Nga Luan Çipi/
Sot, në takimin e përditshëm të “kafes” me shokët e mi pensionist nga Vlora, duke biseduar, fjala na shkoi te Osman Haxhiu, prijësi legjendar i “Luftës së Vlorës”. Dhe pikërisht në këtë objekt bisede, mua mu duk se dikush “shkau”. Shokët e tavolinës tonë te “Bar Kafe Rossi”, përgjithësisht burra të matur dhe të mendimeve të pjekura nga vitet dhe detyrat që kanë kryer në jetë, kanë mësuar se, për diçka që nuk janë të sigurt, më mirë të heshtin. Po, dikush tjetër ardhur përkohësisht, pikërisht kur u hap biseda për Osman Haxhiun, u nxitua të thotë qysh në fillim: “Vërtetë ka merita për kohën, po ai ka bërë sipas mundësisë vetjake dhe deri te kufiri shkollimit të tij fare minimal, ose më mirë të them, si i pa shkollë dhe si pa para”.
Kjo tezë u kundërshtua dhe u përgënjeshtrua njëzëri nga dëgjuesit dhe së fundi u tha se: “ky gjykim është ai i një skeptiku mendjemadh edhe pse mjaftë të shkolluar e të ditur, po me “bëma e mosbëma prej fodulli”. Tekstualisht këto janë fjalët e Eqerem Bej Vlorës”, vlonjatit bashkëmoshatar me Osman Haxhiun, po që e ka gjykuar atë me padrejtësi e ndofta xhelozi, duke u prirë nga mendimi i tij se ”Shqipërinë mund ta bëjnë të lirë e të pavarur, vetëm bejlerët e pasur”. Osman Haxhiu u tha aty, ka qenë i shkolluar relativisht dhe i ditur, trim e i vendosur qysh në rinin e tij të hershme edhe pse ka qenë një qytetar pa pasuri të madhe” .
Osman Haxhiu u lind e u rrit në një familje të mesme qytetare në Vlorë, më, 28 Tetor 1885. Mësimet e para i mori në mejtepin e qytetit e më vonë kreu studimet në “Robert Kollezh”, në një nga shkollat më të famshme të Stambollit. Aty mësoi turqishten, gjermanishten, frëngjishten. Qysh herët zuri miqësi me djemtë e Ismail Qemalit, Et-hem e Qazim Vlorën dhe me ta, që në moshë të re, u radhit në lëvizjen për pavarësi të Shqipërisë.
Në Stamboll, në vazhdim të traditave patriotike familjare, u lidh ngushtë me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Mulla Xhaferr Drashovicën etj, që i hapën atij horizonte të reja. Ai ishte një djalosh i shkathët, i zgjuar, sypatrembur, që u ushqye qysh herët me idetë e rilindësve e u njoh si një luftëtar aktiv për ti vënë ato në jetë. Shpejt ra në sy të hafijeve të Perandorisë Osmane e u syrgjynos në Arabinë Saudite. Patriotët Shqiptarë të lidhur me të nga Siria, Egjipti, Libia e Stambolli, e ndihmuan të arratisej prej andej. Arratisja u bë me një anije që transportonte vaj për në Korfuz e më pas shkonte për në Shqipëri.
Ishte nëpunës në Prefekturën e Janinës ku u përfshi në trazirat e atjeshme e kërkohej për t’u arrestuar bashkë me vlonjatë të tjerët. Duke parashikuar këto masa të egra, Osman Haxhiu u arratise doli nga Perandoria Osmane për në Athinë, por i kundërshtuar nga grekët, u detyrua të vendosej në Korfuz e më pas në Bari, Napoli e Romë. Pas lirimit në Janinë të të burgosurve vlonjate, Osman Haxhiu kthehet në Vlorë e më 1911 me ardhjen e mikut të tij, Et-hem bej Vlorës, u ndërmorën biseda e takime, ku ai bashkë me patriotë të tjerë, merrnin këshilla e porosi nga Ismail Qemali, për organizimin më të mirë të lëvizjes kombëtare.
Në Vlorë nisi një aktivitet të ngjeshur atdhetar, në përfshirje të Klubit “Labëria” ku u bë anëtar qysh në themelim dhe pati fatin të bashkëpunojë edhe direkt me Ismail Qemalin.
Pas Kuvendit të kryengritësve malësorë të Gërçes, me fillimin e vitit 1912 edhe vlonjatët, kërkuan nga Porta e Lartë shkëputjen e Kombit Shqiptar, me ato të drejta që kanë kombet e tjera.
