Nga Frank Shkreli/
Me 3 qershor del nga shtypi në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri libri i autorit shqiptaro-amerikan, Albert Lulushi mbi historinë e misionit të parë të Agjencisë Qendrore të Zbulimit Amerikan, CIA. Libri e ka titullin, “Operation Valuable Fiend” ose në shqip, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm.” Është ky një libër që përshkruan në hollësi përpjekjet amerikane për të përmbysur regjimin komunist të Shqipërisë, duke filluar nga viti 1949. Por më parë se të flasim për librin, pak informacion mbi autorin, Albert Lulushi. Ai ka lindur në Shqipëri dhe është larguar nga ai vend më 1990 dhe tani jeton në shtetin Virxhinia afër Washingtonit. Z. Lulushi ka bërë një karierë jashtzakonisht të suksesshme në fushën e teknologjisë së informacionit, duke punuar me ente të ndryshme të Qeverisë Federale dhe me firmat amerikane më të njohura të grupit të kompanive shumëkombëshme, që njihen si Fortune 500. Përveç librit, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm”, Albert Lulushi është autor i njohur i disa librave në fushën e teknologjisë së sistemeve të informacionit të cilat janë botuar nga shtëpitë botuese më të njohura në Amerikë. Më duhet të rrëfej se unë e kam njohur Albert Lulushin — për të cilin ruaj një respekt të posaçëm — pothuaj ç’prej ardhjes së tij në Amerikë në fillim të 90-ave, fillimisht në kapacitetin e tij si përkëthyes për zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara, për pothuaj 20-vjetë. Si i tillë Albert Lulushi ka qenë dëshmitar i zhvillimit të marrëdhënjeve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën. Andaj, si pjesëmarrrës në zhvillimin e këtyre marrëdhënjeve gjatë 20-viteve të fundit, interesimi i tij për historinë e marrëdhënjeve midis vendit të tij të adoptuar, Amerikës dhe vendlindjes së tij, Shqipërisë, është krejtësisht i natyrshëm dhe tepër i dobishëm, gjë që pasqyrohet në secilin kapitull të librit.
Libri me titull, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm” i autorit Albert Lulushi, në thelb përshkruan historinë e një operacioni qëllim mirë, por me plot probleme logjistike dhe personeli, mosmarrveshsesh e intrigash, i ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara në përpjekje për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri, por fatkeqsisht një mision ky i cili në fakt dështoi keq dhe në mënyrë të mjerueshme, sidomos për shumë prej atyre shqiptarëve që morën pjesë në planifikimin dhe në zbatimin e tij, duke e paguar edhe me jetën e vet dhe me një kosto të lartë për familjet e tyre.
Megjithëse me vite dhe dekada është debatuar dhe janë hedhur teza se si dhe pse dështoi operacioni i CIA-s në fillim të 1950-ave për rrëximin e regjimit komunist në Shqipëri – përfshirë këtu edhe versionin e propagandës së regjimit komunist shqiptar — studiuesi Albert Lulushi më në fund përmbledh të gjithë faktorët e shumtë, që sipas tij mund të kenë kontribuar në dështimin tragjik eventual të misionit. Një ndër faktorët që në të kaluarën i atribohej dështimit të misionit, ka qenë roli që thuhej se ka luajtur Kim Filbi, agjent i dyfishtë anglo-sovjetik. Një ndër mbështetsit e kësaj teze ka qenë edhe autori anglez Nicholas Bethel, i cili ka shkruar më 1984 se misionin amerikan që kishte për qëllim rrëximin komunist të Enver Hoxhës, e kishte sabotuar agjenti i dyfishtë Kim Filbi, me pretendimin se Filbi duke qenë në dijeni të planeve amerikane të operacionit, i kalonte informacionin Moskës dhe Moska nga ana tjetër informonte Tiranën. Albert Lulushi nuk hedhë poshtë krejtësisht këtë tezë, por minimizon rolin që mund të ketë luajtur Kim Filbi në dështimin e operacionit, duke thënë se agjenti Filbi ishte zbuluar tanimë si agjent sovjetik dhe si përfundim u detyrua të largohej nga Washingtoni në vitin 1951. Kështuqë autori argumenton, bazuar në dokumentacionin e deklasifikuar të CIA-s për operacionin e koduar “BGFIEND”, se dështimet më të mëdha të operacionit amerikan u shënuan pas largimit të Filbit nga detyra e tij në ambasadën britanike në Washington, dmth nga viti 1952 deri në vitin 1954, kur u ndalua operacioni, e për të cilin merret me mend se Filbi nuk kishte dijeni as informacion mbi hollësitë e planit dhe përgatitjet për infiltrim në Shqipëri, gjatë asaj periudhe.
