
Kastriot Fetahu/
Ishte libri “Mallkuar qoftë ajo ditë”, lexuar në vitet e adoleshencës, ai që më frenoi në stacionin e mendimit për ngjyrën e lëkurës së njeriut. Do të tregohem i padrejtë nëse do të ndaloj së qeni i sinqertë. Entoni me lëkurën e bardhë dhe Stivi me ngjyrë, dy vëllezër, në një ditë u ndodhën në sallën e gjyqit përballë njëri-tjetrit dhe bashkë për të shpëtuar njëri-tjetrin. Entoni avokat, ndërsa Stivi aktivist për mbrojtjen e të drejtave të zezakëve në Afriken e Jugut, faji i vetëm i të cilit ishte pse shkoi në shtëpinë e vëllait në lagjen e të bardhëve.
Nëna e tyre Meri, një metise, jetonte me frikën se një ditë kariera e Entonit do të ndërpritej nga ngjyra e errët e lëkurës së të vëllait, Stivit. Nuk e mbaj mend nëse lotova, po prej atij libri në jetën time u projektua një kauzë “Soweto”, bandustanet e saj, kampet e zezakëve në regjimin e Aparteidit të Afrikës së Jugut nën pushtetin e të bardhëve me presidentin e fundit Frederik De Klerk.
Pyetja se ku qëndron zotësia ime që kam ngjyrën e lëkurës të bardhë, ishte aq e pakuptimtë. Unë nuk kisha asnjë meritë në këtë gjë, ndaj vuaja pse “Soweto” ekzistonte si një plantacion njerëzish me ngjyrë në një botë të civilizuar. Në shkollën tetëvjeçare ajo ishte një vajzë e bukur, një vajze e urtë, e ndrojtur, recitonte vjershat më bukur nga të gjithë ne. Ishte e ndjeshme dhe gjithmonë shumë e kujdesshme, e ndrydhur, i mungonte lirshmëria e moshës dhe dukej sikur ndiqte me shumë vemendje çdo zhvillim shoqëror për të qenë e pranueshme dhe e barabartë në çdo gjë midis nesh. Me ngjyrën e lëkurës së Esmeraldës së Hygoit në “Katedralen” e famshme, zbukuronte mozaikun e klasës. Një ditë kur po recitonte poezi, në një çast njërën prej fjalëve e shqiptoi me një ndryshim shkronje, me ngjyrat e dialektit të gjuhës në shtëpinë e saj. Ne shpërthyem në ilaritet, ndërsa ajo zuri fytyrën me duar dhe qau. Edhe sot ndihem në faj pse ata qeshën me një lapsus për shkak të dialektit.
A nuk ju duket se ajo vajzë në gjenezë vjen si produkt i njerëzve që kanë qarë me shekuj? Edhe sa shekuj duhet të qante? Çfarë ishte më shumë se kaq dallimi racial? Unë isha gjithmonë Stivi, po ata? “Çfarë kënaqësie mund të provosh kur shikon tjetrin në vështirësi?” Këtë mendoja dhe nuk e gjeja dot atëherë kur klasa me ilaritetin absurd bullizoi një engjëll mes dy gjuhësh. Kur dhe ku mësohen dashuria dhe urrejtja?
Ndërkohë lajmet shpërndanin përditë ngjarjet në Soweto dhe burgun e Mandelës. Asokohe guxova dhe pyeta veten se çfarë roli ka komunizmi në këtë ngjarje?
Kur isha student nuk kaloja dot në “Bllok”, pasi ruhej me ushtarë të gardës dhe me polici. Kjo zonë e Tiranës më dukej mistike, si një vend me heshtjen e perëndive, si “jashtë shtetit.”
Nuk e gjeja dot nëse ishte dallim racial apo klasor, që nuk më lejonin të ecja në trotuarin ngjitur me Bllokun në rrugën “Sami Frashëri”, apo ndoshta kishte emër tjetër? Ndërkohë portretet e zymta e të padeshifruar të atyre që nuk gjetën kurrë prehje nga lufta e klasave, më ngecin në një kaos trafiku mendor edhe sot. A nuk ishte dallim racial politik, krijimi i “aborigjenëve të rinj” nga teoria e Leninit? Rrudhesha në fytyrë, sikur të hidhja njëherësh një gotë “Wisky”, kur studentët “tironc” na quanin katunarë ne të rretheve. Çfarë zotësie kishin më shumë se unë ata, pyesja veten. Ku qëndron merita se kishin lindur në Tiranë apo ishin vendosur atje si bij të baballarëve të afërt me pushtetin? Me atë logjikë, sot që jetoj në Boston, për analogji ata do t’i etiketonin “katunarë” qytetarët tiranas në raportin Tiranë – Boston, se i ngjan raportit të qytetit tim me Tiranën e asaj kohe.