Disa ditë përpara shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, komisioni i ngritur, ku merrte pjesë dhe Osman Haxhiu, krijoi një qendër ushtarake në Shkozë të Sevasterit, që do të kishte fuqinë e një Komande Ushtarake, në luftë kundër shovinistëve grekë agresorë.
Pas ardhjes së Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë, ai u rrethua nga patriotët e Vlorës, midis tyre qe edhe Osman Haxhiu. Më 1913 Osman Haxhiu u caktua Sekretar i Prefekturës së Vlorës. Edhe pse u ngarkua në këtë detyrë, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Mehmet Pashë Dërralla, bashkë me Alem Mehmetin dhe Et-hem Vlorën, gjatë muajve shkurt – prill 1913, qëndruan në bregdet për organizimin e banorëve të krahinave në mbështetje të frontit për marrjen e Janinës. Kur Esat Pashë Toptani i dërgoi ultimatumin Qeverisë së Vlorës, i mbështetur nga Myfit bej Libohova, Dervish Biçaku, Eqerem bej Vlora, që kërkonte prishjen e qeverisë së Vlorës dhe krijimin e saj në Durrës, sipas propozimit te Vienës dhe Romës, iu kërkua Qeverisë së Vlorës që përfaqësuesi shqiptar në KKN (Këshilli i Kontrollit Ndërkombëtar) të ishte Myfit bej Libohova. Përkrahës të Ismail Qemalit ishin Fejzi Alizoti, Ali Asllani, Osman Haxhiu, Ibrahim Avdullahu., që mbështetën propozimin e Ismail Qemali për refuzimin e Myfit Libohovës dhe zëvendësimin e tij me Luigj Gurakuqin.
Kur Ismail Qemali u padit padrejtësisht në përfshirjen e “komplotit të Beqir Grebenësë”, për kundërshtimin e Princ Vidit dhe përkrahjen e princit turk Izet Pasha, prapë Osman Haxhiu e Ibrahim Abdullahu qenë të vetmit që kërkuan takim dhe angazhuan avokatin shqiptar, Kristo Floqi dhe biseduan derisa u realizua pafajësia e Ismail Qemalit. Osman Haxhiu shprehu në atë kohë, në mënyrë proverbiale mendimin e tij, se: “Esat Pashë Toptani ishte një mace e zezë e vatanit në politikë”.
2-Më 22 Janar të vitit 1914, ndër ata që përcollën me besnikëri Ismail Qemalin ishte edhe Osman Haxhiu. Në grupin e delegatëve për pritjen e Princ Vidit në Durrës nga Vlora, u caktuan Osman Haxhiu, Abaz Mezini, Ibrahim Avdullahu. Ata ngulën këmbë që për pritjen e Princ Vidit në Durrës të ishte prezent dhe Ismail Qemali.
Një delegacion tjetër, ku morën pjesë patriotët e Vlorës Osman Haxhiu, Elmaz Xhaferri Kanina, Ibrahim Avdullahu, u dërguan në Nicë të Francës për t’u takuar me Ismail Qemalin. Ata kërkuan që ai të ishte mes tyre, por kjo nuk u prit mirë dhe u refuzua nga Qeveria e Durrësit. Ministër i brendshëm ishte Esat Pashë Toptani, me këtë rast, urdhëroi prefektin e Vlorës që të arrestonin Ismail Qemalin me t’u kthyer në qytet. Me këtë rast rrethet patriotike me Osman Haxhiun në mes, i dërguan telegram Princ Vidit, ku shprehej hapur protesta e tyre.
Osman Haxhiu i propozoi direkt Princ Vidit ndërmjetësim paqësor me kryengritësit e Haxhi Qamilit, për të evituar gjakderdhjen midis shqiptarëve, për më tepër se, në vitet 1913—14, krahinat viheshin në rrezik për t’u aneksuar nga grekët. Pikërisht në atë kohë bandat e Haxhi Qamilit me thirrjen “dum babën”, dogjën e përvëluan shumë fshatra e arritën në portat e Vlorës. Osman Haxhiu “i hollë e i thatë si purteka, eshtak, po mjaft energjik, autoritar, i mençur më shumë se një i moshuar (ishte vetëm 28 vjeç)”, u vu në krye të komisionit që të bëhej pajtimi me Haxhi Qamilin, edhe falë aftësive të tij në disa drejtime, ndërmori deri manovrime diplomatike, ia arriti qëllimit dhe e shpëtoi pa u djegur Vlorën dhe flamurin e Skënderbeut.