Historia e këtij operacioni filloi pas prishjes së Stalinit me diktatorin komunist Tito të Jugosllavisë në vitin 1948. CIA, e cila posa ishte themeluar, kishte marrë përsipër detyrën për të zmbrapsur komunizmin në Europn Lindore dhe në bashkpunim me shërbimin sekret britanik vendosën të bëjnë planet për operacionin e parë para-ushtarak në historinë e kësaj agjencie, në Shqipëri. Si përfundim i prishjes jugosllave–sovjetike, Shqipëria komuniste ishte në një qorrsokak dhe konsiderohej si një vend i përshtatëshëm për të bërë përpjekjet e para për të minuar komunizmin, duke filluar kështu me regjimin e Enver Hoxhës, ndoshta edhe duke pasë parasyshë Shqipërinë si një vend jo sllav në sferën komuniste sllave, që ndoshta mund të shkëputej nga sfera komuniste dhe të bëhej si shëmbull se regjimet komuniste mund të përmbyseshin në Europë. Agjencia CIA e filloi këtë mision para-ushtarak me rekrutimin e imigrantëve vullnetarë shqiptarë të arratisur nga komunizmi, të cilët ishin vendosur në kampe refugjatësh në Europë. Pasi rekrutoheshin, ata dërgoheshin për trajnim dhe pas disa javë përgatitjesh, grupe të vogëla hidheshin si parashutistë në Shqipëri me qëllim për të minuar regjimin e Enver Hoxhës. Sipas Z. Lulushi, në teori plani ishte i përgatitur mirë, por kur erdhi puna tek zbatimi i tij logjistik, megjithë qëllimet e mira të planifiukuesve si Z. Frank Wisner, operacioni lente shumë për tu dëshiruar, gjë që më në fund çoi në dështimin e kësaj nisme.
Autori Lulushi, në librin e parë mbi këtë subjekt të rëndësishëm si për publikun amerikan ashtu edhe për publikun shqiptar, por njëkohësisht mund të thuhet edhe për historinë e marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane, i paraqet lexuesit të vërtetën në të cilën ai ka patur mundësi të arrijë mbi operacionin e CIA-s në Shqipëri, duke u bazuar në qindra dokumenta të CIA-s që janë deklasifikuar deri tani, memoare, si dhe në kujtimet e pjesëmarrsve dhe protagonistëve kryesorë të operacionit, siç është Z. Frank Wisner, i cili mbetet ende shumë i interesuar në çështjet shqiptare. Albert Lulushi paraqet pikëpamjet e ndryshme dhe faktorë që kanë luajtur rol mbi këtë operacion si dhe ofron për lexuesin faktet që ai i ka zbuluar nga vet pjesëmarrsit, si dhe nga burimet amerikane mbi këtë operacion, burime të cilat nuk përputhen gjithmonë me propagandën komuniste të kohës që e trumpetonte dështimin e këtij operacioni si fitore të saj.
