Përgatiti: Eneida Jaçaj-New York/
Pas rrëzimit të sistemit më të egër komunist në Europën Lindore, ku vendi u udhëhoq nga një dorë e hekurt gjakatare prej 45 vitesh, pritej që të hapeshin dosjet e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Por, kjo nuk ndodhi asnjëherë! Ishte detyrë e Partisë Demokratike Shqiptare, të nxiste procesin e shumëpritur për hapjen e dosjeve të spiunëve të komunizmit, ish-funksionarëve që kanë mbajtur deryra drejuese në kohën e Partisë së Punës, për të dënuar sistemin diktatorial totalitar dhe, akoma më e rëndësishme, pastrimin e administratës publike, partive politike dhe instancave më të larta shtetërore, nga bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, sistem i cili përndoqi e internoi qindra familje shqiptare, burgosi e pushkatoi pa gjyq mijëra persona me urdhër nga lart, vetëm sepse mendonin ndryshe. Ndryshe nga Gjermania, që zhvilloi një sërë procesesh gjyqësore në Nuremberg, ku u dënuan udhëheqës politikë, ushtarakë, gjyqtarë etj, që morën pjesë në krime gjatë pushtetit nazist, në Shqipëri ende nuk ka asnjë të dënuar apo të përjashtuar nga administrata, që kanë marrë pjesë në rrjetin e spiunazhit dhe krimeve të shumta gjatë sistemit diktatorial të Enver Hoxhës, apo kanë mbajtur detyra të larta gjatë asaj periudhe.
Kryeministri Edi Rama, në vitin 2016, u mburr se do të ishte e para qeveri dhe legjislaturë në historinë e Shqipërisë, që do të hapte dosjet e komunizmit. Në 2016 u ngrit Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, që ka si objekt mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to. Por ky institucion nuk bën lustracionin, pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike. Pra, Autoriteti nuk hap dosjet e atyre që kanë bërë krime apo i kanë shërbyer shtetit komunsit duke mbajtur detyra të larta publike, ku një pjesë e tyre mbajnë ende detyra drejtuese edhe sot. Ky është paradoksi dhe mashtrimi më i madh që bëhet me dosjet e komunizmit!
Ende Shqipëria nuk është ndarë nga e kaluara komuniste, pasi partitë politke në këto 30 vite demokraci, kanë penguar procesin për dënimin e krimeve të sistemit më të egër totalitar dhe pastrimin e administratës dhe gjithë aparatit shtetëror, nga spiunët dhe ish-funksionarët e shtetit komunist. Autoriteti pranon kërkesa nga ata individë që janë kuriozë për të mësuar se kush i spiunonte (komshiu), por nuk pranon hapjen e dosjeve të zyrtarëve të lartë të shtetit komunist dhe bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit. Autoriteti merret me gjëra shumë të vogla, të papërfillshme, vetëm për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, se po hapin dosjet!! Madje, një nga ish-anëtarët e Autoritetit, Daut Gumeni, dha doreheqjen, sepse, sipas tij: “Autoriteti nuk ka bërë asnjë verifikim të atyre që dëmtuan vendin dhe vazhdojnë të mbajnë funksione…Na kanë vënë për të mos zbuluar gjë”. Ka patur dy nisma për miratimin e ligjit për lustracionin, por kanë mbetur pezull. Lustracioni apo pastërtia e figurës, ka si qëllim konkretisht përjashtimin nga emërimi, zgjedhja në organe drejtuese dhe punësimi në funksione publike, shtetërore dhe politike të ish-funksionarëve dhe nëpunësve që kanë mbajtur detyra drejtuese nga periudha 28.11.1944 e deri me 8.12.1990.
Bllokimi i komisioneve “Mezini dhe Bezhani”
Kush ka interes të pengojë moshapjen e dosjeve të ish-zyrtarëve dhe spiunëve të ish-Sigurimit, duke marrë pjesë në krime të rënda ndaj individëve dhe internimit të familjeve shqiptare? Sigurisht, ata që kanë qenë pjesë e aparatit të dhunës shtetërore, të cilët kanë marrë peng shtetin edhe sot. Spiunët fshihen si te PD dhe PS, mbajnë detyra të larta drejtuese shtetëtore dhe politike, dhe sigurisht nuk do u interesonte hapja e dosjeve. Madje, në këto parti janë të anëtarësuar edhe pinjollët e nomenklaturës komuniste, duke mbajtur peng të ardhmen e vendit. Odiseja me dosjet e komunizmit është një proces i gjatë, gjithashtu në të shumtën e rasteve është përdorur si “gjuetia e shtrigave” mes kundershtarëve politikë. Në 2004 u ngritën dy komisione “Mezini” dhe “Bezhani”. Komisioni “Mezini” pengoi kandidimin e disa figurave të opozitës së asaj kohe, por që më vonë fituan pafajësinë. Komisioni “Bezhani” tentoi pastrimin e politikës duke bërë lustracion, por që më pas ky komision u bllokua nga politika. Madje, dyshohet se spiunët më famëkeq të Sigurimit, detyruan këto komisione që t’i pajisnin me certifikatë të pastërtisë së figurës. Edhe nëse Autoriteti do t’i hetonte, ata do të dilnin të pacënueshëm. Pra, dosjet e ish-zyrtarëve dhe të spiunëve të regjimit komunist nuk do të hapen asnjëherë, ndërsa Autoriteti po bën një punë farse. Edhe për disa vite, Shqipëria do të mbetet peng i së kaluarës komuniste, me një demokraci të brishtë dhe të pakonsoliduar!