Shkruan: Sabit Abdyli/
“Kabashi i takonte grupit të luftëtarëve që haptas njiheshin si luftëtarë të luftës së ftohtë. Katër herë u lëshua me parashutë në malet e Shqipërisë, mes viteve 1949-1953, në misione sekrete për ta rrëzuar qeverinë komuniste” – shkruan gazeta “Buffalo News”, në artikullin “Luftëtari i luftës së ftohtë”, me rastin e vdekjes së Shaqir Kabashit, në faqen e parë të saj më 27 dhjetor 1997
Shaqir Kabashi ishte një ndër pjesëtarët më aktivë të operacioneve anglo-amerikane për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, në vitet 1949-1953. Shaqiri u lind në vitin 1925 në Kabash, fshat ky i njohur në Anamoravë për sakrifica e flijime për çështjen kombëtare. Po përmend këtu disa prej flijimeve të familjes së Shaqirit: Gjyshi i tij, Ibrahim Ahmet Kabashi u vra nga forcat e Turgut Pashës më 1910 bashkë me kushërinjtë e tij të parë, Adem e Mustafë Kabashin. Agushi, vëllai i gjyshit të Shaqirit, vritet më 1913 bashkë me 50 e më tepër kushërinj të tjerë nga forcat serbe, Tafa /kushëri/ vritet më 1943, Hamdi e Bajram Kabashi /kushërinj të parë të Shaqirit/ vriten më 18 prill 1945 në malet e Kopilaçës në luftë me Brigadën XVII sllavo-maqedonase. Hasani, komandant batalioni /axha i Shaqirit/, plagoset për vdekje duke çarë pritën në kufirin maqedonas-grek, me 28 nëntor 1945 /varri nuk i dihet/, Rexhepi, zëvendëskomandant batalioni /kushëri i parë/ në dhjetor të vitit 1945 vdes në Follorinë /Greqi/, Ibrahimi /vëllai/ në vitin 1951 vritet nga forcat e sigurimit shqiptar dhe Ahmeti /kushëri i parë/ në vitin 1953 gjatë desantimit në Shqipëri bie në grackën e Sigurimit shqiptar dhe dënohet me vdekje. I rrëmbyer nga ndjenja patriotike, Shaqiri në moshën 19-vjeçare u bë krah i fortë i çetave balliste që ishin vënë në mbrojtje të trojeve denbabaden shqiptare në Anamoravë të Kosovës e më gjerë. Fundja, ai po ndiqte rrugën e paraardhësve të tij, që kurrë nuk pushuan së luftuari kundër pushtuesit të huaj. Në çetat që vepronin në malet e Kopilaçës /1944-1945/ u çelikos për t’u përballuar katrahurave që sjell lufta. Shaqiri që kishte trashëguar cilësitë më të mira të të parëve të tij, dallohej si një ushtarak model, i zoti, trim dhe me mendje të shkathët. Në gjykime i drejtë, por herë-herë i rrëmbyer. Kundërshtar i devotshëm i komunizmit. Si pjesëtar i forcave anglo-amerikane disa herë mori pjesë në desantët e organizuar me parashutë nga territori grek, italian e gjerman kundër regjimit komunist në Shqipëri. “ Z. Esat Bajraktari, shkruan Beqir Sinaj në gazetën “Bota sot”, 17 nëntor 2003, faqe 25, i cili e ka njohur nga afër Shaqirin, rrëfen: “Katër herë ka hy në Shqipni Shaqiri. Dy herë bashkë me Hamit Matjanin në Jug të Shqipnisë dhe dy herë tjera në Veri me Gjon Gjinin dhe Han Kotaren.” Edhe pse kishte desantuar shumë herë, asnjëherë Sigurimi nuk arriti ta kapte, gjithmonë kthehej në bazën e nisjes i pamposhtur. Në desantin e muajit gusht të vitit 1951 i