Ese rreth romanit të Shpend Sollaku Noé-së «Il pero fiori a dicembre» – «Dardha lulëzio në dhjetor»/
nga KUJTIM HAJDARI/Sapo mbarova së lexuari romanin «Dardha lulëzio në dhjetor». Është pak të thuash që më ka lënë mbresa të pashlyeshme; është një roman që gati-gati e përjeton. Me mënyrën e të shkruarit dhe me narracionin e rrjedhshëm e të bukur përfshihesh brenda në roman, e gjen veten midis atyre njerëzve që luftojnë me një vullnet të çuditshëm e të pamposhtur për jetën, nën një regjim që mbyti çdo gjë njerëzore: lirinë e individit në të gjitha limitet, dinjitetin e personit, iniciativën, e xhveshi individin ekonomikisht. Një realitet të tillë, të hidhur e të egër politik e autori jep kaq bukur, me një realizëm artistik pa kaluar aspak në historizëm, duke i ruajtur gjithnjë romanit bukurinë e një vepre letrare-artistik.
Në një regjim politik të tillë, të egër e shkatërrues zhvillohen ngjarjet e romanit, kryesisht në Berat, në kampin e interrnimit, në Lushnjë e në Tiranë. Si bosht kryesor të të gjitha ngjarjeve do t’na udhëheqë në të gjithë romanin familja Rabìu, një familje intelektuale që si gjithë njerëzit e tjerë të kulturës ishin në shënjestër të regjimit komunist dhe që u nënshtruan persekutimeve të pamëshirshme, të pallogjikshme e çnjerëzore.
Në roman të mahnit arti narrativ i shkrimtarit dhe aftësia e tij për të kaluar nga një tabllo jete në tjetrën, ku na çon me anë të familjes Rabìu, pa e rënduar tonin e tij kallëzimtar, duke e freskuar here pas here me dialogë të goditur e të bukur.
Peshën e rëndë politike e ndjen kudo, ashtu siç ishte e pranishme në jetën tonë, por pena e stërvitur e shkrimtarit i trajton kaq me zhdërvjelltësi ngjarjet në roman saqë trajtimi i aspekteve politike mbetet si një mjedis, si një sfond ku zhvillohet gjithë subjekti i romanit, duke i shtuar veprës besueshmërinë në vertetësinë e bazës reale të asaj kohe. Duke u mishëzuar me subjektin e romanit ngjarjet politike i shtojnë dramacitetin veprimit, e bëjnë atë më tërheqës e ngjarjet më rrenqethëse.
Është për t’u theksuar se shkrimtari paraqet shumë bukur jo vetëm shkatërrimin e njeriut, por edhe shkatërrimin e vendit në aspektin fizik dhe moral. Në aspektin fizik u shkatërrua pothuajse çdo gjë e bukur duke filluar nga veprat me vlera antike, pyjet e bukur, lumenjtë e mrekullueshëm etj. Në aspektin moral, me luftën e klasave, me mbytjen e çdo gjëje te përparuar e me mbylljen e vendit, me mënyrat e zhvillimit të ekonomisë e kulturës, me luftën kundër imperializmit e bëri vendin tonë të dukej një Don Kishot para botës.
Këto të gjitha na shpalosen nëpër skenat e romanit me një bukuri e përsosmëri që të krijojnë mendimin se shkrimtari ka qënë një dirigjent i përkryer i gjithë veprës.
Nuk gjen një përshkrim, një dialog, një analizë që të vrasë syrin.
Romani i Shpend Sollaku Noè-së është voluminoz, rreth 500 faqe, e dikush mund të mendoj se të lexosh një roman të tillë mund të jetë dhe pak e lodhshme, por në fakt kur e mbaron së lexuari mbetesh i habitur: ai të duket i shkurtër për sasinë e madhe të ngjarjes dhe të kohës që ka përfshirë, për problemet dhe temat e shumta që trajton dhe për mesazhet e rëndesishme që i përcjell lexuesit. Për një subjekt të tillë do të duheshin një sërë romanesh, por duhet të kemi parsysh që shkrimtari vjen në këtë vepër pas një përvoje të gjatë në vëllime të shumta poetike, shkrime të ndryshme në prozë dhe romanit tjetër në italisht, para këtij, KUFIRI I MJEGULLËS.
Kjo përvojë e gjatë në fushën e letrave i ka dhënë aftësinë ta përpunojë në mënyrë të përkryer gjithë materialin jetësor të kohës dhe t’na i japë gjërat të situra, pa krunde e të koncentruara aq mirë sa rrezatojnë e të bëjnë të shohësh përtej asaj që lexon
Është gjithë kjo përvojë që e bën të afirmohet në këtë roman si një mjeshtër edhe i prozës së gjatë.
Me këtë mjeshtëri ka realizuar në roman edhe një numër të madh personazhesh nga të cilët po përmend shumë pak: Nadir Rabìu, përfaqësues i brezit të ri, atij brezi që i përket e ardhmja, atij brezi që ai regjim i shkatërroi fëmijërinë dhe rininë. Duke e vënë në situata të ndryshme e në ambiente të ndryshme, na gdhend një karakter me cilësitë e atij brezi të atëhershëm. Duke e marrë për dore nga vogëlia deri në shkollën e mesme na tregon se si rritet Nadiri në karakter me të mirat e gabimet e tija, Na tregon dëshirat, aspiratat e atij brezi, dëshirën për liri, për krijmtari, për të qënë aktiv e ndërtues të jetës. Dëshirën për të thyer ato dyer burgu ku e kishte mbyllur vendin diktatura. Anisa Rabiu, e ëma e Nadirit, gjithashtu del bukur si figurë e nënës së shqetësuar, bashkëshortes besnike dhe figurës së gruas si qytetare me gjithë shqetësimet dhe problemet e kohës. Munir Rabiu, i ati i Nadirit, është intelektual dhe përkthyes i zoti i frëngjishtes që burgoset për agjitacion e propogandë , gjëra të sajuara, për të hequr qafe intelektualët. Dega e Brendshme me policët e saj që është gjithnjë e pranishme me arrestimet e burgosjet e njerëzve, më të shumtën e herëve të pafajshëm. Shokët e Nadirit, si ata në Berat ashtu dhe ata në Kampin e interrnimit vizatohen me tiparet e tyre dalluese; po ashtu edhe Mirna Valona, inspektore e partisë që ndihmon familjen Rabiu për meritat e saj në Luftën Nacionalçlirimtare, por gjithmonë duke i qëndruar besnike partisë. Vehidi, përgjegjësi i kampit të internimit, është një nga figurat negative nga mët ë e urryerat. E plot e plot personazhe të tjerë që shkrimtari i realizon në ambientet e romanit në mënyrë të përkryer. Është për t’u theksuar se personazhet realizohen natyrshëm dhe gdhenden aq mirë e kujdesshëm sa të mbesin në mendje për shumë kohë dhe të duket se këta persona i ke takuar, i njeh mirë, të bëhen të afërm sikur ke jetuar me ta.
Kur mbaron romanin «Dardha lulëzoi në dhjetor» ndjen një farë dhimbjeje që po ndahesh nga diçka e dashur, e bukur dhe të merr dëshira t’i rikthehesh, të gjendesh përsëri në atë narrative aq tërheqëse. I bëj shkrimtarit falenderimet e mia të perzemërta për këtë vepër të bukur dhe i uroj suksese në vepra te reja.