Autori radhitë një numër faktorësh që ai thotë se kontribuan në dështimin e operacionit për të përmbysur regjimin brutal të Enver Hoxhës. Ndër të tjera ai fajëson edhe degë të ndryshme të CIA-s dhe shërbimet e tjera mike, siç ishte shërbimi i fshehtë britanik, për mungesë bashkpunimi midis tyre. Por, përveç kësaj, dhe mbi të gjitha, Lulushi shkruan se një pjesë e madhe e dështimit të operacionit mund t’i kushtohet konflikteve dhe mosmarrveshjeve midis fraksioneve anti-komuniste shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat sipas autorit, nuk kishin asgjë të përbashkët midis tyre, përveç urrejtjes që kishin për Enver Hoxhën. Libri i Albert Lulushit, “Operation Valuable Fiend” ose në shqip, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm”, është një përmbledhje e re faktesh e dokumentacioni dhe si e tillë bindëse për hir të fakteve që paraqet për operacionin e parë anti-komunist të CIA-s në Shqipëri. Z. Lulushi paraqet dilemat e ndërlikuara të zhvillimeve dhe planeve politike dhe ushtarake me të cilat përballeshin planifikuesit e këtij operacioni dhe ve në dukje ndasitë, përçarjet dhe mosmarrveshjet në radhët e grupeve kryesore anti-komuniste të kohës në lidhje me operacionin si dhe mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Andaj, duke marrë parasyshë edhe gjëndjen e sotëme politike kudo në trojet shqiptare, libri i Albert Lulushit, përveç rëndësisë historike të tij, përmban një mesazh të rëndësishëm edhe për politikën e sotëme shqiptare. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, duke iu përgjigjur pyetjes se përveç vlerave historike që ka libri, cili është mesazhi për shoqërinë dhe politikën e sotëme shqiptare tashmë demokratike, autori Lulushi ka thënë: “Një aspekt që mendoj se libri ka vlerë është se e tregon historinë në mënyrë faktike duke u bazuar në dokumente pa influenca subjektive të pikëpamjeve të ndryshme. Por edhe një mësim tjetër që mund ta shikojmë në një shkallë më të lartë është se, për mendimin tim, një nga arsyet pse operacioni dështoj ishte se forcat antikomuniste shqiptare nuk arritën të bashkoheshin në një front unik ashtu siç nuk u bashkuan gjatë luftës edhe pas luftës ata vazhduan që të ishin të përçarë dhe të luftonin me njëri-tjetrit. Po të shikosh për shembull në vitin 1999 kur kishim konfliktin në Kosovë, edhe pse kishin divergjenca midis tyre, forcat politike shqiptare paraqitën një front të bashkuar, dhe patën sukses. Si një mësim, për shembull, për palët në politikë sot, si në Kosovë edhe në Shqipëri, sidoqë mund të ketë divergjenca brenda për brenda, për sa i përket aspektit ndërkombëtar, aspektit të avancimit të çështjes së kombit shqiptar në bashkësinë ndërkombëtare, duhet të ekzistojë në front i bashkuar,” ka thënë studiuesi Albert Lulushi, për Zërin e Amerikës.
Është ky një mesazh domethënës i një libri me rëndësi pra për të kuptuar më mirë të kaluarën por edhe një mësim për të ardhmen. “Është një libër i mirë-dokumentuar mbi njërën prej operacioneve më pak të njohura dhe më të keq-kuptuara të Luftës së Ftohtë. Është një tregim interesant dhe i shkruar shumë mirë, megjithëse është një tregim shkurajues dhe demoralizues”, kur merr parasyshë mos-realizimin e objektivave të caktuara të operacionit, ka vlerësuar librin e Albert Lulushit, Ambasadori Frank Wisner njëri prej protagonistëve dhe planifikeusve kryesorë të operacionit.
“Operation Valuable Fiend” ose në shqip, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm”, i autorit Lulushi, përshkruan një operacion që u ndërmor për arsye dhe qëllime të drejta, por ndoshta një mision që u ndërmor nën rrethana të papërshtatshme dhe me mënyra të gabuara, të cilat përfunduan në dsëhtimin e tij. Zoti Lulushi i sjellë lexuesit amerikan dhe atij shqiptar një vepër të rëndësishme, mbi një ngjarje me rëndësi historike, që deri më tani nuk ka tërhequr ndonjë vëmëndje të madhe nga studiues seriozë, duke kontribuar në këtë mënyrë në një kuptim më të mirë të operacionit dhe të qëllimeve të tija dhe duke hedhur dritë mbi një periudhë të historisë së marrëdhënjeve amerikano-shqiptare, për të cilën deri më tani nuk dihet shumë.