Nga Frank Shkreli/


Në 10-vjetorin e kalimit në amshim të Sh. T. Imzot Rrok Mirditës, dëshiroj ta kujtoj atë me nderim. Imzot Rrok Mirdita, Ipeshkëv i shuguruar nga duart e Papës historik të shekullit të kaluar, Shenjtërisë së Tij, Shën Gjon Pali II. Imzot Rrok Mirdita ka shërbyer me përkushtim si Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit nga viti 1992 e deri në vitin 2015, kur ndërroi jetë duke mbyllur përgjithmonë shërbimin e tij ndaj Zotit dhe Atdheut. Siç dihet, periudha që ai shërbeu në Shqipëri si udhëheqës i Kishës katolike, dallohej si një prej kohëve më të vështira të tranzicionit politik në atë vend edhe për Kishën Katolike Shqiptare të vuajtur e të martirizuar për pothuaj gjysëm shekulli nga komunizmi enverist ndërkombëtar.
Imzot Rrok Mirdita, gjatë kësaj periudhe të vështirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ai u bë një zë shprese, besimi, paqeje dhe udhëheqjeje shpirtërore, jo vetëm për besimtarët katolikë por edhe për shoqërinë shqiptare në përgjithsi. I quajtur edhe “ipeshkvi i lirsë”, Perendia e zgjodhi Mons Rrok Mirditën për misionin më të vështirë apostolik të kohës, duke e vendosur atë – për të ringjallur Kishën Katolike shqiptare, duke predikuar dashurinë dhe mirësinë e fesë së tij të Jezu-Krishtit, mu në qëndër të “antikrishtit” botëror në Tiranën e Shqipërisë komuniste – e cila me krenarinë dhe bindjen më të madhe ateiste kishte shpallur, me ligj, Shqipërinë vendin e parë në botë kundër Zotit.
Megjithë vështirsitë që shpesh dukehsin të pa kapërcyeshme, nën udhëheqjen e tij të urtë, Kisha Katolike në Shqipëri gjeti stabilitet, dinjitet dhe hapje ndaj së ardhmes. Me urtësinë dhe busullën e tij morale, fetare dhe atdhetare, shpresojmë ai të ketë kontribuar ndaj atij që eventualisht, të jetë themelimi i një shoqërie më të drejtë, më të dashur dhe më njerëzore ndër shqiptarët, pa dallim dhe kudo
Por ky është një përvjetor – 10-vjet pass kalimit të tij në amshim, për të kujtuar figurën e shquar të Monsinjor Rrok Mirditës — baritorit të urtë, meshtarin e përkushtuar dhe shqiptarin fisnik, i cili për gati gjysmë shekulli i shërbeu Kishës dhe kombit me përulësi e dashuri të pashtershme. Këto kujtime të mia nuk janë të reja pasi i kam shprehur edhe më heret, nga burime të ndryshme – kujtime, që në një mënyrë ose në një tjetër, i kam shënuar edhe në shkrime të tjera modeste gjatë dekadave mbi jetën dhe veprimtarinë e Mons Rrok Mirditës. Frank Shkreli: U nda prej nesh Monsinjor Rrok Mirdita | Gazeta Telegraf Frank Shkreli: Një vit pa Imzot Rrok Mirditën | Gazeta Telegraf —Frank Shkreli: 60-vjet nga themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork | Gazeta Telegraf – e tjera burime
Më duket e pabesueshme por kanë kaluar 10-vjet pa Mons Rrok Mirditën. i pabesueshëm është edhe fakti se sa e gjatë mbetet midis nesh edhe mungesa e njerëzve si Rrok Mirdita, që kanë lënë gjurmë të thella në historinë kishtare dhe shoqërore të Shqipërisë post-komuniste. Me “Dom Rrokun” – kështu në të vërtetë i referohemi atij edhe sot, të gjithë që e kemi njohur atë gjatë dekadave – më kanë lidhur shumë ngjarje e zhvillime private e personale të jetës time dhe të familjes. Duke filluar nga njohja me ‘të pas shugurimit të tij meshtar në Klleznën e tij të dashur, në vitin 1965 mos qofsha gabim. Lidhjet e mia dhe ato familjare me Dom Rrokun u forcuan edhe më tepër kur ai erdhi në Amerikë për t’i shërbyer komunitetit katolik në Shtetet e Bashkuara në fillim të 1970-ave. Ai ishte instrumental si “ndërmjetës” në fejesën time, që çoi në martesën me Vitoren –duke zyrtarizuar kështu, bekimin me kurorën shënjte, në ceremoninë që Dom Rroku bëri me 3 Janar, 1976 – pothuaj 50-vjet më parë, në Kishën Zoja e Këshillit të Mirë në lagjën Bronks të Nju Jorkut. Për të vazhduar kontakte me të për dekadat që pasuan, në Nju Jork, Washington e më vonë edhe në Shqipëri.