vritet i vëllai Ibrahimi. Ilegalisht vjen në vendlindje, nëntor 1950 dhe në vitin 1952 pas desantit në Shqipëri. Herën e dytë ishte i plagosur në këmbë. Shërohet ilegalisht në shtëpinë e Xhemajl Azizit në Kabash dhe pas dy-tri javësh e kalon kufirin maqedonas për në Greqi. Kjo ishte hera e tretë /1945, 1950 dhe 1952/ që po e kalonte në këmbë, shkelte të njëjtën rrugë. Në aksionin maj-qershor të vitit 1950 në rajonin Mat-Mirditë, zonë e Kthellës, grupi diversant në mesin e të cilëve ishte Shaqiri me kushëririn e tij, Ahmetin, Beqir Bajgorën nga Peja, Hajredin Vuçetërnën, Destan Berishën etj. me komandant Riza Alijan nga Prizreni, ranë në pritë të forcave të Sigurimit shqiptar. Ja si e përshkruan betejën me forcat e ushtrisë dhe Sigurimit shqiptar antikomunisti Bardhok Ndreu: “S’kemi ecur më shumë se 100 metra, kur kemi hasur një perde të dendur zjarri, që nuk merrej vesh se nga ç’anë vinte. Nga të gjitha anët krisma automatike. Zjarri ishte i rreptë. Kosovarët luftonin trimërisht, por në zjarr e sipër mbetet kapedani Riza Alija…” (Marr nga artikulli i Dalip Grecës “Sigurimi i dha Zefit helm që të helmonte Mark Pirolin”, publikuar në gazetën “Standard,” 27. 12. 2008, Tiranë). Shërbimi sekret Amerikan e Anglez kur kuptoi se Kim Filbi po informonte sovjetikët për planet e tyre, ata i ndërprenë aksionet. Deri në vitin 1955 Shaqiri jetoi në Greqi, në kampin “Lavrios”. Në këtë kamp kishin qëndruar edhe Muharrem Bajraktari, Myftar Spahija, Luan Gashi, Halim Hodo etj. Pas një qëndrimi të shkurtër në Francë, në vitin 1956 vendoset përfundimisht në Amerikë. Në vitin 1966 i përmalluar për shokët, familjarët… Shaqiri vjen për vizitë në Turqi. Në Stamboll, çmallet me të vëllanë Destanin, motrën Faten dhe familjarët e tjerë të ardhur nga Kosova kastile për ta takuar Shaqirin. Në të kthyer për në Buffalo të Amerikës ndalet te kushërinjtë, shokët e luftës: Nezir e Mejdi Kabashi në Gjermani. “Xha Shaqiri,– ishte i matur, i vëmendshëm, fjalëpakë, modest, mirë i informuar për situatën në të gjitha tokat shqiptare e më gjerë. Sa mori vesh se jam me profesion mësues, iu bë qejfi shumë. Kosovës, – tha disa herë, i duhen njerëz të ditur e të shkolluar. Djalin e vëllait, Salihun, që ishte vendosur në Stamboll për të jetuar, e urdhëroi: Kthehu nga ke ardhur. Atje, duhesh të qëndrosh! Guri i rëndë është veç në vend të vet. Kisha dëshirë të fliste për rezistencën, për aksionet e rrezikshme të vitit 1944 -1945, desantët aq te guximshëm me parashutë në vitet 1949-1953, kalimin ilegal të kufijve Shqipëri-Kosovë, Maqedoni-Greqi, por nuk e tha asnjë fjalë për atë periudhë.” /Ferat Abdyli, arsimtar, i lindur në vitin 1940 në Kabash, i cili u takua me Shaqir Kabashin në Stamboll, gusht 1966. Gazeta “Buffalo News”, në artikullin, – Luftëtari i luftës së ftohtë – me rastin e vdekjes së Shaqir Kabashit, në faqen e parë të saj, 27 dhjetor 1997, shkruan: “Z. Kabashi i takonte grupit të luftëtarëve që haptas