Më 1916, Osman Haxhiu, për popullaritetin e madh që kishte krijuar, emërohet prefekt i Vlorës. Me fakte është vërtetuar që italianët kishin shfaqur synimin për aneksimin e Vlorës. Titullari italian paraqiti një akt skllavërues të kamufluar, (sikur do binte ca punëtorë), Osmani me shpejtësi e grisi aktin në mënyrë demonstrative duke i thënë “këta nuk janë punëtorë, por spiunë”, kjo rrugë të çonte drejtë kolonizimit të Vlorës.
Pas kësaj Osman Haxhiu u përzu nga puna, por asnjëri se përgojoi, përkundrazi në opinion publik figura e tij, dita ditës, ngrihet lart e më lart. Janë bërë shumë memorandume që i dërgoheshin Lidhjes së Kombeve për largimin e trupave italianë nga Vlora. Këto u firmosën nga atdhetarët vlonjatë, me në krye Osman Haxhiun.
Erdhi në Vlorë dhe një delegacion italian për të vëzhguar nga afër situatën. Vlonjatët, me në krye Osman Haxhiun, ishin duke festuar Bajramin në Xhaminë e Tabakëve dhe më pas programuan të demonstronin në rrugët e qytetit me flamur në dorë
Italianët u informuan për këtë demonstratë dhe mblodhën forca të shumta karabinierësh. Një marshall që drejtonte operacionin thirri Osman Haxhiun, e i tha: “Osman, thuaju manifestuesve të mos bëjnë gabim të dalin me flamurin shqiptar, se kjo s’ka kuptim, ju keni flamurin italian e s’ka vend për dy flamuj, ndryshe do të përdorim armët”. Kur manifestuesit dolën nga xhamia, marshalli hoqi flamurin shqiptar dhe ia lidhi në bisht të një qeni që shëtiste nëpër rrugë. Atëherë Osman Haxhiu me bastunin e tij e goditi në kokë. Në fillim italianët e arrestuan, por kur morën në telefon, gjenerali italian, nga frika e zemërimit të demonstruesve, dha urdhër të lirohet. Populli u këndoi:
Nëntori nëntëmbëdhjetë
Osman, ç’e bëre beli
Mu te sheshi i Xhamisë
E more vdekjen në sy
Gjatë muajve që pasuan, pra në gjysmën e parë të vitit 1920, italianët po përgatiteshin në mënyrë
3
të ethshme në të gjithë drejtimin për ta pushtuar krejt Vlorën. Pikërisht, në këtë periudhë, si një
udhëheqës popullor i provuar, evidentohet më shumë se kurrë Osman Haxhiu, që populli, qysh atëherë, e quajti Osman Nuri.
Ai, i ushqyer qysh herët me ndjenja atdhetarie, i kalitur që në moshë të re kundër armiqve e tradhtarëve të vendit, vuri në dispozicion të qëndresës popullore jo vetëm mendjen, por edhe gjithë pasurinë e tij. Me shumë vërtetësi për të kanë thënë: “Ishte më i pasuri kur filloi lufta dhe doli më i varfëri nga ajo”…
Vendimet historike të Kongresit të Leshnjes hapën udhë të reja për të ardhmen e Shqipërisë. Në zbatim të tyre, në mars të vitit 1920, Osman Haxhiu u zgjodh “Kryetar i Komitetit të Mbrojtjes” për Vlorën. Kuvendi i Barçallasë që u mbajt më 28 maj të vitit 1920 me këtë kryetar të zgjedhur, miratoi vendimin për shporrjen e agresorëve. Në mbledhjen e komandantëve të çetave që përfaqësonin 4000 vullnetarë, u mor miratimi historik i tyre, për luftë pa kompromis…
Më 3 Qershor ata i dërguan ultimatum italianeve, firmosur nga kryetari Osman Haxhiu dhe anëtarët e tij: Qazim Kokoshi, Ali Beqiri, Duro Shaska, ku midis të tjerash thuhet: Ne e dimë se një popull i vogël siç është populli shqiptar, s’mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane, sado e fortë që të jetë, s’mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të derdhë gjakun për idealin e lirisë së tij…
Këto fjalë paralajmëronin një epokë të madhe e të lavdishme që është skalitur me shkronja të arta në gjithë historinë e Shqipërisë. Ka shumë këngë popullore që flasin për këtë luftë, si ajo e Mato Hasanit nga Brati:
Ç’të them për Osman Picar,
agai që mbahet rëndë,
kur shkon kaluar në kalë
flet pak dhe me mënd.
