NOBELISTI XVI 1959-SALVATORE QUASIMODO/
Salvatore Quasimodo Është një nga përfaqësuesit më origjinal të hermetizmit. Lindi në sirakuzë. Në fillim punoi si gjeometër, çka i dha mundësi ta shëtiste Italinë anekënd.Qe autodidakt. Më 1938 shkëputet nga puna për të jetuar me shkrimet e veta: punon në fillim si redaktor në disa revista, pastaj falë suksesit si poet dhe kulturës së vet të gjerë fitoi katedrën e letërsisë italiane në Konservatorin e Milanos. Më 1959 i dhanë çmimin Nobel. Vdiq në Napoli .
MOTIVACIONI :
«për fluturimin sublimimin dhe gjuhën evokative të poezisë së tij e cila në një mënyrë vizionare pasqyron gjendjet e kohës sonë»
_________________________________________________________________
DITA E PARË
Një qetësi ujërash të shtrira
më zgjon të vetmuar
në zemrën e uraganëve të lashta
përbindëshi i vogël i shqetësuar.
Janë të lehta në errësirën time
yjet e shembur së bashku me mua
në globe sterile me dy pole ndesh
midis brazdave të agimeve të shpejta:
dashuri shkëmbinjsh edhe resh.
Është yti gjaku im,
Zot : le të vdesim.
LULJA E DIELLIT I PËRKULET PERËNDIMIT
Lulja e diellit përkulet drejt perëndimit
dhe tashmë rrokulliset dita
në syrin e saj në rrënim dhe ajri i verës
dendësohet dhe përkul gjethet dhe tymin e kantiereve.
Largohen me vrap rrokullimthi resh të thata
dhe gjëmime bubullimash
lojë, kjo, e fundit e qiellit. Për fat të keq,
dhe për vite me rradhë, e dashur, na ndalon ndryshimi
i pemëve të shtrënguara brenda rrethit
të Naviljeve. Por është përherë dita jonë
dhe gjithmonë dielli që ikën
me fillin e rrezes së tij të dashur.
Nuk kam më kujtime, nuk dua të kujtoj;
kujtesa ngitet nga të vdekurit,
jeta është e pafundme.
Është jona çdo ditë
Njëra do të ndalet përgjithmonë,
dhe ti si unë, kur të na duket vonë.
Këtu në anë të kanalit,
Këmbët në lëkundës, si të fëmijëve,
shikojmë ujin, degët e para
brenda ngjyrës së tij të gjelbër që errësohet.
Dhe njeriu që në heshtje afrohet
Nuk fsheh një thikë në duart e tij,
por këtë lule barbarozë.
Përktheu: Faslli Haliti