njiheshin si luftëtarë të luftës së ftohtë… katër herë u lëshua me parashutë në malet e Shqipërisë, mes viteve 1949-1953, në misione sekrete për ta rrëzuar qeverinë komuniste. Shaqir Kabashi bëri një jetë të qetë në Williamsville … Ai ishte shumë privat, thjesht kishte dëshirë të shkonte në punë dhe të kthehej në shtëpi. … ka punuar në Tonawanda General Motors. …ishte njëri ndër luftëtarët e fundit të luftës së ftohtë… nuk u martua kurrë.” Të qenunit e tij “shumë privat” dhe i heshtur mund të ketë ndodhur nga se, “Qeveria e Washingtonit i ka urdhëruar, me kërcënim ndëshkimesh ligjore, tëgjithë pjesëmarrjen e tyre në operacion dhe poashtu të mohojnë faktin se një operacion i tillë ka ndodhur.” (Sipas “Odiseja e një detektivi”, Ngjarje të jetuara, kreu XXVI, Agim Hamiti)
Kam parë edhe të tjerë gjithandej Shqipërisë …
Në vitet 1990 dhe 1993 vjen në Shqipëri në kërkim të eshtrave të vëllait të tij, Ibrahimit /1929-1952/. Pas shumë hulumtimeve këmbëngulëse, peripecive, harxhimeve të shumta arrin t’i gjejë eshtrat e Ibrahimit dhe i rivarros me të gjitha ceremonitë fetare në varrezat myslimane në Hilmar, afër Fierit. Në Kabash, në shtëpinë e tij, më 12 maj 2004, Habib Ahmet Agushi, kushëri i afërt me Shaqirin, derisa fliste për të atin, Ahmetin, i pushkatuar në vitin 1954, hulumtimet e tij për ta gjetur varrin, të cilin nuk e gjeti, takimin me Shaqirin në Shqipëri, nën tymin e cigareve që i ndizte njërën pas tjetrës, më tha: “Pasi e rivarrosëm Ibrahimin, Shaqiri për ta ngushëlluar veten dhe mua, i mërzitur ndërhyri me fjalët: U hoq qafe njëherë e përgjithmonë sistemi komunist, që na ka shkaktuar kaq shumë vuajtje, kaq shumë vdekje… nuk jemi vetëm ne që po kërkojmë varrezat e njerëzve tanë. Kam parë edhe të tjerë gjithandej Shqipërisë duke kërkuar eshtrat e burrave të zhdukur, të cilët e kundërshtuan, nuk e deshën, e luftuan murtajën komuniste e cila ka lënë në zi përjetë familje të tëra. Fundi, bacoo, nuk i dihet burrit! Në vitet ‘50, ne kem desantuar këtu për ta përmbys regjimin komunist të vetëdijshëm se edhe mund të vritemi. Pas gjetjes së eshtrave të Ibrahimit, Shaqiri u lirua nga ankthi që e kishte munduar dyzet vjet me radhë. I gëzuar edhe për faktin e ardhjes së demokracisë në Shqipëri, ai e ndiente, besonte fort se edhe Kosova ka për ta gëzuar lirinë. E përcolla me veturën time deri në kufi të Greqisë. U ndamë, me shpresë se do të shihemi prapë, por Shaqiri nuk e priti 12 qershorin e vitit 1999, ditën kur nisi të valëvitet flamuri me shqipen dykrenore lirisht qiellit të Kosovës, vdiq më 18 dhjetor të vitit 1997 në Buffalo të Amerikës. Ceremonia mortore u mbajt në New Jersey, kurse u varros në Long Island (New York).” I ndjeri me testament i la Qendrës Islame Shqiptare të New York-ut dhe New Jersey-it mbi 400 mijë dollarë. Në shenjë nderimi, salla e xhamisë në Garfield të New Jersey-it sot quhet, Salla “Shaqir Kabashi”.(Ne Foto:Shaqir Xhemë Kabashi 1927-1997)