Është ilaç për fukaranë
për krahinë, mall e gjënë
miqtë e tij i ka të rrallë
një flori, tjetri argjendë…
Lufta e Vlorës zgjati 3 muaj, derisa u kthye në një luftë mbarëkombëtare. Ajo mbetet një nga epopetë më të lavdishme të popullit tonë, ku ai tregoi vitalitetin e tij të rrallë e i tha botës mbarë e në mënyrë të veçantë Evropës, se ç’është në gjendje të bëj një popull i vogël, fukara, por atdhetar, qoftë edhe kur lufton kundër një fuqie të madhe 40 milionëshe…
Objektivi u arrit, Italia u hodh në det e kjo dëshmoi se “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” e kreu detyrën me Osman Haxhiun në krye, i përkrahur fuqimisht nga Qeveria e Sulejman Delvinës.
Fjalë të zjarrta, plot vërtetësi, plot admirime, simpati, nuk kanë mbarim në dhjetëra apo qindra vargje të pavdekshme popullore për Osman Haxhiun:
Ulu o mali me borë
që të shoh përtej në Vlorë
Osman Haxhiun me forë
që ngrihet Baba Tomor…
4
Fytyra e këtij “vigani” siç shkruajnë bashkëkohësit është gdhendur në vargjet monumentale:
Osmani ç’i hipi kalit
bëri poshtë buzës së malit
seç i foli gjeneralit
dil steresë e jo limanit
breshkamadh i breshkamadhit
të shoç të zotë e vatanit…
Në vitin 1924 Osman Haxhiu vendoset në krah të Fan Nolit dhe Luigj Gurakuqit.
Osman Haxhiu vdiq fare i ri, në moshën 52 vjeç dhe Vlora e përcolli me nderim të madh.
Figura legjendare e Osman Haxhiut dhe “Lufta e Vlorës”, nuk është ngritur asnjëherë në madhështinë që meritojnë:
Në kohën e Zogut nuk u lejua të varrosej në Vlorë, por në çifligun e tij në Picar, disa kilometra larg qytetit, kur Vlora, si e meritonte, e propozoi që ta kishte varrin pranë Ismail Qemalit.
Në kohën e Enverit, u venit paksa madhështia e tij, ndikuar nga qëndrimi politik i djalit të tij Kryetar Bashkie, po dhe si ish aga, e përfaqësues “i klasave të përmbysura”. Menjëherë pas ardhjes në fuqi, komunistët i hoqën emrin e Shkollës Nr. 3 të Vlorës (që quhej Shkolla Osman Haxhiu). Në 50 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, u dekoruan me një medalje të thjeshtë “Për Veprimtari Patriotike” që është shumë pak, për çka e meritonte çdo luftëtar i Luftës së Vlorës.
Bashkia e Qytetit të Vlorës që në vitin 1994 e nderoi me titullin “Qytetar Nderi”, dhe Këshilli i Qarkut Vlorë në vitin 2012 e shpalli “Nderi i Qarkut të Vlorës “, në shtëpinë e tij është vendosur një pllakë përkujtimore bronzi, një rrugë e lagjes “Isa Boletini” dhe një lagje e qytetit të Vlorës ka emrin e tij, Presidenti Alfred Moisiu, në vitin 2005, i akordoi dekoratën “Medalje e Artë e Shqiponjës”, ndërsa Shoqata Kulturore dhe Atdhetare “Labëria” e ka shpallur “Mirënjohje e Labërisë”
Osman Haxhiu, i kalon shumë kufijtë e Vlorës dhe të Labërisë dhe formëson një figurë legjendare të popullit shqiptar. Ai, si rrallë kush, e shkriu rininë dhe pasurinë e tij, për pavarësinë dhe lirinë kombëtare.
Për figurën e tij legjendare atdhetare, jo vetëm që nuk ka asnjë “njollë e damkë”, (siç ndodhi në rastin e asaj bisede nga mori shkas ky shkrim modest), po është një monument historik, me kulmin në fitoren e “Luftës së Vlorës”, që duhet të nderohet e kujtohet sa më shumë nga të gjithë shqiptarët e posaçërisht, nga Bashkia e Vlorës, Akademia e Shkencave dhe deri te Presidenti i Republikës.
Vlorë, më 10.06.2015