
Prof. Afrim Krasniqi/
Retrospektivë, 1924. Kryeministri i Shqipërisë Fan Noli mbajti një fjalim në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve. Një fjalim që nga njëra anë tregon erudicion, dije, kulturë, karakter dhe kurajë, por nga ana tjetër reflekton mungesë konceptesh mbi demokracinë, legjitimitetin, shtetin dhe politikën. Ishte koha kur Noli u bë kryeministër pa një vendim parlamenti, ky i fundit nuk ekzistonte më, dhe kur fuqitë e kohës kushtëzuan mbështetjen financiare dhe politike ndaj Shqipërisë me zhvillimin e një procesi zgjedhor për rivendosjen e legjitimitetit kushtetues të parlamentit dhe qeverisë. Noli refuzoi. Duke akuzuar të tjerët. Një nga dijetarët më të aftë të botës shqiptare, intelektual dhe atdhetar, megjithatë ditën kur ishte në pushtet mori vendime të gabuara. Me kosto të lartë për veten dhe vendin.
Mesazhi? Shumë prej atyre që kanë ushtruar pushtet në Shqipëri kanë qenë/janë individë “të shëtitur”, të lexuar, me përvojë dhe në dijeni mbi rrugën që duhet të zgjedhin dhe në rast gabimi, në dijeni edhe të pasojave që mund të kenë gabimet e tyre. E megjithatë kanë vijuar të marrin vendime të gabuara, sidomos në çështjet e praktikave demokratike, zgjedhjeve, legjitimitetit dhe shtetit të së drejtës. Me ndërgjegje, me vetëdije, me këmbëngulje, dhe si në rastin më sipër, edhe duke e paraqitur gabimin si meritë historike.
Salus populi suprema lex esto, – thonin romakët. Interesi publik duhej të ishte qëllimi dhe ligji më i lartë. Xhorxh Uashington refuzoi mandatin e tretë. Mjaftojnë dy për një lider. Mandela ishte më konkret “një lider i madh e di kur duhet të largohet”.
Ne kemi pasur e kemi shumë kryetarë, edhe në tranzicionin post ‘90. Liderë? Modele frymëzuese? Identitete demokratike dhe burrë shtetas? Ende jo. Dhe nuk duken në horizont. E duan vendin por e duan pronë të tyre, e duan partinë por e duan pronë të tyre, e duan politikën por e duan në shërbim të tyre, e duan ligjin por e duan në anën e tyre.
Pasoja? Kemi mite, adhurues të marrëzisë dhe madhështisë së gabimeve të ndërgjegjshme. Dhe si shoqëri vijojmë të jetojmë duke mbijetuar, “të krijuar nga Zoti dhe të shpëtuar nga rastësitë” sic thoshte një shekull më parë Konica.