Lulëzonte urrejtja në një tjetër fjalë, “malok” për veriorët, nën zë apo në grupe jashtë prezencës së tyre.
A na bashkonte apo na ndante komunizmi?
Nëse po, pse diferencoheshim në “tironc” që ishin gjithmonë “patricët” dhe ne të tjerët, katunarë, fshatarë, malokë. romë, egjiptian, shule apo emra të çfarëdoshëm që përfaqësonin ndasi më të vogla në numër dhe territor? Gjërat tek të cilat besoja, dukeshin si një univers i kithët me “patricët”. Shumë pyetje drejt vetes nuk gjenin dot kuptimet e përbashkëta.
Vuaja dhe që t’i shpëtoja autobullizimit, strehoesha në vetminë time si e vetmja mbrojtje, pasi trishtimi ishte një gjendje statike mbi të cilën mbivendosej çdo gjendje tjetër.
Njerëzit “vetvrasës” si derivat i vuajtjeve shpirtërore duan të arratisen shpejt nga kjo botë, ata nuk duan të japin shpjegime pse fati i tyre i kufizon shumë në ëndrra dhe realitete shpirtërore. Kush na e ka borxh një jetë më të mirë, se sa rinia që kaluam në vitet ‘80?
Vajzat studente, në teorinë e planeve të jetës, na trajtonin si “rezervë” ne, studentët e rretheve dhe kjo ishte një aksiomë të cilën nuk përpiqesha kurrë ta zgjidhja. Pse duhej të pleksej me çështjet e zemrës vendbanimi ynë? Ndoshta kishin të drejtë, sepse lëvizja e lirë ishte koncept i panjohur. Po përse vallë?
S’po i bëj më ndonjë të mirë kësaj bote, mendoja përderisa ekzistonin ide të tilla hapur apo fshehur pas nënqeshjeve cinike fyese të “patricëve” të ndryshëm në llojin e tyre.
Ideja për të eksploruar aspektet psikologjike e filozofike të këtyre fenomeneve, ma bëri detyrën më të vështirë nga sa e mendoja. Njeriu nuk kërkon të vdesë sepse ka ëndrra dhe iluzione, por a ishin njëlloj për të gjithë? Sa e dyshimtë është kjo gjë, i ngjan ndryshimit të thellësisë së detit edhe pse ai ka emrin det kudo në sipërfaqen e mbuluar nga uji i kripur. Ndodhte që të më zgjohej shpresa nën vrulle suksesi të papërfillshëm, por që ndizte ngjyra të bukura çastesh gjurmëlënëse në jetë. Dukej sikur më plaçkiste shpirtin identiteti im gjeografiko-politik edhe pse te ne nuk ekzistonte “Soweto” dhe as Sabra e Shatila të Bejrutit.
Ura mes instiktit dhe logjikës, ligjit dhe shkeljes, pasionit dhe moralit, dëshirave dhe objektivave, imagjinatës dhe mundësisë qëndronte e mbyllur tek unë.
Isha një njeri i trazuar, një student i ngatërruar që as urën drejt vetes nuk e ndërtova dot, një qenie njerëzore laboratorike e ekzistencializmit Sartrian.
Në moshën 22 vjeçare Gandhi kishte tre fëmijë, Mozart 30 simfoni, Evariste Galois shkencëtar me shpikje teoremash matematike, Evan Spiegel, themeluesi i Snapchat, miliarder, ndërsa unë nuk guxoja të kisha as… ëndrra. Vazhdoj të mendoj se të gjithë janë brenda të njëjtës vlerë dhe bij të lirisë, madje edhe bij të të njëjtit Zot. Po ndërkohë edhe sot më godet në mendimin e fundit, të pathënë kurrë më parë, ideja “A jemi racistë ne shqiptarët?”. Një pyetje e vendosur brenda një kornize ndërtuar me “pse” pafundësisht. Kjo ide më zvogëlonte gjithmonë si domosdoshmëri e arsyetimit të plagosur për mungesën e lumturisë në kohën e pamjaftueshme. Liria nuk është për egoistët, po rruga e kërkimit të së vërtetës brenda vetes në raport me të gjithë botën. “Mallkuar qoftë ajo ditë” nuk ekziston më dhe as “Soweto” nuk ka më tej dy ngjyra.
Ndërsa vazhdoj të jem gjithmonë Stivi…