtrojmë rërë, e mbi rërë ikonostasin”. Unë: “Nuk ka siguri, është një rrugë gjithë gropa”. Ata: “Atëhere të shtrojmë kashtë, e mbi kashtë të shtrijmë ikonostasin”. E pashë që biseda po shkonte gjithnjë e më tepër duke u mbledhur. “Mos ta marrin për sabotim?”. U përqëndrova vetëm në anën teknike. “ Të përgatiten arka të mëdha , e të forta prej druri, të shtrohet kashtë në to, të vendoset pjesë-pjesë ikostasi i smontuar dhe transporti të bëhet me helikopterët e ushtrisë”. U ra dakort. U lehtësova. Ushtria nuk e mori përsipër transportin. Ndërkohë sopiqotët i dërguan një letër Komitetit të Partisë të rrethit të Gjirokastrës, me anë të së cilës kërkonin që të mos merrej ikonostasi, por të qëndronte në vendin e vet, ashtu si edhe e parashikojnë ligjet.
Epilogu
Kështu u mbyll kjo histori, por jo pa lënë mbresa. Për tridhjetë e dy vjet nuk i a kam treguar njeriu se çfarë bëra. Vjet, duke diskutuar me disa shokë të grupit të restaurimit pranë Institutit të Monumenteve lidhur me problemet e trashëgimisë, konceptet, etj., ra fjala edhe për ikonostasin e Sopikut. Njëri tha: “Pa le, deshën edhe ta merrnin për Muzeun Historik Kombëtar dhe ta linin magazinave gjysmën e tij! Si kanë pësuar ata që kemi parë! Vërtet, mbeti enigmë puna se si shpëtoi ai”. Dhe atëhere u tregova ngjarjen e mësipërme. Më shtrënguan dorën dhe më thanë vetëm dy fjalë: Të lumtë!
Sidoqoftë u muarën dyert e bukura dhe mbas një ndërhyrje te shpejtë dhe jo të plotë restauruese, u ekspozuan në Muzeun Historik Kombëtar, ku ruhen edhe sot. Vitet e fundit Muzeu Historik Kombëtar mori për Pavionin e etnografisë edhe proskinitarin e Leusës, një mrekulli tjetër e gdhendjes në dru. Të jetë për mua proskinitari i Leusës duhet të ekspozohet në Pavionin e ikonave. Kështu, të dyja kryeveprat e gdhendjes në dru do t’i a bëjnë ferk njera tjetrës në të njëjtin vend.
Gati kater muaj më parë rivizitova kishën e Sopikut. Atje m’u kujtua historia e mësipërme dhe më lindi ideja ta tregoj.
* Falenderojme studuesin dhe restauruesin e njohur, i cili shume prej studimeve i ka ndare me lexuesit e Gazetes Dielli