Për Mons Rrok Mirditën unë kam shumë kujtime të mira që lidhen me mua dhe familjen time, por kam edhe më shumë kujtime të paharrueshme mbi rolin e tij si udhëheqës publik dhe fetar gjatë dekdave në vendlindjen tonë të përbashkët në rrethin e Ulqinit, por më vonë në Amerikë dhe në Shqipëri. Janë kujtime të veçanta respekti dhe ndjesie njerëzore që, pëgjithsisht, ai i përcillte tek të gjithë bashkbidesuesit pa dallim,gjithmonë në qetësinë dhe urtësinë, që e dallonte atë.
Nuk e harroj kurrë mënyrën si fliste – ngadalë, me një ton të qetë, pa e ngritur zërin as kur çështjet ishin tepër të ndërlikuara dhe ndonjëjherë edhe konfliktuale. Kishte një aftësi të rrallë për t’i zhvendosur njerëzit nga tensioni i bisedës ose argumenteve, drejt reflektimit, nga dyshimi drejt shpresës dhe zgjidhjes së problemeve. Edhe kur nuk thoshte shumë, thoshte mjaftueshëm për të vendosur drejtimin e duhur për zgjidhjen e çeshtjeve. Ishte pikërisht kjo prani fisnike dhe e matur ajo që më ka lënë një mbresë të përhershme, gjatë gjithë kohës që e kam njohur dhe deri në ditët e sotëme.
Ndonëse Mons Rrok Mirdita, nuk ishte i vetmi ndër udhëheqsit fetarë e publikë shqiptarë të këtyre dekadave të fundit, me veti dhe vlera të dalluara fetari e shqiptari, por ky përvjetor i kalimit të tij në amshim më bën të reflektoj se sa shumë do i nevojiteshin shoqërisë aktuale konfliktuale shqiptare — asaj publike, politike dhe fetare — njerëz si Dom Rrok Mirdita qoftë në trojet shqiptare, por edhe në diasporë ku ai ka shërbyer për një kohë të gjatë.
Në nivel personal fetar dhe publik, Monsinjor Rrok Mirdita do mbetet një pikë reference shembullore, bashkjetetse. Jo sepse ishte i përsosur — askush nuk është — por sepse ishte i sinqertë në qëllim dhe i qëndrueshëm në vlera. Ai dinte të dëgjonte. Dinte të prekte plagë pa i hapur ato, siç shprehej dikur Profesor Sami Repishti, ish- i dënuari i regjimit komunist në Shqipëri. Dinte të jepte shpresë jo me fjalë të mëdha, por me atë lloj qetësie që vjen vetëm nga besimi idhe bindja e brendshëme shpirtërore.
Në këtë dhjetëvjetor, e ndiej sikur kemi humbur, jo vetëm, një figurë të madhe të Kishës, por edhe një busullë morale njerëzore të një kohe që sot mungon në rrafshin publik, shoqëror dhe ndoshta edhe fetar. Por, pavarësisht, viteve që kanë kaluar, Dom Rroku mbetet i pranishëm në kujtesën time dhe të gjithë atyre që e kanë njohur si një shembull i udhëheqsit të heshtur, i një force të qetë dhe i mirësisë, por edhe i vendosur, kur ishte nevoja, ndërsa kurrë nuk kërkonte vëmendje ndaj personit ose veprimtarive të tij. Prandaj në këtë 10-vjetor të kalimit në amshim të Imzot Rrok Mirditës, kujtoj me mall bashkvendasin, mikun e bashkpuntorin figurën e shquar fetare dhe publike të 5-dekadave të fundit, por për të gjithë të tjerët që e kanë njohur, bariun e urtë, meshtarin e përkushtuar dhe shqiptarin fisnik, i cili për gati gjysmë shekulli i shërbeu Kishës dhe Kombit me përulësi e dashuri të pashtershme. Uroj që Mons Rrok Mirdita të mbetet shembull për të gjithë ata që e kanë njohur sadopak se shërbimi ndaj t[ af[ërmit tëndë është forma më e lartë jo vetëm e shërbimit ndaj Zotit, por njëkohsisht edhe dhe ndaj Atdheut.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Salla Nënë Tereza, Kisha ‘’Zoja e Shkodrës’’) 10 Qershor, 2012 – në 50-vjetorin e Lidhjes Katoliko-Shqiptaro-Amerikane
