Shkruan: Dr. Ruki KONDAJ/
Më 1 shtator 2013, në Markland Wood Golf Club, 245 Markland Drive, Toronto M9C 1R1, midis qindra bashkëatdhetarëve të të gjitha trevave dhe të huaj, morën pjesë në promovimin e librit historik e kombëtar “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844– 1999” i Prof . dr. Nusret Pllanës, nga Kosova.
Organizatorët e këtij libri ishin: Qendra Shqiptare në Hamilton, me president Qamil Breznicën, Shoqata Shqiptaro Kanadeze e Torontos me zv/president Xhemi Agaj aktor i mirënjohur, përfaqësues të biznesit Bedri e MehdiToqani dhe Bujar Zejnullahu, konsujt e Shqipërisë në Toronto, z.Genc Tirana dhe z.Ervin Musta, Shoqatat si motra nga Londoni e St.Tomasi me presidentë Naser Berisha dhe Ramadan Maliqi, dy përfaqësues të këshillit të nderit të Shoqatës Shqiptaro –Kanadeze, prof.Kristian Bukuroshi e Z.Murat Hashani, Shkrimtari Rifat Dajti, përfaqësues i komunitetit fetar mysliman Muhamet Osmani, z.Mustafa Ismaili –poet, etj. Ishin të pranishëm dhe drejtori i Shkollës Amerikane në Kosovë , Prof. Charles Launder, si dhe humanistja me origjinë italiane, Znj.Izabelle Belleti.
Aktivitetin e moderoi aktori i mirënjohur Xhemi Agaj i cli i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen kaq massive, dhe i ftoi në ekzekutimin e hymnit kanadez dhe shqiptar, si dhe në mbajtjen e një minut heshtjeje për viktimat e popullit tonë të pafajshëm, që janë, hiq më pak se 570.000 njerëz, që u vranë e u masakruan në periudhën e viteve 1844 – 1999, dokumentuar nga Prof. Dr.Nusret Pllana në librin e tij.
Pasqyrimin e këtij realiteti nuk e bën më mire askush se sa ai që e ka jetuar atë realitet, dhe ky është vet autori, Prof. dr.N.Pllana – i cilësuar nga folësit si: humanisti, luftëtari i lirisë, dashamirësi i fjalës së lirë, akademiku, shkencëtari dhe kryediplomati i çështjes shqiptare.
Me këtë botim studiuesi i mirënjohur dr.Nusret Pllana mbush një boshllëk të ndjeshëm në fushën e dokumentimit të historisë së popullit shqiptar, pikërisht të asaj periudhe tragjike që ka të bëjë me shtypjen dhe terrorin e regjimeve serbe në Kosovë në periudhën 1844 – 1999. Një pjesë e dokumenteve dhe fotove janë grumbulluar ose kryer nga vetë autori gjatë kohës kur ai punonte si gazetar për radion “Kosova e Lirë”.
Së pari publiku u njoh me një biografi të shkurtër të prof.dr.Nusret Pllanës, si dhe me filmin dokumentar ‘’Rrugëtimi i një libri nëpër botë’’i cili zgjati 30 minuta.
Më pas, Aktori Xhemi Agaj lexoi një pjesë nga libri « Ditar lufte »i autorit N.Pllana, ku u dëgjua me shumë vëmendje e emocion nga auditori.
Më tej përshëndetën folësit si ; Konsulli i nderit në Toronto z.Genc Tirana, poeti dhe dashamirësi i letërsisë shqipe nga Kosova z.Mustafa Ismaili, Prof. Charles Launder, i cili për shtatë vite ishte drejtor i shkollës Amerikane në Kosovë, humanistja italiane Izabelle Belleti, Dr.Ruki Kondaj – Presidente e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze me seli në Toronto, etj.Të gjithë folësit vlerësuan punën voluminoze të autorit bazuar në fakte reale, një pune shkencore të mirëfilltë, me vlera kombëtare e historike. Njëri nga folësit theksoi se, atë që ka bërë Prof.Pllana në këtë libër nuk e ka bërë as shteti dhe vetë politika.
Mustafa Ismaili – poet, theksoi: duke e lexuar këtë libër gjejmë një këshillë që të mos biejmë në grackën e vjetër të pushtuesit, që të mos përsëritet më: Toplica, Sanxhaku, Prekazi, Reçaku etj.
Prof.Charles Launder– Principal American school of Kosova, duke i dëshiruar mirëseardhje Prof.Pllanës në Toronto, ndër të tjera tha: Libri i Prof. Pllanës është një libër historik me vlera të mirëfillta shkencore. Fotot e këtij libri tregojnë një histori të dhimbshme dhe tragjike të popullit shqiptar të Kosovës për një kohë të gjatë.
Përvoja ime shumëvjeçare në shkollën amerikane të Kosovës, si ligjërues, ka një rëndësi të madhe për mua dhe familjen time, siç ka rëndësi edhe pjesëmarrja ime në këtë eveniment kulturor bashkë me popullin mik shqiptar. Prandaj, edhe pamja e kësaj salle kaq të bukur e ka një domethënie të veçantë, sepse në ballë të saj qëndrojnë bukur tre flamuj të tri shteteve demokratike: Flamuri i Kosovës, ai i Shqipërisë, dhe Flamuri i shtetit tim – i Kanadasë.
