Edhe këtë përvjetor, politika shqiptare e feston e ndarë festën e Pavarësisë dhe të Çlirimit.Ndërsa Presidenti Nishani, kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta ndodhen në Vlorë për të festuar ditën e Flamurit, Partia Demokratike ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve duke kremtuar në një ditë të dyja festat.
Kreu i PD-së Lulzim Basha i shoqëruar edhe nga grupi parlamentar demokrat kanë vendosur kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” si dhe kanë zhvilluar homazhe në nderim të dëshmorëve të Atdheut.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së Basha është shprehur se 28 Nëntori përveçse një ditë përkujtimi për dëshmorët është edhe një ditë reflektimi për vendimarrësit në mënyrë që ata të marrin vendimet e duhura.
“Në këtë ditë të shënuar të kombit tonë 28 Nëntorin ku ne festojmë ngritjen e Flamurit dhe të Pavarësisë dhe është detyrimi ynë që ta nisim këtë ditë me krenarinë e thellë para atyre mijëra e mijëra dëshmorëve dhe të rënëve që u flijuan në shekuj për ditën e madhe të pavarësisë, që u flijuan për bashkim kombëtar. Sot kujtojmë këta martirë veprën e tyre, sakrificën sublime që i shërbyen kombit për të mbetur të pavdekshëm. Kujtojmë babain e pavarësisë Ismail Qemali dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij që 101 vjet më parë ia dolën të dështojnë projektet për asgjesimin e popullit shqiptar. Kujtojmë sakrificën e mijëra dëshmorëve të luftës që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë dhe për rrugëtimin e tyre drejt lirisë dhe demokracisë. Kujtojmë bijtë e shqipes, në Kosovë, Preshevë, Maqedoni që dhanë jetën për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre” theksoi Basha.
Sipas tij, sakrificat nuk mbarojmë me aktet e mëdha, ato duhet të vazhdojnë. “Për të lënë mënjanë interesat meskine, e për bashkëpunuar për interesat kombëtare. Akti i djeshëm i miratimit të rezolutës nga PD për mbështetjen e statusit, mos të mbetet një akt simbolik dhe i veçuar, uroj që ky akt të ketë ndërgjegjësuar klasën politike. Gëzuar 28 Nëntorin! “ – tha Basha.
Gjithashtu, Basha komentoi edhe aktin e djeshëm të miratimit të e rezolutës nga Partia Demoratike, për mbështetjen e saj për statusin e vendit kandidat.
“Përgjegjësitë tona nuk kanë përfunduar, do ta çojmë përpara projektin, ku destinacioni pa dyshim është Evropa. Sakrificat nuk mbarojmë me aktet e mëdha, ato duhet të vazhdojnë, për të lënë mënjanë interesat meskine, e për bashkëpunuar për interesat kombëtare. Akti i djeshëm i miratimit të rezolutës nga PD për mbështetjen e statusit, mos të mbetet një akt simbolik dhe i veçuar, uroj që ky akt të ketë ndërgjegjësuar klasën politike. Gëzuar 28 Nëntorin!” shtoi Basha.
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha në një prononcim për mediat i ka uruar shqiptarëve marrjen e statusit të kandidatit.
“Sot është ditëlindja e 101 e Shqipërisë, festa e flamurit dhe e çlirimit të vendit, është dita ku çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh para qindra e mijëra vajzave e djemve që flijuan vetën për pavarësinë. Është dita në të cilët ne nderojmë Ismail Bej Vlorën, etërit e pavarësisë, që në kushtet mbinjerëzore ia dolën të shpallin pavarësinë e Shqipërisë. Le të shprehim nderimin më të madh për familjet e të rënëve, t’i urojmë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, dhe sukses të mëtejshëm në proceset e Integrimit” tha Berisha.
Ndërkohë kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar homazhe edhe te memoriali i Komandantit legjendar Adem Jashari.