Izabelle Belletti – (Humaniste), me fjalën e saj përshëndetëse për promovimin e këtij libri tha: Unë e uroj nga zemra Dr.Pllanën për këtë libër kaq të rëndësishëm, jo vetëm për historinë e shqiptarëve, duke I dëshiruar suksese edhe më të mëdha në përhapjen e së vërtetës të popullit mik shqiptar, edhe pse kjo e vërtetë ka qenë tepër e hidhur për ta. Përmes këtij manifestimi përurues ju dëshiroj paqe dhe mirëqenie gjithë shqiptarëve kudo që janë, sepse ata e meritojnë këtë. Bile kam përshtypjen që ky popull ka shumëçka të përbashkët me popullin Italian, janë bujarë e mikëpritësa, janë dy popuj me vlera të larta historike.
Genc Tirana– Konsulli i R. së Shqipërisë në Toronto, pasi mori fjalën dhe i uroi mirëseardhje autorit të librit, tha: Është një kënaqësi e veçantë për mua sot, që marr pjesë në promovimin e një libri kaq historik, siç është ky libër i Dr.N.Pllanës.
Së pari, unë do të doja ta falënderoja profesorin e nderuar për këtë inisiativë që mori për ta promovuar këtë libër në Toronto, ku ka tashmë një bërthamë intelektuale nga të gjitha trevat e Shiqpërisë, pra pa dallim. Natyrisht që ky promovim është bërë edhe në qendra tjera evropiane e botërore, por besoj se në Totonto do t’i shtohet vlera edhe më shumë, këtij projekti kaq gjigant që ka ndërmarrë Prof.Pllana për të treguar të vërtetën e Kosovës gjatë shekujve.
Ajo që më ka bërë shumë përshtypje dhe më ka lënë pa fjalë është se, pata mundësinë jo vetëm ta shfletoj, por edhe ta lexoj, mirëpo me pamjet që ka ky libër kaq voluminoz, me 490 faqe dhe me përkthim në katër gjuhë të huaja, ka udhëtuar botën, ka marrë gjithë ato përshtypje, është një libër që nuk ka vetëm vlera historike, kombëtare e diplomatike, por ka edhe vlera të mirëfillta shkencore, prandaj Prof. Pllana nuk është vetëm historian, nuk është vetëm një akademik, por është një shkencëtar, e mbi të gjitha është një Kryediplomat i çështjes shqiptare. Libri i Prof.Pllanës ka bërë atë që siç e pam edhe nga filmimet, që nuk mund ta bëjë dot as shteti. D.m.th.ky libër u shkon të huajve, u shkon institucioneve që kanë zë për të folur për Kosovën – thesoi diskutuesja Dr. Ruki Kondaj.
U vazhdua me pyetje dhe përgjigje dhe në fund ju dha fjala vetë Prof.dr.Nusret Pllanës, i cili mes duartrokitjeve të fuqishme dhe gjithë sallës të ngritur në këmbë, për respektin që tregonin ndaj tij, ai shprehu dhe falënderoi organizatorët për këtë aktivitet madhështor, i një niveli shumë të lartë, tejet profesional , surprizë për autorin, por edhe për të gjithë pejsëmarrësit që morën pjesë në këtë eveniment tejet të rrallë, që për nga rëndësia i tejkalon përmasat e një promovimi të zakonshëm libri. Gjithë aktiviteti u xhirua nga z.Zef Luca dhe u fotografua nga z.Genti Hala në çdo detaj, dhe njerëzit të etur për të blerë librin dhe ata pak ekzemplarë që memzi i kishte sjell autori, për shkak të peshës së rëndë që kishin, u gjendën në radhë duke marrë edhe autografe nga autori Pllana. Nje mbrëmje e paharrueshme për të gjithë, që u kororëzua dhe me një koktej, të përgatitur me ushqime shqiptare, nga familja Qafleshi prej Kosovës.
Sponsorët e këtij promovimi historik ishin:
1. ‘’Besi Auto Collision’’ (me pronar : Bedri dhe Mehdi Toqani)
2. Agjensioni Turistik ’’Travelonly’’ (me pronar: Bujar Zejnullahu dhe Dashnor Hasku)
3. ‘’Five Star Motors’’ me pronar : Adnan Aliti
4. ‘’Brothers Auto Sale’’ me pronar : Faik dhe Agim Shabani
5. ‘’Beqiri Acconting’’ me pronar : Ylli Beqiri
6. ‘’Crown Plaster and Stuco Design’’ me pronar :
Milazim Sylejmani
7. Visar Zejnullahu – DJ VISS
8. Burim Zejnullahu – Manager në ’’Country Golf Club’’
9. Qendra e Komunitetit Shqiptarë në Kanada (me seli në Hamilton, me kryetar Qamil Breznica)
10. Shoqata Shqiptaro-Kanadeze (me seli në Toronto me nënkryetar Xhemi Agaj)
1 Shtator 2013, Kanadë – Toronto